Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

“MEKAMI” I TREBESHINËS NË DRITËN E ARTIT SAKRAL

nga Don Mehaj 

Kush merr me lexue “Mekamin” e Kasëm Trebeshinës e kupton se asht perballë nji teksti të pazakontë. Vepra endet mes dy botëve, botës tonë dhe botës së amshueme dhe lexuesi i sinqertë, duhet me ba nji përpjekje të mundimshme për me udhëtue mes këtyre botëve për me mbrrite në thellësinë e veprës. Deri më tash kjo vepër ka pasë fatin e keq me u gjykue ma së tepërmi prej pikëpamjesh historike dhe ideologjike, gja që e ka cungue në nji pjesë të madhe komunikimin me lexuesin (edhe ashtu i munguem për nji kohë të gjatë). Simbas nënshkrimit të autorit në fund të librit, vepra asht përfundue në dorëshkrim në gusht të vitit 1978, për t’u botue në vitin 1994 nga Shtëpia Botuese Buzuku. Në kyt shkrim nuk do të merrem me jetën e K. Trebeshinës, ndonëse ajo asht e rëndësishme për me kuptue landën me të cilën asht mbruejt vepra dhe kujt i drejtohet. Qasja me të cilën i jam afrue kësaj vepre asht duke e pa atë në dritën e artit sakral – nji qasje pothuejse e harrueme në studimet (post) moderne – por përpara se me dhanë nji përkufizim të këtij të fundit, do të ishte ma e udhës të banim nji përmbledhje të subjektit të veprës.

Romani dëshmon prishjen e nji tyrbeje (në të cilën gjindej Mekami, varri i cili nderohej prej popullit të atij vendi) në kohën e komunizmit, kohë kur u ndërmorr fushata e luftës kundër fesë. Narratori, i cili asht pjesëmarrës në grupin e shkatërrimit përjeton nji ndjenjë të çuditshme randese shpirtnore, teksa përgjatë shkatërrimit të varrit zbulohen eshtrat e dy njerëzve dhe të nji kali. Ndërkohë, njeni prej pjestarëve të “aksionit” humb jetën gjatë shkatërrimit të tyrbes, ndërsa Instruktori i Komitetit të Partisë së Rrethit që udhëhiqte kyt sipërmarrje, vret vedin në perëndim të diellit. Teksa narratori mundohet me davaritë amullinë shpirtnore nga kjo ngjarje, në nji natë të pakohë, ai takon nji figurë enigmatike që asht njikohësisht parardhës i tij dhe që i difton në retrospektivë historinë e Mekamit të Shenjtë dhe kush asht varros’ aty. Turku “me pamje të bukur dhe madhështore” – i cili merr rolin e narratorit të dytë – kumton historinë e të parëve qysh prej vendosjes në tokat shqiptare si timariotë, pas internimit nga atdheu i tyne, Saruhani; takimin dhe lidhjen e miqësisë me nji pasunar arbnor (Spiro Gozon) në ditën e Pashkës së Madhe; zbulimin e informatave rreth kryengritjes shqiptare të Beratit përgjatë patrullimit në Fushën e Myzeqesë; fejesën e të vëllait, Ergynit, me të bijën e pasunarit Spiro Gozo, ku ky i fundit e përdor këtë ndodhi për të ngritë nji kurth kundër turqve në kuader të kryengritjes shqiptarë të udhëhequn prej Kastriot Skenderbeut; vdekjen e vajzës së pasunarit, Angjelinës, në tentativë për t’i shpëtue ata nga ky kurth; pjesëmarrjen e fisit të tyne në ushtrinë e rregullt osmane përgjatë ngjarjeve të rrethimit të Beratit në 1455-ën; si dhe vdekjen e Ergynit, vëllait të Turkut të bukur, nga nji dredhi e kurdisun prej nipit të Spiro Gozos.

Parë prej kuptimit literal, teksti duket si nji rrëfenjë që nji kalorës çerkez mund t’ia diftojë të birit gjatë netëve të ftohta të dimnit. Edhe në kuptimin alegorik, teksti asht i pranueshëm si nji formë e çmitizimit të narrativës tonë kombtare, ku rëndom “turku imagjinar” asht paraqitë si gjithçka përveçse fisnik dhe i virtytshëm. Mirëpo këto nivele të leximit të veprës nuk duket se japin tablonë e plotë të brendisë së rrëfimit. Vetë Trebeshina duket se len nji gjurmë të randësishme të shtresave mbi të cilat asht thurë kjo vepër. Në nji prej pasazheve ku përshkruhet randësia simbolike e rrëfimit nga ana e Turkut, tregohet se:

“…dhe njeriu atje tej përballë fliste me një kujdes shumë të madh duke e ndarë fjalën nga fjala, gjë që tregonte se çdonjëra prej tyre ishte shumë e shtrenjtë për të, se çdonjëra nuk ishte kurrë e barabartë me veten e saj dhe se çdonjëra nuk përsëritej më kurrë në këtë dhe në atë jetë!

Zot i madh! Si e njëjta fjalë nuk tregon të njëjtën gjë?”[1]

Gjithashtu, vetë titulli i veprës asht simbolik dhe në të njëjtën kohë asht përzgjedhë nji fjalë me shtresa të ndryshme kuptimore (polisemike). Simbas Fjalorit të Tahir Dizdarit, fjala mekam shenjon këto kuptime:

MEKÁM -I diku dhe makam:

Melodi, ton muzikor, motiv, ise, jose; “aria musicale” në fjalorët e Jungg 77, Bashkimit, Busetti 87, Cordignanos (it.-shqip) 31. Këndon me makam, zanambarëshëm, melodishëm. Në kodifikim të kangës qytetare: “Me dymbdhet mekame qi janë, / Këndo o bylbyl, këndo, / Kur ban me çilë drandofile, medet! / Prej dyzenit këndon-o bylbyli” Shkodër. // Mekamshëm (i, e) mb. “melodioso, canóro” në fjalorët e Junggut, të Bashkimit, të Busettit 168, 602.

Vorr i nji të vdekuni të çquem në virtyte fetare e njerëzore, i nji shenjtori musliman, mbuluem zakonisht mbrenda nji tyrbeje; it. sepolcro. Shih dhe FGjSh 303.

Pozitë, ofiq, post: hipi në makam të lartë.

Tur. < ar. makám مَقَام nga kijam.

Sekr. mekam “Lied” Miklosich për Bosnje.[2]

Kuptimi i parë shënjohet edhe nga vetë nëntitulli i veprës, “Mekami, melodi turke”, ku përkufizohet tonaliteti i veprës apo kumti i trashëgimisë orientale dhe që tregon se teksti i ban jehonë landës së trashëgimisë lindore. Mundet që autori të ketë brendashkrue në kyt kuptim edhe motivin e asaj që ai e quante “realizëm poetik”, që nënkuptonte largimin nga nji gjuhë e thatë prozaike dhe nga klisheni, gjana që ndesheshin gjanësisht në letërsinë e soc-realizmit. Nji emërtim të ngjashëm e ndeshim edhe te “Dranja” e Martin Camajt, ku ai i titullon poemat e tij në prozë si madrigale. Kuptimi i dytë asht qartësisht i shqueshëm në tanësinë e ngjarjeve të zhvillueme, qofte si arkitekturë fizike (objekt) apo sakrale (si vend pelegrinazhi popullor). Ndërsa kuptimi i tretë, që asht dhe thelbi ezoterik i fjalës mekam, shenjon ndalesat apo vendqëndrimet në të cilat kalon njeriu në kultivimin e virtytit, ku sëbashku me gjendjet (ahwal), formojnë kambët e shkallës në rrugëtimin e robit drejt Zotit (që asht dhe telos-i përfundimtar i etikës islame). Teksa gjendjet kuptohen si dhurata fluturake hiri, ndalesat fitohen me përpjekje vetjake dhe, me t’u arritë, rrënjosen fort në shpirt.[3] Asht bash në kyt kuptim të përshpirtshëm edhe çelësi i leximit të “Mekamit” si nji vepër në të cilën rrëfimi merr përmasa metafizike; ku shkatërrimi i tij simbolizon përdhosjen e sakrales; fillimin e nji udhëtimi shpirtnor për narratorin në kërkim të rranjëve të tij dhe njikohësisht të vetvetes; si dhe zbulimin e asaj porte që e lidh tokën me Qiellin.

Për nji lloj kategorizimi të arkitekturës tekstore që mundet me na ndihmue në zbërthimin e shtresave kuptimore, do t’na vyente edhe shtjellimi i Dante Alighierit mbi leximin e tekstit letrar në veprën e tij, “Il Convivio”. I rranjosun në botëkuptimin mesjetar të krishtenë dhe në leximin e Shkrimeve, poeti fiorentin vëren katër nivele leximesh:

  • Leximi literal: “Ky asht ai kuptim i cili nuk shkon përtej kufizimeve të ngushta të tekstit.”
  • Leximi alegorik: “Ky kuptim asht i maskuem nën velin e historisë si të tillë dhe asht e vërteta e fshehun nën nji fiksion te bukur.”
  • Leximi moral: “Ky kuptim asht ai që mësuesit kanë për detyrë të nxjerrin nga shfletimi i shkrimeve, ashtu që të përfitojnë ata vetë dhe nxanësit e tyne.”
  • Leximi anagogjik (mistik): “Ky kuptim shfaqet kur nji shkrim shpaloset shpirtnisht ku edhe në kuptimin literal të sendeve të shenjuara, ai aludon për çështje të larta që i takojne lavdisë së përjetshme.”[4]

Dhe teksa autori na përkujton se fjalët e Turkut nuk janë krejt ashtu siç duken, si duhet t’i lexojmë këto fjalë? Çfarë vlere duhet me i dhanë atyne? Dhe si me mbrrijtë në thellësinë e tyne?

Duket sikur romani i Trebeshinës e shpalos karakterin e tij universal jo nëpërmjet formës apo kompozicionit të tij, por nëpërmjet kumtit apo idesë së mshehun pas nji perdeje të hollë. Vepra  rreket për me e zgjue lexuesin nga gjendja e tij e fjetun – që simbolikisht sillet si natyra e tij e ranë – dhe me e pastrue atë përmes sprovave në përjetimin e rrëfimit. Ndërkohë sprova ma e madhe për shkrimtarin Trebeshina ishte rrëfimi i historisë.

Kështu edhe preokupimi kryesor i traditave sakrale dhe diturive ezoterike ishte gjetja e mënyrave për me pastrue nefsin nga natyra e tij e ranë dhe së fundmi, fryti i rikthimit në gjendjen primordiale, që shënon ritakimin e bereqetshëm të shpirtit me Zotin.[5] Ky preokupim e gjen pasqyrimin e tij ma të denjë në artin sakral, që tradicionalisht asht njeh si zeje. Artisti si zejtar e zejtari si artist, ku roli i tyne ka ken bujarisht i ndërkëmbyeshëm.

“Arti sakral, në kuptimin e plotë të fjalës, asht art që përputhet me kanonet e hartueme jo nga individë por nga autoritete shpitrnore të qytetnimeve në fjalë, siç asht rasti i arkitekturës mesjetare të krishtenë, himneve gregoriane, drames antike greke, shfaqjeve japoneze Noh, muzikës dhe valleve në tempujt hindu – si për me përmendë disa shembuj – dhe një art i tillë asht gjithmonë nji lloj kriteri dhe po ashtu nji burim i fuqishëm frymëzimi për veprat artistike periferike.

Nji portret mesjetar asht mbi të gjitha nji portret i Shpirtit që shndrin pas nji perdeje njerëzore. Me fjalë të tjera, asht dritare që shpalos prej të përveçmes, universalen, dhe teksa ruhet në qytetnimin dhe epokën e saj si nji vepër krejtësisht tipike e nji kohe dhe vendi të caktuem, ajo mbart në të njëjtën kohë, për shkak të kësaj shpalosje, diçka që s’i përket as Lindjes, as Perëndimit, as ndonji epoke në veçanti.”[6]

Teksa mundohena me e zbërthye veprën në kyt pikëpamje shohim se motivi qëndror i saj asht shkatërrimi i Mekamit të Shenjtë, që lexohet si përdhosje e sakrales, nji fyemje për prehjen e të vdekunve. Vetë Mekami, në përfytyrimin e Trebeshinës asht simbol që ruen dy karakteristika të nalta si: fisnikërinë kalorsiake dhe dashninë e pastër. Mirëpo, shkatërruesit e tij nuk e shohin e as nuk e njohin kyt realitet pasi ai nuk përputhet me botëkuptimin e tyne. Ata shohin vetëm skeletet e dy njerzve dhe të nji kali.

“– Kështu është! Ju vetë e patë me sytë tuaj ç’ishte e vërteta e Mekamit të Shenjtë. Ky nuk është një Mekam i Shenjtë dhe në këtë botë as që ka Mekame të Shenjta. Feja është vetëm opium për popullin dhe të gjitha Mekamet e Shenjta janë vetëm forma për të ngarkuar me taksa budallenjtë. Shikojeni objektin që populli dhe ju të gjithë keni nderuar për mote dhe shekuj! …Ju keni nderuar skeletin e një kali! Dy skelete njerëzish dhe atë të një kali! …As mos e çani kokën për gjëra të tilla! Kapni kazmat, shokë, dhe me një entuziazem revolucionar bjerini kësaj mbeturine të besimit të kotë dhe le të mos mbetet një gur nga kjo tyrbe e vjetër! Të gjithë pas meje ngrini kazmat për të shkatërruar këtë Mekam të mallkuar!” (Mekami, fq. 12)

Në anën tjetër përdhosja e varrit dhe fyemja e të vdekunit përban gjynah të madh dhe narratori, i cili ishte pjesëmarrës në aksion, ndjen nji brejtje të madhe në ndërgjegje. Ndër fjalët e para të Turkut, i cili vjen nga nji realitet tjetër, theksohet bash kjo përdhosje:

“Shumë keq! …Shumë keq! …Nuk është e njerëzishme t’u prishësh gjumin dhe paqen e përjetshme të vdekurve. Gjithë popujt e qytetëruar nuk guxojnë të ndërmarrin një veprim të tillë të urryer. Por mos ki asnjë frikë, se unë e di që ti qe i detyruar të veproje kundër vetes sate! …Ti qe i detyruar të kryeje një veprim mizor, se fyerja dhe dhunimi i varreve është një veprim shumë i turpshëm dhe ai që e kryen, i bën vetes së tij një fyerje shumë të rëndë dhe një dhunim nga më mizorët! …” (Mekami, fq. 20)

Asht kjo fyemje e randë ajo që shkakton randesën shpirtnore tek narratori i parë dhe që çel shtegun për daljen në dritë të Turkut “me pamje të bukur e madhështore”. Ai asht nji prijës shpirtnor i cili ka rolin e shpalosësit të mistereve. “Kur përnjëherë u lehtësova nga gjithë ajo ngarkesë e çuditshme shpirtërore, se Turku im u duk aty përsëri!” (Mekami, fq. 28) Karakteri universal i tij nuk zbulohet në rrëfimin e historisë si të tillë por në kumtimin e simboleve në ligjërim: “– Gjaku u derdh dhe me triumfin e armikut të njerëzimit, të gjitha mbaruan!” (Mekami, fq. 20) Këtu evokimi i Djallit (Shejtanit) si strumbullar i luftës dhe gjakderdhjes asht sa i mshehtë aq edhe i dukshëm.[7] Mënyra se si na jepet shfaqja e figurës së Turkut asht nëpërmjet “lojës” së andrrës. Zhdukja e elementit “kohë” ndihmon në zhvendosjen e narratorit në nji realitet metakozmik, pastërtisht shpirtnor (duke zhba kësodore landën, kohën dhe hapsinën)[8]. Kjo vetëm për nji moment të caktuem mbasi figura enigmatike e Turkut do ta shoqnojë atë drejt të kaluemes dhe drejt sheshit ku asht ngritë Mekami. Pra, Turku vjen për me rrëfye historinë e përtejvarrit, përtej kësaj bote.

“Koha atje ku isha nuk kishte asnjë kuptim dhe unë gjer në këtë moment që po u tregoj nuk e di nëse fjeta atje, apo vetëm ëndërrova pa qenë në gjumë. Pikërisht në atë natë, që nuk kishte asnjë lloj kohe, unë nuk isha unë dhe ëndrra ime ishte më e vërtetë se vetë vërtetësia…” (Mekami, fq.19)

Dhe ndërsa rrëfimi i Turkut vazhdon në retrospektivë – në zbulimin e ngjarjeve të kaluara – ndërgjegjja e narratorit të parë, të cilin lexuesi e identifikon me shkrimtarin-rrëfimtar (pasi rrëfimi vjen në vetën e parë), fillon dhe vetëdijësohet për gafletin në të cilin ka ra. Kështu, roli i tij në rrëfim përmbushet vetëm kur ai arrin mekamin e pendesës, për me u largue deri në fund të librit ku rishfaqja e tij përmbyll strukturën unazore të rrëfimit:

“… Ti e di sa shumë të dua dhe sa keq më vjen për atë që kemi bërë kundër Zotit dhe Mekamit të Shenjtë!

Më fal! …Më fal që mora pjesë në atë shkatërrim të pafalshëm! … (Mekami, fq. 53)

Ky vendqëndrim, asht ndoshta ma i ulëti në mekamet e udhës shpirtnore dhe mund të korrespondojnë (le të themi) me nji vendqëndrim në Purgatorin e “Komedisë Hyjnore” të D. Alighierit. Prandaj narratori i parë ia len plotësisht vendin narratorit të dytë – Turkut “me pamje të bukur e madhështore” – për me rrëfye historinë e heronjve të Mekamit, Ergynit dhe Angjelinës, të cilët janë figurat qendrore e simbolike të veprës. Në romanin e Trebeshinës, Ergyni personifikon fisnikërinë kalorsiake por që arrihet përmes pastrimit të vetes (nefsit) duke naltue dhuntinë e tij të mbrendshme, nji lloj natyrshmërie të qënies, origjinaliteti primordial (fiṭrah).

“E di, në këtë botë ka pasur kalorës të ndryshëm dhe shumë të shkëlqyer, por një në mes tyre ka qenë dhe im vëlla, Ergyni. Ai, si të gjithë ata, kishte lindur për të jetuar kaluar mbi kafshën fisnike dhe për të vdekur gjithashtu kaluar dhe së bashku me kalin e tij. Unë do të doja ta shihja mot e jetë mbi kalin e tij të bukur dhe gjithmonë të lirë si vetë Gjithësia prej së cilës kishin dalë dhe ku silleshin aq natyrshëm.” (Mekami, fq. 60)

“Ti duhet ta kishe parë atë kur shkonte kaluar! Atëherë do ta kuptoje se ata nuk ngjanin si dy qenie, por si nje qenie e vetme, si një krijesë e paparë dhe e panjohur më parë në këtë planet. Në jetën time nuk pashë kurrë një kalorës të tillë. Vetëm se ai kishte mësuar pak nga ‘La-i-la’-ja dhe nuk kishte ndonjë dëshirë për të mësuar.” (Mekami, fq. 39)

Në kyt fragment “la-i-la”-ja, i referohet dëshmimit të njishmërisë së Zotit “La ilahe il-la Allah” (Nuk ka zot tjetër, pos Zotit) dhe nënkupton dijen fetare ose dijen mbi mësimet fetare. Pra në kyt kontekst domethanë se Ergyni nuk ishte i knduem në punët e fesë dhe se përzotshmëria e tij si vetje (personazh) vinte sall prej atij origjinaliteti primordial, prej nji ditunije intuitive, dhunti, e cila në rastin e tij – si kalorës – përsoset mes sprovës luftarake, fushë-betejës. Këtu Trebeshina evokon elementë autobiografikë të fuqishëm, ku tregohet se për nji njeri të pushkës, trimnia, guximi, drejtësia e fisnikëria në fushë-betejë asht ngjitje drejt përzotshmërisë së robit. “Ndofta ai kishte gjetur elementin e vetë natyrës së tij.” (Mekami, fq. 104) Mirëpo edhe vetë përpjekja në luftë nuk e plotëson krejtsisht figurën e heroit të Mekamit. Ai ka nevojë për Shpirtin, parimin e pakorruptueshëm, Frymën Hyjnore. Ky parim, në vepër personifikohet përmes Angjelinës:

“Më vonë arrita të kuptoj që Angjelina Gozo ishte një vajzë shumë e bukur, një flutur e paparë, më e lehtë se penda e laureshës dhe të gjitha gjërat i bënte thjesht dhe me fisnikërinë e natyrshme të zemrës së saj të mirë.” (Mekami, fq. 51)

“Ajo ishte për mua si një vëlla më i vogël dhe, të jesh më se i sigurt, nuk e doja vetëm nga që na shpëtoi jetën! …Ishin një sërë shkaqesh të panjohura që më bënin ta doja edhe më shumë dhe e ndieja nga thellësia e zemrës se dhe ajo më donte pa paragjykime.”  (Mekami, fq. 93)

Në përfytyrimin e autorit duket se dashnia e vetes me Shpirtin pikëzohet në përmasa metafizike dhe se në tokë ajo asht e pamuejtun, duke mos e ravijëzue kështu nji transhendencë të plotë. Vetja (nefsi) dhe Shpirti: “nuk kishin folur një fjalë në mes tyre, por e donin njëri-tjetrin me një dashuri të tillë që nuk ishte e kësaj toke dhe kalimi i kohës e tregoi se ajo ishte plotësisht e vërtetë.” (Mekami, fq. 75) apo “…dhe ngjarjet e mëvonshme bënë që dashnorët të mos takoheshin kurrë me njëri-tjetrin në këtë botë. Ata i bashkoi vetëm vdekja!” (Mekami, fq. 89)

Dhe teksa Ergyni e shijon në zemër kyt dashni të pastër ai bahet gadi me përmbush fatin e tij prej kalorësi. Tashma i mbarsun me at’ frymë të pakorruptueshme – pasi Angjelina i zbulon kurthin që ka ngritë babai i saj kundër tyne, tue kundërshtue në kyt mënyrë me u ba palë me të keqen edhe pse kjo domethanë me iu kthye kundër familjes e fisit të saj[9] – Ergyni arrin pikën ma të naltë të njësimit me të Vërtetën, në betejën që zhvillohet në Manastir. Në terminologjinë e tesavvufit islam ky njihet edhe si tehlíl, njësim, deklarim i njëshmërisë:

“Në atë ditë i kaluam disa herë portat e ferrit, humbëm dhe shpëtuam si e sillte rasti dhe në një moment shumë të vështirë dëgjova ‹‹ La-i-la-hun ›› e vëllait tim Ergynit. Ai e kishte marrë përsëri plotësisht veten dhe unë kurrë nuk kam parë një luftëtar, turk apo të krishterë, më të bukur nga ç’ishte ai atë ditë! Ai e këndonte ‹‹ La-i-la-hun ›› sikur të ishte në të vërtetë në majën e një minareje dhe e punonte shpatën e tij turke sikur të jepte një mësim shembullor për djemurinë e fshatit. Mua më kishte kapur një dëshirë e zjarrtë që të këndoja ‹‹ O Zot, na i fal mëkatet tona ›› por duke kujtuar ku isha dhe çfarë duhet të bëja, fillova edhe unë gjithashtu me ‹‹ La-i-lah ››.” (Mekami, fq. 86) 

Vendqëndrimi ma i naltë i personazhit të Ergynit manifestohet me fjalët e tij të fundit përpara vdekjes. Pas pusisë së ngritun nga nipi i Spiro Gozos, Ergyni i plagosun për vdekje bashkë me kalin e tij, kundron në paqe Providencën Hyjnore dhe mbylljen e udhëtimit të tij. Kjo gradë, e njohun edhe si mbështetja e plotë, e pakushtëzueme, në kaderin e Zotit, në Islam njihet si tewakkul.

“– Ajo nuk ka asnjë farë rëndësie! – foli im vëlla. – Të gjitha u përmbushën siç ishte thënë nga Allahu dhe koha nuk pret. Të nisemi menjëherë!” (Mekami, fq. 113)

Dhe në përmbushjen e fatit të tyne, Turku flet me haber prej botës së përtejme për vendin se ku gjenden dashnorët.

“Ajo dhe vëllai im janë tashti atje lart në qiell pranë të Madhit Zot…Pa dyshim, janë pranë të Madhit në Qiell, se ajo ishte vetë mirësia, kurse Ergyni, në botën tonë të trazuar, ishte njeriu më i drejtë që ka jetuar në faqen e këtij dheu!” (Mekami, fq. 52)

Pozita e tyne shpirtërore asht manifestue në “mesin tonë” si nji mekam (varr) mbrenda nji tyrbeje. Nji portë mes tokës e Qiellit si përkujtim i asaj që ata kanë simbolizue. Shkatërrimi i Mekamit – që mund të hamendsojmë se historikisht korrespondon me prishjen e tyrbes së Baba Aliut në Berat më 1965-ën – mbart në vetvete jo vetëm përdhosjen e sakrales por edhe anullimin e kujtesës historike. Me nji fjalë lindjen e Njeriut të Ri. Kështu leximi anagogjik vjen në rreth të plotë duke u shfaqur dhe në kuptimin literal. Jo më kot shkrimtari-narrator në fillim të veprës shprehet se “urat pas meje jane djegur” dhe se vetë rrëfimi i historisë asht nji akt qëndrese.

Prej këtij pikëvështrimi, mendoj se qasja në driten e artit sakral ndaj “Mekamit” të Kasëm Trebeshinës, përban nji ftesë për shqyrtimin ma rigoroz të veprës nga studiues e dashamirë të letërsisë për vlerën dhe vendin e njimendtë të saj në tanësinë e korpusit të letërsisë shqipe. Përndryshe, qasjet e çorodituna të mbështetuna mbi të vërteta e të pavërteta historike apo ideologjike, do t’i shërbenin ma tepër ngimjes së istikameve që kena ngritë tash sa kohë po që vështirë se japin fryte që mund të gëzohen prej dikujt. Fjala përmbyllëse e Turkut “me pamje të bukur e madhështore” e pasqyron ma së miri ndoshta edhe vetë qëllimshmërinë e t’ndjemit Trebeshina: “Vetëm kjo të intereson ty?!… Nipi i Spiro Gozos është për ty boshti i kësaj historie?!…”

(c) 2023 Don Mehaj. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është krijuar me AI.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

[1] Kasëm Trebeshina, Mekami, Buzuku, Prishtinë 2016, fq. 30-31. Edhe ma poshtë gjatë shkrimit do t’i referohem këtij botimi tue citue vetëm numrin e faqeve nga janë marrë pjesët.

[2] Tahir N. Dizdari, Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe, AIITC, Tiranë 2005, fq. 637.

[3] Shiko: Atif Khalil, Shpirtshmëria Islame dhe etika Kur’anore, Zani i Naltë, Viti IX, Nr.31, Tiranë 2020, fq. 18-22. Po ashtu, për nji klasifikim të mekameve munden me u shfletue edhe ligjëratat (vâzet) e Kryemyftiut të Shqipnisë (1912-1923), Haxhi Vehbi Dibrës, Ç’urdhnon Kur’ani, Komuniteti Mysliman I Shqipërisë, Tiranë 2014, fq. 107.

[4] Shiko: Dante Alighieri, Convivio, a cura di C. Vasoli e D. De Robertis, Ricciardi, Milano-Napoli 1988, fq. 33-34.

[5] Shpirti (ruh, spiritus, pneuma) asht Parimi Hyjnor, i pakorruptueshëm dhe kësisoj qëndron jashtë kufizimeve hapësinore e kohore. Ndërsa nefsi (vetja, anima, soul, psyke) asht pikëpremja e shpirtit me trupin, diçka që nuk ka konkretësi por që sillet si nji shumë e veprimeve të atij që e zotëron (nji sferë e ndërmjetme e mikrokozmosit). Ashtu sikurse bota imagjinale asht sfera e ndërmjetme e makrokozmosit, pra midis krijimit fizik dhe botës engjëllore dhe në majë krejt, qëndron Realiteti Hyjnor.

[6] Martin Lings, The secret of Shakespeare, Quinta Essentia, Cambridge 1996, fq. 4.

[7] Shiko: Kur’ani 2:168, 2:208, 35:6. Po ashtu, Bibla; Zanafilla 3:15…

[8] Duhet thanë se ky procedim nuk asht i rastësishëm tek K. Trebeshina, pasi atë e hasim edhe në tregime të tjera. Psh. shiko figurën e Murgut të Zi tek: Kasëm Trebeshina, Koka e Artemidës, Revista letrare, Organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, nr.1, Tiranë 1995, fq. 7-28.

[9] Duhet thanë se akti i Angjelinës shihet parimisht si nji tregues i qartë i fuqisë së personazhit të saj. Dalja në kundërshtim të hapur me planin e babait të saj, asht akti ma i guximshëm që mundet me ba nji grue në shoqninë shqiptare të shekullit të XV-të. Trebeshina e pikturon kyt skenë me nji realizëm dinamik, tue kenë se paraqitja e tablosë psikologjike të popullit shqiptar asht nji nga motivet kryesore të tan veprave të tij në prozë dhe në dramë. Vlen për t’u përmend se dy nga veprat ma të randësishme të tij, “Kenga shqiptare” (saga 5-vëllimshe) dhe “Stina e stinëve”, kërkojnë me pasqyrue me realizëm thelbin fisnor të shoqërisë shqiptare dhe kalimin (pa sukses) në nji organizim ma të gjanë shoqnor të prirun prej ideologjive sunduese moderne. Kësodore, Angjelina e cila identifikohet si “vetë mirësia”, ndonëse e kushtëzueme prej pozitës shoqnore në familje e fis, e ka të pamuejtun me u përfshi në kurthin që ka gatitë i ati për turqit; kurth që dëshmon premjen në besë të miqve, që njikohësisht janë edhe krushqit’ e ardhshëm.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin