Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

KADAREJA PËRBALLË NOBELIT LETRAR (II)

nga Refat Hoxha

9.

Thuhet që në Stokholm janë dërguar mbi 500 letra, 90% anonime, të gjitha kundër marrjes së çmimit Nobel nga Kadareja. Këtë lukuni, me sa duket, e ka dirizhuar ambasadori Kokalari i shtetit shqiptar në Suedi. Thuhet, se ky soj ambasadori, kudo e në çdo takim e prezantonte Kadarenë si një projektues të diktaturës dhe mik i familjes Hoxha.

Duket naive dhe e pabesueshme, por aq e vërtetë është kjo, sa në gazetën “Dages Nyheter”, ditën e shpalljes së çmimit “Nobel”, u botua kryeartikulli për Kadarenë si kandidat kryesor për çmimin “Nobel” të atij viti, por pa harruar të flitej për bashkëpunimin e tij si njeriu më i afërt i Enver Hoxhës.

…”Zoti ambasador,-iu drejtua nobelisti gjerman Gynter Grass ambasadorit shqiptar Zeneli në Gjermani,- mua më treguan… se shteti juaj, ka kundërshtuar dhënien e çmimit Nobel për Ismail Kadarenë…. Nuk kanë dashur që të marrë këtë çmim. Unë nuk dua ta besoj këtë…Zoti ambasador, a mundet një shtet ta bëjë këtë?”

-Edhe unë, zoti Grass, kam dëgjuar për diçka të tillë.

-Aaa, d.m.th. qenka e vërtetë, unë nuk doja ta besoja. D.m.th. shteti juaj e ka bërë këtë? Ky është një turp. Askush…nuk e bën këtë. Ju nderon juve kjo, zoti ambasador, d.m.th. e nderon shtetin tuaj kjo? Kadare është një shkrimtar i madh, shumë i njohur. Ne flasim për të në rrethet tona. Unë nuk arrij ta kuptoj përsëri: a mund të ndodhë kjo?”

Këtë rast e përmend edhe Prof. Bashkim Kuçuku, kur ambasadori Kokalari në Suedi më 1994 në takime zyrtare me të huajt e paraqiste Kadarenë projektues të diktaturës, madje me nxitjen e tij iu drejtua edhe një dosje Akademisë së Stokholmit për të mos i dhënë Nobelin bashkëqytetarit dhe bashkëkombasit të vet. Një keqdashje e pangjarë në botë. Apo heshtja e Presidentit të Shqipërisë për ftesën e Akademisë Morale dhe Politike të Francës për të marrë pjesë në ceremoninë e pranimit të Ismail Kadaresë anëtar i saj më 1996, ku, në respekt të protokollit shekullor, është i pranishëm presidenti, ose, mbreti i vendit përkatës. Heshtja dhe mungesa e tij u interpretua prej saj si mospranim dhe pengesë.

10.

Është i njohur fakti që kudo në botë, me apo pa arësye, çdo shkrimtar a artist i shquar krijon vetvetiu kundërshtarë. Duke qenë një e vërtetë gjitheuropiane e botërore, merret me mend se ç’trajta groteske merr ajo në Ballkan e sidomos në Shqipëri, ku njerëzit të marrin inat për gjëra që s’të vete mendja: për veshjen, mënyrën e përshëndetjes, mbajtjen e kokës, ecjen, si e ndez cigaren etj, etj…

Historia rrëfen se nuk kanë qenë të paktë gjenitë shkëlqimtarë në fusha të ndryshme të shkencës a të letrave, që nuk patën të njëjtin sukses edhe në jetën e përditshme reale.

Kadareja, sa ishte një penë e madhe e letrave shqiptare e botërore, aq ishte edhe një shqiptar “kokëfortë” në jetën e përditshme reale. Portreti i tij gjithnjë është hamendësuar me një “menaxher të paaftë” të produktit të vet intelektual, apo dhe me një “një qenie të dyzuar”, siç e ka trajtuar ai vetë shqiptarin në krijimtarinë e tij.

Pas çdo refuzimi të Nobelit vetë Kadareja dhe vlerësues seriozë të veprës së tij, në njerën apo tjetrën formë, kanë reaguar në mënyrë jokorrekte. Hamendësimet publike të ekzagjeruara në adresë të Komitetit të Nobelit në kërkim të një “fajtori” të mundshëm, mos kanë qenë një nga shkaqet që e kanë penguar të arrijë në pikëmbërritje?

Deklaratat e tij të nxituara për çeshtje letrare, shoqërore, fetare, politike, kulturore aktuale, historike e të tjera, jo rrallë kanë nxitur sherrnaja koti mes shqiptarësh. Pozicionimet nganjëherë ekuivoke naive jo vetëm kanë krijuar konflikte të kota e të padëshirueshme, por edhe i kanë lëshuar hije figurës së tij përbashkuese, e pranueshme nga shumica dërmuese e shqiptarëve. Kadareja, si të gjithë ne shqiptarët, mbase nga gjaknxehtësia, apo kultura moderne perëndimore e mësuar vonë, e ka patur të vështirë të menaxhojë “gojën”. Është e pamundur që Komiteti i Nobelit të mos ketë patur informacione për “jetën e tij” e tij në botën e përditshme reale.

Ismaili jorrallë është shfaqur me dy standarde: perfekt në botën e vet letrare dhe i pakujdesshëm, madje, nganjëherë fyes e arrogant në jetën reale. Nuk është as e rastit, as e veçuar, që një pjesë e opinionit letrar shqiptar njeh dy Kadare. I pari, i mrekullueshëm në “botën virtuale” të librit, tjetri, i pakuptueshëm në jetën e përditshme reale.

Konsekuentë në rrugën e tyre dashakeqe kundërshtarët e tij, kanë përdorur me sukses taktikat e “betejës së rrugës” për ta tërhequr shkrimtarin në baltinën e tyre. Kadareja, me pamjen e njohur mospërfillëse, mbase edhe nën euforinë e fitores potenciale, nuk ka hezituar të ndeshej me “rrugën”, duke besuar se do të fitonte edhe kundër saj. Me besimin naiv të një kalorësi mesjetar të vonë, ai nuk nguroi të hynte vrulltas në “fushën e betejës së rrugës”. Mbase kështu e këshilluan. Qe një hap i pamenduar. Gaboi. Gaboi, sepse kujtoi që po hynte në një “betejë kalorsiake”. Harroi se “lukunia antiKadare” njihte mirë vetëm “betejën e rrugës”. Harroi se “beteja e rrugës” është e rrezikshme për “kampionët e ringut”. Rruga është “rrugë”. Aty nuk ka rregulla loje. As gjyqtar.

Kundërshtarët e tij, kryesisht mediokrit në fushën e letrave, ziliqarët më të rrezikshëm e të tjerë shumëfishuan shpifjet e sajesat. Kadareja, siç nuk e priste, i paaftë në këtë lloj “beteje”, kurrsesi nuk mund ta fitonte “debatin” në ato nivele, ku s’duhej të kish hyrë. Ai nuk u përmbajt dot. U bë nervoz. Kokëfortësia e tij, tipike shqiptare, artikuloi ndaj Komitetit të Nobelit ca fjalë të pamenduara, gati të njëjta me terminologjinë e “rrugës” .
Mediokrit e ziliqarët, kundërshtarët hileqarë “e vlerësonin” si shkrimtar, por e poshtëronin si njeri. Kurth sa djallëzor, aq edhe tipik komunist. Kështu veprohej vetëm në diktaturë.

Është një shkrimtar i madh, thonë kundërshtarët e tij, por si njeri është liliput, madje një hiç. Me djallëzi ndajnë me thikë shkrimtarin nga njeriu. Përse e bëjnë? Të gjejnë një çengel, ku të lidhin shpifjet e tyre. Kadareja, trumbetojnë ata, është njeri i keq. Atëhere, a mundet një njeri i keq të bëjë vepra të mira e të mëdha?

E ç’më duhet mua, lexuesit shqiptar apo të huaj në kohë e hapësirë, sjellja njerëzore apo karakteri i Kadaresë! Në të gjithë botën letërsia konservon vlerat letrare e artistike, por jo edhe sjelljen e karakterin e autorit. Lexuesit e vitit 2100, bie fjala, vallë, do të diskutojnë sjelljet e Kadaresë si njeri apo letërsinë e tij?

Ismaili është pronë shpirtërore e çdo shqiptari, jo për sjelljet a huqet, por për krijimtarinë e tij.

Ligësia njerëzore, thonte Aristoteli, është e pashërueshme. Atë nuk mund ta shërojë as mosha dhe asgjë tjetër. Ismaili, si të gjithë njerëzit, ka patur huqet e veta si shumë shkrimtarë botërorë që nga Safo e antikitetit, Pushkini, Dostojevski, Esenini, Turgenievi, Heminguei, Pol Verleni, Prusti e të tjerë. Ai nuk ishte as shenjt e as alien, por njeri me dritë-hijet e tij. Ndryshe nga të tjerët, ai ka qenë dhe mbetet njëri prej shkrimtarëve dhe intelektualëve më të mëdhenj të kombit.

Ai nuk është shkronjëtor i zakonshëm, por një shkrimtar i përmasave botërore. Askush, cilido qoftë ai, nuk mund të bëjë rolin e gjyqtarit të Kadaresë. Vlerësimet e dy kahjeve, pro apo kundër, duhen thënë hapur. Kadareja asnjëherë nuk ka patur frikë nga e vërteta, ai nuk fshihej pas emrave të rremë, siç bënin shumë nga kundërshtarët e tij.

11.

Mirë mediokrit, ziliqarët, shpifësit, po shkrimtarë seriozë shqiptarë, me një apo disa vepra letrare të vlerësuara, çfarë bënë atë kohë? Po Lidhja e Shkrimtarëve, po Akademia e Shkencave, po Shtëpia Botuese “Onufri”, po Qendra Kombëtare e Leximit të Librit. Po institucionet shkencore të letërsisë e gjuhësisë, po shoqatat kulturore, po Universiteti i Tiranës, i Shkodrës, i Elbasanit, i Gjirokastrës e Korçës? Derisa Nobeli i shumëdëshiruar prej lexuesve të Kadaresë anekënd botës dhe shumicës së shqiptarëve ende nuk kishte ardhur në Tiranë, a nuk do të ishte përgjegjësi profesionale, morale e atdhetare të diskutonin: “ po ne shqiptarët, çfarë mund të bëjmë”?

Akademia e Shkencave e Shqipërisë në propozimin drejtuar Komitetit të Nobelit të Akademisë Suedeze për të vlerësuar me çmimin e lartë shkrimtarin tonë të madh, me përmasa botërore, vëren se “ka qenë e vështirë të paraqiteshin në pak faqe vlerat shumëdimensionale të këtij prozatori, poeti dhe eseisti të shquar. Prandaj në argumentimet e propozimit tonë jemi përqendruar në disa boshte kryesore, që kanë të bëjnë me dimensionin e jashtëzakonshëm të shkrimtarit dhe mendimtarit, që i kapërcen kufijtë e kulturës shqiptare…

Dhe, më poshtë bëhet përpjekja për të argumentuar bindshëm të gjitha vlerat e krijimtarisë së Kadaresë:

“…Si shkrimtari më i madh i letërsisë moderne shqiptare, me famë botërore… model i kulturës universale… prozator modern që i ka dhënë letërsisë evropiane e botërore vlera të jashtëzakonshëm, që i ka dhënë përmasa të veçanta gjithë letërsisë bashkëkohore, si në problematikat e trajtuara, ashtu edhe në strukturat e jashtëzakonshme, origjinale dhe të magjishme të ligjërimit artistik,.. që zgjeroi artistikisht paralelet, asosacionet e legjendave dhe mitologjisë kombëtare dhe ballkanike. Ai i dha letërsisë evropiane dhe botërore vlera të jashtëzakonshme të kulturës rajonale, me ngjyrat më karakteristike të konceptimit artistik,… që përmes veprave të tij përcjell një tingëllim të fuqishëm për ngjarje historike dhe aktuale, duke i dhënë prozës së tij një hapësirë universale, ndërnjerëzore,…shkrimtar dhe eseist me vetëdije të fuqishme kritike, si në raport me realitetet historike të Shqipërisë, ashtu edhe në plane më të gjera, të realiteteve të sotme ballkanike dhe evropiane,…shkrimtar me shpirt të disidencës, të shprehur artistikisht, gjatë viteve të krijimtarisë së tij,… ekzili politik në Francë, në 1990, ishte nxitje për proceset demokratike në Shqipërinë e diktaturës,…është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, që nga viti 1996 anëtar i Akademisë Franceze, është vlerësuar me titullin ‘doctor honoris causa’ në disa universitete, është nderuar me “Prix Mondial Cino Del Duca” në 1992, Çmimin Ndërkombëtar “Prince of Asturias” në 2009, Chevalier, Officier dhe së fundi “Commandeur de la Légion d’honneur”, në 2015 dhe me shumë e shumë çmime të tjera… vepra e I.Kadaresë është përkthyer në mbi 45 gjuhë të botës,…është vlerësuar nga kritika ndërkombëtare si një nga shkrimtarët më të mëdhenj të kohës sotme.”

Në propozimin në fjalë, krahas vlerësimit është përcjellë edhe një Fletë-Aneks, ku pasqyrohet informacioni i plotë mbi të gjitha gjuhët në të cilat ishin përkthyer dhe botuar veprat e Kadaresë, shoqëruar edhe me numrin e botimeve në secilën gjuhë.

…”Kështu, – vazhdonte propozimi,- nuk ka si të mos jetë impresionuese për Komitetin e Nobelit fakti që vepra e Kadaresë ka njohur 1301 botime në 45 gjuhë të ndryshme. Mendoj se… një numër kaq i madh përkthimesh në gjuhët e ndryshme të botës dhe vlerësimet e jashtëzakonshme që kritika botërore ka bërë për këtë shkrimtar, nuk do mund të kaloheshin pa vëmendjen e merituar. Nga ana tjetër, fakti që shkenca, mendimi kritik-letrar shqiptar përcjell vazhdimisht në Komitetin e Nobelit emrin e Ismail Kadaresë, është shprehje e bindjes sonë për vlerat e jashtëzakonshme, kombëtare dhe ndërkombëtare të këtij shkrimtari, i cili duhet të marrë njëlloj vlerësimin e merituar.

…Sigurisht,- përfundon propozimi i Akademisë së Shkencave,- Komiteti i Nobelit ka kriteret e veta,… por nëse një shkrimtar vazhdon të përkthehet në shumë gjuhë të botës (pra është bërë pjesë shpirtërore e lexuesve të vendeve të ndryshme të botës) dhe, nëse kritka botërore vazhdon të shkruajë dhe ta vlerësojë Ismail Kadarenë si një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë, nëse çmimet më prestigjioze botërore i janë dhënë, atëherë, cili do ishte kriteri tjetër për të merituar çmimin Nobel në Letërsi?”

Pritej që propozimi i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë për kandidaturën e Kadaresë për vitin 2016 do të godiste në shenjë dhe Nobeli “do të vinte në Tiranë”. Mirëpo nuk ndodhi kështu. Propozime, refuzime, përsëri propozime e përsëri refuzime deri në bezdi.

Do të ishte normale, që Akademia e Shkencave e Shqipërisë, pas refuzimeve të përsëritura të Stokholmit të reflektonte thellë për të gjetur “yçklën” e hezitimit e jo të pajtohej heshtazi me justifikimet “nuk duan të na e japin,…nuk i duan shqiptarët,… çfarë pret, kur ke kundër edhe ambasadorin tënd,…ky është fati i popujvee të vegjël,.. ato letrat e mallkuara,… etj, etj.

Padyshim, 500 letrat e turpshme me e pa emër drejtuar Nobelit mund të kenë ndikuar deri diku, por a mund të kenë qenë ato vendimtare?

12.

Propozimet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për Nobelin e Kadaresë dhe refuzimet e përsëritura të Stokholmit gjithnjë ngacmonin mendimin se në këtë proces “diçka” nuk shkonte. Ku mund të ishte “yçkla”? Nuk di pse, por shpesh herë më ishte dukur sikur kostumi i ndritshëm artistik që ish qepur për Ismailin nga analistët, kritikët, specialistët, dashamirësit shqiptarë e anekënd botës, i rrinte ngushtë shkrimtarit tonë kandidat.

Medaljoni i Akademisë Suedeze për çmimin Nobel për Letërsinë paraqet një djalë që rri ulur nën një dru dafine, që dëgjon dhe shkruan këngën e Muzës. Në medaljonin ngjyrë ari të çmimit Nobel për Letërsinë shkruhet:

“Inventas vitam juvat excoluisse per artes”.

Shqip: “Krijimet përmirësojnë jetën që është e zbukuruar përmes Artit”,- vargje këto nga “Eneida” e Virgjilit, kënga VI, vargu 663.

Mos vallë, këtu duhej kërkuar “yçkla”?

Çmimi Nobel është mirënjohje që ju ndahet nga Akademia Suedeze personave që kontribojnë në shkencë dhe zhvillimin kulturor të njerëzimit “atij/asaj që e ka bërë më të mirën për të avancuar shoqërinë, përmirësojnë jetën, që është e zbukuruar përmes Artit”.

Ndërkohë, diku lexova se edhe studiuesi Blerim Uka ishte marrë me këtë çështje dhe kish arritur në të njëjtin përfundim. Nuk dija kush ishte, nga ishte. Edhe ai për mua. Ҫuditërisht, ne kishim punuar paralelisht, në mënyrë të pavarur në të njëjtën linjë. Fati apo rasti nuk e solli të takoheshim e as të komunikonim. Nisma ime për të vendosur ura komunikimi nuk mori përgjigje.

12.

Kriteri vlerësues i Komisionit të Nobelit përmban dy elemente, dy argumente, dy segmente, dy këndvështrime, njëherësh, dy personazhe të pandashëm nga njeri-tjetri. Njeri është shkrimtari, vepra e tij dhe tjetri është lexuesi i saj.

A është kërkuar ky kriter për të gjithë nobelistët që e kanë fituar çmimin Nobel? Mbase edhe jo, Kjo nuk është një e shtënë në erë, ndryshe, si shpjegohet fakti që Nobelin e kanë fituar jo pak shkrimtarë mesatarë?

Pleqtë e Stokholmit nuk japin shpjegime. Në këto kushte, institucionet shqiptare duhej të bënin atë që mund të bënin: të gjenin “yçklën” për t’i mbyllur gojën Komisionit nordik vendimmarrës.

Asgjë nuk u bë. Mbase, propozuesit e çmimit Nobel për Kadarenë kanë patur shumë besim, jo pa të drejtë, në gjeninë e shkrimtarit tonë zëmadh, kësisoj, gjykuan të bënin një riformulim më të zgjeruar, më të argumentuar, më bindës. Kështu në propozimin e riformuluar të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë nuk u la gjë pa u përmendur nga meritat e autorit shqiptar. E gjitha kjo qe një punë e padobishme, sepse aty flitej gjërë e gjatë për argumentin e parë, “vepra madhore e Kadaresë”, por jo edhe për argumentin e dytë “lexuesi i saj”, që, e thënë shqip, do të përcillte mesazhin: “Unë, lexuesi shqiptar, pasi lexoj e rilexoj veprën e Kadaresë dhe nën ndikimin e saj, ndryshoj, përmirësoj dhe zbukuroj jetën time përmes Artit të Kadaresë”.

Kjo “yçkël” kaq e rëndësishme asnjëherë nuk e vlerësua nga Akademia jonë e Shkencave . As nga këshilltarët e tij, nëse ka patur, U ndoq rruga më e lehtë. U pajtuan në heshtje me refuzimet e çmimit Nobel, me “arsyetimin” se ato kanë ardhur për “shkaqe” të tjera, …nuk duan të na e japin,… nuk kemi ç’të bëjmë tjetër!… jemi popull i vogël,,,,nuk do të na e japin asnjëherë…”

Akademia jonë e Shkencave nuk bëri asgjë për të davaritur retë e dendura, që kishin errësuar prej afro 30 vjetësh gjykimin transparent të çeshtjes së Nobelit për Kadarenë. Akademia e Shkencave nuk bëri asgjë për t’iu larguar gjithnjë e më shumë mendësisë shqiptare dhe vlerësimit “en bloc” të krijimtarisë së Kadaresë. Akademia e Shkencave nuk lëvizi as gishtin e vogël të dorës për të braktisur përfundimisht platformën e mbyllur, stereotipe, me frymë totalitariste për vlerësimet e punës së njerëzve të letrave. Dhe ashtu ka mbetur.

Vetë Kadareja, jo më pak i mërzitur dhe i përhumbur në krijimtarinë e tij, duket se nuk ka diskutuar asnjëherë për këtë çeshtje. Dhe kjo ishte krejt normale, sepse një shkrimtar i kalibrit të tij di të shkruajë mrekullira, por nuk di format dhe teknikat që të shpien drejt objektivit. Mirëpo, kjo pjesë kaq e rëndësishme e krijimtarisë duket se ka ngjashmëri me fushën e “marketingut” me të cilën nuk mund të merren dot autorët, por të tjerë njerëz.

Asgjë nuk u bë. Asnjë mendim, asnjë sugjerim, asnjë nismë.As nga institucionet. As nga shoqatat kulturore. As nga qarqet letrare, As edhe nga një poet, as edhe një kritik. Ndonjë që e mbante veten për njohës të veprës së Kadaresë” rrekej nëpër arkiva t’i argumentonte botës letrare dhe Stokholmit se Ismaili jo vetëm kish qenë disident i spikatur, por qe survejuar e spiunuar nga organet e diktaturës 24 orë në 24 orë dhe pritej orë e çast prangosja e tij, ndërkohë, vetë shkrimtari ynë i madh deklaronte se nuk kish qenë disident, porse kish bërë letërsi disidente.

13.

Në vitin 2016 publikova esenë e gjatë “Kadareja, Nobeli dhe letërsia e braktisur”, 227 faqe, botuar nga Shtëpia Botuese “Jozef” Durrës, e cila u eskspozua edhe në Panairin e Librit, Tiranë.

Në të shtjelloja mendimet e mia që për Nobelin e Kadaresë duhej ngritur një “staf drejtues” me specialistë të disa fushave, i cili do të hartonte dhe udhëhiqte programin e punës për të arritur suksesin e dëshiruar prej vitesh. Për këtë rekomandoja që”stafi drejtues” të përcaktonte veprën e Kadaresë, që i afrohej më shumë dhe më mirë kriterit të Nobelit. Këtë, gjykoja unë, e arrinte më së miri romani i famshëm “Prilli i thyer”, që trajtonte temën e gjakmarrjes së shqiptarëve, një plagë e madhe shoqërore. Kjo temë përbënte një sfidë jo të lehtë për shoqërinë shqiptare të shekullit të ri dhe duhej çrrënjosur.

Romani “Prilli i thyer” plotësonte për mrekulli dy elementet e kriterit të Stokholmit. Në këtë vepër të madhe “argumenti Kadare”ishte i blinduar: romani qe bërë i famshëm, ishte i përkthyer në disa gjuhë, qe përfshirë në dhjetëshen e parë të veprave letrare më të njohura në botë kundër gjakmarrjes, madje, kishte shërbyer si bazë për një film në një kontinent tjetër. Në këtë roman “argumenti lexues”, që do të evidentohej gjatë zbatimit të programit të punës, do të merrte rolin parësor.

Padyshim, Kadareja, me aq sa mundej për moshën, do të kishte një rol honorifik, me artikuj, intervista në mediat kombëtare e ndërkombëtare kundër gjakmarrjes, mund të merrte pjesë në ndonjë manifestim konkret kundër këtij fenomeni.

“Stafi drejtues” do të propozonte shkrirjen me ligj të “Shoqatës së Pajtimit Kombëtar”, dërgimin e ruajtësve të rendit në familjet, ku kishte të ngujuar për të treguar ekzistencën e shtetit, publikimin në Internet të rasteve të gjakmarrjes dhe emrat e kërcënuesve potencialë që kërcënonin haptaz se donin të mbrojnë nderin duke ngujuar fëmijë e njerëz të pafajshëm, dënimin ashpër të atyre që merrnin e jepnin para për gjak, qofshin nga familja e të vrarit apo asaj kërcënuese etj, etj… Mund të ngrihej edhe “Fondacioni Kadare” për dhënie bursash për të rinjtë e prekur nga gjakmarrja e të tjera e të tjera.

Bota e qytetëruar nuk mund të ishte indiferente që në shekullin e ri, në një shtet në mes të Evropës, të aplikohej ende zakoni i egër mesjetar i gjakmarrjes. Kjo ishte shumë e prekshme.

Të përfytyrojmë për një çast fuqinë e propozimit të Akademisë së Shkencave për çmimin Nobel për shkrimtarin Kadare, nëse kjo do të kishte funksionuar:

“Shkrimtari Ismail Kadare, nëpërmjet romanit “Prilli i thyer” i ka dhënë fund zyrtarisht fenomenit të gjakmarrjes, i cili ka ekzistuar për më se pesë shekuj në mentalitetin shqiptar dhe ka marrë shumë jetë njerëzish. Ai fenomen tragjik , për një çerek shekulli, qe shuar me dhunë gjatë sistemit komunist, por qe rikthyer me tërë fuqinë e tij rrënuese në shoqërinë pluraliste pas vitit ‘90-tė. Ismail Kadare me romanin “Prilli i thyer”, me shkrimet dhe veprimtaritë edukative për ndërgjegjësimin e njerëzve dhe familjeve të ngujuara, bashkëpunimi me grupet rinore shkollore e shoqatat kulturore, me forcat e rendit për forcimin e ligjit e shumë aksione të tjera e ka çrrënjosur këtë plagë shekullore.

Nëse Diktatura mundi ta ndalojë gjakmarrjen për një periudhë të caktuar vetëm me dhunë të ashpër, shkrimtari Kadare, me romanin e tij, me mjeshtrinë, idealin dhe angazhimin e tij të jashtëzakonshëm, ndikoi në zhdukjen përfundimtare të kësaj plage shekullore duke e bërë jetën shqiptare më të mirë, më të bukur e më të lumtur”.

Ҫfarë do të kërkonte më shumë Stokholmi?

13.

Tani Ismaili nuk është më. Është nisur në një udhëtim, që askush s’ia di as fillin e as fundin. Një rrugëtim në kohë e hapësirë, “ku bien papushim rrebeshe shiu, rrufe e bubullima”.

Funerali i tij qe, thjesht, familjar. I tillë kish qenë amaneti i tij. Ne, dashamirët e tij, e shoqëruam në heshtje nga larg.

Kur dilnim nga varrezat e Shtish-Tufinës, dëgjuam një zë. Kthyem kokën andej. Asgjë. Sapo bëmë disa hapa, zëri u përsërit, por këtë herë më i qartë, më i pastër, më kumbues:

…Ej. ku shkoni. Prisni, Unë nuk e kam vendin këtu. Aty do të jem gjithmonë… aty mes jush.

 

© 2024 Refat Hoxha. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


Shënim i autorit: Kjo ese është një përmbledhje fort e shkurtuar e studimit “Kadareja, Nobeli dhe letërsia e braktisur”, 227 faqe, publikuar nga Shtëpia Botuese “ Jozef”, Durrës, 2016.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin