nga Sait Saiti
Me renë sahariane që mbuloi këto ditë qiejtë e Mesdheut Verior m’u theksue edhe meteorologjikisht dëshira të thellohesha ndaj shfaqjes së bujshme të pjesës së dytë të filmit Dune. Përshtatja filmike që Denis Villeneuve u ka ba librave të Frank Herbert qe një shfaqje kjo e shumëpritun si ngjarje vendimtare, e ban vaki edhe si pikë referimi gjeneracionale krahas të sillojshëmve Star Wars, Lord of the Rings dhe Harry Potter.
Nuk më ka tërheqë ndonjëherë në mënyrë të posaçme fantashkenca, ama kur pashë gjatë filmit se kishte marrë jo pak prej tharmeve të ndryshme qytetërimore atëherë m’lindi nevoja me i radhitë ç’vuna re. Për ma tepër, falë algoritmit ishte e pashmangshme mos me u vu në dijeni për shtresëzime të ndryshme që janë ngërthye në këtë realizim filmik të një prej klasikëve të zhanrit fantashkencor.
Mesianizimi si i tillë asht tema qendrore rreth së cilës përsjellet fabula, jo aq si qëllim në vetvete, sa si shqyrtim kritik se si në kohë moderne mund të inxhinierizohet psika kolektive (si psyop futuristik) për me u nxitë mjaftueshëm sa me e përqafue edhe prej jobesimtarëve të një doktrine me elemente mesianike. Për realizimin e kësaj inxhinierie të shpalljes shërbejnë disa huamarrje që autori ka ba nga shtratet qytetërimore, veçanërisht nga mistikat e religjioneve të mëdha, të cilat si plot device sendërtojnë plotësimin e rrugëtimit të (anti)heroit. Ndër shprehjet e përdoruna në realizimin filmik ishin disa fraza semitike, dy prej hebraishtes dhe të tjerat, shumica dërmuese, prej arabishtes.
Fraza hebree ma e përdorun asht Kwisatz Haderach, term i marrun hua nga mistika kabalistike e Hebraizmit, për shkurtimin e rrugës, njëfarë teleportimi, tkurrje të realitetit dhe penetrim në mbrendinë e tij, që në përkthimet shkenciste lexohet si njëfarë kaptimi kuantum. Ka rrëfenja talmudike që tre personazhe e ushtrojnë si praktikë lëvizjeje. Në besimtarinë popullore shqiptare asht prezantue me mrekulli që u mvishet dervishëve, një rast i shquem asht ai i Dervish Rexhep Belit nga Malësia e Gjakovës, i cili në kohë të komunizmit besohet se asht pa tue falë namazin e Bajramit në Shqipni dhe Kosovë njëherit. Ngaqë edhe Islami po ashtu bashkëndan këtë dyvendndodhje mistike (Tay al-Ard apo edhe tay al makan) dhe besohet si mrekulli (qeramet) nga evlijatë, miqtë e Zotit. Në film ky term mëtonte kah figura mesianike që pritet me qenë protagonisti nga një sekt femëror i quejtun Bene Gesserit, nga hebraishtja “Bijat e Urës”, si biçim murgeshash jezuite mjaft të thellueme në njohjen dhe kodifikimin e kulturave të tjera.
Universi që Herbert sendërton ka shtrat planetin Arakis, me emrin e moçëm Dune, ku vendasit janë populli i quejtun “Fremen”. Të shtypun, të mënjanuem, por kryengritës, Fremen si emën asht kalkim i endonimit të fiseve berbere Amazigh të Magrebit Perëndimor, ku vetë amazigh në gjuhën berbere fjalëpërfjalë domethanë njerëz të lirë. Gjuha e tyne tek librat asht njëfarë arabishteje tashma kozmike, dhe shprehitë ma të përmenduna të esktrapolueme qoftë nga mistika, doktrina apo edhe letërsia islame. Në vetvete ata përbajnë një rrudhje që Herbert u ka ba popujve kaukazian të primë nga Sheh Shamili, berberëve nga Abdelkadër el Xhezairi, kryengritjes arabe nga Lorenci dhe fiseve San të shkretëtinës Kalahari për përdorimin me shumë pehriz të ujit. Termi i barazvlefshëm në film me “Kwisatz Haderach”, asht “Lisan al Gaib” dhe “Mahdi”. I pari asht në realitet pseudonim i poetit pers Hafëzi, përmes të cilit mveshësit i atribuojnë aftësinë e t’kenit Gjuha (Lisan) e të Fshehtave/Panjoftunës/Padukshmes (al Gaib). Ky pseudonim bujar poetit pers i asht dhanë dhe madje asht stërhollue deri në atë pikë sa Divanit të tij i mvishen aftësi fatshtjelluese. Termi i dytë “Mahdi”, shqip Mehdiu, asht figura paramesianike e besueme dhe e pritun në Islam me u shfaqë para profetit Isá/Jezu.
Personazhi kryesor Paul Atreides në mesin e rrethanave të reja para se të pranonte me u njoftë si Mehdiu i japin emrin e parë Usul, për “bazë, themel”, edhe në shqipen para-puristike usull dikur asht përdorë një-një me “zakon, doke, metodë, rregull” (te Dizdari, fq. 1096); ndërsa emri që zgjedh vetë asht Muad’dib, ky drejtpërdrejt nga arabishtja, ku don me thanë edepdhanës, edukator.
Edhe pse në realizimin filmik ishte pajtue një linguist për t’ia sajue një gjuhë popullit Fremen, u shqiptue me një theks të veçantë shprehja “yahya chouhada” – që titrimi në anglisht e kthente në “rrofshin luftëtarët!” (Long live the fighters!), e që mendohet se vjen nga “ya hya shuhada” / “rrofshin shehitët”, shprehje me të cilën algjerianët kremtuen ditën e pavarësisë së tyne të arritun me luftë ndaj Francës më 1962 tuj kujtue dëshmorët (shehit, dëshmor në fe) e luftës.
Çka e ban filmin tërheqës nuk asht aq pafajësia si e një përralle fëmijësh te Harry Potter, as moraliteti i The Lord of the Rings apo Star Wars bashkë me konfigurimet hierarkike të personazheve përkatëse, por njëfarë qasjeje kritike se si feja, apo çdo kredo, mekanizohet dhe kthehet në armë (is weaponized) nga nevojat politike. Ama sharmin e ka pikërisht te karizma se si feja ndjell, ndikon, modelon botëkuptimet dhe botët.
© 2024 Sait Saiti. Të gjitha të drejtat janë të autorit.