Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

MBETET AKTUAL

nga Lumnije Jusufi (Berlin/Tiranë)

Një punim jo aq i ri por më se aktual: Libri “Sportel i hapur i shqipes” nga Kristina Jorgaqi

Kush merret me gjuhësi, e ka përjetuar së paku një herë, por ndoshta edhe vazhdimisht, situatën kur ndonjë i afërm e kontakton pa pritur e pa kujtuar me ndonjë pyetje për kuptimin e ndonjë fjale të panjohur dhe/ose të rrallë, ndonjë çështje përkthimi, drejtshkrimi apo drejtshqiptimi. Me siguri është përballur edhe me “alternativat” e prof. Internetit dhe në të ardhmen me siguri edhe me “mendimin” e prof. dr. ChatGPT-së.

Shtysa për të ndarë këto ide, më erdhi nga punimi i kthjellët “Sportel i hapur i shqipes” nga Kristina Jorgaqi, botuar në vitin 2008, i cili më ra në dorë rastësisht dhe e lexova me plot kureshtje, kënaqësi dhe përfitim. Pyetje lidhur me çështjet e përmendura në krye të kësaj trajtese më bëhen shpesh, dhe jo gjithmonë mund t’iu përgjigjem. Rrekem të jap një mendim, por jo përgjigje të prera, sepse gjuhës shqipe ende i mungojnë këndvështrime të qarta lidhur me punën praktike me gjuhën. Këtë boshllëk e mbush libri i përmendur, i cili nga njëra anë tematizon kufijtë e drejtshkrimit dhe risi të gjuhës që nuk i pasqyron (ende) drejtshkrimi, e nga ana tjetër përmes kurioziteteve dhe këshillave gjuhësore, i tregon edhe lexuesit profesionist kufijtë e tij. Kësisoj, për çdo pyetje nga fillimi i këtij shkrimi unë tashmë kam si përgjigje rekomandimin e këtij libri, dhe me shpresë edhe shumë e shumë të tjerë të kësaj natyre, qoftë nga zonja Jorgaqi, qoftë nga kolegë të tjerë, duke u motivuar nga ideja e qëlluar e zonjës Jorgaqi.

Kësaj qasjeje nuk do t’i largohem pa tematizuar edhe disa zhvillime të reja të shoqërive tona shqiptare dhe në lidhje me gjuhën tonë (profesionale apo amtare). Është krijuar një vakuum publik në lidhje me gjuhën shqipe dhe rolet e saj në çështjet identitare. Ky vakuum është aq i madh, sa një pjesëmarrës në provimet shtetërore për përkthyes në Gjermani, refuzoi vlerësimin tim (provimin ai nuk e kishte kaluar!) me argumentin që shqipja nuk qenka normuar dhe me ç’bazë unë vlerësoj në këtë mënyrë. Kjo kritikë, por mua shokuese, nuk mbeti me kaq. Unë duhet të jepja një sqarim, që argumentonte të kundërtën. Problemi nuk qëndron te niveli i dobët i përkthyesve në Gjermani, por në faktin që një i ri shqiptar me gjimnaz shqiptar (pavarësisht nga cili vend, rasti i përmendur ishte nga Shqipëria), nuk e dinte që gjuha e tij amtare është normuar para 50 vitesh. Këtë vakuum publik, pra mosnjohjen e gjuhës amtare dhe të historisë së saj e shfrytëzojnë edhe pseudo-etimologët apo pseudo-albanologët e fundit, të cilët pretendojnë se mund të na e sqarojnë funksionin e rrotës, të cilën ata supozojnë ta kenë shpikur dje.

Dhe nëse tani do të prisni nga unë, të dashur lexues dhe kolegë, që të tregoj me gisht në drejtim të këtyre dy grupeve, të rrezikshme për fushën tonë dhe tejet të dëmshëm si për shoqëritë shqiptare, ashtu edhe për identitetin dhe gjuhën tonë, e keni gabim. Fajin e kemi ne profesionistët e gjuhës dhe institucionet dhe shtetet tona, që ua lëmë mejdanin këtyre amatorëve.

Ajo që na mungon, është fillimisht respekti për punën e kolegëve dhe traditat tona shkencore jo të favorshme. Libri i zonjës Jorgaqi me sa mora vesh unë, nuk ka pasur përfilljen e duhur nga kolegët, asnjë recension, asnjë diskutim apo prezantim. Dhe nuk është libri i vetëm i „panjohur“, që mbetet i tillë qoftë nga inati, qoftë nga pasiviteti, apo nga traditat që recensionet e vetme gjenden vetëm në librin përkatës, por jo në revista shkencore, madje dhe për publik më të gjerë.

Na mungojnë shtëpi botuese me përgjegjësi profesionale dhe jo vetëm me interes ekonomik. Shumë shtëpi botuese shqiptare marrin vetëm paratë për botimin, dhe i lënë librat nën mëshirën e fatit apo në përgjegjësinë e autorëve. Në Gjermani kjo quhet “Selbstverlag” pra ‘shtëpi botuese vetjake‘ apo ‘vetëbotim’, të cilët nuk vlerësohen fare. Shtëpitë botuese të mirëfillta bëjnë punën e vlerësimit para botimit, të kontrollit teknik, të reklamimit, të shpërndarjes dhe të shitjes, dhe kjo shihet si garanci për kualitet të lartë shkencor. Këto mekanizma u mungojnë shtëpive botuese shqiptare dhe në fund botohen libra „etimologjikë“ e „albanologjikë“, pa parë ndonjëherë dorën e një etimologu apo albanologu. Librin e zonjës Jorgaqi nuk e gjen në asnjë librari në Tiranë.

Na mungon edhe një formë e re e qarkullimit të njohurive profesionale, e cila si traditë vjen nga ShBA-ja, por në Europën Perëndimore është përhapur shpejt dhe shumë. E kam fjalën për “Knowledge transfer”, ‘transferim njohurish/dijesh’, e cila në Gjermani tashmë kërkohet në çdo aplikim për fonde për projekte shkencore. Aplikanti duhet të paraqesë mekanizma për shpërndarjen dhe vënien e rezultateve shkencore në shërbim të shoqërisë. Më përpara këtë punë e bënin gazetarët shkencorë. Neve si shqiptarë dhe si albanologji na mungojnë këto dy rryma. “Peizazhe të fjalës” e shoh në këtë fushë, por edhe librin e tematizuar nga zonja Jorgaqi. Jo se në të kaluarën nuk ka pasur organe dhe ide të tilla. Në këtë drejtim ka punuar revista shkencore “Gjuha jonë”, e cila ka qarkulluar edhe në Kosovë. Por këto organe i takojnë të kaluarës, si në konceptimin dhe konsumimin e tyre nga profesionistët, ashtu edhe nga ngjyrimi ideologjik që morën ato pas kthesës politike në vitet ‘90. Kemi nevojë për një koncept të ri, me frymë të re të paideologjizuar dhe me rrugë të reja digjitale. Pseudot e shumtë luftohen vetëm me profesionalizëm dhe punë të vazhdueshme, por edhe me vlerësim reciprok të kontributeve shkencore të kolegëve. Unë po e filloj vlerësimin tim që tani me “Sportelin” e zonja Jorgaqit! Po ju?

© 2024 Lumnije Jusufi. Të gjitha të drejtat janë të autores.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin