Hermeneutika e “Radhës” sipas Niemöller-it ose Në kërkim të sendeve të humbura!
nga Ermir Xhindi
Në rrethana të tjera do të kishte kuptim hermeneutika për “kohën e humbur” nga ne, absolutisht “Të shumtit”. Por, për shkak të rrethanave, më duhet ta zëvendësoj “kohën e humbur” me “sendet e humbura” nga ca të tjerë, “Të Për-Zgjedhurit”. Këta të fundit iu bashkuan rrugës, ankthit tonë për “kohën e humbur”. Ndodhi kur këta vete nisën të humbasin, gjithashtu, diçka.
Të humbasin sende. Mall, gjë, gjëra!
Ashtu si aroma e biskotave te pjekura të Prustit, aroma e freskët e tokave, shtëpive, parave, mundësive të rrezikuara, i solli “Të Për-Zgjedhurit…” tanë në një përmasë, që për ne të tjerët është më se e natyrshme, në kohën e humbur të një vendi ku asgjë nuk ndryshon dhe ku ‘revolucionarizimi i jetës’ sipas Enver Hoxhës vijon të duket mekanizëm demokratik postmodern. “Cool”!
Pra, këta të dytët, u pështollën në kohën tonë të humbur, tok me ne, “Të shumtit”, absolutisht “Të shumtit”, për shkak të një rrethane, që ata e interpretojnë mbi ‘poezinë’ e famshme të Martin Niemöller-it, “Në fillim ata erdhën” (Zuerst kamen sie):
Në fillim ata erdhën për socialistët dhe unë nuk fola,
nuk fola, sepse unë vetë nuk isha socialist.
Atëherë ata erdhën për çifutët e unë përsëri nuk fola,
nuk fola, sepse unë vetë nuk isha çifut.
Më vonë ata erdhën për sindikalistët dhe unë përsëri nuk fola,
nuk fola, sepse unë vetë nuk isha sindikalist.
Pastaj ata erdhën për katolikët dhe unë përsëri nuk u ndjeva,
nuk fola, sepse unë vetë isha protestant.
Më në fund ata erdhën për mua,
por atëherë nuk kishte mbetur askush të fliste…
E gjitha kjo është groteske në mekanizmin e vet. Pra, rrethana është paralajmërimi: “do të të vijë radha”! Kumti për ty: fol! Tundu! ‘Do të të vijë radha’ – pra, ty, ende nuk të ka ndodhur gjëma, por do të të ndodhë ‘by default’! Është e pashmangshme gjëma për ty!
Në terma të përvojës së leximit: ti je Niemöller-i i fillimit të poezisë, ata, Niemöller-i i fundit të saj! Janë lexuesit e saj të parë, që ndërsa të dëshmojnë tmerrin e përvojës, të ftojnë të ftojnë të ndalesh, t’i ikësh asaj përvoje, përmes një qershie retorike sipër antileximit. Këta janë “user-at” tipikë të teksteve e mishërojnë një sjellje interpretuese që ka hedhur rrënjë si krisja e është kthyer në krrusmë për të djathtën shqiptare. Kam parasysh “vetëdijen e përfaqësimit”!
Pak ose aspak ka aty njerëzi që e dinë se ç’përfaqësojnë në rrafshin kulturor, social, të kujtesës, të parimeve, etikës, tezave politike e me radhë, pra që kanë njëlloj identiteti. Të tjerët janë të gjithë biznesmenë. Ka aty grosistë të vjetër sovjetikë, të rinj allafrënga e allaturka, tezgaxhinj të periferisë, këta te fundit – të untë e lakmitarë, pa din e iman, të ngjashëm me Kaçin e Ngop-it, që shtyhen për të zhvatur edhe njëherë qorrçe e qençe, votat e “Të Shumtëve” të djathtë!
Të gjithë lexues në vendin tënd! Për ty!
Ka ligësi, epërsi, impotencë, kërcënim, përçmim, në atë, Kumt për shpëtim! Gjej vendin, o qyq! Rreshtohu! Pra, ti o i vonuar, ti, vjen pas nesh në lexim, në të kuptuar, ne të ndriçojmë si lexues të parë, o qenie e qulltë, pa brumë atdhetar, nerv social, dell revolucionar! Dikush po çalltis poshtë e përpjetë ne emrin tënd, po të hap sytë, të kthjellon idetë, të mëson se si t’i duash e mbrosh fëmijët e tu. Pra ti, ti, duhet t’i bashkohesh Thirrjes së Rrugës, të shkosh pas berihajt e të ngresh krye, po edhe kurrizin ‘eventually‘ ta mbash shtruar për të zotët e sendeve të humbura!
Mblidhuni pra, këtu-këtu, rreth Kaçit (Kaçërve) të Ngopit, këta të fundit mbledhur kruspull në pritje të ylefesë së 2025-ës! Nuk ka nevojë të lexosh. Leximi është i rrezikshëm, sepse do të zbulosh se je vetëm në fund të poezisë.
Nejse! Hermeneutika e ‘Radhës’ sipas Niemöller-it është shumë e hidhur për dikë të sërës sime, armik gjysmë i gatshëm për këdo që ka nevojë për një armik shpejt e shpejt dhe që di të përdorë një mikrovalë partie.
Pakëz më thellë. Ç’bark e pjell këtë Thirrje, këtë Kuptim? Për ata që diçka njohin prej kulturës sonë, besoj se nuk është i vështirë një shpjegim. Hegeli, Marksi, po më shumë Lukashi mund të ndihmojë.
Ne vijmë nga një kulturë reifikimi, të cilën elitat tona e njohin mirë (jo të gjitha e kanë përdorur për keq) – dhe me këtë shpjegohet pse të zotët e sendeve të humbura i kthehen kohës sonë të humbur, të “Të shumtëve”. Ne nuk dimë të reifikojmë. Sidomos djathtas. Po, edhe majtas, ka shumë që nuk dinë. “Të Për-Zgjedhurit” po! Ah, ata po. Ata i kthejnë idetë ne objekte, sisteme, ligje, urdhra, udhëzime, rregullore, pasuri të patundshme, privilegje, punë të mira. Dhe ndërsa ne jetojmë sipas Ideve të Integrimit, Mirëqenies, Arsimit të mirë, Punës së shpërblyer mirë, shëndetit të mbrojtur, në role sociale rreptësishtë të përcaktuara, ata materializojnë gjithçka. Ata e kanë të qartë se nga Ideja nis Gjëja e Malli.
E gjitha ngjan me një mekanizëm standard në rrëfimin e Kadaresë. Me tërë të mirat, vepra e tij ka sjelle ne kontekstin e sotëm një tabu kulturore thellësisht problematike. Ka krijuar alibinë e një grupi “Të iluminuarish”, njëlloj elite e ndritur, e sofistikuar, me një aradhe karakteresh p.sh., te “Dimri” a te “Koncerti”, Besnik Struga, Skënder Bermema, Silva Krasniqi…, përfshi Enver Hoxhën. Në leximin e viteve 80′ elita e atillë ishte joshëse, ishte njëlloj kryengritjeje – ndërsa sot, e reifikuar e reifikuese, ajo kudo ku shfaqet, ka njëlloj pushteti te ftohtë, spekulativ, e mishëron shtrydhjen deri ne fund te sharmit të dikurshëm në lexim. Shtrydhjen e autoritetit të dikurshëm moral të kërkimit të lirisë, të shijes së jetës, të iluzionit mbi të ardhmen, shpresës…
Zakonisht kjo elitë komunistësh të nivelit të mesëm, ose të lartë, vjen përmes cliche-së së kontrapunktit, p.sh., te “Koncerti…”, nga udhëtimet me avion nëpër botë, qetësia e perdeve të rënda, heshtja e kolltukëve, brishtësia e limonit të mbuluar me celofan në ballkon, nga taljatelet e ngrohta dhe pirunët e ngulur mbi rosto – p.sh., te ankthi, çoroditja, ç’orientimi, rrënimi banal i sigurisë, pas arrestimit të Saimirit, fill pas episodit të rrethimit me tanke të Komitetit të Partisë.
Nga shthurja e komoditetit të të jetuarit është prodhuar edhe antileximi, vetëzbulimi si lexuesi i parë, thirrja “alla Niemöller”.
Befas iluzioni i sigurisë rrënohet, gjithçka materiale, thellësisht dhe vetëm materiale, që më parë të bënte mospërfillës ndaj fatit të të tjerëve, zhvleftësohet. Gjithçka e krijuar në kohë bëhet asgjë!
Më tej nis një proces.
Përse? Përse ne? Si mbërritëm këtu? Pra, paskemi ushqyer veten me iluzione mbi normalitetin… Po a ka qenë ndonjëherë normale gjendja përreth? Kushedi… Mes këtij fataliteti, “Elita e Ndritur” e “Të Për-Zgjedhurve” nis nga projekti i rikthimit duke u kapur edhe një herë pas kujtimeve të Operacionit të Dimrit, plagëve të luftës, hallës me Benin në kurriz, Mirën në djep e Besnikun për dore, hequr zvarrë shkrepave e dhëmbë për dhëmbë ngrënë me ujkonjat, pra, mbi disa Ide të Lirisë, të Armiqve në bllok të Lirisë, të Stoicizmit, të Qëndresës, që e përligjin mendjelehtësinë, naivitetin, shpërfilljen për kohën e të tjerëve, hutimin, se tek e fundit jeta bën përpara dhe se nuk ka asgjë të keqe të gëzosh jetën, se është shpërblim i merituar, se të luftosh për sigurinë ekonomike është instikt primordial! Patjetër!
Dhe gjithçka nis nga e para.
Kleçka në interpretimin e Niemöller-it, me sa duket lidhet me një cen gjenetik të “Të Për-Zgjedhurve” tanë, me reifikimin, pra, me huqin e tyre për t’i kthyer Idetë në Mall (commodities). Dhe, meqenëse nuk e ndreqim dot as këtë dhe as Idetë Monumentale të së shkuarës, mbetet pyetja:
Po sikur, ne, “Të shumtëve”, të na ketë kaluar “Radha”? Domethënë, po sikur ta kemi lexuar përpara jush Niemöller-in? Sikur këtë përvojë leximi ta kemi përpara jush? Po sikur, Ju te jeni lexuesit e fundit?!!
© 2024 Ermir Xhindi. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
Shënim: imazhi në kopertinë është krijuar me Midjourney.