nga Elson Zguri
Para disa muajsh një video u bë virale në TikTok, ku protagonisti hyn në zyrën e punës plot vetëbesim, duke mbajtur kufje dhe duke dëgjuar muzikë. Slogani ishte “çfarë mendojnë të tjerët se po dëgjoj”, ku dëgjohej një hit ndërkombëtar dhe “çfarë vërtet po dëgjoj”, ku dëgjohej kënga e Irini Qirjakos “Ç’u mbush mali plot me rrush”. Kur pashë videon për herë të parë, ndjeva një deja vu të çuditshme sepse, pa bërë një hyrje spektakolare, kisha përjetuar të njëjtën skenë në punën time ku, për të shmangur zhurmën që bënin kolegët e mi në zyrë, mbaja kufje dhe dëgjoja muzikë. Shpesh më kish rastisur të dëgjoja me kënaqësi Irini Qirjakon! Besoj se askush përreth nuk mund të imagjinonte se çfarë muzike dëgjoja dhe shumica nuk kishin asnjë lidhje me muzikën dhe këngët e këtij lloji. Me përjashtim të Spiros, një kolegu grek nga Arta. Në një bisedë brenda një grupi në Whatsapp, ku disa bashkatdhetarë po diskutonin për muzikën, u përmend përsëri muzika tradicionale popullore shqiptare. Një shoqe tha se “Vitori t’u bëftë nëna” mund të ketë të njëjtën vlerë me një këngë të grupit Queen! Nuk isha 100% i sigurt nëse e kishte seriozisht, por u pajtova me deklaratën e saj duke thënë se nëse do të kishte marrë ekspozimin dhe reklamimin e duhur, ndoshta do të ishte bërë po aq e njohur dhe e suksesshme, sa një këngë e grupit Queen. Gjithsesi, ka këngë si “Moj e bukura More”, që këndohen dhe dëgjohen për shekuj! Nuk e di nëse do të dëgjohen, edhe pse shpresoj, këngët e Freddie Mercury-t për shekuj me radhë. Ajo shoqja shkruante, se i duhej të vinte nga Athina në Berlin për të parë një grek, një mongole dhe një gjermano-meksikane duke luajtur dhe kënduar një këngë tradicionale të Shqipërisë së jugut dhe “të afrohem më në fund me këngët ‘e mia’ pa asnjë hezitim a frikë të mospranimit të zgjedhjes sime për t’i dëgjuar publikisht”, shtoi.
Dhe kështu më kujtua një poezi që shkroi Marleno N., një fëmijë i emigrantëve shqiptarë në Greqi, dhe që u botua në revistën “Teflon”, numri 29, Verë-Vjeshtë 2023.
Lutja për Shën Irini Qirjakon
Mbrojtësen besnike të të humburveΠώς γέμισε το βουνό σταφύλια
Είναι οι συγγενείς του γαμπρού, λέει η γιαγιά
Αν είναι εκείνοι, ας βγουν μπροστά
Ας πάρουν τη μαυρομάτα
Κι η μαυρομάτα κλαίει με δάκρυα πολλά
Είναι (εδώ) ο μπαμπάς της και δεν μπορεί να τον αφήσει(Përkthimi në shqip)
Ç’u mbush mali plot me rrush, plot me rrush
Ç’u mbush mali plot me rrush, plot me rrush
Thot nëneja janë krushq, janë krushq
Thotë nëneja janë krushq, janë krushq
Në janë krushq, të dalin o
Syzezën le t’a marrin o
Në janë krushq, të dalin o
Syzezën le t’a marrin o
Dhe syzeza qanë me lot
Ka baban e s’e lë dotkishim shumë mënyra për të sjellë copëza të shtëpisë së humbur në të renë
i mbyllnim brenda këllëfësh DVD-sh, albumesh fotografish dhe pasaportash të skaduara
të pavlefshme, por të mbajtura mirë në një sirtar për të qenë të sigurt
dhe sirtari shndërrohej pastaj në një vend të ri për copëzat e të humburit
oshënare, mbrojtese dhe shenjtore e gjithë gjërave të humbura që sollëm në të renë
Irini Qirjako perla e jugut këngëtarja e këngëtarëve
më e madhja më e rëndësishmja më e jona më e jona shqiptare
Irini mbyllte nëpër fruta njerëz të humbur i sillte te ne dhe thoshte që
u mbush mali plot me rrush dhe hardhitë mbështillnin krejt fjalën
nga rrëza e deri në kreshtën e saj më të lartë kufitare
këta rrush ishin njerëz dhëndurrë thoshte Irini
vijnë të punojnë në ndërtim të rrinë në një garsonjerë
në rrugën Aleksandra bashkë me 10 veta, një garsonierë që ende nuk ekziston
të qëndrojnë brenda dinamikes së kësaj garsonjere të flenë tok mbi
premtimin që një ditë do ta ndërtojnë dhe ata 10 veta do t’i përzënë
dhe dhëndurrë-rrush do të zbresin nga mali që të martohen me ty
dhe pastaj do duhej të qaje me sy të zinj lot të zinj të lije të vjetrën
të vjetrën e cila që tash e tutje do të jetë e humbur e mbyllur në një copëz të së resë
rrush premtime të së rejës dhe dashuri sa shumë dashuri në një garsonierë
në Aleksandras dhe pastaj më lart në Panormu shkollë në Ampelokipi
shkallë dhe pastruese në Kifisias edhe domino tek Gizi
Na beko Shën Irini
kur në mbrëmje burri s’do të vijë në shtëpi, e dimë që ti Irini mund ta përshfaqësh
po gatuajmë trahana trahana me rrush e fiq të thatë stafidhe arra
dhe të lemë që ta kërkosh era gufon uniformën tënde të bardhë tradicionale
dhe presim e dimë që zëri yt nanuris policët në errësirë dhe përbindëshat
dhe për ne kujdeset një dritë e ndezur salloni pas mesnatës që pret
Më kujtohet Marleno në një event publik në Athinë, që kishte të bënte me emigracionin shqiptar duke iu drejtuar audiencës në shqip dhe duke thënë se do të dëshironte të lexonte një tekst pa u përkthyer në greqisht. Dhe ashtu bëri! Ai dëshironte që me këtë veprim t’i jepte dukshmëri gjuhës shqipe, në zemër të Athinës, ku në dekadat e kaluara të flisje shqip në vende publike nuk ishte gjithmonë e mirëpritur nga njerëzit përreth. Ai vetë shpjegoi se në të kaluarën kishte marrë kërcënime në autobus sepse fliste shqip në telefon! E njëjta gjë më ka ndodhur edhe mua personalisht në vitet e rinisë sime. Në Tiranë të na preknin në vetëdijen tone parake, duke e konsideruar të folurit greqisht si akt tradhtie. Të dyja palët u drejtoheshin fëmijëve!
Ndërsa përktheja poezinë e tij, e imagjinoja Marlenon në atë event duke bërë DJ dhe duke luajtur ekskluzivisht këngët e shenjtores së tij, pa asnjë përkthim të teksteve, Irini Qirjakon, dhe njerëzit, shqiptarë dhe grekë, të ngriheshin e të kërcenin të gjithë së bashku. Muzika gjithsesi bashkon, aq më tepër këngët mrekullibërëse të një shenjtoreje!
Racizmi sistematik dhe, në rastin më të mirë, mospërfillja ndaj gjithçkaje shqiptare çoi shumë fëmijë të emigrantëve shqiptarë të tregojnë të njëjtën mospërfillje, madje edhe më të madhe, ndaj gjithçkaje që kishte të bënte me traditën shqiptare. Ndoshta edhe vetë poeti ndjente pakënaqësi, si motrat e mia dhe unë, kur në makinë prindërit tanë gjithmonë vendosnin kaseta dhe CD të Irini Qirjakos ose këngë të tjera popullore shqiptare. Sigurisht, adoleshentët zakonisht tërhiqen nga muzika moderne, duke ndjekur trendet përreth tyre, por edhe të brezave të mëparshëm, por është karakteristike neveria e brezit tim për muzikën e prindërve tanë, për një arsye shtesë: sepse po rriteshim në Greqi.
Poezia jep një përgjigje të qartë për atο dhe ata, në Greqi dhe Shqipëri, që secila pale, për arsye të ndryshme, ka tentuar në shumë mënyra të “bindë” poetin dhe një brez të tërë, se nuk ia vlen të adhurosh “shenjtorë” nga Shqipëria, se këta “shenjtorë” janë të dorës së dytë. Birësoni pra shenjtorët tanë thoshte njëra palë, pra zaptoni shenjtorët perëndimorë, pëshpëritnin të tjerët, shenjtorët sipas fesë sonë, sepse vetëm kështu do të merrni bekimin e vërtetë, shtonin të parët, s’kemi shtet ne, s’kemi shenjtorë, thoshin të dytët. Poezia për shenjtoren Irini Qirjako është një dëshmi se çdo brez, në emigrim ose jo, vendos vetë nëse do të ndërpresë apo do të rivendosë lidhjet me rrënjët e tij kulturore. Hedh në zjarr çdo përpjekje imponimi apo patronazhi nga njëra apo palë tjetër e kufirit, se gjithsesi populli sot e ka për sport që të “gjykojë”. Prandaj do të ishte mirë të kemi kujdes me parashikimet tona për brezat e rinj.
Poezia është zëri i të gjithë atyre fëmijëve të vegjël që prindërit e tyre emigrantë i kyçnin në shtëpi dhe i linin vetëm gjithë ditën. Dhe këta fëmijë qanin pandalur duke shqetësuar kështu fqinjët vendas të cilët nuk shqetësoheshin kur shfrytëzonin prindërit e këtyre mistrecave në punët me pagesë të ulët, që u ofronin. Prandaj dhe të gjithë ata Marlenot e vegjël kishin nevojë për mbrojtje, për një mrekulli që vetëm një shenjtore mund t’ua ofronte dhe “të rriti mamaja moj të bëri manare” t’u këndonte. Shenjtorja ishte e pranishme në një kasetë ose një CD – relike e çdo familjeje emigrante – rriste fëmijët e vegjël së bashku me vëllezërit dhe motrat e tyre më të mëdhenj dhe qëndronte si mbrojtëse mbi duart e vogla që gatuanin “trahana me rrush dhe fiq të thatë”, ndërsa nënat e tyre pastronin dhe lanin shkallët në Kifisias!
Gjithmonë kam pasur një kuriozitet të madh për mënyrën se si shpallen shenjtorët nga Kisha. Më kujtohet vetëm një rregull: duhet të kalojnë disa vite nga vdekja e kandidatëve.
Personalisht më pëlqen mënyra e Marlenos, i cili e shpalli Irini Qirjakon shenjtore ndërsa ajo është ende gjallë dhe ende gjallëron kulturën e të humburve, siç e tha dhe poeti! Dhe nuk mjafton që është shpallur shenjtore teksa është ende gjallë, por “besimi” im ndaj saj nuk mund të vihet në dyshim pasi kam parë, dhe ende po përjetoj, mrekullinë e saj. Ajo mrekulli “që në darkë të kthehet burri në shtëpi” sepse shenjtorja Irini Qirjako kishte më parë “nanurisur policët dhe përbindëshat”, siç thotë dhe poezia. Bekoji të gjithë fëmijët e botës shenjtore Irini, me këngën tënde në gjuhen shqipe, se bekimi nuk ka nevojë për përkthim!
© 2024 Elson Zguri. Të gjitha të drejtat janë të autorit.