Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arsim

TRANSFERIMI I NJË MODELI TË DËSHTUAR

rreth zgjedhjeve në universitete

nga Ilir Yzeiri

Demokracia ndër ne shqiptarët është kuptuar si një lojë e thjeshtë dominosh ose si një fjalëkryq, ose, më tej akoma, si një uniformë që mjafton ta veshësh dhe ti ke ndërtuar demokracinë. Gjithë këtë katrahurë e shohim në mënyrën se si e kemi implementuar demokracinë politike në Shqipëri. Nga bindja e verbër që karakterizonte sjelljen tonë në diktaturë, kemi kaluar në shthurjen totale apo në mosbindjen banale dhe në arrogancën e krenarisë folklorike. Nëse demokracia ose sistemi i qeverisjes që mbështetet në formën e pluralizmit politik, të ideve, në lirinë e fjalës dhe në ndarjen dhe balancimin e pushteteve nuk funksionon, atëherë ka diçka që nuk shkon te ne, sepse ky sistem, ashtu siç e tregoi koha, është ndër më të pranuarit dhe ai që ka rezistuar më gjatë në jetën e popujve.

Natyrisht, demokracia, siç vënë në dukje edhe filozofët e kohës sonë, është në krizë edhe në vendet e zhvilluara, madje në një krizë të thellë që duket veçanërisht në abstenimin në rritje që u bëjnë zgjedhjeve votuesit perëndimorë. Por nëse demokracia si realizim apo si shfaqje është në krizë në ato vende, sistemi nuk është vënë kurrë në dyshim. Problemi ynë është se ne nuk pranojmë sistemin. Në vend të tij ne zgjedhim anën formale, atë të jashtme dhe e mbulojmë veprimin tonë antisistem me veshje demokratike. Vetëm këtu te ne është krijuar klisheja që palët politike nuk duhet të besojnë njëra-tjetrën, por ta përjashtojnë atë.

Për hir të së vërtetës, në këta tridhjetë e ca vjet, demokracia shqiptare ka pasur vetëm një problem. Dhe paradoksi është se pjesën më të madhe të ngërçit që ka kapur sot sistemi demokratik shqiptar, e krijoi ajo forcë politike që lindi me frymëzimin demokratik apo si e kundërta e diktaturës moniste. Ndërkaq, demokracia e realizuar vetëm në formë krijoi edhe mundësitë e reja të përfitimit. Jo vetëm burokracia partiake që arriti të krijojë mundësi të mëdha përfitimi për borgjezinë e re që u krijua, por edhe struktura të tjera që janë nën ndikimin partiak, u bënë edhe ato përfituese në emër të demokracisë. Krijimi i klasës së kapitalistëve të rinj apo ekonomia e tregut meriton po ashtu një vëmendje.

Modelin formal të përfitimit nga demokracia apo nga karikatura e saj, e përvetësoi edhe universiteti shqiptar. Institucionet e arsimit të Lartë në Shqipëri, sot, pas tridhjetë e ca vjetësh, me ndonjë përjashtim të rrallë, janë në një nivel të ulët dhe të gjithë e pranojnë se janë në krizë. Ndërkaq, vëmendja e tyre për zgjedhjet dhe rëndësia gati-gati si ato për zgjedhjet e përgjithshme në një vend me klimë të nxehtë politike, të bën të mendosh se arsimi i lartë në Shqipëri është kthyer në një pasqyrë ku reflektohet modeli më i shëmtuar i krizës shoqërore e politike shqiptare.

Misioni i këtyre institucioneve tani nuk është :a) të krijojë, të zhvillojë, të përcjellë dhe të mbrojë dijet përmes mësimdhënies, kërkimit shkencor, si dhe të nxisë e të zhvillojë artet, edukimin fizik dhe sportet; b) të formojë specialistë të lartë dhe të përgatisë shkencëtarë të rinj, në përputhje me prioritetet e zhvillimit të vendit, duke kontribuar në rritjen e standardeve të demokracisë në vend; c) të ofrojë mundësi të barabarta për të përfituar nga arsimi i lartë dhe të mësuarit gjatë të gjithë jetës; ç) të kontribuojë në zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor në nivel kombëtar dhe rajonal, si dhe në forcimin e sigurisë publike dhe kombëtare; d) të mbështesë prioritetet strategjike dhe interesat e zhvillimit të vendit; dh) të integrojë mësimdhënien me kërkimin shkencor; e) të nxisë bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e arsimit të lartë, siç thuhet në Ligjin 80/2015.

Në vend të këtyre qëllimeve, duket se në Universitete po ka vetëm një problem të madh : kush do të zgjidhet dhe si do të kapen e do të ruhen postet drejtuese. Shqetësimi më i madh, vëmendja më e madhe, serioziteti ekstrem shkon vetëm të ky proces. Ashtu siç ndodh edhe në politikën shqiptare, edhe këtu, ky proces kalon nëpër ato faza që kalon gara politike. Çelet fushata, nis lufta për të blerë mbështetës, paraqiten programe, ndërtohen klane dhe projektohet qeverisja e nesërme universitare me premtime e shpërblime njësoj siç ndodh në zgjedhjet politike. Ndërtohen komisione zgjedhore njësoj si ato që ndërtohen për zgjedhjet politike nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Edhe këtu, ashtu si në politikë zotëron dyshimi dhe mosbesimi, sepse fitorja e njërit kandidat nënkupton përfitime për të dhe klanin që e mbështet. Zgjedhjet në sistemin e lartë arsimor të vendit janë kthyer në të vetmen sfidë.

Për fat të keq, në pjesën më të madhe të sistemit universitar, qeverisja me anë të zgjedhjeve është kthyer në një mundësi për të sunduar e për ta trajtuar atë institucion si një pronë private. Në perceptimin e përgjithshëm, në këto institucione, nuk ekziston më meritokracia. Rekrutimi i stafeve të reja akademike nuk përfill vlerat, por vetëm anësinë e klanit që drejton institucionin në fjalë dhe tangjentet. Ashtu siç ndodh edhe me institucionet e pavarura apo ato shtetërore ku prioritetin e kanë militantët, edhe këtu prioritetin e kanë ata që rekrutohen dhe u binden më pas grupeve apo klaneve që drejtojnë arsimin e lartë prej shumë vitesh.

Paradoksi që buron prej këtij realiteti është se arsimi i lartë shqiptar, në pjesën më të madhe, financohet nga shteti, por qeveriset nga klanet dhe grupet e krijuara jo mbi principin e dijes, por të uzurpimit. Në Shqipëri kemi edhe një realitet tjetër, që janë universitetet private, nga njëra anë dhe disa universitete rajonale që po shkojnë drejt mbylljes për shkak të rënies së numrit të studentëve dhe mosreformimit të tyre.

Edhe në arsimin parauniversitar kemi një realitet pak a shumë të tillë : kemi shkolla 9-vjeçare dhe të mesme private me një nivel tepër të lartë, ashtu siç kemi shkolla publike në një nivel jo shumë të mirë. Të rinjtë shqiptarë, ata më të mirët, zgjedhin universitetet e huaja. Në Shqipëri, edhe për shkak të rënies së numrit të fëmijëve dhe të të rinjve që mbarojnë një shkollë të mesme, numri i studentëve sa vjen e ulet. Është në krizë sidomos mësuesia, por janë në krizë edhe degë të tjera të dijes.

Në gjithë këtë krizë komplekse në të cilën ndodhet arsimi shqiptar parauniversitar dhe universitar, është e pakuptueshme se si vëmendja për t’u zgjedhur duke imituar sistemin zgjedhor politik shqiptar është kaq e madhe. Do të mjaftonte të shihje se si e organizojnë vendet me demokraci të konsoliduar procesin e zgjedhjeve në arsimin e lartë dhe do të shihje se atje jo vetëm që procesi nuk imiton garën politike, por, për shkak të dinjitetit dhe hijes së rëndë që ka pesha e akademizmit, zgjedhjet janë një proces rutinë ku profesorët dhe dijetarët nuk pranojnë lehtësisht të marrin poste drejtuese se e quajnë kohë të humbur, sepse askush nuk e ka fatin e tij në dorë të titullarit, sepse askush qoftë edhe profesori veteran nuk duhet të presë Rektorin për një firmë banale si këtu te ne. Në ato vende administrata drejtuese është në dispozicion të hierarkisë akademike dhe kërkimit shkencor, kurse këtu te ne, gjithë stafi akademik dhe jo akademik, janë në dorë dhe në dispozicion të një njeriu, i cili bashkë me klanin e tij, e administrojnë  universitetin si një çiflik privat.

© 2024 Ilir Yzeiri. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin