nga Arba Bekteshi
Një pasdite, në Tiranë, duke u kthyer nga puna, u ndesha me një djalë rom i cili tërhiqte këmbët duke iu ankuar familjes që ecte para tij. Në pamje të parë mund të dukej si një ndodhi e zakonshme, – një adoleshent i detyruar të marrë pjesë në një aktivitet familjar. Por familja po bëhej gati të mblidhte kanoçe.
“Nuk dua të mbledh kanoçe!”, tha djali.
Ktheva kokën andej nga vinin. Shtëpia e familjes qe në fund të një rrugice tejet të ngushtë, një grumbull me tulla të kuqe si mure dhe çati prej fletësh të valëzuara. Megjithatë djali dukshëm do të parapëlqente të rrinte aty. Padrejtësia mishërohej në formën e një adoleshenti të detyruar të punojë dhe një familjeje të përfshirë në punë që quhet jo e ligjshme.
Në Shqipëri, mbledhja e kanoçeve është një realitet i përditshëm për shumë romë dhe egjiptianë. Këto komunitete janë ndër të paktat minoritete me ngjyrë në një vend ku kufijtë u mbyllën për më shumë se 40 vjet, duke u hapur ndaj të huajve në 1990-tat. Subjekt i diskriminimit të vazhdueshëm, romët dhe egjiptianët kanë pak mundësi punësimi përtej grumbullimit të materialeve të riciklueshme nga plehrat.
Ligji për menaxhimin e integruar të plehrave që Shqipëria e miratoi në 2011-n cilëson se të gjitha plehrat e hedhura në kosha janë pronë e bashkisë përkatëse. Ky ligj e shndërroi punën e ndarjes dhe shitjes së plehrave prej romëve dhe egjiptianëve në ilegale.
Halli i romëve dhe egjiptianëve në Shqipëri është një dritare në jetët e rreth 20 – 56 milionë mbledhësve të plehrave në botë. Këta punëtorë informalë janë direkt të përgjegjshëm për më shumë se gjysmën e plastikës së ricikluar në të gjithë globin, duke ndihmuar në uljen e gazrave serrë dhe reduktimin e ndotjes së oqeaneve nga plastika. Por në shumicën e vendeve, këta punëtorë të nevojshëm veprojnë në hapësirat gri të ligjit, dhe në disa vende puna e tyre është jo e ligjshme.
Përvoja e këtyre ricikluesve në kryeqytetin e Shqipërisë hedh dritë mbi rrjetin e ndërlikuar të njerëzve që përpunojnë mbi 2 miliardë tonë plehra çdo vit, të punonjësve të bashkive deri te mafia e te shumëllojshmëria e atyre që jetojnë në afërinat e shoqërisë.
Historitë e tyre ngrenë disa pyetje jetike: Kujt i përkasin plehrat? Kush është i përgjegjshëm për riciklim? Si mund të përfshihen legalisht grumbulluesit e plehrave në ekonomi qarkore? Dhe çfarë ndodh kur njerëzit u kthejnë shpinën plehrave të veta – e atyre që i përpunojnë ato?
ROLI I RICIKLUESVE ROMË DHE EGJIPTIANË
Si shumë vende, Shqipërisë i mungon një sistem i përshtatshëm riciklimi. Pjesa dërrmuese e banorëve nuk i ndajnë materialet e riciklueshme nga mbetjet e përgjithshme të shtëpisë. Duke parë se sa i vështirë është grumbullimi i plehrave dhe sa i rëndësishëm është për mjedisin, vendosa të ndaj mbetjet e riciklueshme në qese plastike të posaçme. Sa herë takoj një mbledhës kur jam duke hedhur plehrat, i pyes nëse po kërkojnë materiale të riciklueshme dhe u dorëzoj qesen time. Çdoherë marr një falënderim të sinqertë, shpesh nga dikush brenda koshit, zhytur në plehra deri në brez.
Me kohën, jam njohur me Bujarin (një pseudonim), burrin rom që më shpesh mbledh plastikë e metale te koshat afër banesës sime. Pasi ushqej macet e rrugës, e shoh tek qëndron bashkë me familjen, duke pritur që njerëzit të mbarojnë së hedhuri plehrat.
Një herë e pyeta Bujarin nëse po kërkonte punë tjetër. Ai tundi kokën duke mohuar teksa shihte tokën. Kur e pyeta më tej, ai tha se sa herë që kishte bërë punë të tjera, ishte keqtrajtuar. Kështu që ishte më mirë për të të punonte vetë. Autonomia, çfarëdo forme që ajo merr, është shumë e rëndësishme për komunitetet rome dhe ka ndihmuar në mbajtjen gjallë të kulturës së tyre.
Regjimi komunist nuk arriti të integronte komunitetet rome. Faktikisht, sipas akademikëve të ndryshëm dhe vetë ekspertëve romë, diktatura komuniste ndërmori përpjekje të shumta jo të suksesshme për të fshirë kulturën rome nën gunën e integrimit social.
Si pasojë e refuzimit për të marrë pjesë në jetën sociokulturore të diktaturës, romët dhe egjiptianët u shtynë në rrethinat e varfra të qyteteve dhe fshatrave, njësoj si të persekutuarit politikë të kohës. Larg syrit, ata u injoruan dhe u veshën në imagjinatën shqiptare me petkun e hajdutëve, magjistarëve dhe të papastërve. Për fat të keq, sot e kësaj dite shumë pak është bërë për të krijuar hapësira të sigurta për këto komunitete dhe për të vlerësuar si duhet mënyrat e tyre të jetesës. Ndërkohë që zhvillimi i zonave të varfra nga kapitali agresiv rritet, romët zhvendosen me forcë ndërsa qyteti bëhet “steril”.
Duke qenë se pak vende pune janë të disponueshme për romët dhe egjiptianët në Shqipëri, njerëzit zakonisht punojnë në përpunimin e plehrave dhe pastrimin e rrugëve. Kjo e fundit është veprimtari e rregulluar dhe ata që fshijnë rrugët, paguhen me një rrogë minimale. Por grumbulluesit e plehrave janë më të pambrojtur. Kjo ndodh pjesërisht sepse ata varen nga plehrat e të tjerëve. Por dhe sepse grumbullimi me dorë i plehrave të padiferencuara përforcon stereotipa se trupat e tyre janë shpërndarës sëmundjesh.
Dhe kjo ndodh gjerësisht sepse puna e tyre është shndërruar në diçka të paligjshme.
RRËMUJA E KRIJUAR NGA LIGJI PËR PLEHRAT
Prej shumë vitesh Shqipëria është angazhuar në reforma kombëtare si pjesë e përpjekjeve për të arritur statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Si rezultat, sipërmarrës shqiptarë hamendësuan se vendi do të fillojë të riciklojë mbetjet, veçanërisht duke marrë parasysh ndryshimet klimatike katastrofike. Në këto çallëstisje, biznesi privat ngriti fabrika përpunimi të materialeve të riciklueshme.
Për më tepër, si një vend anëtar i ardhshëm i BE-së, Shqipëria duhet të adaptojë një kuadër të ngjashëm me atë të vendeve të BE-së dhe të përforcojë ligje europiane. Por shqetësime u ngritën edhe në lidhje me importimin e plehrave nga mafia italiane.
Megjithëse qeveria asokohe mohoi vërtetësinë e këtyre shqetësimeve, ato ishin të përligjura. Italia është larg vetëm një udhëtim me traget, matanë Adriatikut. Dhe krimi i organizuar ka futur duart në menaxhimin e mbetjeve në të gjithë botën. Industria e përpunimit të mbetjeve është e ligjshme, fitimprurëse dhe e lehtë për t’u depërtuar. Ajo shpesh anashkalohet. Njerëzit nuk duan të mendojnë për plehrat e tyre, gjë që e bën përpunimin e mbetjeve fushë të prirur për korrupsion dhe shkelje të të drejtave të njeriut.
Për shkak të presionit nga jashtë për parandalimin e importit të plehrave sjellë nga mafia, Shqipëria miratoi ligjin e 2011-tës, që rregullon përpunimin dhe riciklimin e plehrave, duke i cilësuar plehrat pronë të bashkive përkatëse. Qeveria përfundimisht vendosi të mos zbatojë një program kombëtar riciklimi. Në vend të tij, qeveria investoi në tre inceneratorë që do të digjnin mbetjet në vend që t’i groposnin. Fabrikat nuk u ndërtuan kurrë, dhe e vetmja gjë që digjet janë paratë e shqiptarëve.
Nismat e inceneratorëve dolën të jenë një çështje korruptive, që supozohet të derdhë qindra miliona euro të taksapaguesve shqiptarë në kompani të dyshimta me llogari bankare në Panama. Ministri i Mjedisit i asokohe përfundoi në burg. Ministri i Financave i asokohe akuzoi Kryeministrin për lidhje me mafian dhe tani mendohet se ndodhet në Zvicër.
Si pasojë e keqmenaxhimit dhe korrupsionit të qeverisë, sot vetëm 10-18 për qind e mbetjeve të bashkive të Shqipërisë mblidhen për riciklim. Pjesa më e madhe e punës bëhet nga punëtorët romë dhe egjiptianë. Këta riciklues informalë kontribuojnë në mënyrë domethënëse në sistemin riciklues të vendit duke mbledhur dhe shitur materiale tek pronarët e fabrikave të riciklimit.
Megjithëse synimi parësor i ligjit të 2011-tës nuk ishte të krijonte kushte jo të sigurta pune për grumbulluesit e plehrave, ai arriti pikërisht këtë gjë. Ngjarje të policisë që dhunonte fizikisht grumbulluesit e plehrave kanë bërë xhiron e mediave. Në disa raste, publiku ka denoncuar dhunën policore dhe ka ngritur çështjen e shkeljes së të drejtave të njeriut.
Momentalisht, grumbulluesit romë dhe egjiptianë të mbetjeve nuk futen në burg. Por ata gjenden nën mëshirën e policëve, të cilët shpesh u konfiskojnë mbledhjet ditore dhe/ose mjetet e transportit, pavarësisht faktit që gjykata i ka cilësuar këto veprime si diskriminim indirekt në bazë të vështirësisë financiare dhe etnicitetit.
PUNË THELBËSORE NË NJË SISTEM JO TË LIGJSHËM
Një ditë po flisja me Bujarin për punën e tij në këtë sistem të paqëndrueshëm. Ai më tregonte se si kohët më të mira për të mbledhur plehra janë mëngjeset e së shtunës dhe të së dielës, pasi njerëzit kanë qenë duke festuar. Dhe si vendi më i mirë për të mbledhur plehra është Blloku. Por, duke parë asfaltin, tregonte me shprehi të fytyrës se si ishte gati një ideal i pamundur të mbledhësh në një zonë qendrore të tillë, meqë policia i mban larg grumbulluesit nga vështrimi i turistëve.
Grumbulluesit romë dhe egjiptianë duhet të rrinë larg syve vëzhgues të policisë. Ata zakonisht mbledhin në lagje me trafik të ulët, në zona në zhvillim e sipër, ku plehrat vërshojnë prej komplekseve me densitet të lartë banimi dhe me pak hapësira për kosha plehrash, në të dalë të Tiranës dhe në landfill.
Në mes të këtij sistemi, shfaqen forma të reja solidariteti social. Bujari thekson sa e rëndësishme është të formojë lidhje me njerëzit e lagjes ku mbledh, në mënyrë që ata ta ndihmojnë nëse shfaqet policia. Banorët kanë filluar t’i diferencojnë materialet e riciklueshme në shtëpi dhe t’i hedhin ato me qese të posaçme. Atje ku grumbulluesit vendosin thasë të bardhë të mëdhenj afër koshave të plehrave, njerëzit e kanë bërë zakon të hedhin në to mbetjet e riciklueshmet.
Megjithëse qeverisja e Tiranës nuk ka siguruar kamionë për riciklim, mbledhësit romë e arrijnë këtë në mënyrë efikase. I tregoj Bujarit se kam vënë re kamionin e bardhë që mbledh thasët e bardhë të mëdhenj plot me shishe plastike dhe ku e kam parë. Bujari ndërron bisedë me mirësjellje që të shmangë të treguarit më shumë për një aktivitet që ekziston në një zonë gri.
Pavarësisht pengesave dhe persekutimit, sasia e të riciklueshmeve që këta grumbullues shesin është befasuese. Sipas Bujarit dhe mbledhësve të tjerë, ata zakonisht fitojnë rreth 700-800 lekë në ditë për mbi 1 000 kanoçe dhe shishe plastike.
Qartësisht, prej kohësh nevojitet një ndryshim rrënjësor në institucionet shqiptare. Por keqmenaxhimi i mbetjeve dhe trajtimi i padrejtë i ricikluesve informalë është një problem global që kërkon rikonceptim të të gjithë sistemit.
TË RIIMAGJINOSH MBETJET DHE RICIKLIMIN
Në vitet 1960, antropologia e njohur Mary Douglas iu përqas çështjes së pisllëkut në librin e saj, Pastërtia dhe rreziku: një analizë e koncepteve të ndotjes dhe tabusë (Purity and Danger: An Analysis of Concepts of Pollution and Taboo). Pisllëku është “materie jashtë vendit të vet”, shkroi ajo. Kur përshkruante sistemin e kastave Hindu, ajo komentoi: “I gjithë sistemi përfaqëson një trup të vetëm, në të cilin ndarja e punës ngjan me kokën që mendon dhe lutet, dhe pjesët më të përçmuara që mbartin me vete mbetjet”.
Në mënyrë të ngjashme, politikat shqiptare i konsiderojnë romët dhe egjiptianët si njerëz pa vend. Dhe sistemet që e cilësojnë grumbullimin e mbetjeve si jo të ligjshëm i trajtojnë këta punëtorë të nevojshëm si ndër më të përbuzurit.
Antropologu social Patrick O’Hare paraqet një pikëpamje alternative, mjaft të detajuar, në librin e tij Mbeturinat u përkasin të varfërve: përmbyllje higjienike dhe mbetjet si e përbashkëta (Rubbish Belongs to the Poor: Hygienic Enclosure and the Waste Commons). O’Hare përshkruan mbledhësit e plehrave në një landfill shumë të madh në Uruguai, qasja e të cilëve në vendgrumbullim është në rrezik. Libri shtron pyetjen: Kush i zotëron plehrat dhe kur ndërrojnë pronësi plehrat?
O’Hare i përvijon plehrat si diçka e përbashkët – burime të aksesueshme dhe të menaxhuara nga kolektivi për të mirën e të gjithëve. Duke i parë plehrat si diçka e përbashkët, shoqëritë mund ta rivlerësojnë ndenjën e përgjegjësisë kolektive ndaj plehrave dhe komuniteteve më vulnerabël që përpunojnë dhe riciklojnë plehra. Formësimi i qasjeve të reja ndaj përpunimit të plehrave dhe riciklimit mund të informojnë politika menaxhimi të drejta dhe të qëndrueshme në mbarë botën.
Duke u dhënë bashkive të drejtën e pronësisë mbi plehrat, mund të shmanget depërtimi i mafies në këtë sektor. Por menaxhimi i mbetjeve mund të rregullohet në mënyrë të tillë që t’i inkuadrojnë mbetjet si diçka e përbashkët. Më tej, puna e ricikluesve romë dhe egjiptianë mund të legalizohet, që ata të gëzojnë siguri në punë ndërkohë që pajisin qytetin me një shërbim tejet të nevojshëm që redukton gjurmën ekologjike të vendit.
Shoqëritë në të gjithë botën duhet t’i rivlerësojnë plehrat si diçka që u përket të gjithëve, veçanërisht të varfërve dhe të margjinalizuarve. Unë besoj se vënia në dukje e punës së ndershme të mbledhësve të plehrave, si Bujari, dhe adaptimi i një pikëvështrimi egalitar që u jep siguri njerëzve të pambrojtur dhe jetesës së tyre, janë mënyra për të arrirë këtë qëllim.
© 2024 Arba Bekteshi. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ky shkrim u botua fillimisht në platformën SAPIENS.
I shoh shpesh kur vij në Tiranë. Admirim dhe respekt për punën e tyre! Ju falemnderit për shkrimin mjaft interesant