nga Rael Hoxha
(Fuga psikogjene)
“Shpresa është sëmundje serioze”
Me përjashtim të disa minjve, drerëve dhe arinjve, kafshët migrojnë, ashtu siç pritet nga natyra, mes peripecish dhe të panjohurash. Primatët migrojnë gjithashtu, si për klimë, edhe për ushqim. Njerëzit emigrojnë në të njëjtën mënyrë rreth e qark globit, në kërkim të ushqimit (jo punës), mirëqenies (jo pasurisë), dhe riprodhimit (jo martesës). Njeriu i ri, lindor, si kurrë më parë, emigron për dokumente që jo detyrimisht i nevojiten për të jetuar, dhe për ëndrra që nuk nevojiten t’i realizojë me doemos, por edhe për “tafti-bafti”, një lloj fati kaotik, pa pritshmëri, mjaft i përdorur nga popujt mistik të lindjes, e cila përzihet me injorancën dhe traumat shoqërore, supersticionin dhe kismetin.
Njerëzit shpesh udhëhiqen nga mungesa – nga ajo që nuk e kanë, nuk u mjafton, nuk e duan, apo nuk u ofrohet. E kemi dëgjuar të stërthuhet e të shpërfytyrohet shprehja: “Shqiptarët po largohen”, duke humbur kohë, duke marrë energji, e duke na shumëzuar me zero në media, në politikë, edhe në ezoterizmin e natyrshëm shqiptar. Nga shkencëtarët, sociologët, psikologët, etnologët, e deri tek filologët, arkeologët, neurologët, apo teologët dhe politologët, kjo histeri “eksodemike” dhe eskatologjike, artikulohet pa gjuhën e duhur dhe pa mbrojtjen e nevojshme ndaj dëgjuesit dhe shikuesit. “Publiku”, është një fjalë e përdorur keqas nga media, që i referohet qytetarit sikur të jetë ushtar dhe mjet për realizimin e qëllimeve troshitëse në sektorin e diskutimit inorganik të opinionistëve, pa e çuar ndërmend se kjo fjalë do të thotë “bashkësia e të rriturve”. Progresi, turizmi, kultura, kulinaria, urbanizmi, socializmi dhe euforizmi, inskenojnë të ardhmen e këtij vendi mes diellit dhe begative, Evropës dhe barbarëve.
Ngjarje “esuberante”, me një eklektizëm pasionant, rrymojnë gjithë opinionin publik, duke u krijuar majmunëve idenë se kjo strukturë shoqërore s’ka nevojë të shqyrtohet, por vetëm të mirëmbahet. Kështu, si pa të keq, lind një gjendje vegjetimi, një stanjacion i pranuar gjerësisht. Ideja fikse e “të pandryshueshmes”, pushton mendjet, iniciativat, vizionet dhe ëndrrat e “publikut”, duke krijuar një trombozë shoqërore. Grupmosha më e goditur në këtë fushë, është rinia, e cila shtrihet nga 14 deri në 45 vjeç në Shqipëri, duke marrë parasysh vonesën e maturimit shoqëror që na karakterizon. Kjo bashkësi energjike ndalet, nuk përçon e as nuk përthith, por ngec midis të shkuarës dhe të ardhmes, përjetësisht në të tashmen, duke rrezikuar lulëzimin e saj të hershëm apo të vonuar qoftë. Por natyra ka rrugë të pafundme ndërhyrjeje, ndaj, përmes ndjenjës së frikës dhe mpirjes emocionale, ajo rishkruan fatin e rinisë diku tjetër, ku mund të ketë shansin të lulëzojë. Kështu lind nevoja për ndryshim në mënyrë arratie (fuga psikogjene), një term psikiatrik që karakterizohet nga harresa dhe fitimi i një gjendjeje të re. Nuk është nevoja të përdoret më shprehja “shqiptarët po largohen”, ose “largimi i trurit”, e cila tani mund të zëvendësohet me “arratisjen”. Ngjan si fjalë reaguese ndaj një diktature të mirënjohur për shqiptarët, por ajo mbart edhe të njëjtën forcë veprimi si atëherë. Dikur ishte dëshira dhe ankthi i largimit prej sistemit, që udhëhiqte rininë, si një formë revolte, por edhe si një frymë shprehjeje kundër totalitarizmit. Të realizohej kjo arratisje, ishte thuajse e pamundur, përfshi rrezikun real të vdekjes dhe atë abstrakt të persekutimit.
Sot ka ndryshuar ky raport dhe duket se i kushtohet demokratizimit, pluralizmit dhe integrimit në Bashkimin Evropian, ama kërkon një sy të tretë për ta parë më qartë këtë lëvizje të lirë që po cenohet nga pikëpamje detyruese shtetërore. Në vendin tonë po ndodh një fenomen i përshpejtuar, dukshëm i shtyrë nga feudalët që komandojnë skllevërit, që ka të bëjë me arratisjen psikologjike, duke lënë drogën të lirë, shkollat pa kontroll, bizneset kriminale, inflacionin e majmur, dhe popullatën pa shpresë. Në gjuhën latine statum, do të thotë “shtet”, por edhe “gjendje”. Nuk bëhet fjalë për spektakël elektoral, por për një gjendje emocionale që ndikon tek ëndrrat, dëshirat, mundësitë, gjerësisht e orientuar drejt përhumbjes dhe letargjisë morale të shoqërisë postmoniste – si një e drejtë themeltare, që të bësh ç’të duash me jetën tënde.
Pavarësisht sulmeve kibernetike të inskenuara, statistikisht janë rreth 194,900 emigrantë nga viti 2018 deri në vitin 2022, kompensuar nga 10 milion turistë vetëm në vitin 2023. Një humbje e fuqisë njerëzore që as nuk ndihet në ekonominë dhe shpirtin shqiptar postmodern, madje ka hapur vende pune, sidomos nëse merr parasysh ngarkesën propagandistike dhe informale të infrastrukturës turistike, e cila ofron diçka kaq mistike, sa nuk kanë ku ta gjejnë tjetër anglezët, italianët, gjermanët, holandezët, kinezët, gjithë popujt sllavë, dhe disa kontinente të dorës së dytë, pa det e pa diell. Këta mjeranë, tepër të lodhur nga bukuritë mediokre të botës, janë magjepsur, yshtur dhe kunguar prej aurës shqiptare të mrekullive dhuruar nga Zoti, në këtë vend të bekuar personalisht prej dorës së tij, ku ka vend për çdokënd dhe gjithçka. Një vend që aspiron parajsën, qoftë ajo fiskale, dhe zhvillimin, qoftë ky regresiv për shoqërinë, mjedisin apo infrastrukturën dhe cilësinë e jetesës. Madje, shto edhe numrin marramendës të italianëve që zgjedhin Shqipërinë për studime, punësim, biznes, pleqërim dhe evazion.
Kushdo që jeton ndër mrekullitë e këtij vendi, i bën vetes një pyetje: “pse po largohemi?”.
Do abuzoj pak, duke abstraguar mbi këtë temë tepër të nxehtë dhe shpesh të ftohtë, akull!
Është pabarazia, mosmirënjohja, çekuilibri, ezaurimi, letargjia, gjëma e politikës. Me çfarëdolloj mjeti, qoftë “Tik-Tok”, apo motoskaf, rrugëtimi është i mundur. Ndoshta politika po i shton diçka esenciale kësaj arratie. Kjo fjalë e lashtë greke në origjinë, mban një vlerë të përcaktuar mjaft mirë. “Πολιθικός” (politikos), do të thotë qytetari, ata që jetojnë në “shumësi”, “polis”, dhe janë një trup me vendin e tyre. Tashmë, shumë prej politikanëve tanë, nuk jetojnë më në qytet. Ata kanë zgjedhur fshatin, provincën, më pranë natyrës dhe qetësisë së luksit, sepse varfëria është e zhurmshme, e ndyrë, pa rregulla dhe e pacipë, duke ia prerë kokën trupit.
Kur zihet hapësira e mendimit dhe hapësira e veprimit, ngelet vetëm hapësira e ndijimit. Sakaq rinia hyn në një gjendje të re, atë të vëzhgimit, të krijuarit të mbresave pa pjesëmarrje aktive, vetëm si spektator, ose publik, mbuluar nga një vello përtacie dhe përgjumjeje. Kur u jepet rasti, gjithkush mund të “ingranohet”, që do të thotë të bëhesh pjesë e ingranazheve bluese, ato që prodhojnë diçka. Gradualisht gjithkush mund të mësojë, të krijojë, të kontribuojë, dhe të trashëgojë vlera. Pa qenë nevoja të ndërhyhet padrejtësisht, apo të korruptohet sistemi. Është pikërisht sistemi, që lidhet përmes ingranazheve, duke krijuar një strukturë të varur në mënyrë reciproke, qytetar pas qytetari. Ky zinxhir krijon energjinë e nevojshme për të mbajtur moralin lart, ekonominë e lubrifikuar dhe kulturën të gjallë, pa qenë nevoja të mbahet peng diploma apo të dëmtohen institucione të vetëdijes kolektive. Klima e përshtatshme është vetëm ajo që favorizon këdo që ia vlen, pavarësisht se kush është dhe nga vjen. Kjo nuk është barazi, por një nevojë themelore, e cila vendos ekuilibrin mes qytetarit dhe shtetit.
Gjendja e re, ajo e dëshpërimit, nuk e lejon ngritjen apo ringjalljen e shpirtit. Ajo e vendos individin në morsën (kafshimin) e vdekjes. Kjo është një vdekje e gjallë, “vdekur pa kallur”, si një trup bosh, pa ymër. Mungesa e gjallërisë sjell apatinë shoqërore, jo atë të edicionit të lajmeve, as të kronikave të zeza, por atë të mortit publik. Një zi shoqërore, që zgjat me breza, sepse është shpresa ajo që ngatërrohet shpesh me zgjidhjen, duke e quajtur “fatin” si një “plan”. Prandaj “arratia”, largimi prej së vërtetës, është thjesht një vdekje e detyruar e qytetarit, nuk është një plan, nuk është një skemë, as një ide, por një shpresë, diçka që nuk përcakton dhe as përfaqëson të ardhmen, por vetëm të tashmen e dëshpëruar.
Paria, këta klerë të qeverisë dhe ekonomisë, e mirëmbajnë shpresën me projekte të kobshme rindërtimi, rithemelimi, ristabilizimi, rivitalizimi, ristrategjimi, duke pritur arratisjen nga ligji. Këto paketa oportunizmi e forcojnë strukturën e pritjes, durimit, kësisoj edhe atë të depresionit, sepse pritja pa një mbërritje, është kulmi i ekzistencës, prej së cilës s’ka më kthim. Elita do ekzistojë edhe në kultura futuriste, transhumane, duke synuar gjithnjë pushtetin, pabarazinë dhe shfrytëzimin. Nëse pritja kthehet në gjendje, atëherë edhe shteti merr tiparet e individit dhe anasjelltas. Është e pashmangshme që këto dy entitete të mos ndoten, të mos ndikohen prej njëra – tjetrës. Kësisoj, shteti (statum), dhe individi (e pandashmja), përfaqësojnë të njëjtën gjendje, atë të arratisë.
© 2024 Rael Hoxha. Të gjitha të drejtat janë të autorit.