Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

ËNDRRAT E ZGAVËRTA

nga Bujar Meholli

“Nga çdo element i një përmbajtjeje ëndërrore, fijet shoqëruese degëzohen në dy ose tri drejtime. Çdo situatë e ëndrrës duhet të jetë nxjerrë nga më shumë se dy përshtypje apo përvoja jetësore; çdo element i përmbajtjes së një ëndrre është i mirëpërcaktuar nga mendimet e ëndrrës, ai rrjedh nga një sasi e madhe e tyre”[1], shkruan Freud-i. Përvoja jetësore, ana ndijimore e rënduar, determinon ëndrrat. Realiteti luan rolin primordial të sendërtimit të ëndrrave, një korpus dëshirash që niset nga nevojat esenciale. Çfarë mund të ëndërrojë, fjala vjen, një njeri i uritur që fle rrugicave të qytetit apo në ndonjë qoshe katedraleje? Ëndrra ka shërbyer si subjekt i një game të gjerë artistike, ku është bërë instrumentalizimi i saj në skema të ndryshme letrare, muzikore, vizuale (pikturë) e voko-vizuale. Fjala vjen, tabloja “Ëndrra” e Pierre Puvis de Chavannes-it, ku shpërfaqet peizazhi mbrëmjesor me një udhëtar që e ka zënë gjumi dhe sipër tij rrinë tri përhitje, që përfaqësojnë dashurinë, lavdinë dhe pasurinë. Disa interpretime të tablosë lidhen me dëshpërimin pas luftës franko-prusiane. Tonet alegorike sikur përafrohen me patriotizmin e amullt francez dhe përpjekjet për ringritjen e ideologjisë kombëtare franceze.

William Saroyan-i, në kërkim të autenticitetit letrar, shfaq interes për grupimet etnike të çfarëdo race, minoritetet, periferinë; personazhet e tij janë individët larg qendrës, janë të thjeshtët, të vuajturit, të zakonshmit, mu ata që bartin potencial të madh shpirtëror e, hijerëndë, sendërtojnë karakterin individual.

Në tregimin “Djaloshi i guximshëm në trapezin fluturues” të William Saroyan-it përballemi me një këndvështrim modelues modern, procesi komunikativ letrar i të cilit absorbon interaksionin dinamik narratologjik, përmes të cilit, ëndrra, esenciale, ndërton modelin struktural të tekstit, mesazhin që mëton ta ofrojë. Proza e Saroyan-it është polidimensionale, gjenerative dhe pragmatike në portretin amerikan realist që e skalit, gjegjësisht në implikimet psiko-sociologjike të djaloshit kryepersonazh. Sintagma Kurrë s’ka munguar kaq shumë gëzimi dhe liria. E ja tek ulërin dëshpërimi: njeriu kërkon duke ulëritur shpirtin e vet; edhe arti ulërit e kërkon ndihmë, thërret shpirtin: është ekspresionizmi[2] ishte vendosur në ballë të rebelimeve artistike, ekspresionizmit e dada-surrealizmit, të shkrimtarëve e artistëve realistë-kritikë që po e flaknin tej të kaluarën me gjithë pompozitetin dhe lajlelulet të cilave u kishte ikur koha dhe kishin ngelur veçse pozë e një dimensioni regresiv artistik. Maksima e secilit modernist ishte shikimi para, risia, eksperimenti, vlimi artistik e përqeshja e fragjilitetit të së shkuarës dhe konvencionalizmin artistik. Prirjet artistike barteshin kah gjendja refleksive e individit brenda suazave të realizmit burokratik, që paraqitet krejt i zhveshur, ku gjallonte e ëndërronte njeriu; arti letrar i shekullit XX shmang format arkaike, pleks me subjektin artistik krizën identitare dhe ekzistenciale, shndërron në preokupim intelektual shpejtësinë dhe sipërfaqësinë e jetesës, trendët kulturorë, burokracinë që zvetënon individin, globalizmin, pritjen e pashpresë, rrjedhimisht refuzimin, si imanencë karakteristike e mishmashit human dhe standardeve të reja të pjesë së parë të shekullit të ri.

William Saroyan-i i takon grupimit të shkrimtarëve që ngelën larg fanfarave mediatike, tepihëve të kuq e skenave glamuroze. Me origjinë nga një familje e varfër emigrantësh armenë, me rini mjaft të vështirë, ku herë bën punën e shitësit të gazetave, herë të shpërndarësit telegrafik dhe herë të nëpunësit të postës. Saroyan-i nuk e ndjek dot shkollën dhe nuk arrin të marrë një diplomë universiteti, por krijon itinerarin drejt dijes si autodidakt; lexon me pasion gllabërues dhe shkruan qysh në rininë e hershme. Nga ajo kohë e kemi edhe tregimin në fjalë, të vitit 1934. E kanë konsideruar si njërin ndër shkrimtarët më të nënvlerësuar amerikanë, i cili natyrshëm do të duhej të përflitej e të renditej mes klasikëve, si Steinbeck, Faulkner apo Hemingway.

Roger Bartra pyet se çfarë lloj kulture likuide dergjet përmes të çarave të truallishtes së tharë të modernitetit? Ndër shkaqet e amullisë dhe vorbullave kaotike socio-kulturore e politike janë hendeku i klasave, migracioni, substratet e stereotipave për tjetrin. Saroyan-i e vuajti mjaft jetën e emigrantit në “Tokën e premtuar” të Amerikës, për vrazhdësinë dhe artificialitetin e së cilës do të shkruante një duzinë romanësh Theodore Dreiser. Disa kritikë e lexues të literaturës së tij e kërkojnë thelbin pikërisht këtu, te problemet e integrimit në jetesën amerikane të një emigranti, mandej vështirësitë që solli Depresioni i Madh. Por Saroyan-i nuk duhet të reduktohet si artist vetëm i këtij prizmi, megjithëse përvoja reale është absolutisht evidente. Edhe lirikat e kantautorit legjendar Woody Guthrie për Depresionin e Madh bartin gjithsesi edhe anën tjetër universale –artin e angazhuar, mobilizues e pragmatik kundrejt hierarkive e sundimtarëve autokratë, si Hitleri a Musolini, që po e kërcënonin qytetërimin perëndimor. Pra, letërsia e tillë, le ta quajmë progresiste, megjithëse materien e ka në dejtë e realitetit trandës e eksploativ, sheh përpara nga krijimi i një perspektive të re të botës, të shoqërisë, të politikës, të universalizmit, shkrirjen e pabarazive, demaskimin e padrejtësive sociale kudo dhe kurdo. Kjo ishte ëndrra e madhe e artistit jokonvencional përgjatë shekullit XX.

Le të kthehemi te Saroyan-i dhe tregimi i tij, për ta analizuar më detajisht.

Tregimi nis me nëntitullin “Ëndrra”. Është projektimi i “zenitit” të shoqërisë perëndimore karshi jetesës antemural, të paqasshme, të njerëzve të zakonshëm si djaloshi personazh që ëndërron “i zgjuar” midis gjerësive universale, qeshjes dhe haresë, satirës, Romës e Babilonisë, rrugëve të Parisit, luginave të Jerihonit, galerive e akuareleve, simfonive, tryezave elegante të Kullës së Eiffel-it, xhazit në opera, “Kadillakëve” për në Kansas, ulërimës së Dostojevskit e, fundazi, diellit të vranët që sheh mbi të. Kah fundi, para zgjimit, djaloshi ëndërron këngën e thellë njerëzore, mbretëreshën, mbretin, Karl Franz-in, Chaplin-i që ia merr vajit, Hitlerin e Stalinin, morinë e hebrenjve… Nesër është e hënë, çastet e shpejta të jetës: e tash prapë në tokë.

Kështu hapet sipari i tregimit “Djaloshi i guximshëm në trapezin fluturues”. Zgjimi. Rutina. Një ditë tjetër me barrën e ekzistencës. Rruajtja, kravata, pasqyra, dalja në qytet për “gjah”, pra, për një punë dhe pak kacidhe sa për të jetuar. Goxha guxim! “Kafja dhe qielli i zymtë, mjegulla e Oqeanit të Qetë, kërcëllima e rrotave të tramvajit, njerzit shkojnë në qytet, prap koha, dita, proza dhe poezija. Zbriti shpejt shkallëve dhe tue shkue rrugës përnjëherë, mendoi. Vetëm n’andërr kuptojmë se jetojmë. Vetëm n’andërr, në këtë vdekje të gjallë, gjejmë vehten dhe tokën e largët, Zotin dhe shëjtnit, emnat e etënve tanë, substancën e çasteve të largta: andrra i shkrin shekujt saora dhe të paskajshmen e ban atom t’imtë, të kuptueshëm t’amshueshmënis.[3] Çfarë i premton gjetja e një monedhe me profilin e Lincoln-it gdhendur në të? Ndjekjen e mantenutave, veshjen shik, ushqimin e pijet për ca kohë?“Mirë është me qenë i vorfën, edhe Komunist — por asht e tmerrshme me qenë i untë. Sa apetit kanë njerzit dhe sa shumë e duen ushqimin. Barqet e thatë. Iu kujtue se ka nevojë të domosdoshme për ushqim. Çdo ushqim i tij përbëhej prej buke, kafes dhe cigareve, e tash s’kam bukë. Kafja pa bukë nuk mund të përdoret si darkë njerzore, kurse në park nuk ka barishte që mund të zihen, si zihet spinaqi.”

Një djalosh 22-vjeçar, plot ambicie, i shtrënguar të bëjë jetë minimaliste e të synojë integrimin – pra, gjetjen e një pune dosido për ta siguruar vaktin e ardhshëm. Duzinë librash përpara për t’i lexuar, barku bosh e uria që ia mpin ngadalë fuqitë, pengu për ta lexuar “Hamletin” edhe një herë para se të vdesë e për t’i shikuar rrugët e Kalifornisë. Përtej jetesës së rënduar të një emigranti armen në Amerikë, Saroyan-i portretizon njeriun në zgrip të krizës nervore, implikimet psiko-sociologjike të vetmisë, përjashtimit, denigrimit, e përfundimisht dehumanizimit – “për individin, dhe njerëzimin në përgjithësi, jeta është e vështirë”[4], konstaton Freud-i. Atëherë ngelet vetëvrasja? “Zgjimi u bë tash gjendje e ngjajshme me nji tronditje të kufizueme. I riu mund të zhduket edhe në mënyrë mjaft të pavërejtun, mendoi: e veç, që s’ishte tue vdekë uje.” Apo besimi religjioz? “Mendja, kur arrin në kufijtë e skajshëm, duhet të japë një gjykim dhe të zgjedhë përfundimet e saj. Aty gjenden vetëvrasja dhe përgjigjja”[5], shkruan Camus. Në  një  pikë  djaloshi e mendon hedhjen në  erë  dhe shpëtimin, çlirimin: “Prej bregut pa se si qyteti shtrihej madhnisht në lindje, pa pyrgjet e nalta dhe morin tepër të madh të njerëzve, kështu që përnjiherë ndjeu se ndodhej jashtë tanë kësaj, pothuej i bindun se kurrë nuk do të ketë të hymë, pothuej i bindun se dikush ka mbërrijtë në tokë të gabueshme, ose ndoshta në kohë të gabueshme, prandej tash nji djalosh njizet e dy vjeç do të hidhet përgjithmonë prej andej…”

Nëse jo vetëvrasja, atëherë djaloshi përsiatet rreth fesë dhe shpëtimit që mund ta gjejë aty: “Mund të kthejë madje edhe n’Ushtrin e shpëtimit — me i këndue Zotit dhe Krishtit (atij që nuk e don shpirtin tim), që të shpëtojë, të hajë dhe të pijë. Mirëpo, e dinte se nuk ka me e ba këtë. Jeta e tij asht jetë e tij personale, gja e tij private. Këtë fakt nuk donte me e shkelë. Çdo mundsi tjetër do t’ishte më e mirë. N’ajr me trapezin fluturues, i sillej ndërmend. Asht interesant kjo, jashtëzakonisht qesharake. Me trapez te Zoti, ose te kurrçkafja, me trapez fluturues te ndonji lloj amshueshmënije: lutej me gjithë zemër që të jetë i fortë me krye fluturimin në mënyrë gracioze. E kam nji qindar, tha. Kjo asht monedhë e vogël amerikane. Sonte kam me e lëmue, me shkëlqye si dielli…”

Bredhja dhe shëmbëllimi nëpër vitrinat e ndritshme të dyqaneve, rraskapitja e gjymtyrëve truporë, dukja mjerane t’i ndërmendin skenat e filmave tragjikomikë të Chaplin-it kur i duhet të vjedhë një salsiçe e ta kthejë në vend, ngase polici i rri mbi kokë, jeta e dyzuar me qentë endacakë, përbuzja në konkurset e punës… “Sikur t’ekzistonte ndonji punë, ku do të fitonte pak të holla, ndonji punë të parandsishme n’emën të tregtisë. Vetëm sikur ta lejshin me u ulë tanë ditën pranë tryezës së shkrimit dhe me mbledhë shifra në librat tregtare, me zbritë, shumzue e mbledhë, atëherë ndoshta nuk do të kishte vdekë. Do të blente ushqim, gjellë gjithfare: ambëlsina të pashijueme prej Norvegjisë, Italisë e Francës, mish lopësh dhe qingjash të ndryshëm, peshq, djathë, rrush, fiq, dardha, molla, ftoj, të cilët i adhuronte…” Djaloshi i Saroyan-it ndodhet mu në një tablo të tillë, thellësisht ekspresioniste, kur kalon pranë restoranteve luksoze, rend tutje drejt zyrës sëndërmjetësimit për të papunët, ku ndodhen një duzinë njerëzish, si ai, me shpresë… Këtu, autori, krijon analogjinë e shëmbëllimit të punëtorëve burokratë me derrat. “Në byro e pret një djalosh mendjemadh që i ngjante pamasë derrit”. Kudo rutinë. S’ka punë. Ka vetëm përgjigje në ajër, vetëm shpresa të kota, e ai do të punojë, të jetojë, të shkruajë… “Më në fund pat nderin me gëzue këtë privilegj të madh dhe nji Zojushë e habitun, pesëdhetëvjeç, e mori në provim.

– E tash më thoni, i tha, çka dini me punue ju? U habit.

– Dij me shkrue, tha me patetikë.

– Doni me thanë se keni dorëshkrim të bukur. A po jo? pyeti kjo virgjine plakë.

– Po, natyrisht, u përgjegj ai. Mirëpo, deshta me thanë se unë dij me shkrue.

– Çka me shkrue? pyeti zojusha, gati me idhnim.

– Prozë, tha shkurt. Mbretnoi heshtja. Më në fund, zojusha tha:

– A dini me shkrue me maqinë?

– Natyrisht, tha djaloshi.

– Ani mirë, konkludoi zojusha, adresën tuej e kemi, ju lajmërojmë me letër. Sot nuk kemi kurrgja, bash kurrrgja.”

Pasazhet nga fundi i tregimit janë trandëse. Ato e zhveshin krejt hapur dehumanizmin dhe jetën iluzore mbi të cilën ndërtohen rrenat e mëdha, ku flasin e veprojnë oratorët delenxhinj, politikanët demagogë, servilët, meskinët. Odiseu i djaloshit 22-vjeçar përfundon duke lexuar nja një orë Prustin në Bibliotekën Popullore, duke vajtur te dhomëza e tij periferike, “tash e dinte se ishte tepër i lodhun dhe i dobët për me mashtrue vehten se ishte mirë” – prapë përsiatje të ndryshme mbi lidhjen e trupit me mendjen karshi mungesës së gjërave elementare – qumësht, kafe – shitje e gjërave më të çmuara, librave! Ky është trajtimi i një të riu ëndërrimtar që merret me libra dhe me shkrime! “Vuni penin e ndriçëm në tryezë dhe nisi me e shique me kënaqsin e koprracit. Sa mirë që buzëqeshet, mendoi. Pa lexue, shiqoi fjalët. E Pluribus Unum One Cent United States of America, e kur ktheu monedhën, pa Linkolnin dhe fjalët In God We Trust Liberty, 1923.

Sa gjë e bukur mendoi. Nisi me e marrë gjumi dhe ndjeu se si njifarë dhimbje e tmershme asht tuei hy në gjak, ndjeu diçka si t’ishte tue vjellë dhe tue u coptue. I tmeruar, qëndronte para shtratit të vet, tue mendue se tash ka mbetë i vetëm. Tashmë kishte ndie se si me hapa të mëdhej ecte nëpër fluidin e tokës, se si notonte atje kah fillimi. U rrëzue përmbys në shtrat, tue thanë – do t’ishte mirë që më parë t’ia jap këtë monedhë ndonji fëmije…”

Pa ushqim, pa libra, pa rroba, i zvetënuar, i zhgënjyer, i thyer, – njeriu që jeton jashtë mureve groteske të shoqërisë së spektakleve, të stisjeve e ngritjes së hovshme zhvillimore mbi padrejtësi. Tashmë jo natyra, për kërcënimet e së cilës flet Freud-i, “detyra kryesore e qytetërimit, raison d’être, është të na mbrojë kundër natyrës” – por kërcënimi real i njeriut vjen nga njeriu, nga konfliktet sociale që sjellin batërdi, antipati, dhe fundosin secilën vlerë.

Nonda Bulka, i njohur për publicistikën me tonet ironike, e humorin therës, shkruante:

“Ndofta me anë miqësie mund të shkoj në jetën e përjetshme, në paradisin e bukur, ku kërcet kënga dhe vallja, ku qejfi mbretëron, ku natyra qesh! Se e vërteta është që jam gjynahqar, e kam shitur rakinë gjysmë për gjysmë me ujë, se s’dilej ndryshe. Por vjehrra e ka priftin mik. Dhe prifti me Zotin kanë marrëdhënie. Mik pas miku mund të vete në xhenet. Ç’lumturi e përjetshme, amin!”[6] duke tentuar ta pikas mosrealizimin e ëndrrave realiste – zhbalancën shoqërore shqiptare – që prireshin drejt besimit religjioz, megjithëse duke bartur barrën e mjerimit socio-politik.

Ky është pasazhi i fundit i tregimit:

“Me të shpejtë, shkathtas, me graciozitetin e djaloshit në trapez, e la trupin e vet. Për nji çast t’amshueshëm ai qe gjithçka në të njajtën kohë: zog, peshk, shtazë brejtse, rrëshqanth dhe

njeri. Oqeani i zi valëvitej pa fund dhe errsisht para tij. Qyteti digjej flakë. Turmat janë çue në kryengritje. Toka, tue u sjellë, shkonte dikah, e djaloshi, tue dijtë se po bante këtë, ia ktheu fytyrën qiellit të thatë, e andrrat u zhdukën, jeta u zhduk, kurse ai u ba i përsosun…”

Qasje shkrimore e Saroyan-it, megjithatë, përmban tone optimiste; “përsosja” e djaloshit të ri shërben si arketip i inkurajimit njerëzor, i turmave, i rezistencës, inkurajimit të emigrantëve dhe anëtarëve të pakicave etnike – mbrusje me besim në potencialin human të asaj që ai e projekton si “brotherhood of man”. Secili njeri është i përsosur në natyrën e tij.

Me Saroyan-in kritika nuk është marrë sa duhet. Ai ngelet i paeksploruar, i panjohur, megjithëse “Rilindja” e Prishtinës e ka sjellë për lexuesin shqiptar 65 vjet më parë, me dy tregime. Por duhet të njihet e gjykohet objektivisht vepra e tij e plotë. Disa kritikë e kanë cilësuar “pseudofilozof i jetës”, disa të tjerë si “ndër shkrimtarët minimalistë më të shquar amerikanë”. Saroyan-i është kritik social, realist, çjerrës i napës teletisëse, oficiale, të shoqërisë së egër kapitaliste, humanist, vëlla i të uriturit, i të pastrehut, i ëndërrimtarit, i vizionarit, apologjet i vëllazërisë ndërnjerëzore, që mund të na shpëtojë dhe ta bëjë më pak të shpifur universin…

© 2023 Bujar Meholli. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

 

[1]Sigmund Freud, “Ëndrra dhe interpretimi i saj”, Botim integral, Uegen, 1997, përkthyer nga Juliana Kurti.
[2] Hermann Bahr, cit. nga Mario De Micheli, Protesta e ekspresionizmit, revista Palimpsest, nr. 1, Tiranë, 2017
[3] William Saroyan, “Djaloshi i guximshëm në trapezin fluturues”, cit. nga “Tregime bashkëkohore amerikane”, Sh. B. Rilindja, Prishtinë, 1958, përkthyer nga Ramiz Kelmendi, të gjitha citimet në këtë shkrim janë nga i njëjti botim.
[4] Sigmund Freud, “E ardhmja e një iluzioni, ligështimi në qytetërim”, Sh. B. Pika pa sipërfaqe,  2018, përkthyer nga Sokol Kosta.
[5]Albert Camus, Miti i Sizifit, Fan Noli, Tiranë, përkthyer nga Petrit Sinani.
[6] Nonda Bulka, “Në xhenem apo në xhenet?”, Gazeta e Korçës, 1932, cit. nga “Bota si ç’ish kur qante e qeshte bilbili”, Sh. B. “Naim Frashëri”.

1 Koment

  1. Ky emer (Saroyan) me kujtoi feminine e larget kur probabilisht ne fillim te viteve ’60 u botua ne Tirane nje permbledhje tregimesh me titulllin “60 milje ne ore”.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin