Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filozofi / Shkencë

SHKENCA MODERNE SI SHPREHJE KULTURORE (II)

nga Fatos A. Kopliku

Biologjia moderne mes kolonializmit, materializmit dhe politikës ekonomike

                                                Të gjithë e dinë se me sa zell një teoricien
i turret një fakti që mbështet bindjet e tij.[1]

Charles Darwin

Në pjesën e parë gjurmuam zhvendosjen në botëkuptimin e Europës Perëndimore – mohimin e Botës së Ideve së Platonit dhe përmbysjen e Zinxhirit të madh të qenies[2] – si parakusht për ngjizjen dhe më pas zhvillimin e shkencës moderne atje.[3] Në vijim duam të përqendrohemi se si kjo zhvendosje, e shoqëruar me një sërë faktorësh të tjerë, ndikoi në formësimin e teorisë së evolucionit të Charles Darwin-it (v. 1882), shtylla kryesore teorike e biologjisë moderne.

Bazuar në shënimet, ditarët, letërkëmbimin dhe autobiografinë e Darwin-it, historiani i shkencës nga Universiteti i Harvardit, Silvan S. Schweber, studioi gjerësisht dhe la dëshmi të hollësishme mbi rolin qendror të politikës ekonomike të Adam Smithit dhe rrethit të tij në formulimin e teorisë së evolucionit nga Darwin-i.[4]Adam Smithi ishte një ekonomist skocez i shekullit të 18-, i njohur veçanërisht për veprën e tij Pasuria e kombeve (The Wealth of Nations, 1776), e cila gjykohet si themeli i ekonomisë moderne. Sipas Smithit, të gjithë aktorët në arenën ekonomike janë agjentë të lirë dhe Schweber-i sheh një paralel mes lirisë së zgjedhjes në arenën ekonomike (tregu i lirë) dhe ndryshimeve të rëndomta ose të rastësishme, që, bashkë me seleksionin natyror, i japin hov evolucionit, sipas teorisë së Darwin-it.[5] Stephen J. Gould-i, në veprën e tij Struktura e teorisë së evolucionit (2002), thotë se ideja e seleksionimit natyror nuk buroi nga vëzhgimet që Darwin-i bëri gjatë udhëtimit 5-vjeçar me anijen Beagle, por “në thelb” ishte zbatimi i idesë së “ekonomisë së Adam Smithit në natyrë.”[6] Në një nga fragmentet më të cituara të Smith-it thuhet:

Çdo individ synon sigurinë e vet…, ai nuk synon interesin publik dhe as nuk di sa po e mbështet atë. Duke e kanalizuar zellin në mënyrë që t’i japë përfitimin më të madh, ai kujdeset vetëm për interesin e vet dhe këtu, si edhe në shumë raste të tjera, ai udhëhiqet nga një dorë e padukshme që e shtyn drejt një qëllimi që ai s’e kishte ndërmend… Duke ndjekur interesin e vet, shpesh ai promovon interesin e shoqërisë më mirë sesa do të synonte ta promovonte atë.[7]

Me një fjalë, ndonëse të gjithë ndjekin interesat vetjakë, përfundimisht dora e padukshme i udhëheq ato në dobi të interesit publik. Ekonomisti skocez J. R. McCulloch, redaktori i Pasurisë së kombeve, duke perifrazuar Smithin shton:

Çdo individ përpiqet vazhdimisht të gjejë mënyrat më dobiprurëse në shfrytëzimin e kapitalit dhe punës së tij. Është e vërtetë që ai ka fitimin e vet si synim, jo atë të shoqërisë. Por, duke qenë se shoqëria nuk është më shumë se një grumbull individësh, është e qartë se duke rendur pa reshtur pas pasurimit të vet secili ndjek busullën e veprimit që jep përfitimin më të madh publik.[8]

E sajuar nga Smithi, “dora e padukshme” (invisible hand) u bë një nga frazat më të njohura në gjuhën angleze, edhe pse Smithi nuk la ndonjë hollësi të mëtejshme se çfarë ishte ajo. Është e vështirë të mos vërehet ngjashmëria dhe aplikimi i ekonomisë së Smithit në natyrë, siç u shpreh më lart Gould-i. Nëse dora e padukshme bën që përfundimisht të gjithë interesat vetjakë të synojnë drejt së mirës publike, atëherë Darwin-i e merr këtë argument ekonomik dhe ia mvesh natyrës. Mund ta perifrazojmë kështu:

Me gjithë luftën e ashpër për ekzistencë mes specieve (interesi vetjak), evolucioni nëpërmjet seleksionit natyror (dora e padukshme) përfundimisht synon drejt harmonisë (interesi publik).

Përgjatë kësaj linje ia vlen të veçohet vepra e ekonomistit Robert Malthus. Shkruar një brez para Darwin-it, Një ese mbi parimin e popullsisë (1798) e Malthus-it ishte aq e njohur në ato kohë, sa shpesh quhej për shkurt Popullsia (Population). Ai argumenton se popullsitë njerëzore do të konkurrojnë (ose luftojnë) patjetër, sepse rritja e popullsisë gjithmonë e tejkalon atë çka ata prodhojnë. Sipas tij, vetëm “e liga”, në veçanti lufta, mjerimi dhe zia e bukës, ose përkorja si “vetëpërmbajtje morale”, mund t’i vënë fré konkurrencës.[9] Në autobiografinë e tij Darwin-i shkruan për ndikimin e Malthus-it:

Në tetor të vitit 1838… qëlloi që po lexoja për qejf Popullsinë e Malthus-it dhe, duke qenë i gatshëm, falë vëzhgimit të kahershëm të sjelljes së kafshëve e bimëve, të vlerësoja luftën për mbijetesë që zhvillohet kudo, menjëherë m’u bë e qartë se në rrethana të tilla variacionet e favorshme do të prireshin drejt ruajtjes, ndërsa ato jo të favorshmet drejt zhdukjes. Pasojë e kësaj do të ishte formimi i specieve të reja. Më në fund, tani kisha një teori me të cilën të punoja…[10]

Prania e termave ekonomikë në biologji si konkurrenca, përfitimi ose kostoja, ilustrojnë shtrirjen e ndikimit të teorive ekonomike si lente, nëpërmjet të cilave Darwin-i iu qas interpretimit të natyrës. Sipas Schweber-it, përveç prapavijës së politikës ekonomike, ditarët e Darwin-it dëshmojnë edhe për një shqetësim e kërkim serioz për Zotin.[11] Kujtojmë se Darwin-i studioi teologji në Christ College në Cambridge para se të ndërmerrte udhëtimin e tij me anijen Beagle (dhe karrierën si natyralist). Por dalëngadalë Darwin-i hyri në një periudhë të zvetënimit të besimit në Zot, që përfundoi në agnosticizëm, diçka që do të ngjyroste botëkuptimin e tij shkencor. Ai shprehet kështu:

Rreth viteve 1836-1839, fillova të shoh se Dhiatës së Vjetër s’mund t’i besohej më shumë sesa teksteve të shenjta të hinduve… Më vonë, duke menduar se dëshmia më e qartë është kusht për ta bërë një njeri me mend të besojë në mrekullitë mbi të cilat mbahet krishterimi, se sa më shumë dimë mbi ligjet e pandryshueshme të natyrës, aq më të pabesueshme bëhen mrekullitë, se njerëzit në atë kohë ishin injorantë dhe naivë në një shkallë të paimagjinueshme prej nesh…, dalëngadalë besimi në krishterimin si shpallje hyjnore m’u sos. Mbi mua rëndonte disi fakti që shumë fé të rreme janë përhapur si vetëtimë mbi shumë vise nëpër botë. Por isha tepër i vendosur të mos e braktisja besimin tim; jam i sigurt për këtë, sepse e kujtoj mirë sa herë sajoja në imagjinatën time letërshkëmbime mes romakësh me emër dhe dorëshkrime që zbuloheshin në Pompei e gjetkë, të cilat vërtetonin në mënyrë të prerë çdo gjë që ishte shkuar në Ungjijtë. Por e pata gjithnjë e më të vështirë… të sajoja një dëshmi që do të mjaftonte të më bindte. Kështu ngadalë-ngadalë, mosbesimi më pushtoi tërësisht dhe përfundimisht; aq ngadalë sa nuk ndjeva shqetësim.[12]

Sidoqoftë, Darwin-i nuk ishte një rrufe në qiell të pastër. Ai jetonte në një shoqëri të Europës Perëndimore që, në krahasim me paraardhësit, kishte bërë një zhvendosje drastike në botëvështrimin e saj: Zoti ishte tërhequr (ose s’ekzistonte), në rastin më të mirë Bota e ideve dhe arketipeve e Platonit ishte kthyer në një kuriozitet filozofik, natyra shihej si diçka mekanike në thelb, Zinxhiri i madh i qenies ishte përmbysur, duke drejtuar përpjekjet për të zbuluar zanafillën e çdo gjëje te materia. Në një shoqëri të tillë shfaqja e teorive që e shihnin njeriun thjesht si tejzgjatje e rendit fizik, ishte një rrjedhë logjike – qoftë si aksident biologjik (Darwin-i), qoftë si produkt i forcave të të verbra ekonomike e politike (Marx-i). Për më tepër, ai jetonte në një Angli viktoriane, ku industrializimi, ekonomia e tregut, konkurrenca, kolonializmi dhe progresi merreshin si të qena. Biologët Richard Lewontin dhe Richard Levins pohojnë se teoria e evolucionit të Darwin-it ishte “një produkt tipik i revolucionit intelektual borgjez. E para, ishte një teori materialiste që mohoi idealet platonike dhe i zëvendësoi ato me forca reale mes objektesh realë. E dyta, ishte një teori ndryshimi në kundërshtim me atë të qëndrueshmërisë (stasis), si vazhdimësi e zotimit për ndryshim të shekullit të 19-.”[13]

Ndërsa në këtë rrjedhë të pandërprerë ndryshimesh qëllimi i njeriut mbetej lufta për ekzistencë, teoria e Darwin-it ia mveshi këtë qëllim edhe natyrës. Kështu, “çdo grup nxori nga një moral prej tij”, do të shkruante mendimtari, dramaturgu dhe kritiku i njohur irlandez George Bernard Shaw (v. 1950):

Yjet duhet të kenë qenë në vijë të drejtë, sepse … ai pati fatin t’u bënte qejfin të gjitha palëve. Në mirëpritjen krahëhapur të Darwin-it nuk u radhitën me ngazëllim vetëm humanitarët. Ushtarakët ishin po aq entuziastë sa humanitarët, socialistët po aq sa kapitalistët. Në veçanti, socialistëve u dha zemër theksi i Darwin-it mbi ndikimin e mjedisit. Ndoshta mburoja më e fortë morale e kapitalizmit është bindja në efektshmërinë e ndershmërisë personale… Ndaj socialistit nuk kishte kundërpërgjigje më të gjetur sesa t’i thoshe të reformojë veten para se të përpiqej të reformojë shoqërinë… Nëse qëlloje i kamur, ku kishte më mirë se të mendoje se pasurinë e kishe falë epërsisë së karakterit tënd!

Përparësia dhe theksi mbi konkurrencën si vlerë, në mos virtyt, përgatiti terrenin për ardhjen e teorisë së Darwin-it, e cila u prit me një entuziazëm dhe organizim të pashembullt. Shaw vazhdon:

Me sa dimë, asnjëherë në histori nuk ka pasur një orvatje politike aq të organizuar, aq të vendosur dhe të mbështetur financiarisht për të bindur racën njerëzore, se gjithë përparimi, mirëqenia, shpëtimi individual dhe shoqëror varet nga një konflikt pa fré për ushqim dhe para, nga shtypja dhe asgjësimi i të dobëtit nga i forti, nga një Treg i Lirë, Kontratë e Lirë, Konkurrencë e Lirë, Liri e Natyrshme, Laissez faire[14]; me një fjalë, dorë e lirë për të ‘hequr qafe tjetrin’ pa asnjë përgjegjësi e pasojë.[15]

Teoria e Darwin-it ka edhe një dimension jo pa rëndësi të superioritetit racor, diçka e qartë që në titullin e plotë të veprës së tij On the Origin of Species by Means of Natural Selection, or the Preservation of Favoured Races in the Struggle for Life, që mund të përkthehet si Mbi origjinën e llojeve nëpërmjet seleksionit natyror ose ruajtja e racave të favorizuara në luftën për mbijetesë. Për shembull, Darwin-i shprehet kështu:

Në një të ardhme jo aq të largët sa të numërohet me shekuj, racat e qytetëruara të njeriut me shumë gjasë do të asgjësojnë dhe zëvendësojnë racat e egra kudo nëpër botë. Dallimi do të bëhet më i theksuar sepse do të jetë, siç mund të shpresojmë, mes njeriut në një stad më të qytetëruar se ai kaukazian dhe një majmuni babun, dhe jo mes një zezaku, aborigjeni australian apo gorillës, siç është tani.[16]

D.m.th., sipas Darwin-it, përfundimisht racat e qytetëruara (lexo “e bardhë” ose “kaukaziane”) do të shfarosin indianët e Amerikës, zezakët ose aborigjenët e Australisë, e si rrjedhojë dallimi do të mbetet veç mes të bardhëve e majmunëve. Ky superioritet ishte gjithashtu diçka që kishte kohë që merrej si e qenë nga europianët, e në veçanti anglezët.[17]Sipas studiueses Amy Allen, “… vetë ideja e progresit ose një lexim evolucionist i historisë është e rrënjosur në një vendim normativ të ndërmarrë nga teoricienët e Iluminizmit Europian, nëpërmjet të cilit përgëzuan vetveten se ishin më të qytetëruar, zhvilluar dhe përparuar se indianët e Amerikës dhe popujt e kolonizuar…”[18] Teoria e Darwin-it u pa si një tjetër konfirmim i kësaj bindjeje.

Nuk mund të ketë ide që kundërshtohet më fort nga shkencëtarët sesa ajo që shkenca e një shoqërie mund të ndikohet nga kultura e saj, përfshirë këtu edhe politikën. Në lidhje me komente të bëra nga disa shkencëtarë për librin e tij Stephen Jay Gould dhe politika e evolucionit, profesori i shkencave politike David F. Prindle shkruan: “… është e qartë se shumë shkencëtarë profesionistë e perceptojnë çdo përpjekje për të marrë parasysh nuancat politike të ideve shkencore si një sulm mbi vetë idenë e së vërtetës shkencore.”[19] Ndryshe nga shumë kolegë të tij, vetë Gouldi (v. 2002), një nga shkencëtarët më të njohur amerikanë në shekullin e 20-, thekson se jo vetëm që politika ndikon shkencëtarët (e si rrjedhojë edhe teoritë e tyre), por tërheq vëmendjen se ata janë “qenie njerëzore të rrënjosur në kulturë.”[20]Gazetarët William Broad dhe Nicholas Wade duket se janë në një mendje me të kur pohojnë se “[s]hkencëtarët nuk udhëhiqen vetëm nga logjika dhe objektiviteti, por edhe nga… retorika, propaganda dhe paragjykimet vetjake. Shkencëtarët nuk varen vetëm nga mendimi racional dhe as nuk kanë monopol mbi të. Shkenca nuk duhet gjykuar si mbrojtësja e arsyetimit në shoqëri, por thjesht si një formë kryesore e shprehjes së saj kulturore.”[21]

Parë nga ky kënd, Darwin-i nuk bën përjashtim. Madje kishte edhe të tjerë që  zhvilluan ide të ngjashme me të tijat, si Jean-Baptiste Lamarck, Robert Chambers dhe, në veçanti, Alfred Wallace, siç na thotë vetë Darwin-i:

“… në fillim të verës së 1858-tës, z. Wallace, që në atë kohë ndodhej në arkipelagun malajzian, më dërgoi një ese rreth prirjes së llojeve për t’u degëzuar pafundësisht nga lloji primar, përmbajtja e së cilës ishte krejtësisht si e imja. Z. Wallace shprehu dëshirën që t’ia dërgoja Lyell-it për shqyrtim, nëse e gjykoja se ia vlente. Rrethanat në të cilat rashë dakord, pas kërkesës së Lyell-it dhe Hooker-it, që një pjesë e tezës sime, bashkë me një letër dërguar Asa Gray-it, të botohej në të njëjtën kohë me esenë e Wallace-it janë përshkruar në Raportet e revistës së shoqatës Linnean-e, 1858, f. 45 (Journal of the Proceedings of the Linnean Society). Fillimisht s’kisha dëshirë të pranoja, sepse, duke e mos ditur se sa bujare e fisnike ishte natyra e tij, mendoja se z. Wallace mund ta gjykonte të pajustifikueshëm këtë veprim timin.”[22]

Meqë vetëm në Perëndim kishte ndodhur një zhvendosje thelbësore botëkuptimi, e cila ishte ngjizur më përpara, por që duket se u finalizua gjatë shekullit të 19-,  është e natyrshme që njerëz me ide të ngjashme si të Darwin-it, shfaqen pothuajse në të njëjtën kohë në Perëndim dhe jo në Kinë, Indi apo botën islame. Në mos Darwin-i, dikush tjetër do të kishte dalë për ta mbështetur e përkrahur botëvështrimin e ri materialist dhe mekanicistik të Europës Perëndimore të shekullit të 19- me një teori të re të natyrës.

Nëse dikush do të thoshte se “duhet të jemi a priori skeptikë”, atëherë do ta shihnim atë me qesëndi – praktikisht po na thotë që të mos i besojmë asaj që sapo tha. Kësisoj, nëse na thuhet se njerëzit janë të rrënjosur në kulturë ose të kushtëzuar nga gjenet, a nuk duhet të pyesim “sipas kujt?”. Kush është ky njeri që mund të thotë një të vërtetë të tillë pa u ndikuar vetë nga gjenet ose kultura? ‘Sipas kujt?’ rri si shpatë e Demokleut mbi deklarata të tilla përgjithësuese, dhe kjo nuk vlen vetëm për biologjinë dhe shkencën. Edhe Darwin-it nuk i shpëtoi kjo situatë intelektuale e sikletshme. Në autobiografinë e tij ai shprehet: “A mund t’i besohet mendjes së njeriut, e cila, siç besoj plotësisht, është zhvilluar nga mendje të thjeshta si ato të kafshëve të ulëta, që mund të arrijë në përfundime të tilla?”[23]Kjo pikëpyetje është pikënisja e temës që do të trajtojmë në shkrimin e ardhshëm.

(vijon)

© 2024 Fatos A. Kopliku. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Shënim: imazhi në kopertinë është krijuar me Midjourney.


 

[1] Letër dërguar kolegut C. H. Smith. Shih The Correspondence of Charles Darwin, Volume 3, Frederick Burckhardt (Cambridge University Press, 1988), f. 131.

[2] “Në një formë apo tjetër ajo (Zinxhiri i madh i qenies) ka qenë filozofia zyrtare mbizotëruese e pjesës më të madhe të botës së qytetëruar gjatë pjesës më të madhe historisë.” Arthur O. Lovejoy, The Great Chain of Being: A Study of the History of an Idea (Harvard University Press, 1936), f. 26. Në lidhje me Zinxhirin e madh të qenies shih edhe René Guénon, The Multiple States of Being, trans. Henry D. Fohr (NY: Sophia Perennis, 2001[1932]).

[3] Shkenca moderne mund të përkufizohet si vëzhgim i kontrolluar i natyrës, ndërsa teknologjia moderne si shfrytëzimi i kontrolluar i saj.

[4]Shih Silvan S. Schweber, The Young Darwin and His Cultural Circle. Journal of the History of Biologyvol. 12, no. 2 (1979): ff. 175-192; The Origin of the “Origin” Revisited, Journal of the History of Biology, vol. 10, no. 2 (1977), ff. 229-316; Darwin and the Political Economists: Divergence of Character, Journal of the History of Biology, vol. 13, no. 2, (1980), ff. 195-289.

[5] Për të qenë më të përpiktë, këto ndryshime njihen si mutacione gjenetike, sipas interpretimit neodarvinist të Darwin-it, i cili mori trajtë gjatë viteve ‘30-‘50 të shekullit të kaluar nga gjenetistë dhe matematikanë me interes në biologji, si Dobzhanski, Fischer, Haldane, Mayr e të tjerë. Darwin-i vetë nuk dinte gjë as për mutacionet, as për gjenet, as për ADN-në.

[6]Shih Stephen Jay Gould, The Structure of Evolutionary Theory (Cambridge, MA: Harvard University Press, 2002), f. 122.

[7] Adam Smith, The Wealth of Nations (1776),  Libri IV, kreu 2.

[8] J. R. McCulloch, Principles of Political Economy, ed. 2 (1830), f. 149.

[9] Shih Thomas Robert Malthus, An Essay on the Principle of Population (1798). Malthusi ishte, gjithashtu, klerik i Kishës Anglikane.

[10] The Autobiography of Charles Darwin, ed. Nora Barlow (London, 1958), f. 120.

[11] Schweber, Origin of the “Origin”, Journal of Biology, f. 234.

[12] The Life and Letters of Charles Darwin, ed. Francis Darwin (London, 1887), ff. 308-309.

[13] Richard Levins, Richard Lewontin, The Dialectical Biologist (Aakar Books, 2009 [Harvard University Press, 1985]), f. 3.

[14] Term në frëngjisht që do të thotë “pa ndërhyrje, pa rregullim” nga ana e shtetit.

[15] George Bernard Shaw, Back to Methuselah: A Metabiological Pentateuch (The Project Gutenberg eBook, [1921]), hyrje, f. 22.

[16] Charles Darwin, The Descent of Man and Selection in Relation to Sex (NJ: Princeton University Press, 1981[1871]), f. 201.

[17] Për shembull, Joseph Chamberlain (v. 1914), një burrë shteti anglez i shekullit të 19-, shprehet: “Ndër racat sunduese që ka parë bota besoj se raca britanike është më e larta… Them se kushdo që dëshpërohet për të ardhmen e racës britanike, është me të vërtetë një krijesë zemërlepur dhe frikamane.” L. Garvin, The Life of Joseph Chamberlain (London, 1933-35), II, 27, cituar nga Times, Nov. 12, 1895).

[18] Amy Allen, The End of Progress (Columbia University Press, 2016), f. 22.

[19] David F. Prindle, Stephen Jay Gould and the Politics of Evolution (New York: Prometheus, 2009), f. 11.

[20] Stephen Jay Gould, Time’s Arrow, Time’s Cycle: Myth and Metaphor in the Discovery of GeologicalTime (Cambridge, MA: Harvard University Press, 1987), f. 6-7.

[21] William Broad, Nicholas Wade, Betrayers of the Truth: Fraud and Deceit in the Halls of Science (New York: Simon and Schuster, 1982), f. 9.

[22] Darwin, Autobiography, f. 120-121. Për çudi të Darwin-it, Wallace-it nuk i mbeti hatri që ai e botoi teorinë e vet të parën. Ata mbajtën letërkëmbim për vite me radhë, edhe pas botimit të Origjinës.

[23] Ibid., f. 93.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading