nga Marcela Tringaj
Shkollat e biznesit janë në qarkullim që prej vitit 1819, vit kur École Supérieure de Commerce de Paris themeloi të parën grande école të biznesit. E që prej asaj dite shkollat e biznesit mbinë si kërpudhat pas shiut. Sot numërohen rreth 13.000 shkolla biznesi në të gjithë botën, 3.000 prej të cilave janë private. Konkretisht për një student vendës në Britaninë e Madhe kostoja e një shkollimi të tillë varion 14.000–43.500 £ në vit, duke mos përfshirë këtu koston e jetesës gjatë studimeve. Ndërsa për një student ndërkombëtar tarifat janë shumë më të kripura. Për një diplomë MBA në shkolla si Wharton apo Harvard Business School tarifa shkon 25.000–100.000 £. Për hir të së vërtetës, sot këto shkolla biznesi tejkalojnë shumë kompani të mëdha botërore për nga të ardhurat që gjenerojnë dhe nga reputacioni e influenca.
Veç sillni ndër mend numrin e madh të të punësuarve në këto shkolla, armatën e të diplomuarve çdo vit dhe shumat e majme të parave që qarkullohen prej këtyre tyre. Kësisoj nuk është çudi që një nga tiparet e këtyre shkollave është shuma e kripur që përdorin për marketing. Website-t e këtyre shkollave përdorin teknika e dizajne moderne e interesante për të reklamuar shërbimin e tyre. Fashat e reklamave që tërheqin vëmendjen me tituj bold si “Realizo ëndrrën!”, “Njohuria është sukses”, “Gjej veten tënde”, duket sikur po reklamojnë një kurs pianoje, joge apo shërbime celulari e jo dhënien e një diplome. Moderne e mjaft të kuruara e komode janë edhe ndërtesat e këtyre shkollave: një recepsioniste veshur smart pas dyerve prej xhami me sensorë, kafene e mensa moderne, kënde pushimi e relaksi stil resorti, salla leksionesh e seminaresh me tapetë të trashë e që shkëlqejnë nga pastërtia.
Nga ana tjetër, këto shkolla mirëfunksionojnë, sepse ka një kërkesë që sa vjen e rritet. Sipas Aspen Institute, arsyeja fillestare pse një student vendos t’i futet shkollës së biznesit është besimi se në të ardhmen do të bëhen pjesë e kontributit të një kompanie, që ka për qëllim të prodhojë të mira e shërbime nga të cilat mund të përfitojë shoqëria. Mbas përfundimit të studimeve, besimi i hershëm i studentëve transformohet në bindjen se shkollimi i tyre vlen për të maksimalizuar fitimet e kompanisë, e vetëm pastaj vjen interesi i shoqërisë e ideale të tjera me radhë. Të shumtë janë ata që besojnë se shkollat prestigjioze të biznesit janë vendet më të mira për të krijuar mundësi të pashoqe karriere e mundësi ku lidhjet dhe njohjet vlejnë më shumë sesa tarifat e paguara.
Një situatë ‘win-win’ e krijuar për të përfituar të dyja palët: nga njëra anë kompanitë që besojnë se punonjësit e arsimuar në shkolla të tilla janë shumë më të talentuar, kreativë dhe profesionalë për të marrë vendimet e duhura që maksimalizojnë fitimet e kompanisë dhe, nga ana tjetër, universitetet prestigjioze që nga kërkesa e lartë për të prodhuar profesionistë të tillë, rrisin çdo vit tarifat universitare. Ajo çka një shkollë biznesi ka formësuar është një lloj utopie dedikuar vetëm të pasurve dhe të pushtetshmëve, një grup i privilegjuar ku inkurajohesh të bësh pjesë kundrejt një tarife të kripur.
Padyshim që jemi duke jetuar tashmë epokën ku kompanitë gjigante multinacionale janë në pozitën për të qenë më të fuqishme se qeveritë në disa raste dhe në mundësinë e plotë për të kontrolluar sistemin arsimor, i cili rrjedhimisht mbetet në shërbim të suksesit dhe të sipërmarrjeve të tyre. Haptazi ky lloj sistemi është krijuar për të qenë i lehtë kontrolli mbi njohuritë sipas interesit të një sistemi ekonomik që në qendër nuk ka nevojat e njerëzve të zakonshëm për të realizuar vetë jetesën në harmoni me njëri-tjetrin dhe me mjedisin, por nevojat e një sistemi global korporatash, ku çdo gjë është në shitje dhe ka një çmim, vlerë të cilën e cakton tregu.
Për rrjedhojë sistemi arsimor botëror është përqendruar në kurrikula mësimore e programe shkollimi biznesi ku të rinjtë, në fund të studimeve, e gjejnë vetën të brumosur me një kulturë të re perëndimore në mendim, vizion e filozofi, me premtimin dhe preteksin se po gatiten me aftësi konkurruese të larta për karrierën pasuniversitare. Fundi i ajsbergut është qëllimi i vërtetë i një sistemi arsimor në shërbim të nevojës së multikompanive për të përthithur të shkolluar që do të kontribuojnë në fuqizimin e pozitës dhe të pushtetit të tyre. Kësisoj, misioni i universiteteve mbetet vetëm krijimi i njohurive për një armatë të gjerë studentësh, që do të duhet t’ua shesin njohuritë për shumë pak kompanive të mëdha. Të tjerë janë me më pak fat, dhe u duhet të punojnë si shpërndarës ushqimesh me motoçikletë, edhe pse janë diplomuar në një shkollë biznesi.
Në sallat e tyre të seminareve dhe leksioneve, shkollat e biznesit vijojnë të mbeten ithtarë të mësimeve të vjetra e jashtë realitetit për tema që implikojnë biznesin, vetë mjedisin dhe transformimin socio-ekonomik që kanë provokuar vetë e që njihet si kriza e globalizimit. Lëndët kryesore në këto shkolla biznesi nuk marrin në konsideratë të trajtojnë tema se cilët janë fituesit e humbësit e këtij sistemi të ndërlidhur ekonomik. Në shkollat e biznesit ka pak histori në lidhje me prosperimin e kompanive multinacionale apo cilët ishin aktorët e shkatërrimit ekologjik dhe padrejtësive sociale, që tashmë janë tipare të civilizimit modern dhe ekonomisë globale. Gjithashtu, pak leksione prekin se në interesin e kujt është të mos i vihet fre manisë për të pasur e zotuar gjithçka, e që në fakt ka sjellë konsumimin e pothuajse 60% të burimeve natyrore vetëm në pak dekada, për të mos përmendur më pas krizën serioze të klimës.
Që të mos flasim pastaj për qindra skandale të kompanive të mëdha lidhur me punën skllavëruese të fëmijëve në plantacione, krizën mjedisore, emigrimin e sforcuar që duket se nuk mbaron kurrë si proces apo për gjithë vatrat e luftës për burime natyrore. Apo me shkurajimin e studentëve, përmes gjithë kurrikulave të shkollave të biznesit, për çështje si kurthi i mbikonsumimit, ku njeriu i zakonshëm e ndien veten të mbërthyer, në mënyrë që qëndrueshmëria, përgjegjësia dhe diversiteti në lëndë të studiuara në këto shkolla të mos mbetet thjesht një dekor i shëmtuar i këtyre shkollave. Sigurisht tema kryesore atje do të mbetet togfjalëshi se kapitalizmi është i paevitueshëm e se teknikat financiare dhe ligjore ku mbështetet ky sistem janë shkencë e pastër. Një ideologji kjo që i kthen shkollat e biznesit në institucione të rrezikshme.
Duhet i njëjti veprim si në vitin 1960, ku shumë profesorë sociologjie ngritën zërin për kurrikulën e fshehtë, që konkretisht përfaqësonte leksione që nuk përfshiheshin në kurrikulën mësimore të universitetit, si për shembull tema që lidhen me gruan, njerëzit me ngjyrë, klasën punëtore dhe ekonominë lokale. E gjithë kjo për të konfirmuar privilegjin e supremacinë e njeriut të bardhë. Sot shkollat e biznesit duket se i kanë vënë kapak kësaj çështjeje, duke trajtuar tema leksionesh si “etika e biznesit” apo “përgjegjësia sociale e korporatave”, si një mënyrë për të larë ndërgjegjen e tyre, jo si një mësim i mirëfilltë se si mund të veprohet konkretisht, duke bërë që gjithë fenomeni të mbetet fjalë pa vepra.
Shkollat e biznesit kanë privilegjin të formojnë liderët e së ardhmes dhe janë në pikën ku kanë nevojë të reflektojnë se për çfarë ka vërtet nevojë bota. Mjaft ekonomistë të zotë dhe idealistë kanë boll të dhëna, statistika e përfundime studimesh shkencore që rrëzojnë argumentimet e Friedman dhe Hayek, se e vetmja përgjegjësi e korporatave është të maksimalizojnë fitimet e tyre, pa marrë në konsideratë pasojat dhe ndikimet negative te të tretët. Është pikërisht momenti që shkollat e biznesit të arsimojnë dhe të edukojnë liderët e së nesërmes se si të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme për krizën e shkaktuar nga kapitalizmi dhe globalizmi, qorrsokakun ku është shpënë njerëzimi në keqbesim e për të cilin shkollat e biznesit kanë një pjesë të mirë të fajit.
© 2024 Marcela Tringa. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi në kopertinë është krijuar me AI.
Nje trajtim interesant, edhe pse me beri te reflektoj.
Eshte ne natyren e biznesit te gjykoje cdo gje per nga eficienca. Edhe keto nismat CSR – corporate social responsibility – jane praktikisht nen pergjegjesine e departamentit te marketing dhe ne sherbim te imazhit te kompanise sesa sherbime ndaj komunitetit.
Ka pasur diku nje studim mbi kurrikulat e programeve te biznesit, por keto jane thjesht vezhgime siperfaqesore. Kurrikulata jane te kopjuara, edhe keqazi, prandaj nuk kuptojne gje studentet. Ndoshta e kam gabim, por kam pershtypjen se shumica e temave te doktoratave jane ne makro-ekonomi, kjo pse ata ekspertet e qemotit punonin per shtetin socialist, vec ndonje ekonomist ndermarrjeje mund te merrej me mikro aty. Apo kam me shume tema ne mikro tani?
Gjithashtu nuk me kane zene syte ne doktoratat e Universitetit te Tiranes studime krahasimore te kultures organizative te korporatave brenda Shqiperise, apo me ato ne Evrope, Ballkan, apo Amerike.
A jane Kastrati apo Balfin korporata moderne? Apo jane thjeshte entitete feudale? Te pyesesh ate ekonomistin rebel grek Varoufakis, Yanis — qe e perzune nga Gjermania per mbeshtjetjen ndaj palestinezeve, — ai i cileson edhe Tesla, Apple, Alphabet, apo Microsoft kompani tekno-feudale. Te me pyesesh mua, jane te gjitha pjese e kompleksit industrialist-ushtarak ne sherbim te perandorise amerikane.
A jane keto korporatat ne Shqiperi organizata qe veprojne kryekeput brenda sistemit te tregut apo entitete te ndermjetme politike, organizata partiake gjysem-shteterore? Kjo justifikon monopolet qe zoterojne ne sektore te caktuar dhe varesine politike e financiare nga qeverite e radhes.
Me siguri dekani i fakultetit te ekonomise apo ndonje ish-llogaritar kooperative as nuk i kupton keto tema.
Ishte viti 2005 kur CEO i asaj kohe, i kompanisë globale Nestlé, Peter Brabeck-Letmathe deklaroi në menyre entuziaste se: “Uji nuk është një e drejtë natyrore por MALL për t’u tregtuar në treg sepse kompanitë dinë më mirë sesi ta menaxhojnë mosçuarjen dëm të tij”.
Falë këtyre kompanive multiglobale kemi sot një planet që lëngon nga pushteti i lakmisë për të poseduar këdo e gjithçka.
Kemi njerëz, komunitete që u janë diktuar në mënyrë tinëzare marrdhëniet të pashëndetshme mes njëri-tjetrin, natyrën vetë e çka na rrethon.
Na mohuan JETESËN në HARMONI sepse është koha e dinastisë së tyre. Fatkeqësisht!