Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filozofi

TRURË E TRUNGJE

(Konfidencialisht tragjikomike)

nga Rael Hoxha

Tre mijë vjet më parë ose dhjetë mijë vjet përpara – nuk ka rëndësi – shqiptari ishte këtu ku është, me tjetër emër, tjetër formë gjuhe, mes luftërash fizike e kulturale, asimilimesh e gjenocidesh, por gjithsesi ia doli në rrugëtimin e tij drejt mijëvjeçarit të ri. Është qesharake kur ke parasysh sa llafazanë dhe kokëboshë futen sot në tregun e llokoçitjes publike për të marrë vëmendje mbi tema abuzive, supozitive, prezumime mbi fakte të vakëta e orvatje të varfra ndaj historisë sonë. U mungon disave burrëria, disave ndjeshmëria, e ca janë të kalbur në para, ndërsa cave u ka dalë boja që prej shekullit XX.

Por a ka rëndësi se çfarë thuhet, në krahasim me çfarë është thënë, dhe çfarë s’po thuhet?

E sigurt është që çfarë nuk është thënë, do të thuhet e rithuhet, e prapë s’do t’ia kenë idenë se çfarë u tha. Sepse në artin e të thënit mungon shpesh lëngu dhe shumica punojnë në të thatë (koncept mekanik). Mungon ai lëngu i dijes që rrjedh në artin e të thënit, atë që të bën të mos e ripërtypësh çfarë ke ngrënë dhe të mos pështysh çfarë është për t’u gëlltitur. Për mos t’i rënë gjatë ose larg e larg, do të mbetem te çfarë thuhet në shekullin e ri shqiptar.

Nuk përjashtohet asnjë temë dhe asnjë interes. Nga gjuha jonë e vyer, antikiteti lokal dhe ai ndërkombëtar, i pranuar ose i papranuar, e deri tek propaganda e re socio-ekonomike, kultura e përfaqësimit dhe mospërjashtimit, ringjallja kombëtare, strategjia e zhvillimit, turizmi elitar, e të tjera. Kjo rrahje e vazhdueshme, kjo gërryerje “llafologjike”, që ngjan si zëvendësim vlerash dhe zhvendosje identiteti, që sot, më shumë se kurrë, po vihet në diskutim e po lyhet e zhgërryhet me baltë publike, renditet si diskurs publik. Arti, kultura, arsimi, gjuha, politika, feja, drejtësia, ekonomia, gjeografia, estetika, e mbi të gjitha sociologjia, antropologjia, filozofia, janë kthyer në tabela qitjeje prej interesave të ngushta të pushtetit dhe armiqve të Shqipërisë së lirë, që njësoj si në komunizëm rrezikon të goditet nga antishqiptaria. Nga të gjitha palët, miq e armiq, po luftohet fort për shtrembërimin e së ardhmes sonë. Kjo frikë ngjan si një thirrje e vjetër, atëherë kur miq e armiq i ndante vetëm një hap i gabuar ideologjik. Sakaq, rinia po lufton për të gjetur punë, për të pasur mundësi të barabarta ose jo dhe të ofrohet në tregun e skllavërisë së re të progresit, i cili vërshon duke marrë përpara, e herë duke lënë pas, shumicën prej tyre. Një këndvështrim personal ky, por i konstatuar shpesh prej lëmit dhe lëmshit që lëvrohet e tirret nga media e paguar, e kapur, e shtrënguar në duart e krimit të organizuar politik dhe akademik, me përmbajtje banale. Është naive të mendosh se këto të dyja kanë qenë ndonjëherë të veçuara, pra, të ndara nga ndikimi i njëra-tjetrës, por do të ishte ideale të kritikonin njëra – tjetrën. Kësisoj, prej secilës do të pritej një ndërgjegjësim dhe arsyetim i thelluar, i drejtë në lidhje me ecurinë dhe zhvillimin e vendit, të popullatës dhe të përfshirjes së tyre në çka është publike dhe shpesh private, aq sa lejon privatja të jetë publike. Gjithsesi, peshat po zhvendosen shpejt, ekuilibrat po prishen, jeta dhe politika e shteteve të tjera perëndimore po ndikon fort në ideologji, në mënyrën se si perceptojmë dhe reflektojmë problemet e së shkuarës dhe së ardhmes, të cilat na takojnë, i meritojmë, ose që mund të ndërtojmë. Sa mund të ndërtohet apo sendërtohet, këtë nuk e di, por supozoj se diçka na takon ta mbjellim sot, që ta korrim nesër, duke mos pasur mundësi të parashikojmë se çfarë luleje do të jetë, nëse do të kemi kujdes në ujitjen dhe prashitjen që i përket, do të jetë një bimë e shëndetshme. Të mbjellësh ide, është një nga veprimtaritë me të vështira dhe më të rrezikshme në shoqërinë njerëzore. Mirëpo sot e shohim këtë fenomen “inceptimi” të rritet e të ndikojë gjithnjë e më shumë te brezat e rinj. Këta të fundit po sillen sikur nuk e shohin, ose e anashkalojnë, ndikimin e madh që ka tek ata media tradicionale dhe ajo “online”. Një arsye për këtë amnezi mund të jetë ulja e ndjeshmërisë ndaj akteve që ndërmerren në emër të tyre ose pa përfshirjen e tyre. Ndërsa një arsye tjetër mund të jetë neglizhenca e qëllimtë e autoriteteve përkatëse (përfshirë çdo institucion), që u takon të mbrojnë interesat e të konsultohen me profesionistët e sapoçelur, ose ata që do të çelin më pas. Si një bujk, shteti ka për detyrë gërmimin dhe analizimin e nëntokës, për të parë nëse është e përshtatshme në zhvillimin e rrënjëve me të cilat profesionistët e së ardhmes do të ngrenë shtatin e tyre robust ose të brishtë të politikës. Nuk pres që bima të zhvillohet më shpejt se ç’duhet e as nuk dua që të thahet para kohe, por shoh dhe konstatoj vazhdimisht që rrënjët nuk janë të forta, nëntoka është e varfër dhe varieteti i bimës është jopremtues. Nuk e di nëse do të ketë gjemba, aromë, fruta, do të jetë jetëgjatë apo jetëshkurtër, simetrike apo amorfe. Nga një kaktus që mund të mbijetojë në çdo ambient e deri te zambaku i ujit, që kërkon kushte speciale, shumë bimë janë të mundshme në terrenin tonë, por edhe mjaft të rrezikuara nga varfëria e nëntokës që zotërojmë sot. “Çfarë mbjell, do të korrësh”, kjo është një shprehje që jep mesazhin se problemi varet nga aftësia për ta zgjidhur atë. Po sikur zgjidhësit e problemeve të së ardhmes të jenë përtacë në shthurjen e rrjetës që është bërë lëmsh këto 34 vite pluralizëm? Mos vallë historia do të përsëritet dhe postkomunizmi ynë do të kthehet në prekomunizmin e brezave të tjerë?

Çfarë po ndodh me kushtet e nëntokës intelektuale?

Këto pyetje hamendësuese kërkojnë zgjidhje dhe jo përgjigje. Shpesh përgjigjet që marrim godasin vetëm sipërfaqen e problemit dhe krijojnë iluzionin e zgjidhjes. Zgjidhja është diçka krejt tjetër, ajo i përket palcës së problemit. Zgjidhja mbart energji sentimentale, jo vetëm llogari dhe arsyetim. Ndërsa përgjigjja ngjan me vendosjen e një proteze, sepse është më i thjeshtë qëndrimi artificial për ata që nuk përballen dot me të vërtetën. Kjo mbrojtje, si proteza e dhëmbëve, e kryen funksionin e përtypjes, por nuk arrin të ketë efektin origjinal të gojës që çon ushqimin deri në tru, atje ku duhet të shkojë informacioni i përtypjes, shqyerjes, copëtimit, që më pas duhet të mbajë gjallë mekanizmin e mendimit, i cili reflektohet në formën e të folurit, të diskursit politik. Me keqardhje vërej se artificialja (proteza/përgjigjja), po luan rolin e realitetit (dhëmbëve/zgjidhjes), përmes indoktrinimit dhe manipulimit të publikut, krijimin e realitetit artificial, sidomos për ata në moshë të re, që u jepet ky realitet si e vetmja alternativë për të kapur vrullin e qytetërimit perëndimor. Ky është një lloj vrulli që përfshin edhe trurin e së ardhmes, përveçse trupin e së tashmes. Nëse dikur kërkonim fatin jashtë vendit, tani po kërkojmë vendin jashtë fatit. Kjo është një zhvendosje e vlerave, sepse fatin nuk e kemi në dorë, por vendin dhe kërkimin për t’iu qasur fatit mund ta kontrollojmë. Ngjan pak utopike nëse merr parasysh se mundësitë janë të pakta në krahasim me një terren tjetër në perëndim, favorizues ndaj artificiales. Kushtet nuk janë në vendin tonë, por çdo gjë tjetër duket se ka zënë vend më së miri.

Aktualisht po ngrihet një plantacion artificial, aty ku dikur gjallonte një kopsht natyral. Ky “Eden i ri” po ushqen bimë që nuk i përkasin terrenit, as klimës, ambicies dhe identitetit. Kopshti i ri me lule të manipuluara do të çelë monstra dhe eksperimente të përçudnuara, që binden lehtë dhe e tresin kollaj manipulimin. Krizantema pa ndjeshmëri, trëndafila pa aromë, irisë pa polen dhe kaktusë pa tul. Në këto terma botanikë, ujë të ndotur do të ketë plot, edhe bimë gjysmake, toka do të jetë e mbushur me kimikate dhe, mbi të gjitha, bahçevanët do të jenë robotë (kjo fjalë nënkupton skllavin), ndaj natyra e re që do të lindë prej inkubatorit artificial do të jetë karakteri i trurit gjysmak. Bota e re, ajo së cilës i shkojmë nga pas, e ka kryer me kohë tranzicionin dhe vazhdon të kultivojë artificialisht “trutë” e popullatave në krizë. Prodhimi masiv i këtij truri synon bindjen totale ndaj autoriteteve të cilat do të kenë fuqi absolute mbi individin e së nesërmes. Qëllimi më i lartë i këtij neotruri, është shkatërrimi i vlerave familjare, si struktura bazike e hierarkisë njerëzore që i përngjan natyrës gjitare. Ky qëllim shërben për të shtypur ndjenjën e kryengritjes tek individi. Perëndimi ruan disa “tru” autentikë, përmes të cilëve siguron vazhdimësinë e ndërgjegjes njerëzore dhe identitetin si homo-sapiens, për të sunduar më pas. Në këtë strategji filozofike të kultivimit trunor, ka një lloj krenarie që shfaqet shpesh si nacionalizëm tek ata, sa herë prodhohen kriza politike. Kjo është një filozofi në rritje, por ngjan te publiku edhe si atdhedashuri dhe respekt ndaj të parëve. Krijimi i varësisë ekonomiko-politike nga vendet e fuqishme shpreh superioritet nga ana e europianëve sidomos, duke ngritur detyrimisht në piedestal racën respektive. Kjo po ndodh edhe me ne, këtu në bahçen tonë të vogël, “trutë” e rinj po seleksionohen, nuk u lejohet të individualizohen, por po indoktrinohen gjerësisht nga propaganda e kultivimit artificial në serrat e teknologjisë së pushtetit, që ngjiz tek ata bindjen absolute ndaj “polikriminalitikës”, sundimit përfundimtar të politikës kriminale, përmes një democidi. Kjo shushatje e hapur dhe kjo zhvatje e aftësive kritike po sjell skllavërimin e rinisë.

E gjithë kjo sipërmarrje është kriminale, sepse synon të vrasë pikërisht trurin, të vetmin organ që natyra krijoi për të kundërshtuar dhe përmirësuar veten. Truri është një organ që zhvillohet në komunitet, familje, habitat, ndaj duhet t’i jemi mirënjohës evolucionit për këtë përshtatje. Ishte truri që solli adhurimin, rendin, kaosin, matematikën, poezinë, politikën, dashurinë. Ai është i aftë të mësojë e të përshtatet me gjithçka, çdo mizori e çdo lavdi, nga foshnjë e deri në prag të vdekjes. Nëse truri indoktrinohet, hipnotizohet nga grupi më i madh i krimit të organizuar, që në rastin e qytetërimeve është shteti, atëherë edhe ai kthehet në një organ kriminal, i cili synon të komandojë, shfrytëzojë, shkatërrojë dhe të përvetësojë çdo gjë e çdokënd që nuk i përket e nuk e meriton, pikërisht në saje të përshtatjes.

Ndaj është shumë e vështirë të ngrihet ky organ pasi është shpëlarë, rrëzuar, e pasi është baltosur, goditur, copëtuar dhe tjetërsuar, zhvatur prej identitetit dhe thyer në dinjitet. Ky organ mistik dhe shoqëror nuk njeh kufij komunikimi, por mund të kufizohet në saje të përshtatshmërisë që e zotëron natyrshëm. Dhuna, shtypja, mungesa, zhvatja, përkulja, dredhimi, instruktimi, diktimi, instrumentalizimi, e të tjera veprime menaxhimi, ia kufizojnë së tepërmi lirinë dhe kreativitetin, e sidomos të ardhmen, sepse truri është i vetmi organ që projekton, i vetmi në universin që njohim, që imagjinon dhe mund ta shohë veten si një makinë kohe, parashikues i fatit të vet.

Aldous Huxley, tek “Arti i të shikuarit”, na sjell ndërmend se si një organ natyral si syri nuk duhet trajtuat artificialisht, por, përmes teknikave organike, ai mund të rikthehet në gjendjen e mëparshme të funksionit.

Mjetet e reja të komunikimit nuk janë lodra kalamajsh, as aktivitete zbavitjeje, ato shfrytëzohen nga pushtetet, industritë, luftërat, si proteza për manipulimin e trurit, duke ndryshuar formën dhe përmbajtjen e materies gri. Nga bota e ideve, kreativiteti, sensi kritik, ai vizionar, e deri te përkatësitë dhe ndasitë, këto mjete torture po injektojnë bindje absolute në trurin e së ardhmes. Ky është një alarm, këtu po rrezikohet nëntoka e ardhshme, trashëgimia intelektuale. Është një terren i minuar që do të hedhë në erë çdokënd që shkel mbi të, duke luftuar parimet dhe strukturat shoqërore që njerëzimi i ka ndërtuar me shumë mund e vullnet në mënyrë natyrale, edhe pse përmes trysnive të ndryshme. Këto procese natyrale nuk janë rrezikuar kurrë kaq shumë sa sot prej mjeteve manipulative të gjeneratave në vijim, vrasëse të historisë dhe të zhvillimit shoqëror. Edhe telefoni apo radioja e televizioni, përfshirë këtu kinemanë dhe artet e tjera si teatri, letërsia dhe piktura e baleti, arkitektura dhe skulptura, dhe shumë veprimtari të tjera, janë konsideruar si mjete propagande, por ato kanë lëngun e dijes, nëntokën e begatë, edhe pse mes shumë luftërash dhe kontradiktash politike. Ajo që i mungon dhe do t’i mundojë shumë brezave të ardhshëm, është pikërisht dëmtimi i nëntokës dhe fertilitetit të saj, mungesa e lëngut të dijes.

Një nëntokë e frytshme apo një djerrinë e kobshme?

Brezat e ardhshëm do të trashëgojnë veset më të ulëta të shoqërisë aktuale. Në mungesë të virtyteve, moralit, filozofisë, dinjitetit, identitetit, mençurisë, ata do të mbartin vetëm oportunizëm, pafytyrësi, skllavërim, ambicie të sëmurë, perversitet publik, përçudnim shoqëror, materializëm ekstrem dhe sociopati kolektive. Të menduarit do të kthehet në tendencë, modë, sepse kundërshtia do të venitet dhe lufta kundër metodave të vjetra do të jetë shndërruar në politikë aktive, në një agjendë me synim vrasjen e vlerave familjare dhe tradicionale. Nuk flas këtu për propagandën e dukshme gay, transkulturën, antikulturën apo promovimin e bukurisë fizike dhe pranimin e diversitetit, prononcimin e gabuar gjinor dhe regjimin “politically correct”, as pseudoaktivizmin dhe hipokrizinë ndaj luftës në rrjetet sociale, por për integritetin e mendjes, identitetin e trurit si organ formulues dhe projektues të ëndrrave e maktheve të njerëzimit. Ky organ që u zhvillua gradualisht përmes gropave dhe maleve të historisë njerëzore, sot është vënë në morsë për t’u çaktivizuar, si një mjet i vjetër dhe i rrezikshëm i mendimit. Tanimë po sillen forma të reja të arsyetimit-paketë, të gatshme, “fast-thinking”. Ky do të jetë regjimi i ri i “New Order”. Familja do të shihet si strukturë armike, sepse ishte e para që kontribuoi në zhvillimin e trurit; me bashkëjetesë dhe formula të tjera të bashkëpunimit, ishte ajo që prodhoi qytetërimin. Fati i përbashkët dhe ndërtimi i së ardhmes së përbashkët janë pikërisht reflekse të strukturave të hershme familjare në shoqërinë njerëzore.

Sot është bërë e modës të ankohesh dhe të mos durosh, të ndryshosh e të mos përmirësosh, të përballesh e të mos përballosh. Kjo nuk është konstruktive, aspak progresive, por halucinative për ata që duan t’i përkasin botës së re. Ndjeshmëria ndaj temave kalimtare është rritur dhe kthyer në model për mendimin e ri. Sakaq, ky lloj mendimi e shkurton arsyetimin, vret gjuhën dhe pjell gjymtime, që më pas do të sjellë copëtimin e diturisë. Sepse dituria është një arkivë e madhe, një zinxhir i gjatë, ndër histori dhe harresë, murosje dhe shpluhurosje. Nuk bëhet më fjalë për ndarjen e opinioneve, konservativë qofshin apo liberalë, por bëhet fjalë për ndotjen konstante të opinionit, përmes ideve të paqena, të sajuara, ku asgjë nuk shkon keq apo gabim. Po për hir të udhërrëfimit, që ngjan më shumë si “nekromanci”, sundon kodi i kokuljes, sundon një prestigjim vlerash. Të thuash që fajin për vrasjen në familje e ka martesa ose fajin për korrupsionin e ka individi, ose që fajin për politikat e dobëta e ka implementimi, ose që fajin për mospranimin e ka tradicionalja, është si t’i bësh bisht problemit, pa zgjidhje, sa për të mbushur mediat, mendjet e publikut, për të ngritur disa buxhete e për të ushqyer ca shoqata gjakpirëse. Për t’u bërë pjesë e politikës së re të “gjithëpërfshirjes”, e cila po shkelmon qëllimisht mendimin dhe mbi të gjitha trurin, si organ egoist, mjafton të anëtarësohesh në një parti dhe formula e gatshme do të të transformojnë në versionin më të mirë të vetes, atë të pavdekshëm, vampirin.

Si do të jetë votuesi i së ardhmes?

Tkurrja e popullsisë, injoranca, arsimi paraplegjik, oportunizmi, krimi, oligarkia, monokracia, servilizmi janë dukshëm sunduesit e sotëm. Minimalisht të protestosh, është detyrë, por e kemi shitur! Minimalisht të votosh ndershëm është detyrë, por e kemi shitur! Minimalisht të denoncosh padrejtësinë, është detyrë, por kemi bashkëpunuar me ta! Minimalisht të jesh i pastër, është detyrë, por kemi vjedhur hapur! Atëherë çfarë kemi mbjellë? Mos vallë Evropa do të na shpëtojë nga vetja?

A jemi të gatshëm ta ndajmë fatin tonë me vizionin e të tjerëve?

Të mos harrojmë se Evropa ka pasur shumë fytyra ndër shekuj, aq sa nuk mbahet mend kush është viktima e kush agresori. Tashmë, drejt një Evrope herë nacionaliste e herë komuniste, pavarësisht flamujve politik, e ndarë mes kombesh dhe interesash, shquhet qartë murtaja që na pret të gjithëve. Madje alternativa, politika lindore, as që vihet në diskutim dhe shihet si dekadente, e prapambetur, e ligë dhe gjakatare, shpesh terroriste dhe kërcënuese për vlerat evropiane. Gjithsesi rrallë ka një kërkesë personale për përmirësim, dhe kjo është pikënisja e ecurisë dhe qëndrueshmërisë së brezave, e cila shpesh është akute, brenda individit, dhe rrallë është shpërthyese, e shfaqur si reagim publik. Një fije shprese ekziston edhe në abisin më të thellë. Por kreativiteti, arma më efikase kundër stanjacionit politik, nuk është gjë tjetër veçse përdorimi i dijeve të mbledhura, me të cilat  mund të luhet, të eksperimentohet, të testohen kufijtë dhe të deduktohen përfundime. Ky kreativitet kushtëzohet nga kushtet të cilat shpesh janë në varësi të fatit, një çështje plotësisht rrethanore dhe metafizike. Fati, në rastin e kombit tonë, është gjithmonë i molepsur me fatet e kombeve të tjera sunduese, amplitudën e luftërave dhe jashtëqitjet kulturore të të gjitha ngjyrave ndër mijëra vite. Fati i shqiptarit është si një damkë, vetëdënuese, por mbi të gjitha vetëvrasëse. Është pesimist individi shqiptar, lufton me veten, por edhe mbahet nga pak (siç do të thoshin plakat). Ky pesimizëm lind nga mungesa e theksuar e optimizmit si traditë e vjetër mesdhetare, ku sundon vdekja mbi çdo gjë, nga prehistoria, antikiteti, e deri në shekullin e traumës dhe të ankesave. Jeta shihet shpesh si një gjendje kalimtare trimërish dhe bëmash, ku bijve e bijave u mësohet zanati i gjahtarit, luftëtarit që lartëson emrin e tij dhe të familjes, u mësohet të jenë të duruar dhe të bindur, por edhe të ngrihen e të mbrojnë vendin. Ky individualizëm ka trajta të bukura heroizmi dhe vetëflijimi për ideale të lashta e të drejta familjare, i shoqëruar me dashuri dhe urrejtje, hakmarrje dhe falje, lavdi e dështim. Por ky fat nuk është i ndritur. Edhe në folklorin tonë pesimizmi natyral merr formën e një demagogjie nga ana e udhëheqësve kur i referohet popullit, gjë që e kemi parë të bëhet shpesh nga liderë ndër shekuj. Mirëpo politikanët janë demagogë në kuptimin e parë të fjalës, sepse ata u flasin turmave përmes pesimizmit natyral dhe e kthejnë çështjen e të drejtave të tyre në optimizëm deluziv (jo Delëzian).

Kopja e kopjes së keqe mbetet kopje e keqe. Këtu kemi të bëjmë me plagjiaturë të keqe qytetërimesh dhe modeli as që vihet në diskutim. Fenomeni zmadhohet me hapa galopantë, për shkak se mendimi kritik në shoqërinë tonë nuk është kultivuar mjaftueshëm si pasojë e mungesës dhe shtypjes së të drejtave njerëzore. Arti i gjykimit, përveç disa mendimtarëve që mundohen t’u shpëtojnë politikës dhe servilizmit, shpesh duke rënë në grackën e tyre, ka trajtën e diskursit publik dhe llafologjisë mediatike. Ka plot energji, por pa asnjë dispozitë konkrete nga ana e vendimmarrësve, në mënyrë që të reflektohet përkujdesja e tyre ndaj popullit dhe vendit. Nëse politikanët janë gjahtarë, atëherë na mbetet ne të jemi pre ose heronj. Çdo gjë që vjen nga Evropa, si arkitektura, arsimi, legjislacioni, arti, industria dhe ekonomia, drejtësia dhe emancipimi, merren dhe janë supozivisht të sakta për t’u mbjellë. Praktikat mund të jenë të stabilizuara, por praktikantët janë të destabilizuar. Kjo paaftësi transmetohet në manipulimin e masave. Fillimisht nis si indoktrinim personal përmes masmedias, duke krijuar bindje definitive se është diçka që vlen, dhe vë përfund kësisoj kulturën ekzistuese, sidomos hulumtimin individual drejt së vërtetës, themelimit të një shteti dinjitoz dhe etik.

Aktiviteti më minimal trunor, arsyetimi, sot ngjan me një lloj kapsllëku kreativ. Nuk nevojitet as nacionalizëm e as patriotizëm për t’u bërë bashkë e për të vënë drejtësi, as kampionat futbolli e as vdekja e gjeniut dhe gjinisë së tij letrare. Nuk ndërtohet drejtësia me hajdutë, as politika, as infrastruktura, as ekonomia, as mjekësia, as kultura, as arsimi, asgjë… Nuk nevojitet grusht i hekurt, as shfarosje politike, por dashuri. Ndryshe nga sa mendohet, dashuria nuk është aktivitet kardiak, por shpirtëror dhe shpirti ka për organ pikërisht trurin. Me pak fjalë, kjo demagogji investon në prishjen e trurit, kësisoj, vrasjen e dashurisë. Shkatërrimin e Shqipërisë dhe ngritjen e një matrice që do të stimulojë zhvillimin. Shqiptari europian i së ardhmes është i reduktuar dhe i përcaktuar nga trysnia prej stereotipit (modelit fiks), që është përdorur ndërkombëtarisht dhe do të shitet kudo si triumf europian. Të ndikosh në kultivimin e rinisë, do të thotë të kontribuosh me perspektiva të reja, pa prishur identitetin. Në rastin më të mirë do të ishte investimi në pavarësinë e institucioneve kundrejt diktatit të liderit, siç supozohet në letra, por, përkundrazi, vihet re një pasurim në ambicien materiale, një lloj rendi i të menduarit përmes kamjes, qoftë kjo pasuri intelektuale e cila arrihet me blerjen e medias, opinionit, përmes ryshfetit, mikut dhe klasës së cilës i përket, si dhe vetëflijimit në sektorin partiak, ose përmes skllavërimit ekstrem dhe lëpirjes strategjike të bythës për të mos rënë në burg. Këtu futen edhe ndërkombëtarët, si miku i mikut, që në fakt janë një mut. Ky është manipulim i dyanshëm, në kahun e shtetit dhe atë të individit. Ashtu siç nevojitet logjika të dënojë mitëmarrjen, ashtu logjika dënon edhe mitëdhënien. Europarlamentarët e sotëm Bejlerianë dhe nacionalistët tradicionalë e kanë të lehtë të llomotisin lavdi superioriteti, por e vërteta është që vendin tonë e ka marrë lumi. Askush nuk mban përgjegjësi për asgjë, drejtësia është minimale dhe individi është i varrosur. Andaj, niveli i ndërgjegjes në radhët e administratës publike nuk përfaqëson idealin, por bindjen se diçka mund të arrihet pavarësisht metodave të implementuara. Nuk është oportunizëm, as ambicie, as egoizëm, por një prishje e vlerave dhe një dekadencë e përsëritur përmes formulës së optimizmit politik. Këtë fenomen e kemi jetuar për 45 vite gjatë regjimit monist.

Zgjidhja kërkon shkëputjen, individualizimin e institucionit (institutio – nga latinishtja mund të përshtatet në “themeltim”, duke marrë parasysh se ka kuptimin e gjendjes së duhur përmes së cilës krijohet një vendim i qëndrueshëm, dispozita dhe ligje që përcaktojnë anshmërinë dhe paanshmërinë; dhe personalisht preferoj të vendos këtë raport me termin që mund të ketë për antonim “sostitutio”). Qeveritë përdorin shpesh antonimin e “institutio”, atë “sostitutio”, që do të thotë “zëvendësim”. Administrata shtetërore nuk është sinonim i servilizmit ndaj pushtetit dhe as s’ka nevojë të zërë vendin e institucionit, por shpesh ajo përdoret për të pasuruar optimizmin politik, fillimisht lindur si pesimizëm natyral, e më pas transformuar në bindje absolute kundrejt liderit, duke u kthyer në skllevër. Shkaku kryesor për këtë shformim trunor është pikërisht mungesa e mendimit kritik si edukatë familjare, investim shtetëror, disiplinë shkollore, e më pas si virtyt, klasi më i lartë i moralit, i cili mungon prej thuajse një shekulli, që pas rilindjes (asaj së vërtetës).

Në një destabilizim qesharak që ngjan me atë të Brazilit dhe mes shtirjesh politike e vendimesh arbitrare për zhvillimin e vendit, Shqipëria duhet deklaruar REPUBLIKË PRIVATE. Për të gjithë skeptikët, i ftoj të angazhohen për të treguar të kundërtën, për të gjetur të vërtetën; lë të sundojë arritja dhe meritokracia për ju. Ky është shekulli i ankesave, ndaj ankohuni! Por mos harroni që përpara këtij shekulli, njerëzit janë bërë bashkë, pa internet, pa publikime, pa ndërlidhje artificiale, kanë lidhur besë dhe kanë luftuar bashkë, kanë shtuar pasuri, dituri e traditë, kanë shpikur, zhvilluar, pa qenë nevoja të kalonin në çdo filtër ideologjik apo imagjinar që kishte në kokë njëri apo tjetri individ i paditur. Ky shekull llafazanësh po kthehet në komedi publike dhe çdo diskurs, çdo problem që i përket vijimësisë njerëzore, ka degraduar në tallje. Platformat në internet ushqejnë urinë e palaçove, perversitetin e psikopatëve dhe nevojat e dështakëve. Ka aq shumë oreks gjakatar, vrasje identitetesh, kalbje cerebrale dhe infarkte shpirtërore, sa ka skamje e diktaturë në gjithë botën, aq sa mund të nxjerrim statistika të llahtarshme për sa i përket mirëqenies së supozuar të ndërgjegjes perëndimore. Drogë, krim, abuzim, padrejtësi, varfëri, shfrytëzim dhe skllavëri, që ta bëjnë jetën ferr dhe tokën shkretëtirë. Për cilëndo mendje ka një dritë nëse dëshiron ta shohësh, sepse e vërteta është e fortë dhe shpesh e dhunshme, por ajo të bën njeri, i jep trurit atë që i takon, altarin e mendimit, dashurinë. Kjo është një çështje ndjeshmërie, jo një kauzë lirie, por një ndriçim i brendshëm. Ka një zinxhir “infekt – afekt – efekt”, i cili prodhon idetë dhe ndikon në historinë e qytetërimeve. Vendosin ata apo vendosim ne? Bashkëqeverisim apo na qeverisin? Këtu nuk bëhet fjalë për qeveritë, po për vendosmëritë e cilitdo që ka diçka në dorë për të kryer, përmirësuar dhe zhvilluar. Në fund mbetet ndërgjegjja e gjithsecilit, kontributi i tyre dhe besimi tek e duhura dhe e vërteta, pa imponuar, pa mbivendosur e pa zëvendësuar, por duke mbajtur balanca të buta, herë të forta, dhe asnjëherë të detyruara. Kjo është bukuria dhe magjia e mendimit, toleranca, ekuilibri që krijon dhe nuk shkatërron, por ngarkon botën me ide dhe gjurmë njerëzimi, dhe vendos normat e së nesërmes, e cila u përket të gjithëve.

Tani është radha juaj!

(c) 2024 Rael Hoxha. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me Mindjourney.

2 Komente

  1. Duke lexuar kete shkrim interesant sepse mu kujtua dikush qe ka thene:

    “Mallkuar qofte evolucioni, qe na beri njerez, kur ishim majmune ishim rehat, luanim, hanim, pinim, q**nim, e ku kishte me mire”

    dhe me tingelloi si nje superideolog qe duke iu referuar se kaluares, parashikon te ardhmen.

  2. Trurit i thuren shume lavde po realiteti kushtezohet me shume nga leku dhe koburja sesa truri. Askund nuk gjen treguesin e inteligjences si kriter per pozicione publike apo private, sepse ashtu do kishim mbi krye njerezit me inteligjente dhe jo parellijte e koburexhinjte ( apo sahanlepiresit e mashtruesit qe jane qehajajte e parellinjve e koburexhinjve).

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin