Nga Spiro Duka PhD
Në shkencën e Mekanikës ka një mori ligjesh dhe rregullash me anë të të cilave shpjegohet lëvizja mekanike dhe janë ndërtuar një pafundësi mekanizmash, aeroplanë, trena, vetura, vinça, etj., etj. Gjenialiteti i Isak Njutonit (1642-1726) ishte se, nga moria e këtyre ligjeve, veçoi tre dhe vetëm tre ligje bazë, përfshi dhe ligjin e tërheqjes universale, me të cilat pastaj shpjegoi gjithçka brenda sferës së Mekanikës! Nga mijëra ligje e rregulla ai veçoi vetëm tre, gjë që lehtësoi dhe sistemoi mjaft shkencën e gjerë të Mekanikës. Por ka diçka më tepër, ai kështu vuri në dukje esencën e kësaj shkence, se diçka e veçantë përmblidhet në këtë thelb, i cili shpjegon gjithçka (por jo vetveten!).
Ligji i parë i Mekanikës dëshmon se një trup ruan shpejtësinë si madhësi dhe drejtim për aq kohë sa asnjë forcë e jashtme nuk e ka ngacmuar atë trup. Ky është ligji i inercisë i trupave mekanikë. Trupat në lëvizje inerciale nuk kanë vetë forcë të ndryshojnë vetveten: drejtimin dhe madhësinë e shpejtësisë së tyre. Një meteor lëviz në një heshtje enigmatike për miliona vjet në vijë të drejtë e me po atë shpejtësi, për aq kohë sa nuk është përplasur apo ndikuar nga jashtë. Përse? Shkurt mos e kërko shpjegimin e kësaj dukurie mekanike, të paktën nga shkenca e Mekanikës. Por madje edhe nga më gjerë!
Inercia nuk është gjithmonë një dukuri aq e dukshme. Një veturë që lëviz me shpejtësi të pandryshuar në rrugë të drejtë s’është aspak e vërtetë që lëviz prej punës së motorit: thjesht lëviz për inerci vetjake! Fërkimi me ajrin dhe rrugën ndesh forcën e motorit, dhe, kur shuma e këtyre forcave të kundërta bëhet zero, vetura lëviz lirshëm në vijë të drejtë e me po atë shpejtësi, thjesht për inerci vetjake! Kjo inerci pastaj e shfaq vetveten në frenimet ose kthesat.
Themi shpesh se gjërat e pashpjegueshme na duken magjike. Për mua edhe inercia është një “dukuri magjike” në kuptimin “shkencor” të saj! Kur themi se një trup i patrazuar lëviz për inerci do të thotë se ai ruan po atë raport, atë lidhje me trupat rrethues, edhe pse për çudi ai nuk ka asnjë lidhje të drejtpërdrejtë fizike me këta trupa! Inercia është shfaqja e pandryshueshmërisë në atë ndryshim që quhet lëvizje mekanike! Kjo inerci shfaqet në lëvizjen drejtvizore, por shfaqet edhe në disa forma të tjera më të ndërlikuara, si p.sh. në lëkundjen e lavjerrësit, e sidomos në rrotullimin e trupave, siç ndodh me dheun tonë gjigand që, pas disa goditjeve shumë të lashta fillestare, po vazhdon për miliarda vjet për inerci të rrotullohet rreth vetes me një cikël ditë-natë karshi Diellit.
Lart në qiell ne shohim galaktikat, këto mostra supergjigande që rrotullohen për inerci si figura të pikturuara në qiellin e zi; miliarda yje që rrotullohen së bashku në grup për inerci për miliarda vjet pa u shpërndarë. Ende nuk ka një shpjegim përse janë aq shumë të lidhur, si të ngrirë! Thuhet se njëfarë Masë e Errët e voluminoze, ende enigmatike, shtrihet nëpër çdo galaktikë e kudo si një ngjitës që lidh bashkë yjet e tyre në këto rrotullime gati të “përjetshme”!
Vjen pranvera dhe natyra shpërthen rishtazi ciklikisht në mrekullinë e saj. Mendoj se kemi prapë një lloj inercie, pasi ligjet e biologjisë shpjegojnë si ndodh ky shpërthim, por nuk shpjegojnë dot esencën, vetveten, përse ekzistojnë këto ligje që e bëjnë të mundur atë dukuri të përsëritshme. Më thjesht është të thuash se kjo dukuri është një shprehje e një inercie – le ta quajmë – biologjike! Inercia biologjike është mjaft më komplekse se ajo mekanike. Një virus i sulet qelizës për ta ndryshuar, por qeliza riformohet dhe prapë mbijeton duke e kapërcyer këtë goditje. Që qeliza të ruajë vetveten, mbijeton nëpërmjet një inercie dinamike të brendshme që e detyron të ndryshojë në formë pikërisht për të ruajtur thelbin e saj. Lufta për të ekzistuar, për të ruajtur vetveten, është një inerci dinamike. Në luftën për të ruajtur vetveten një qelizë e krijuar disa miliarda vite më parë betejë pas beteje rriti forcën inerciale vetëruajtëse, në fillim nëpërmjet disa ndryshimeve të jashtme e me pas duke u kombinuar në grupe gjithnjë e më të mëdha, nga gjallesa pak qelizore deri te gjitarët dhe te njeriu, qenia që përpiqet të vetëruhet nëpërmjet njohjes së rrezikut asgjësues.
Esenca e fesë shpreh gjithashtu një shfaqje inercie: njeriu nuk zhduket me vdekjen, po në thelb vazhdon jetën e tij në një “mjedis” tjetër, në parajsë, purgator, ferr apo në një vend tjetër. Thelbi i saj është që me vdekjen njeriu ndërron formën e jashtme, porse i riformuar lëviz më tej në kohëra (të përjetshme), duke ruajtur inercialisht esencën e vetvetes!
Por le t’i lemë më një anë diskutimet e gjera mbi fenë duke zbritur me këmbë në tokë. Një qenie njerëzore lind dhe përshkon harkun jetësor deri sa vdes. Përse ai bën tërë ato përpjekje të mëdha për të mbijetuar kur e di që në fund vdekja “e shumëzon me zero”? Thjesht është magjia e inercisë së brendshme që e shtyn për të lëvizur midis dukurive jetësore që i bien ndesh kësaj lëvizje, jo më ndryshe se cfarë ndodh me një trup qiellor që lëviz për vite shtyrë nga inercia deri sa përplaset. Nëpër këta njerëz të vdekshëm rrjedh për inerci për qindra mijëra vjet si në stafetë mesazhi i jetës i shkruar me katër e germat e fiksuara të kodit gjenetik. Jeta është një dukuri inerciale magjike. Mjekësia dhe shoqëria, dhe madje edhe feja në mënyrën e vet, janë pjesë ndihmuese të rëndësishme të kësaj inercie jetësore! Kjo dukuri e mrekullueshme, që e quajmë jetë (njerëzore), është thjesht një shprehje magjike e inercisë biologjike. Por me këtë nuk kemi thënë ndonjë gjë të madhe, vetëm se kemi thjeshtuar shpjegimin nëpërmjet përdorimit të kuptimit universal të inercisë. Nga ana e saj feja, besimi në Zot, i atashon kësaj inercie biologjike të kufizuar në kohë një shtrirje irreale jetës njerëzore, të pa fund në kohë e në një mjedis joreal, hyjnor pranë Zotit. Le ta quajmë, për një besimtar këtë lëvizje në kohë të një jete njerëzore, një agregat inercial bio-hyjnor me një fillim të lëvizjes, por pa një fund.
Por le të mos lodhemi për të shpjeguar këtë inerci të kudogjindshme. Thjesht na mbetet të sodisim dhe përshkruajmë shfaqjet e saja të panumërta në këtë univers të harmonisë së raportit të pandryshuar midis ndryshimit, si prishës i inercisë, dhe mosndryshimit inercial!
© 2024 Spiro Duka. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.