Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filozofi

KURA HISTERIKE

nga Bujar Meholli

Tek po e ndiqja sërish një animacion të Tex Avery-t, “Sh-h-h-h-h-h”, nisa të mendoj mbi gjendjen faktike shoqërore në të cilën ndodhemi. Një përsiatje për kalvarin që përjeton njeriu i kësaj anarkie të moderuar, dhe kurat e melhemet peshqesh të globalizmit. Letërsia e happy-end-ëve pigmalionistë, vernisazhet artistike të rrjeteve sociale, ventrilokizmi televiziv, kulturor e religjioz – krejt kjo maskaradë që ka ngritur siparin është hapërdarë me lehtësira të paimagjinueshme; në këtë kuptim, efektivisht, mpihet refleksioni i stimuluar nga mendimi kritik, shoshitja e gjërave objektivisht e me gjakftohtësi, rrekja në punë për dijen e vërtetë… rruga e progresit është e gjatë, hendeku i thellë; hierarkitë dhe shpalljet e tyre merkantile, që mëtojnë paqësisht t’i kenë njerëzit nën kontrollin e duhur, mjaft t’i ngjyejnë kafshatat në gjellët e nacionalizmit patetik dhe me to t’i ushqejnë gojët e popullit – pjesa tjetër bëhet e lehtë. Autoriteti dhe ndikimi ndërtohen. Idhujtaria po ashtu. Kura ka sukses! Po që se shqiptari lëngon, nacionalizmi është çdoherë efektiv. Duket sikur u jep hov iluzioneve më të përçarta porsi nën ndikimin e meskalinës. Ndaj kanë mbirë, të panumërt, show-ët me etimologjinë dhe shpalljen e shqipes si gjuhë të gjuhëve, me etnogjenezën shqiptare dhe vjetërsinë pre-evropiane (në mos pre-botërore!).

Tex Avery bëri emër si shkrues e regjisor animacionesh që thyejnë murin e katërt dhe janë, si të thuash, antipod i konvencionalitetit të Walt Disney-t. Duke i mbrusur me tone sarkastike, ironi të pamëshirshme, ekspozim seksual, bizaritet surreal, manierat e tij animatore precizojnë një imazheri që gëlon nga dinamizmi trandës i jetesës amerikane me racizmin, stereotipat sociokulturorë, apetitet për dhunë e ekspansion, deri te shund-kiçi e pop arti. Pasazhet humoristike lidhen kronologjikisht – një gag e përcjell një gag tjetër duke e relativizuar kohën autentike; Avery është katalizator i novatorizmit, ikjes prej klisheve zyrtare, duke prezantuar një tip të animacionit, ekspertiza e të cilit lidhet pashmangshëm me temperamentin krijues si raison d’être. Në mullirin averyian bluhen motivet sakrale, solemne e apologjete me scherzo-motivin e natyrës kafkeske që thyen konditat puritane të artit sipërfaqësor, të cilit ia gris napën, duke projektuar një qasje akribike, eksplicite, ndaj temave të rëndësishme shoqërore që në letërsi janë trajtuar nga një aradhë shkrimtarësh progresistë.

Z. Twiddle, baterist në një klub xhazi, pas zhurmërimave që kolegët e quartet-it ia përplasin fytyrës, del ngadalë, me kriza të qarta nervore. Psikiatri I. M. Jittery ia thotë shkoqur se është aq i sëmurë sa i duhet, urgjentisht, kurim në ndonjë vend të qetë, relaksues, për t’i fashitur dhimbjet neuropatike nga “trombonosis-i”. Burri i shkurtër – që seç ma kujton Dr. Pereira-n, intelektualin e Tabucchi-t, për rropatjet nën ambientin konservator-katolik të gazetës ku punon dhe censurës shtetërore salazariste – do të niset alpeve zvicerane drejt një hoteli krejt unik, Hush-Hush Lodge, ku pushuesit mund të shtendosen krejtësisht e t’i kryejnë porositë në qetësi të plotë. Deri edhe shtypja e ziles nxjerr një letër ku lexohet DING! apo ora nxjerr TICK & TOCK! dhe shënjon kohën, heshtazi. Deri këtu çdo gjë në rregull. Kalvari i babaxhanit Twiddle nis porsa në dhomën ngjitur një çift misterioz nis ta komprometojë karakteristikën e heshtjes absolute, pacifiste, të hotelit. Qeshja histerike femërore përplaset mureve të tij, pasuar nga një çjerrje tromboni që nxjerr nota dosido pandërprerë. Qeshje, tinguj irritues. Tex Avery na prezanton një situatë krejt atipike. Me njëfarë pezmi kafkesk shtresëzohet ngjarja kur protagonisti, porsi viktima e doktorit Paul Gachet, Van Gogh-u, në vend të kurës, ndodhet në një situatë paradoksale-absurde, groteske, të denjë për sanatoriumin e përshkruar nga penda e një Bruno Schulz-i. Sidoqoftë, për t’i rënë më shkurt: fillon rezistenca ndaj fqinjëve; pasi nuk ka bërë punë mirësjellja dhe shkrimi i një letre ku kërkohet sinqerisht ndalja e zhurmës, për më tepër ka marrë një përgjigje të prerë Shut up!, nis e përdoret bomba, uji, varja e kasafortës në litar për t’i goditur fqinjët poterexhinj e numra të tjerë që dështojnë një mbas një – qeshja histerike e gruas vazhdon njëtrajtshëm porsi goditje çekani, një kakofoni borgjeze në kuptimin marksist, si të thuash, që përdhunon atmosferën dhe thyen ligjet e një vendi rehabilitues, kurues. Kriza nervore e Twiddle-it intensifikohet gjersa arrin klimaksin; kërkon te hotelxhiu urgjentisht doktor për nervat e tij të brishta – dhe ja, hapet dera, fqinjët misteriozë na paskan qenë doktor I. M. Jittery, dora vetë, dhe e shoqja, infermierja maniake që ka kakarisur vazhdimisht. Është veçanërisht karakteristike pjesa e fundit në të cilën, babaxhani shtatshkurtër, i tronditur nga e gjithë situata, në kulm çmendie, shpërthen i tërbuar – derisa doktori vanitoz, pa e prishur gjakun, deklamon, pasi i ka kërkuar pacientit ta marrë shtruar për shkak të nervave, People just won’t listen to their doctor’s advice. Si mund ta marrim këtë humor të Tex Avery-t? Si reaksion ndaj fraksioneve sociokulturore e sharlatanizmit patologjik, stimuluar nga mekanizmat socio-psikologjikë nën maskën e realitetit të rremë, pa skrupuj, që krijojnë e rehabilitojnë parazitë e snobë demagogë, helmatisës të shoqërisë dhe shfytyrues të ratio-s?

Është esenciale, sot, përbrenda globalizmit mitoman dhe revolucionit informativ, të përkufizohet imanenca objektive reale – shkolla, libri, leximi, dija, arti, specializimi, zbulimi shkencor – karshi fetishizimeve e silogjizmave të zbrazët, kulminativë, plagjiatëve e imitacioneve të pafundmë që po mbijnë andej-këndej duke e shndërruar shoqërinë, përditë, në njëfarë sanatoriumi bizar (poshtë klepsidrës) që përmban variacione kurash histerike për shpirtra pneumatikë…

(c) 2024 Bujar Meholli. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin