Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filologji

DHIMITËR SHUTERIQI, NIKO STILLOS DHE NJË TURBOLOG NË MES

nga Ilir Yzeiri

Para disa ditësh, aktori Xhevat Limani nga Shkupi u shfaq në një studio televizive i veshur si Skënderbeu duke mallkuar ata që kishin mohuar vjetërsinë 6000-vjeçare të shqipes, se e kishin nxjerrë atë me fond 92% serb. Kjo tregon se turboalbanologjia tashmë po artikulohet si të ishte një farë pseudo-feje. Siç thotë me të drejtë kolegu im Ardian Vehbiu, ajo është shndërruar tani në një narrativë formulaike dogmatike. Një ndër shfaqjet e saj më groteske është disa herë përpjekja për të shpërbërë arritjet e deritanishme të dijes albanologjike dhe megalomania. Sipas disa turbologëve, dija nuk është përpjekje për të shkuar te e vërteta; në vend të kësaj, ata kanë shpikur kalkulimet që nisen nga ngjashmëria e jashtme dhe nga kuptimi se gjuha është një fjalëkryq që i nxjerr kuptimet e fjalëve jo duke studiuar evoluimin e sistemit fonetik, gramatikor e kuptimor të tyre, por duke përdorur shqipen e sotme, tingujt e saj dhe ngjashmërinë imitative të tyre.

Para disa kohësh, një nga këta turbologë, duke u nisur nga një punim i një studiuesi me origjinë çame që jeton në Gjermani, Niko Stillos, shpalli se u zgjidh enigma e « Anonimit të Elbasanit », i cili qenka ungjilli sipas shën Andreas. Ky ungjill, sipas tij, cilësohej i humbur në të gjithë botën dhe kjo kopje e vetme u gjet më në fund. Ky lajmës turbologjik emërtimin e tekstit « Anonimi i Elbasanit » e bën « Anonimati (!) i Elbasanit» duke treguar me këtë rast që jo vetëm nuk ia ka idenë se për çfarë bëhet fjalë, por, në anën tjetër, e kapërcen edhe atë që kishte shkruar Niko Stillosi.

Po çfarë është ky tekst ? Dhimitër Shuteriqi[1] është i pari që na sqaron për origjinën e tij. Ai thotë se « në janar të vitit 1949, mes dorëshkrimesh të ndryshme elbasanase që hynë në Arkivin e ish-Institutit të Shkencave, zbuluam një dorëshkrim të vjetër shqip, me një alfabet të veçantë, të cilin duke mos gjetur emrin e autorit e quajtëm Anonimi i Elbasanit ». Më tej ai përshkruan kapakun dhe të dhënat e tjera të këtij dorëshkrimi që janë me interes të përmenden ashtu siç i përshkruan ai. « Përmbi një fletë që loste rolin e kapakut, dorëshkrimi mbante, megjithatë, tre emra, dy të shkruar në një alfabet të tipit sllav, – Theodhor dhe Thodhor (emër i shkruar dy herë, për së dyti me atë pak ndryshim) e Grigor e një që na u duk i shkruar me alfabetin grek, Papa Totasi ». (f.3). Ngjyra e shkrimit në kapak është e njëjtë për tërë fjalët dhe ndryshon nga ngjyra e tekstit, vijon ai, çka në bën të mendojmë, thotë Shuteriqi që Papa Totasi mund të jetë një pronar i tekstit dhe zor të jetë kopjuesi apo autori i tij.

Kërkimet tona, thotë Shuteriqi na kanë çuar në përfundimin që tekstin, për arsye gjuhësore, e kemi vendosur në shek XVII dhe nuk jemi pajtuar me tezën se ai mund të jetë  i një autori jo-elbasanas e pastaj me tezën se autor i saj mund të jetë Grigor Voskopojari ose i Durrësit. Ai shtyhet më tej dhe thotë se në Shqipëri të Mesme dhe të Jugut shqipja ka të ngjarë të jetë shkruar gjatë kohës së herezive të mëdha ballkanike që mbajtën emrin e « bogomilizmit » në shek IX-XIV dhe që u shuan me pushtimin osman. Është interesant të tregojmë këtu se cila është origjina e këtij teksti, pra kush e ka përdorur atë dhe si erdhi në dorë të stidiuesve shqiptarë. « Më 1956, thotë ai, rasti e solli të zbulojmë origjinën e dorëshkrimit të moçëm elbasanas. Ilia Spiro Xhufka, marangoz në Elbasan, njeri me pak shkollë greke, duke na çelur bisedën mbi shkrimin e hershëm të gjuhës sonë…, tregoi se i ati kish pasur një dorëshkrim shumë të moçëm shqip, me një alfabet të palexueshëm, që s’ishte ai i greqishtes, një dorëshkrim me formatin « gati të një pakete cigaresh » dhe me « pak fletë ». Kur ia përshkruam dorëshkrimin e Papa Totasit, Ilia e identifikoi menjëherë. Ai tregoi se këtë dorëshkrim, bashkë me disa libra të vjetër, Losh Papamihali, shok i Kristoforidhit, e kishte blerë në shekullin e kaluar nga një fshatar prej Polisit të Elbasanit (sot i Librazhdit). Fshatari quhej Haxhi Tarushi. Ai dëshmonte se këto ishin të kohës kur Polisi nuk ishte kthyer në mysliman. Kur vdiq librat dhe dokumentet e tjera Loshi ia besoi nipit, gjykatësit Spiro Xhufka, të cilat më pas u gjetën në dokumentet e Lef Nosit të cilat u sekuestruan dhe i kaluan Arkivit të Shtetit.

Teksti u transliterua nga Injac Zamputi dhe ka qenë për një kohë të gjatë objekt debati. Mahir Domi mendonte se ai mund të jetë shkruar nga Gregor Voskopojari, ose Grigori i Durrësit i cili jetoi në kishën e shën Jon Vladimirit ku kishte selinë. Ka një alfabet të veçantë. Shuteriqi analizon llojet e gërmave dhe alfabetin, kapakun, emrat e shkruar mbi të dhe tekstin, i cili siç thuhet në kapak janë psallme. Mister mbetet autori i tyre dhe koha e shkrimit të tij. Shuteriqi mbështetet te një studiues italian, Marafioti, i cili kishte vënë re se në gjuhën kishtare të arbëreshëve ishte përdorur një shqipe e veçantë. Teksti është një evangjiliar bashkë me një copë predikimi të lirë.

Shuteriqi e pranon, pra, se ky tekst, me gjasë shkruar nga shek XVII e lart, mund të jetë refleks i periudhës dhe lëvizjes së herezisë kristiane të bogomilëve. Të njëjtën gjë bën edhe studimi i Niko Stillosit. Ky i fundit ka bërë një vëzhgim personal dhe ka arritur në disa përfundime të tjera, të diskutueshme. “Sigurisht nuk bëhet fjalë për një ungjill”, sepse “në këtë dorëshkrim kemi vetëm fragmente nga ungjijtë », shkruan Stillosi, në polemikë me Teuta Toskën (shihni edhe këtu).  Ai më tej çon më përpara një tezë që e ka hedhur më parë edhe Shuteriqi, dhe pikërisht që ky tekst i përket periudhës së « bogomilëve » apo « vogomilëve », siç i quan ai, të cilët, sipas tij mund të kenë pasur edhe tekste liturgjike heretike (shumica e këtyre teksteve u asgjësuan pastaj nga kisha zyrtare). Pra kaq. Në asnjë rast nuk ka thënë se është zbuluar një ungjill i ri siç thotë turbologu që përmenda, i cili edhe emrin që i është dhënë tekstit, « Anonimi » i Elbasanit, e bën « Anonimati » i Elbasanit. Sulmi që po i bëhet nga të katër anët dijes tradicionale nga amatorë dhe tani edhe nga artistë që marrin përsipër të recitojnë këto maskarada naive rrezikon të na paraqesë para botës si komb i pazhvilluar që i falet mitologjive dhe injorancës dhe jo dijes.

© 2024 Ilir Yzeiri. Te gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është krijuar me Midjourney.


[1] Dhimitër S. Shuteriqi Mbi Barletin dhe shkrime të tjera, « Në kërkim të origjinave të shqipes së shkruar », f. 3-43, Shtëpia botuese « Naim Frashëri, Tiranë 1978.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin