nga Edmond Cane
Fillimisht do duhet t’i referohem argumentit nëse çështja e arbërishtes lidhet me interesat më të gjera të shqipes. Një kontestim ka qenë me argumentin se kështu referohet tek Libri i Kuq i Gjuhëve të Rrezikuara në Botë (më pas – Atlasi i Gjuhëve të Rrezikuara në Botë) të UNESCO-s. Duhet saktësuar se dokumenti në fjalë as nuk pretendon të ndërtojë këtë përcaktim, dhe as nuk bazohet në ndonjë studim apo qasje gjuhësore. Në përgjithësi, ky dokument u referohet edhe dialekteve të mirënjohura si pjesë e një gjuhe si ‘gjuhë’, në kuptimin se është në rrezik për të humbur gjuha e një komuniteti, një minoriteti gjuhësor, etnik apo historik, pa u përfshirë në përcaktimin teknik të kufirit mes gjuhës dhe dialektit.
Ka studime për këtë temë, që përcaktojnë edhe qasjen për të vlerësuar kufirin mes gjuhës dhe dialektit (Gooskens disa artikuj, Gooskens & Schneider, Whaley, Grenoble & Li (1999), Ozek, Saglam & Gooskens (2020); van Heuven, Gooskens & van Bezooijen (2010), Nordquist (2019), Gooskens, Heeringa & Beijering (2008); Voigt (2014), etj. Kjo do të kërkonte minimalisht një artikull të veçantë, që duhet të jetë i bazuar në studim e kërkim. Por nxitimi për ta nxjerrë jashtë arbërishten anashkalon fakte dhe argumente të rëndësishme. Deri para disa dekadash, nuk kishte asnjë dyshim që arbërishtja është një variant i shqipes. Një gjuhë më vetë do të donte disa qindvjeçarë të konturohet si e tillë. Përveç kësaj, kjo periudhë duhet të jetë e ngarkuar me faktorë që t’i mëshojnë kësaj ndarje, përgjithësisht me motivin për të ndërtuar një kufi mes dy shtetesh, kombesh. Arbëreshët nuk kanë nevojë t’i mëshojnë një ndarje të organizuar, siç mund të kenë nevojë për shembull sllovenët, kroatët, serbët, maqedonasit. Në lidhje me arbërishten, do ishte e nevojshme të sqarohet nëse ky hendek lidhet kryesisht me rënien dhe dobësimin e arbërishtes. Për shembull, një folës shqiptar i orientuar dhe me pak praktikë me arbërisht, mund ta kalonte shumë lehtë pragun e një Mutual Intelligibility Test. Një përpjekje e sforcuar për ta ndarë arbërishten si variant të shqipes mund të shtyhet edhe nga një mentalitet tashmë thelbësisht i kontestuar dhe i kapërcyer – ideologjia etatiste e 1972, me moton “Një komb, një gjuhë” që i imponon standardin e ngurtë strukturor (dhe jo ligjërimin funksional mbi një bazë standardi) çdo folësi të hapësirës panshqiptare, dhe që sigurisht do ishte një kusht përjashtimi i panevojshëm. Së fundi do të përmend se ky nxitim ka edhe një pasojë imediate. Në kushtet kur arbërishtes i kërcënohet ekzistenca, do ishte ishte e pakuptueshme të lihej në një vetë-izolim absurd, të privohej nga mjedisi i saj identitar.
Cila është kauza? – Arbërishtja po rrënohet me shpejtësi para indiferencës dhe pafuqisë sonë.
Duke filluar nga 2020, me iniciativën tonë, është hapur debati mbi shkallën e rrezikut për arbërishten. Një moment i rëndësishëm ishte 2021, kur QSPA u bë institucioni pritës për konferencën e 25 ndërkombëtare të FEL – Federatës së Gjuhëve të Rrezikuara. Ka pasur një sërë aktivitetesh, përpjekjesh në vijim deri te Kuvendi II i QSPA-së në 4-5 shtator 2023. Megjithatë, në këto tre vjet, diskutimi si në planin akademik edhe në atë të politikave, ka vijuar disi i shurdhët. Në qendër të kësaj përpjekje ka qenë QSPA, e cila, ndryshe nga studiues dhe institucione të tjera që lidhen me studimet arbëreshe:
nuk i ka neglizhuar treguesit, faktet, aspektet që qartazi dëshmojnë për fenomenin e gjuhës së rrezikuar;
ka krijuar lidhje të drejtpërdrejta me komunitetin arbëresh, prej nga ka parë më afër treguesit, të dhënat për rënien e gjuhës, ka vlerësuar më pas këto të dhëna, faktorët dhe kontekstin aktual të arbërishtes;
krijoi kontakte me institucione shkencore në Europë dhe më gjerë, është njohur gradualisht dhe është integruar në rrjetet shkencore që trajtojnë gjuhët e rrezikuara, gjuhët minoritare
ka trajtuar fenomenin e bjerrjes së gjuhës nga perspektivat dhe qasjet aktuale studimore për gjuhët e rrezikuara, duke konkluduar ashtu siç është vlerësuar edhe tek UNESCO, që arbërishtja është definitivisht e rrezikuar, pasi është dëmtuar rëndë mekanizmi i transmetimit të gjuhës tek brezi aktual i fëmijëve (shih Derhemi 2002, Perta 2004, Belluscio 2018, Cane 2022, etj.)
Kuvendi II organizuar në QSPA në 4-5 Shtator 2023, solli në Tiranë studiues, ekspertë të njohur në sferën e gjuhëve të rrezikuara, politikave dhe planifikimit gjuhësor, përfshirjes së institucioneve dhe rolet e tyre në këtë kontekst për rigjallërimin dhe mbrojtjen e gjuhës minoritare, analizës gjuhësore dhe vlerësimit të niveleve të vlerësimit të gjuhëve të rrezikuara, dokumentimit të gjuhëve minoritare, zhvillimit të gjuhës digjitale, d.m.th., të teknologjive digjitale dhe aplikacioneve për përpunime të avancuara të gjuhëve, aspekte të ndryshme. Ndërkohë që nga njëra anë tërhoqëm këtë ekspertizë akademike, nga ana tjetër, ftuam përfaqësues të komunitetit: kryetarë ose zyrtarë të tjerë komunash, mësues të arbërishtes, drejtues dhe përfaqësues shoqatash, ekspertë nga sportelet linguistike (ngritur në bazë të ligjit italian 482/1999), etj.
Pavarësisht këtij realizimi, Kuvendi ishte i papërmbushur për pjesën tjetër të synuar nga ne: i) institucionet akademike në vend të përfshira në studime arbëreshe, dhe ii) nivelet politikëbërëse për t’u njohur me situatën e arbërishtes, të dhënat dhe treguesit, kuadrin e vlerësimit dhe qasjet për të ndërmarrë sfidat e rigjallërimit të gjuhës. Kjo nuk u realizua në këtë Kuvend pasi nivele të rëndësishme akademike dhe politikëbërëse ende nuk janë të përgatitur të njohin dhe të përballen me këtë sfidë. Duhet thënë se diskutimi, kërkimi, analiza nuk janë qëllim në vetvete por në funksion të ndërmarrjes së një strategjie për mbijetesën e arbërishtes, ku institucionet e përtejdetit si dhe tonat, kanë mundësinë dhe pritshmërinë për të parandaluar humbjen tashmë të dukshme të gjuhës.
Një parakusht i domosdoshëm është organizimi, saktësimi dhe përpunimi i dijes së nevojshme shkencore për të njohur më mirë situatën, fenomenet në aspektin cilësor e sasior, dhe në ato sfera relevante për konceptimin dhe zhvillimin e politikave gjuhësore për arbërishten. Këtë kanë synuar shumë nga aktivitetet organizuar që nga 2020, deri tek kuvendi më i fundit, i cili ofroi një paketë ekspertizë të organizuar për t’i shërbyer direkt politikë-bërjes. Kjo ekspertizë u synua të diskutohej, ndahej dhe vlerësohej mes aktorëve kryesorë: studiuesve – komunitetit arbëresh – institucionet/faktorët politikëbërës.
Referimi tek dija shkencore, që zhvillohet, diskutohet shkëmbehet në rrethet kryesore akademike dhe profesionale është një parim i padiskutueshëm i shoqërive të civilizuara, përndryshe, do të mbetemi tek ‘pellgu’ i kufizuar i provincës sonë të vogël, dhe në kohët moderne kjo është absolutisht e pamjaftueshme dhe parimisht e papranueshme. Dija shkencore nuk është një lloji i veçantë, më vete. Është pjesë e dijes së përgjithshme, por më e avancuar, sheh aspekte që nuk shihen me sy të lirë, nxjerr të dhëna nëpërmjet mjeteve studimore, vlerëson bazuar në linja dhe kuadër teorik që ‘prodhojnë’ dije të avancuar pasi shërbejnë si prizma për të parë më tej, më thellë. Funksioni i dijes shkencore është të bëjë skanim, diagnostifikim profesional. Shpesh ka një kontinuum mes dijes shkencore dhe asaj të përgjithshme, si dhe mbivendosje mes sferës shkencore/kërkimore, asaj profesionale dhe dijes që kultivojnë dhe ndajnë aktivistët, pjesëtarët e komunitetit që janë më afër fenomenit. Prandaj ndërveprimi, ndarja dhe shkëmbimi mes këtyre aktorëve është një parakusht i rëndësishëm për të mësuar, njohur vlerësuar, dhe për të ofruar ekspertizë të bazuar.
Ndër temat më imediate për arbërishten janë vlerësimi i shkallës së rrezikut, mekanizmat që mund të shfrytëzohen, politikat gjuhësore, sferat ku mund të tentohet ndryshimi i tendencës rënëse të gjuhës, angazhimet institucionale dhe rolet e pritshme apo të dëshirueshme, etj. Me aktorët dhe palët e interesit, si në Shqipëri edhe në Italinë e Jugut, në nivelin akademik, politik, kulturor e komunitar, ne kërkuam dhe propozuam diskutimin e gjetjeve paraprake, si dhe konceptimin që ofronte kuadri shkencor i Gjuhëve të Rrezikuara. Për një sërë arsyesh, aktorët kryesorë nuk iu përgjigjën këtij propozimi. Ne vijuam kërkimet tona dhe zgjeruam sferën e bashkëpunimit në komunitet dhe në rrjetet shkencore ndërkombëtare, duke realizuar një sërë piketash:
- Bashkëpunimin me FEL, federatën ndërkombëtare të gjuhëve të rrezikuara dhe organizimin e FELXXV në 2021 në Tiranë.
- Vendosjen e kontakteve me qendra kërkimore shkencore si Mercator (Holandë), që menaxhon shumë projekte shkencore mbështetur nga BE, ELDP dhe ELAR[1] që promovojnë programe për dokumentimin dhe mbrojtjen e gjuhëve të rrezikuara
- Zgjerimin e konktakteve me pjesëtarë të komunitetit arbëresh në Cosenza, Crotone, Puglia, Molise, etj., kryetar apo zyrtarë komunash, mësues, drejtues shoqatash e aktivistë, specialistë në Sportelet Linguistike, etj.
- Organizimin e ekspeditës së parë kërkimore në terren kryesisht në Kalabri, ku kanë munguar pothuajse fare të dhënat në lidhje me nivelet e gjuhës;
- Organizimin e konferencave dhe forumeve brenda vendit në harkun 2021-2023,
- Angazhimin në konferenca jashtë vendit për gjuhët minoritare ose gjuhët e rrezikuara
- Zhvillimin ose përfshirjen në projekte kërkimore
- Organizimin e dy kuvendeve të studimeve arbëreshe në 2021 dhe 2023. Ky i fundit, duke shfrytëzuar si punë kërkimore edhe kontaktet e gjera institucionale dhe kërkimore në harkun e dy viteve të fundit, arriti të sjellë në Tiranë studiues shumë të njohur në botë, autoritete në aspekte të ndryshme në këtë fushë. Kontributet në këtë kuvend (2023), që do dalin në aktet e kuvendit por edhe me regjistrim video, do të jenë shpejt të aksesueshme dhe të shfrytëzueshme, pasi ofrojnë ekspertizë të vlefshme nga studimet dhe ekspertiza ndërkombëtare për shumë pyetje që ose janë pa përgjigje në terrenin e arbërishtes, ose nuk janë shtruar fare për diskutim.
A është arbërishtja gjuhë e rrezikuar?
Në Kuvendin I të QSPA (2021), Derhemi kish prezantuar konceptin e gjuhës së rrezikuar, referuar kjo konkretisht për arbërishten, duke përmendur rënien për nga funksionet dhe përdorimi brenda secilit domen, si edhe dëmtimi në nivele të ndryshme të sistemit gjuhësor. Në trajtimin e saj në Kuvendin II, Derhemi vuri në dukje pa asnjë dilemë se arbërishtja është gjuhë e rrezikuar – që është edhe pozita e shumë gjuhëtarëve të kësaj fushe. Është e vërtetë se shumë vende kanë frikë nga koncepti “gjuhë e rrezikuar”. Ky koncept nënkupton një konstatim të një problemi të mprehtë dhe urgjencë, ndërkohë që, për shumë vende, preferohet vijimi i kësaj statuskuo-je, supremacisë së gjuhës dominante dhe si rezultat, humbjes së gjuhëve minoritare. Ka vende të tjera që as nuk e njohin ekzistencën e gjuhëve minoritare/indigjene. Historia ka treguar shembuj për pengesa të qëllimshme në lidhje me zhvillimin apo ruajtjen e vlerave.
Janë një sërë pyetjesh që janë trajtuar gjerësisht sidomos në 30 vitet e fundit, veçanërisht: Pse duhen mbrojtur e mbështetur gjuhët minoritare? Çfarë duhet ruajtur? Kush do ta bëjë? Kur? Një nga folësit në kuvend, Mezhoud,[2] jep përgjigjen pa asnjë ekuivok – TANI. Por ne nuk kemi ende produkt, bile as pozicionim të institucioneve kryesore në vend, për të identifikuar nevojën dhe për të ndërmarrë politika gjuhësore – siç u pa në këtë konferencë.
Alarmi për rënien drastike të diversitetit gjuhësor në botë ish i njohur e i diskutuar nën kornizën e gjuhëve të rrezikuara që prej disa dekadash. Megjithatë, edhe në këtë moment, kur shenjat e bjerrjes së gjuhës janë drastike, institucionet përfaqësuese akademike në vend dhe katedrat e arbëreshëve në universitetet italiane nuk pranojnë problemin dhe rrezikun aktual të arbërishtes. Ende sulmohet kjo metodë studimore (e gjuhëve të rrezikuara) si një metodë që s’duhet lidhur me arbërishten, gjë që Derhemi e cilëson si ‘prepotencë dhe sens zotash që nuk duan të kontrollojnë vetëm fushat akademike, por edhe gjuhët vetë. Të mohosh sot gjuhët e rrezikuara është akt anti-historik dhe anti-kulturor, dhe të mohosh kornizat shkencore të matjes së rrezikut gjuhësor, parimet e dokumentimit gjuhësor si dhe rrugët për zgjatjen e ruajtjes dhe rivitalizimit të një gjuhe, është një akt anti-shkencor dhe anti-gjuhësor.
Në lidhje me politikat gjuhësore, Bradley[3] theksoi se këto nuk kanë vlerë nëse nuk përfshijnë zbatimin, për të cilin nevojiten: një institucion zyrtar me status akademik, një ministri përgjegjëse, sistemi arsimor, media publike dhe private. Sigurisht duhet të pyesim: si shihen këto politika gjuhësore nga publiku? A ka qenë kjo politikë e suksesshme? Ai gjithashtu vërejti se shpesh politikat nominale janë mbështetëse për gjuhën e minoritetit dhe të drejtave të tjera, por realiteti është ndryshe. Politikat më të gjera kombëtare prevalojnë mbi politikat për minoritetet, dhe rëndësi marrin: uniteti kombëtar politik dhe social, gjuha kombëtare, arsimi kombëtar.
Sipas tij, është e nevojshme ngritja e një institucioni kompetent për të hartuar dhe ndjekur zbatimin e politikave gjuhësore për minoritetet, ekspertizë profesionale për të vlerësuar në vijim efikasitetin e politikave, për të sugjeruar përmirësimin dhe funksionimin e dëshiruar të tyre.
Konferenca pati rëndësi pasi ofroi një gamë të gjerë praktikash në sfera më specifike si: teknologjitë digjitale dhe aplikacionet gjuhësore, projekteve kërkimore aktuale në funksion të mbështetjes dhe rigjallërimit të gjuhës, dokumentimit gjuhësor, etj. Në lidhje me zhvillimin e teknologjive digjitale, Claudia Soria[4] vëren se ka një zhvillim të pabarabartë mes gjuhëve të ndryshme, madje edhe ndër gjuhë të rëndësishme europiane. Për aspekte të caktuara, ajo paraqiti disa tregues të pranisë sasiore të gjuhëve të ndryshme. Në fakt, ka një shqetësim edhe në nivelin e BE-së për zhvillimin e teknologjive moderne dhe prani më të balancuar të gjuhëve në sferën e teknologjive digjitale, për shkak të rëndësisë së konsiderueshme, gjithnjë në rritje të rolit të tyre.[5] Ndërsa gjuhët kryesore perëndimore janë në krye të niveleve teknologjike, gjuhët indigjene janë në nevojë edhe për teknologjitë bazë. Praktika ka treguar gjithashtu se teknologjitë gjuhësore mund të jenë edhe të dëmshme nëse nuk janë përshtatur sipas nevojave aktuale të gjuhës. “Sot ka shumë formate, udhëzime, kurse universitare përgjatë rrjedhës së gjuhës kolonizuese. Detyra jonë është të shohim si të mundim të flasim gjuhën tonë, si t’ua mësojmë gjuhën tonë fëmijëve, si ta mbajmë atë, si ta normalizojmë nga këndvështrimi ynë, sipas mënyrave tona, nga perspektiva jonë.[6]
Zhvillimi i teknologjive gjuhësore nuk duhet nënvleftësuar. Përkundrazi, kërkon një planifikim të kujdesshëm gjuhësor, që vë në qendër komunitetin e folësve dhe jo synimet akademike të studiuesit apo institucionit të tij, duke bashkërenduar dhe planifikuar çfarë duhet bërë në kohën dhe vendin e duhur për të garantuar një prani dhe zhvillim të duhur të gjuhës në sferën digjitale. Ndër fazat dhe mjetet e nevojshme, Soria përmend vlerësimin në lidhje me shkallën e vitalitetit digjital të gjuhës në fjalë, paketën e mjeteve digjitale për mbijetesën dhe zhvillimin e gjuhës, program trajnimi për gjuhën digjitale, një koncept strategjik për diversitetin e gjuhës digjitale.
A duhet të parashtrojë dicka Shqipëria?
Shqipëria duhet të kishte shtruar arbërishten si çështje ku Shqipëria ka interes, por që ndërkohë duhet trajtuar si çështje italiane, dhe pala shqiptare nuk ndërhyn apo imponon politikat e brendshme të shtetit italian. Duhet përcaktuar që trajtimi është brenda kuadrit të filozofisë së BE-së, Kartës, Konventës, Deklaratës, kushtetutës italiane, standardeve që njihen dhe respektohen në shumicën e Europës. Nuk do nxitoja të vlerësoja rolin e shtetit shqiptar, por, krahasimisht me Kroacinë, Slloveninë, Spanjën, Gjermaninë, Francën, që i këndvështrojnë ndryshe minoritetet e tyre brenda Italisë, Shqipëria është pothuajse inekzistente dhe jo në frekuencën normale të komunikimit dypalësh. Kroacia, vetëm një vit pasi doli nga lufta, nënshkroi marrëveshjen me Italinë për trajtimin e minoritetit, të drejtat gjuhësore etj.
Kjo temë do të kërkonte një trajtim të gjerë, por do të veçoja qartësisht kërkesën bazë më poshtë
ARSIMIM TË FËMIJËVE ARBËRESHË NË GJUHËN AMTARE.
Çdo gjë më pak se kjo nuk nënkupton politika të favorshme ndaj minoritetit arbëresh dhe arbërishtes.
PJESA 2
Çfarë mund të përfshijnë politikat gjuhësore për arbërishten, që të orientojnë përpjekjet e të gjithë palëve, të komunitetit, të institucioneve italiane, institucioneve shqiptare, bazuar në dijen dhe standardet e gjithëpranuara?
(në një përmbledhje) DO TË PROPOZOJA
Nisur nga gjendja sot e arbërishtes
Nisur nga nevoja që të mos rrimë indiferentë, por të fillojmë të bëjmë vepra, jo vetëm diskutime
Bazuar në dëshirën e komunave arbëreshe për të mbajtur gjallë gjuhën
Bazuar në përpjekjet konkrete që po bëjnë prindërit, mësuesit,
Duke e vlerësuar si një pasuri të pacmueshme jo vetëm të komunitetit arbëresh,
Bazuar në faktin që në kohët e sotme të globalizmit, komunat arbëreshe nuk mund të ndalin rënien e gjuhës pa mbështetjen e institucioneve, pa mbështetjen e sistemit shtetëror të shkollimit, pa politika gjuhësore për arbërishten, pa një strategji për mbijetesën e arbërishtes në këto kohë të vështira
TË BËJMË PËRPJEKJE TË KOORDINUARA, dhe:
Të diskutohet dhe të vlerësohet shkalla e rrezikimit të gjuhës, bazuar në aspektet më poshtë:
- vlerësim për arbërishten sipas formateve eksperte që janë zhvilluar në 30 vitet e fundit: UNESCO[7] Moseley[8], GID[9], EGID[10],
- Vlerësim i popullsisë aktuale në komunat arbëreshe, përfshirë vlerësim proporcional i arbëreshëve (kundrejt jo-arbëreshëve),
- Vlerësim i shkallës së përdorimit faktik të arbërishtes apo italishtes në sferat kryesore: në familje, në komunitet, në ambient professional (shkollor për fëmijët); veçanërisht në moshat më të reja: 0-14 vjeç, 15-25 vjeç; 26-45 vjeç
- Vlerësim për gjuhën që përdorin fëmijët në scuola materna, scuola primaria, scuola secondaria
- Vlerësim për kurset arbëreshe: në cilat komuna? Sa fëmijë, të rritur regjistrohen? Sa ndjekin këto kurse në mënyrë vijuese? Kjo të krahasohet me proporcionin e fëmijëve që nuk e ndjekin.
Arbërishtja të bëhet pjesë e sistemit arsimor – përndryshe çdo përpjekje për mbështetjen e gjuhës mbetet përpjekje e dobët, utopi.
- Në scuola materna, të përgatitet program kurrikular që fëmijët arbëreshë të përdorin të dyja: italisht dhe arbërisht, pasi është e drejtë universale që fëmijët të përdorin gjuhën e prindërve, gjyshërve.
- Në scuola primaria, fëmijët të mësojnë arbërisht, të kenë mësim në arbërisht për historinë arbëreshe, për rrëfenjat dhe kulturën arbëreshe, siç ndodh me shumë minoritete në Europë dhe Europë – siç bën edhe Shqipëria për minoritetin grek që është shumë më i vogël se minoriteti arbëresh.
- Të krijohen kushte edhe në scuola scondaria, liceo që të ketë kurrikula në arbërisht, për kulturën dhe trashëgiminë arbëreshe.
- Të krijohen kushtet për të ndërtuar laurea universitare për mësues të arbërishtes në përgjithësi, edhe për kurse arbërisht specifike (letërsi, histori arbëreshe, etj.), pasi sistemi arsimor italian lejon vetëm mësues të laureuar dhe të certifikuar
- Të krijohen mundësitë, kapacitetet, institucionet e nevojshme nga ministria dell’educazione për të përgatitur kurrikulat arbëreshe në scuola materna, elementario, secondario, etj.
- Të përgatitet kuadri ligjor dhe administrativ, që në komunat që njihen historikisht me proporcion të konsiderueshëm të komunitetit arbëresh, të krijohen kushtet sa më sipër.
- Në komunat ku ka rënë numri i popullsisë dhe fëmijëve, dhe nuk përmbushen kriteret për shkolla fillore, sipas ligjit italian, të mundësohet sa më sipër duke koordinuar hapësirat e tjera ligjore administrative, arsimore.
Të krijohen hapësira mediatike për arbërishten sipas Kartës Europiane për Gjuhët Minoritare e Rajonale, sipas Konventës Kornizë për Mbrojtjen e Minoriteteve, sipas ligjit 482/1999
- Në RAI dhe TV, radio lokale – të formalizohen hapësirat për programet në arbërisht: lajme, programe kulturore, programe për fëmijët;
- Të mundësohet pjesëmarrja e fëmijëve, të rinjve, profesionistëve arbëreshë në këto programe.
- Të krijohen kushte për hapësira arbëreshe në rrjetet sociale, të mbështeten me projekte, iniciativa, ekspertë
- Të realizohen projekte, programe për të përhapur leximin në arbërisht, dhe forma të tjera të komunikimit masiv
Të mundësohet prani e zgjeruar arbëreshe në hapësirat komunitare:
- për promovimin e arbërishtes në evente kulturore që lidhen me kulturën dhe trashëgiminë arbëreshe, festivale, etj
- për inkurajimin e arbërishtes përkrah italishtes në eventet e tjera.
- për inkurajimin e ligjërimit arbërisht në sferat administrative, politike, rajonale, ligjore, gjyqësore etj., nëpërmjet projekteve konkrete, përndryshe kjo mbetet thjesht për deklarim teorik.
- duke mbështetur, inkurajuar iniciativat për zgjerimin e arbërishtes në komuna: njoftime publike, komunitare, në negocie
- duke mbështetur, inkurajuar iniciativat për përdorimin e arbërishtes edhe në hapësirat komerciale: produktet në markete, medikamente, përdorimin e pajisjeve elektro-shtëpiake, etj.
Strategji të përgjithshme për fuqizimin e komunitetit arbëresh:
- duke inkurajuar dhe zhvilluar politika për fuqizimin e elitave arbëreshe: politike, akademike, kulturore, që të shërbejnë si bërthama dhe garanci për vijimin e identitetit arbëresh në këto komuna
- duke zhvilluar strategji dhe politika ekonomika sociale për të zbutur migrimin dhe zbrazjen, dobësimin e komunave arbëreshe
- duke inkurajohen më tepër lidhjet dhe marrëdhëniet e komunave, provincave arbëreshe brenda Italisë, me Shqipërinë, Kosovën, diasporat, në funksion të mbështetjes për gjuhën dhe kulturën arbëreshe. Të bëhen marrëveshje konkrete me këto vende për arbërishten.
Të fitojmë kohën e humbur
- Sepse kjo nevojë emergjente, ishte e qartë qysh 30 vite më parë, ndërkohë që u zgjodh një drejtim i paqartë, jo konkret, pa vizion dhe objektiva të qarta, vetëm me një ligj që mbeti si shprehje, pa konkretizim dhe aq më tepër, pa plane dhe politika konkrete për arbërishten. Si pasojë e këtij konfuzioni, arbërishtja është dobësuar jashtëzakonisht në 30 vitet e fundit – në nivele për mbijetesë, pasi fëmijët e përdorin pak, shumë pak krahasuar me prindërit e tyre, dhe akoma më shumë krahasuar me gjyshërit e tyre, që gjuhë të parë kishin gjuhën e mëmës, ndërsa italishten e kishin gjuhë të dytë.
- Politikat për gjuhën nuk janë të thjeshta. Ka qenë humbje e madhe kohe që 30 vite më parë, nuk u bë e mundur të fillonte laurea për mësues të arbërishtes.
- Ka qenë kohë e humbur dhe konfuzion i panevojshëm, për të orientuar arbëreshët drejt standardit shqip të Shqipërisë, në vend që të forcohet gjuha e mëmës, arbërishtja që flitet në komunat arbëreshe.
- Ka pasur konfuzion edhe për diferencat e gjuhës në komunat arbëreshe. Megjithatë, kjo nuk ka penguar mësuesit arbëreshe të organizojnë mësimin e arbërishtes, të përdorin materiale didaktike të ndryshme.
Për ne është e qartë – një komunitet si arbëreshët, e kanë lidhur identitetin me gjuhën. Tashmë, si qytetarë italianë, ata kanë zhvilluar një identitet italo-arbëresh, dhe gjuha mbetet në themel të këtij identiteti. Humbja e gjuhës do të sjellë në mënyrë të sigurtë, edhe humbjen e identitetit pak kohë më pas.
Arbërishtja nuk është një çështjë ekzotike. Arbërishtja është një gjuhë e gjallë prandaj prioriteti është në këtë drejtim, dhe jo për ta përcjellë në muzeun e UNESCO-s.
Politikat për arbërishten, eventet, projektet, programet, gjithçka që bëhet në emër të mbështetjes për arbërishten dhe arbëreshët, të jetë e lidhur dhe të vlerësohet nëse realisht ndihmon që fëmijët, të rinjtë, të rriturit, të mësojnë dhe të mbajnë arbërishten, të përdorin arbërishten, të krijojnë kushte dhe garanci për përdorim të qëndrueshëm të arbërishtes.
© 2023 Edmond Cane. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
[1] Shih https://www.eldp.net/ dhe https://www.elararchive.org/
[2] S. Mezhoud është aktualisht një nga anëtarët themelues të FEL, anëtar i Komitetit dhe Sekretar Nderi i FEL
[3] D. Bradley është një linguist shumë i njohur,
- Profesor Emeritus i Linguistikës, Universiteti La Trobe, Australi;
- President, Komiteti Ndërkombëtar i Përhershëm i Linguistëve, i UNESCO-s, 2014-2024;
- Anëtar i Akademisë së Shkencave Sociale në Australi dhe Akademisë Australiane të Shkencave Humane
- Profesor Nderi në Universitetin Kombëtar Australian dhe në disa universitete në Kinë.
[4] C. Soria: CNR-Istituto di Linguistica Computazionale “Antonio Zampolli” (CNR-ILC). Paraqiti temën mbi një të ardhme dixhitale për arbërishten
[5] Shih European Language Equality (ELE – https://european-language-equality.eu/; është një program ku është përfshirë edhe BE, për të arritur një prani të balancuar të gjuhëve të Europës, sidomos gjuhëve minoritare të pafavorizuara deri në 2030
[6] Lil’watul Lorna Williams, Lil’wat First Nation, cited in Bird (2020) – citim nga Soria.
[7] UNESCO‘s Ad Hoc Expert Group on Endangered Languages: http://www.unesco.org/culture/ich/doc/src/00120-EN.pdf
[8] Moseley, Christopher, ed. 2010. Atlas of the World’s Languages in Danger, 3rd edition. Paris: UNESCO Publishing.
[9] Graded Intergenerational Disruption Scale (GIDS; Fishman 1991)
[10] The Expanded Graded Intergenerational Disruption Scale (EGIDS), developed by Lewis, M. Paul; Simons, Gary F. (2010). “Assessing endangerment: Expanding Fishman’s GIDS” Lewis and Simons (2010),