Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filozofi / Shkencë

BËMA E VËZHGUESIT

nga Shkëlqim Çela

Dukurinë që quhet observer effect në fizikën e thërrmijave elementare apo në mekanikën kuantike, dua ta kuptoj jo si “ndikim të vëzhguesit”, siç është e udhës për fjalën “effect”, por si “bëmë” të tij. Aq thellësisht varet përfundimi i provës me thërrmija elementare prej vëzhguesit, saqë ky nuk “ndikon në”, por e “bën” atë. Në eksperimentin më thelbësor të mekanikës kuantike, i cili ka më shumë se 200 vjet që studiohet dhe ri-intepretohet, duke u bërë një lloj teoreme Ferma në fushë të vet, pra në eksperimentin e “dy frëngjive” (double slit) të Young-ut, u pa se përfundimi, domethënë forma e goditjes së thërrmijave mbi ekranin e ndjeshëm, varej në mënyrë të pakundërshtueshme nga fakti nëse frëngjitë kaluese të tyre, thërrmijave, pra vëzhgoheshin nga dikush ose jo.

A përcaktohet “realiteti” nga vëzhgimi, i cili nuk është gjë tjetër veç një formë e ndërgjegjes? Përmasa kolosale e pyetjes mbi “të dhënën e parë” të shtyp si një piramidë e pashpjegueshme. Pasi u shpëtoj kurtheve të “syrit të keq” apo të psikokinezës, shkoj drejt e aty ku zemra më çon vetiu: tek mitologjia. Gorgonat, a nuk i kthenin subjektet që shikonin në gur? A nuk është kjo një bëmë vëzhguesi? Dhe a nuk ndodh pikërisht ashtu edhe në botën e elektroneve e nënthërrmijave të thjeshta? Ç’magji bën Meduza në ato krisa firi? A nuk është një monument i bëmës së vëzhguesit miti i Orfeut? A nuk është syri gjithëparës, që vëzhgon njerëzinë çprej mijëra vjetësh nga maja e piramidës një autor i bëmës së vet, i njerëzisë së ndërgjegjshme që është e vëzhguar, e ngurtësuar prej këtij fakti, i cili e humbet breroren (valën) nën atë gjithëvëzhgim?

Si shpjegohet dashuria? “Merr sytë e mi dhe shihe!”

***

Kujtoj një skenë të dramatizuar nga jeta kërkimore e Santiago Ramon y Cajal-it, e pikërisht përshkrimin e neuroneve të një vajze “të vëzhguar” tek ecën përballë një “vëzhguesi”, të themi për rastin një mashkull tërheqës. Neuronet e vajzës ndryshonin menjëherë sapo ajo e shihte që po kundrohej. E që aty nuk është vështirë të bëjmë hapin e vogël për kuantin, por kërcimin e madh për mashkullin vëzhgues, e të dalim në sa e sa trotuare, ku vajza hipotetike ecin kokëunjura, me neurone që u tkurren apo zgjaten varësisht nga qenia e detektorëve donhuanë në karakollet vrojtuese-gjuajtëse e matëse të bulevardit.

Ky lloj deliri, në thelb maskilist, zgjat për aq sa vazhdon “bëmën” (…ose gjëmën), sindroma e marrjes së realitetit në favorin tonë. Por mjafton një çomange zgjuese, dhe aty ia behin vajza të tjera që ecin trotuarit të pandikuara fare nga gjuajtës-bombarduesit e bulevardit, neuronet e të cilave nuk duan t’ia dinë në i vëzhgon aksh vrojtues: ato ecin me hap amazone, në fillim njëra, pastaj tjetra. Vëzhguesi zë e hutohet, asnjë bëmë e tij në horizont, hapat e “të pandikuarave” sa vijnë e shtohen; ato janë gati të bëhen një parakalim qytetës, nuk është veç “njëra nga ato”, ato janë një luzmë, një bashkësi, dhe vëzhguesi e kupton që donhuani është pjesë e një realiteti tjetër paralel, të krijuar nga letërsia, përmes membranës së të cilit (realitet), ai (vëzhguesi), nuk kalon dot, të paktën jo me atë lehtësi me të cilën donhuani vjen që andej; cipa është gjysëm e përshkueshme, herë çahet e herë jo, është një himen që nuk vendos dot për virgjërinë, nuk i sheh gjërat bardhë e zi, është një “pjo” pothuaj dialektike, e cila i bën të panevojshme edhe qepjen (himenoplastinë), por edhe kërkesën për virgjëri. Kjo është osmoza njëkahëshe e botës sonë.

Vëzhguesi kupton se është herë i fuqishëm, ngaqë me “bëma”, e herë i pafuqishëm ngaqë pa to.

***

Po vërtet, ç’bëhet më pas me macen Qeshire? Gjuha shqipe qe më fatlume edhe se origjinalja: “qeshire” (gegërishtja e lume për Cheshire, ajo q-ë e zbutur e shtëpiake për ç-ënë e egër) ndër ne mund të jetë pa shumë zor një “mace hugoiane që qesh” – sikur edhe vetëm nga kjo një omen i errët duket sikur vrapon pas maces që zhduket në kopshtije si një hije. Ç’u bë me të? As Schroedingeri nuk e din(te). Di vetëm se ajo ishte një mace “me botë”, mund të ngërthente në vete gëzimet, haretë, shpotinë, apo trishtimin e gjithë maceve të botës. Me një fjalë mund të ishte çdo njëra nga të gjitha këto. E ndërkaq, di po ashtu se, në të vërtetë, ajo është vetëm një, pasi në këtë botë ka veç një mace Qeshire, ashtu siç ka vetëm një Lewis Carol. Në “këtë” botë ama!

“Qeshu palaço, dhe pse zemra po t’pëlset”. Vetëm kaq mjafton të hidhet dyshimi i parë. Qeshja e maces bëhet edhe më enigmatike se ajo e Mona Lizës. Cilën mace pa? Atë të gëzuarën vërtet, apo një zemërplasur që bënte sikur? S’ta dal dot, o me të qarë, po me të kënduar, tha një burrë i thekur nga Bregu. Mesa duket as vëzhgimi nuk ndihmon dot. Sepse pas asaj maske mund të ketë shumë shpirtra: a nuk thonë që macet kanë shtatë? E për më tepër, nëse pa, të themi të gëzuarën, ku shkuan të tjerat? Dhe kush i pa ato? Nga këtu s’është larg që ashtu si për macen, mendimi të shkojë tek vetja si vëzhgues, pra, mos vallë në botët e tjera, vëzhguesit nuk janë veçse ca të tjerë “ne”? Brrrrr… Bën ftohtë në Rusi, vëlla, bën pabesi. Bën ftohtë dhe në Kopenhagë, ku shkurtet humbin mace. Sidoqoftë, çështja nuk është më veç e shoqërisë së mbrojtjes së kafshëve. Tek e fundit, një vend nuk mund të quhet i mbrothët nëse macet e tij nuk janë të lumtura.

***

Ndërkaq, Mr. Hyde dhe Dr. Jekyll shfaqeshin dhe zhdukeshin nga e njëjta dritare shtëpie, për të cilën mund të betoheshe që kishte dy burra. Dhe vëzhguesi mirëfilli ndjen tradhti. Atij shumë shpesh porositë e sushit në shtëpi ia sjell një aziatik, i cili i duket aq njësoj çdo herë, e megjithatë gjithë po aq i ndryshëm: një herë ai është i shpejtë e i mirësjellë dhe e falënderon për bakshishin më të vogël të mundshëm (10 cent), e një herë tjetër i ngadaltë e ikën buzëmbledhur edhe me 25% të çmimit si bakshish. Ai nuk e din nëse aziatiku është i njëjti, por me humore të luhatur siç jemi të gjithë, apo shefi i restorantit ia çon porosinë me shegertë të ndryshëm. Vëzhguesi nuk i jep dot dum ç’qëndrim të mbajë e ç’të ndjejë për shegertin. Nuk di a të inatoset (me njërin), a të jetë mirënjohës (me tjetrin), sepse ai nuk mund të ndjejë dy gjëra të ndryshme për të njëjtin njeri. Dhe ky “catering” vazhdon, gjersa vëzhguesi i jep dum se gjithësesi një shegert i vetëm nuk mund të shfaqë një diapazon kaq të madh cilësishë shërbimi. Ata janë me siguri një grup shegertësh që i shërbejnë, në këto kohë me papunësi diçka e tillë është e pritshme, dhe pas rastit, atij i qëllon një herë një i mirë, e një herë një i keq. Pas disa kohësh, ai ka vërejtur një shenjë të vogël në fytyrën e shegertit, një nishan apo shenjëz të vjetër plage, e cila meqë s’dallohet shumë qartë, e bën të mundur, por jo të sigurt, që prurësi i bishtave orizorë të dragonjve apo të rulove të Kalifornisë, të jetë i njëjti njeri. Vëzhguesi nuk di ç’të ndjejë përsëri, një dyshim i fundit që ai mund të jetë vetë bipolar e bën të plotë kaosin: vdis të të dua.

***

Problemi në të vërtetë qëndron tek pe-plumbçja, jo tek syri që të gënjen. Pe-plumbçet përdoren vetëm ngaqë muri nuk pëson gjë kur ato godasin mbi të, teksa përpiqen të gjejnë qetësinë kryengulthi.

Mendoni ama një mur të hollë, të thyeshëm, (Trashësitë e mureve janë zvogëluar rëndshëm në gjithë SHBA-t nënqytetare), ose holloni me mend xhamin e qiejgërvishtësve në zemrat financiare metropolitane. Çdo përpjekje e ndërtuesit për të parë nëse muri ishte i drejtë do të përfundonte me një mur të thyer. Pra pingulen e murit do të mund ta gjente vetëm duke e thyer atë. Ndërtuesi do të thosh që ky mur mund të provohet në është “i drejtë” vetëm si i thyer. Të pathyer do ta keni vetëm nëse nuk do të donit ta dini se si është.

Pra, bëj një pe-plumbçe më të vogël dhe e gjithë bota do të vijë të mbajë radhë para derës së zyrës tënde ndërtimore.

***

Të jesh i vogël u bëkësh papandehur përparësi. Sepse kaukazianët (të bardhët) janë, për dreq, shumë kaba: Sony. Shih filmin “Njerëz të çmendur”.

Sony dhe Sushi na janë futur nga poshtë dyerve për të na bërë të ndihemi “të mesëm”. E duam atë ndjenjë: a nuk thonë se sapo shohim që jemi mediokër, provojmë një shkëndijë gjenialiteti? Japonia na duhet për reaksionet zinxhir, status dhe ojna. Ankesa mbi femurët dhe gishtat e gjatë të evropianëve kërkon kundërpjesën e vet, aziatikët e vegjël, e jo thjesht për jing dhe jang, por që në tryezat e punës të mund të gjejnë qimen në kashtë e si milingona punëtore të vërtiten mes tërë atyre qarqeve të integruar, dhe t’i prodhojnë televizorët të hollë, të hollë, për andrim muresh, me qëllimin që ata filmat që prodhojnë amerikanët t’ua shpien në shtëpira europianëve kockëmëdhenj.

Kaukazianët janë, për dreq, shumë kaba. Gishtat e tyre prej Guliverësh do t’i shkatërronin indet e holla e të ndjeshme të rrjetit të imët të gjysmëpërçuesve: Mund të keni televizorë hollakë, zotërinj, por vetëm të thyer.

***

Për të vjedhur tablonë, Thomas Crown u bë nga individ, një bashkësi të ngjashmish, në të njëjtën kohë e domen, dmth në një galeri arti. Shih filmin “The Thomas Crown affair”, version amerikan i Ali Babait me 40 hajdutë. Nuk është problemi se njëshi është zero e fyl, se po të ish e vërtetë kjo, çdo bashkësi njëshash do t’ish përsëri zero e fyl. Nënvleftësimi apo asgjësimi i individit, përveçse irracional ngaqë shkon kundër fesë së termodinamikës, është edhe i pahijshëm. Problemi është se vëzhguesit (ah sa dua që ky film i fundit të paktën, të jetë parë!) u detyruan të shikonin një bashkësi, ku çdo anëtar i saj mund të ishte me një gjasë të caktuar në gjithë galerinë, e madje të ecte sipas një drejtimi të rastësishëm. Natyrisht, vetëm një rastësi e planifikuar mund të jetë përsosmërisht e tillë. Rastësia është një koncept mëkatar, si rrekje për të shpjeguar atë që nuk shpjegohet, dot ngaqë e pavëzhgueshme.

Thomas Crowni e dinte që në bashkësi ai do të fitonte ca veti që i vetëm nuk do t’ish kurrë në gjendje t’i kish, jo se nuk qe i zoti, aspak, ai ishte më i afti ndër tërë ata vartës në dukje të njëjtë me të që vërtiteshin shesheve e shkallëve të ndërtesës si një zukatje e bardhë. Le të mos ngatërrohemi as me thënien edhe më mjegullore se “bashkimi bën fuqinë”. Në të vërtetë, ajo që bën bashkimi është rritja e pasigurisë, zgjerimi i gjasës, qenia në shumë gjendje njëherësh e perceptimit të elementeve të veta. Crowni donte të vëzhgohej si bashkësi, vëzhguesi (policia) kërkonte ta këqyrte si individ. Vetëm kur vëzhguesi do ta ndalte dikë nga turma, në pamje me kast si Crowni, do e merrte vesh në ish ai apo jo. Pa e ndalur, i vëzhguari ishte veç një gjasë, një pjestim me numrin e individëve që po luanin lojën; dhe e gjithë gjetja e Crownit qëndronte në atë që ai kërkonte të bëhej një gjasë, (teksa vëzhguesi e donte një siguri, domethënë një individ). Gjasa bëhet vetje kur kjo e fundit ndalohet, vritet, lidhet, pushohet, kapet. Individi është kësisoji një gjendje post-festum ose krimi. Sidoqoftë, një vrasje e gradëve të lirisë, shi kur mendohet që ai është i lidhur me lirinë më të pafund. Sepse individi është realizim e jo më mundësi. Gjithnjë në perceptim. Ai asnjëherë nuk është i barabartë me fuqinë hamendëse të vëzhguesit, e cila ngrihet mbi fushat e mëdha të pritshmërisë. Rasti kur pritshmëria dhe individi përkatës përkojnë, është po aq i vogël si gjasë sa edhe pika fizike.

E pra, mekanika kuantike ka shumë ç’mëson nga vjedhja e një vepre arti.

***

Kujtoj retë e mrekullueshme të zogjve mbi Tibur. Larg. Lart. Si një parrullë e mirëorganizuar fashiste. Një organizim organizmash, i bashkëlidhur perëndisht. Ishte e vetmja mënyrë se si mund të shiheshin ata zogj të largët. Me siguri nuk do ta shquaja dot një zog aq larg, ama të gjithë ata i shquaja, e madje si një kënaqësi. Kjo më bën të besoj se nuk jemi të saktë kur themi që nuk shquajmë dot një zog të vetëm horizontit, sepse ashtu do t’ish e pamundur të shquhej tufa. E ndërkaq, nëse ndonjëri prej tyre e linte tufën e bëhej një individ i vetëm, nuk do të doja të vija bast se do ta vëreja dot. Tufat e tyre kishin diçka prej kandilëve të detit, me siguri një simfoni qiellore luhej diku në rrethin pas tyre. Valët e tyre merrnin trajta të harmonishme, të cilat vetëm natyra dhe matematika mund t’i ngërthejnë. Asnjë zog i vetëm nuk do të valëzohej ashtu mbi qiell, vala është veti e tufës, jo e individit. Shpesh njerëzit ankohen kur nuk dallohet pylli prapa drurëve, domethënë tufa prapa zogjve, por kjo ndodh kur druri apo zogu mund të shquhen qartë. Dhe është një problem i arsyetimit, me saktë i sintezës. Ndërsa problemi i vërtetë i vëzhgimit është se nuk dallon dot drurin prapa pyllit, zogun prapa tufës valëzuese, Thomas Crownin prapa grupit të sozive veshur me pardësynë e princit të pasigurisë.

 

© 2024 Shkëlqim Çela. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë realizuar me Midjourney.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin