Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

HIERARKIA E RASAVE TË GJUHËS SHQIPE

nga Emine Sadiku

Para se të fillojmë diskutimin, le të sqarojmë termat

Thënien e Volter-it: “ Para se të fillojmë diskutimin, le të sqarojmë termat”, që e përdor me sukses studiuesi Tomorr Plangarica në parathënien e librit “Në tekst për tekstin” (Elbasan, 2002, f.7), e gjejmë të përshtatshme edhe për titullimin e këtij paragrafi. Konkretisht: ne do të operojmë me terma të huazuara nga gramatika e varësisë (kryesisht modeli gjerman i U. Engel-it); me terma të marra nga “Gramatika e Gjuhës Shqipe, I, II”, Tiranë 2002; nga “Albanische Grammatik” (Buchholz-Fiedler; Leipzig 1987) etj.

Fjali – Çdo fjali përmban një folje në formë të shtjelluar. Në tipin e quajtur fjali emërore (Buchholz – Fiedler: Albanische Grammatik, f. 474), si: Mbrëmje mungon folja-këpujë jam të cilën ndërtimi e përmban implicit. Kjo provohet me realizimin e së njëjtës shprehje në të shkuarën ose në të ardhmen: Ishte mbrëmje. Do të jetë mbrëmje.

Rasë shërben për të shprehur marrëdhëniet e emrit me përbërësit e tjerë të fjalisë me anën e mjeteve morfologjike. Përveç rasës këtë funksion lidhës e kryejnë dhe mjete të tjera, si: parafjalët, intonacioni, rendi i fjalëve… Një rol dominues në këtë aspekt kanë rasat dhe parafjalët.

Folje – qendra strukturore dhe kuptimore e fjalisë, në një formë të shtjelluar, bartëse valence…

Valencë (e foljes) aftësia e foljes për të hapur vende bosh në fjali të cilat duhet të mbushen ose mund të mbushen me plotësa të domosdoshëm (që i përmban plani ndërtues i fjalisë dhe që janë të pasuprimueshëm). Plotësat mund të mos realizohen në kushte të caktuara. Përveç plotësave të domosdoshëm ose fakultativë fjalia përmban dhe shtesorë, gjymtyrë të lira që nuk përcaktohen nga valenca e foljes. Ato mund të përfshihen ose jo në fjali. Një gjymtyrë është e detyrueshme po qe se nga eliminimi i saj fjalia nuk është më gramatikisht e saktë; nuk ka kuptim:

Era hap dritaren. Era hap (?)

Në rastet me plotësa fakultativë: dallimi midis tyre dhe plotësave të detyrueshëm është i natyrës sipërfaqësore, varet nga konteksti, gjymtyra plotës – fakultativ mund të jetë përmendur më parë:

Treni arriti në stacion. Agimi hipën (në tren).

Hierarki (e rasave të pastra, pa parafjalë) Përkufizim: Hierarkia e rasave është formulimi i rregullave sintaksore mbi bazën e rendit të rasave, duke u nisur nga emërorja si rasa me rendin më të lartë.

Emërorja si rasa e rangut më të lartë nuk rezulton thjesht (apriori) nga përkufizimi, por përkufizimi shpreh një realitet gjuhësor empiriko-teorik, ku emërorja shfaqet si forma rasore më e përdorshme në ligjërim.

Plotës/argument/aktant… – gjymtyrë, zakonisht, e domosdoshme në fjali. Aktantët (plotësat) mund të jenë llojesh të ndryshme: emër në emërore; emër në kallëzore, emër në dhanore, rrallë emër në gjinore e rrjedhore, shumë rrallë ndajfolje.

shtesor (Angabe) – gjymtyrë fakultative.

sub- (subjekt), plotës në emërore

akk – (akuzativ), kundrinë e drejtë, plotës në kallëzore

dat – (dativ), kundrinë e zhdrejtë, plotës në dhanore

gen – (genitiv), plotës në gjinore

prp – (prepozitiv), plotës me parafjalë

abl – (ablativ) plotës në rrjedhore

dir – (direktiv) plotës drejtimi

Klitik – (nga greqishtja e vjetër: enklitikon ‚element që mbështetet…“) është koncept gjuhësor, njësia shënon një morfemë të patheksuar ose të theksuar dobët, që nuk e ka pavarësinë e fjalës, për këtë i duhet të mbështetet në një fjalë të theksuar fqinjë.

Rol semantik/tematik – Plotësave u imponohen ose u atribuohen në fjali role të caktuara, role, që ata nuk i kanë në natyrën e tyre, jashtë fjalive. Rolet semantike nuk kanë të bëjnë me referentët e realitetit objektiv. Engel i quan relatorë semantikë dhe nënkupton me ta kuptimin, që zhvillohet te plotësi gjatë kombinimit të përmbajtjes foljore me përmbajtjen e plotësave. (Engel, U.: Semantische Relatoren, Tübingen, 1996, f. 17). Numri dhe llojet e relatorëve semantikë ndryshojnë nga shkolla në shkollë, nga autori në autor. Një listë rolesh tematike do të ishte: vepruesi, pësuesi, pritësi, përjetuesi, stimuluesi, instrumenti, përfituesi. (Jacobs, J.: Kontra Valenz, Trier, 1994, f.53). Shembull: Eva e admiron Dorinën. Gjymtyra Eva është subjekt me rolin tematik përjetues; ndërsa Dorinën është plotës në kallëzore dhe bartës i rolit semantik stimulues.

 

Gramatika e foljes

Gramatika e foljes është bërthama e çdo gramatike. Qëndrimi sintaksor i foljes përcakton në mënyrë vendimtare strukturën e fjalisë. Një paraqitje e konstrukteve të mundshme të përcaktuara nga folja lidhet ngushtë me konceptin valencë. Koncepti dhe termi valencë, pothuaj në vlerën që ka sot, është sjellë në gjuhësi nga Tesniere (Tesniere, L.: Esquisse d’une Syntaxe strukturale, Paris, 1953). Në teorinë e tij ai dallon kategorinë e “aktantëve”, të kushtëzuar nga valenca foljore dhe “cirkonstans” (rrethanorë). Ndërsa “aktantët” janë të kufizuar në sasi, “cirkonstantët”/rrethanorët, megjithë varësinë e tyre nga folja, janë jo vetëm fakultativë, por dhe në sasi të pakufizuar. Që nga Tesniere kryefjala nuk e ka më rolin e gjymtyrës kryesore. Ajo, si të gjitha argumentet e tjera, është gjymtyrë e varur nga folja. Folja është drejtuesi superior, nga ajo varen të gjitha gjymtyrët e tjera. Gjymtarë, si nyja, mbiemrat etj. varen nga emrat, të cilët, vetë, varen nga foljet.

Format rasore për të cilat do të bëjmë fjalë janë plotësa (përkthim i termit gjermanisht Ergänzung) të foljes. Plotësat së bashku me foljen (qendrore) përbëjnë strukturën minimale të fjalisë që pasqyrohet në modelet ndërtimore. Strukturë minimale është ndërtimi folje + plotës/plotësa të domosdoshëm, që përbën një fjali të saktë gramatikisht (të kuptimshme). Me shtimin e shtesorëve kalohet në struktura maximale. Konceptet folje qendrore vs. folje në formë të pashtjelluar mund t’i shpjegojmë me një shembull: kemi punuar. Elementi kemi zgjedhohet normalisht, ndryshon në mënyrë, kohë vetë, numër. Me të kongruon subjekti i fjalisë. Elementi tjetër punuar është folja qendrore, boshti semantik i kompleksit foljor. Prandaj linguisti gjerman Hans – Werner Eroms del me konsideratën: subjekti është i varur gjithnjë nga folja ndihmëse (që ndryshon gjatë zgjedhimit); ndërsa plotësit e tjerë varen nga folja qendrore, që mbetet e pandryshuar, në pjesore; por që është bërthama semantike (dhe strukturore) e fjalisë (marrë nga : Ulrich Engel: Deutsche Grammatik, iudicium, 2004, f.93). Engel vetë e pasuron, duke e sofistikuar disi, këtë konsideratë. Gjithsesi ai shprehet se përfundimi i Eroms është i zbatueshëm përherë në rastet kur kompleksi foljor është njëgjymtyrësh: Kushëriri im Anton pret një pemë (po aty). Duke pranuar kongruencën e kryefjalës me foljen në formë të shtjelluar, Engel nënvizon dhe varësinë semantike të subjektit (dhe plotësave të tjerë) nga folja qendrore. P.sh.: folja pret kërkon një subjekt- njeri (hum), kërkon dhe një plotës në kallëzore: një pemë etj. Kështu mund të emetohet një përmbajtje, sado minimale. Kombinime të tjera: kushëriri im Anton pret ose pjesa: pret një pemë nuk mund të përdoren në ligjërim si komplekse të kuptimshme.

Praktikohen teste të ndryshme për të dalluar një gjymtyrë të domosdoshme nga një fakultative. Në shkrimet e mia të mëparshme unë kam pranuar testimin e Engel-it me anaforizim, mundësi e zëvendësimit të plotësave të detyrueshëm me anafora (përemra, ndajfolje). Në shkrimin e tanishëm kam praktikuar një testim sa intuitiv aq dhe dhe racional. Është fjala për vënien në provë të një konstrukti (testi i eliminimit): qëndron ai kuptimisht pa një gjymtyrë të caktuar apo jo. P.sh.: Ai takon…Ndërtimi duhet plotësuar me një plotës në kallëzore që fjalia të ketë një kuptim minimal, fillestar: Ai takon mësuesin. Sigurisht, në ligjërim nuk operohet vazhdimisht me struktura minimale kuptimore. Këto zgjerohen, zgjerohet secila gjymtyrë, sa shpesh nuk e shquan dot strukturën bazore kuptimore. Por kuptim minimal duhet të jetë atje, i pamungueshëm. Përndryshe biem në gabime gramatikore dhe disa të tilla e bëjnë tekstin të pakuptueshëm.

Hierarkia e rasave të pastra

Hierarkia e rasave ndërtohet duke u nisur nga lidhja e formës rasore me foljen që është qendra semantike – strukturore e fjalisë. Foljet vetëm nuk kanë referencë specifike, duhet plotësimi me elemente të tjera për të seleksionuar kuptimin e tyre, khs.: shkruan me Agimi shkruan një letër.

  • Emërorja: Lidhjen më të ngushtë me foljen në pikëpamje sintaksore e ka emërorja, jo se është subjekti që realizon veprimin e shprehur nga folja (në ndërtimet pësore është madje pësues: Agimi u vra në vitin 1943), por se kongruon me foljen, lidhet strukturalisht me foljen në formë të shtjelluar. Edhe në fjalitë me dy gjymtyrë në nominativ (emërore), që i referohen të njëjtit person/objekt të realitetit jashtëgjuhësor, me anë të kongruencës dallojmë emëroren – subjekt: Ne jemi brezi i sakrificave të mëdha. Ne është subjekti në emërore që kongruon me foljen jemi. Fjala tjetër në emërore brezi nuk shfaq kongruencë me jemi. Shprehur ndryshe – hierarkia rasore shpjegohet me valencën foljore. Zakonisht në fjalorin e gjuhëve të ndryshme numri më i madh i foljeve kërkojnë një formë rasore në emërore për të formuar një fjali gramatikore (të kuptimshme) me strukturë minimale. Kjo gjë ndodh edhe në gjuhën tonë. Ne kemi ndërtuar një listë që përmban 8044 folje. Përbri çdo foljeje shqip kemi vendosur përgjegjësen në gjuhën gjermane. Në rastin e këtij shkrimi nuk kemi qëllim kryesor krahasimin midis valencës foljore në shqip e gjermanisht. Por në disa raste do të merremi me krahasime, atje ku dukuritë janë të krahasueshme dhe krahasimi – domethënës. Sasia e konsiderueshme e foljeve të vjela në Fjalorin e Gjuhës Shqipe (Tiranë, 1984) të jep mundësinë e analizave dhe përfundimeve, gjithsesi, të arsyeshme. Foljet janë renditur alfabetisht (si në Fjalor). Në foljet, që fillojnë me gërmën a, kemi këtë pamje: të gjitha foljet e listuara kërkojnë një subjekt në emërore; foljet, që fillojnë me d, 86 të tilla në mbi 90% të rasteve hapin vend për një subjekt: edhe foljet, që fillojnë me f, 88 njësi, në shumicën dërrmuese të tyre kërkojnë një subjekt për të formuar një fjali minimale. Mund të vazhdonim me grupet e tjera të bindur që rezultati do të jetë i njëjtë. Veç nuk duhet menduar që çdo folje, si në shqip (dhe në gjermanisht), shoqërohet ose kërkon një subjekt. Në gjermanisht, p.sh. në gjuhën e sotme, janë rreth 35 folje që nuk pranojnë subjekt. (Shih për këtë: Engel, Ulrich: Deutsche Grammatik, iudicium (München), 2004, f. 94): Es hagelt. ‚Bie breshër‘; es regnet ‚bie shi‘; es zieht ‚bën korrent‘; es schneit ‚bie borë‘ etj. Edhe në gjuhën shqipe ka shumë folje që nuk marrin subjekt: bubullin, gjëmon, vetëtin, veson e shumë të tjera. Një grup jo i vogël foljesh nuk pranojnë subjekt, por nuk janë zerovalente: rastis, ndodh, qëllon, thuhet, flitet etj. Ekzistenca e fjalive pa subjekt është një argument në të mirë të mendimit se fjalia nuk përmban dy gjymtyrë kryesore, por një bërthamë foljore që plotësohet me gjymtyrë të tjera (të domosdoshme ose jo), ndër të cilat njëra mund të jetë subjekt.
  • Vendin e dytë pas emërores e zë kallëzorja. Në transformimin pasiv të një fjalie (me folje veprore) preket plotësi në kallëzore, që kthehet në subjekt, në rasën emërore: Era shkruan një letër Letra shkruhet nga Era. Dhanorja dhe gjinorja nuk preken: Ata analizuan një roman të Kadaresë Një roman i Kadaresë u analizua prej tyre. Nënës i tregojnë gjithçkaNënës i tregohet gjithçka. Etj. Po t’i kthehemi listës sonë me folje do të kishim: Në foljet e listuara në shkronjën a vetëm 10 folje (nga 81) nuk zhvillojnë valencë me një njësi në rasën kallëzore. Në shkronjën b gjendja është pothuaj e njëjtë. Dihet që numri i foljeve, që nuk pranojnë kundrinë të drejtë (në gjuhët akuzative), është tepër i vogël. Kjo flet për një sasi të madhe ndërtimesh me plotësa në kallëzore. Në listën e Engelit me modele fjalish, që përmbajnë krahas subjektit dhe një plotës në kallëzore, renditen 76 folje, përbri të cilave vendosen shembuj ilustrues (Engel, Ulrich: Deutsche Grammatik, München, 2004, f.107-108). Foljet e zgjedhura, siç thotë vetë prof. Engel, janë nxjerrë nga fjalorë valencorë dhe nga lista fjalësh që rekomandohen për ata që synojnë „Zertifikat Deutsch als Fremdsprache“(Certifikatë e gjermanishtes si gjuhë e huaj). Kjo flet për vlerën e lartë përdorimore të konstrukteve në fjalë. Plotësi në kallëzore i gjuhës shqipe shfaqet shpesh me një konstrukt sintaksor të përbërë nga një emër/përemër në rasën kallëzore dhe nga një trajtë e shkurtër përemërore para foljes (që ka rasën, numrin dhe vetën e fjalës në kallëzore që dublon): E lexova librin. Dje pashë para shtëpisë sime. Në shembullin e dytë gjymtyra ty mbetet jashtë fjalisë dhe përfaqësohet me trajtën e shkurtër të. Kur dublimi i plotësit në kallëzore është i detyrueshëm, trajta e shkurtër përemërore nuk duhet të mungojë. Dublimi, përsëritja e gjymtyrës në kallëzore, nuk ndodh kur folja dhe jo njësia në kallëzore bart theksin logjik të fjalisë/thënies: Dje lexova gjithë ditën. v.s.: Dje e lexova librin tënd. Në rastin e formave në dhanore ato dublohen gjithnjë: Era i ndihmon nënës.
  • Dhanorja Për modelin sub dat (emërore – dhanore) po paraqesim një sasi foljesh të nxjerra nga lista jonë, folje që përfshihen dhe në „Fjalorin e Gjuhës së Sotme „ (Tiranë, 1984). Foljet e rreshtuara më poshtë kërkojnë, krahas emërores, dhe një formë në dhanore për t’u plotësuar semantikisht dhe sintaksorisht. Të tilla nuk janë shumë, sidomos ndërtime të modelit sub dat janë në një sasi të kufizuar. Foljet në fjalë mund të jenë në formën veprore ose joveprore, kalimtare ose jo: afrohem, ankohem, besoj, bërtas, i bie (violinës), bindem, bëj bisht, çirrem, del nami, detyrohem, dredhoj, druhem, ngjitem, paraprij, përgjigjem, përgjunjem, përkas, përmbahem, pështirosem, prij, prish, qasem, qepem, rezistoj, rëndem, ruhem, rrëshqas, shërbej, shkas, shkruaj, shmangem, shtrohem (punës), telegrafoj, tregoj, trembem, them (ia them këngës), thërres, (i) var, vesh (ia veshi fytyrës)…Gjithsesi nuk mund të pretendojmë që lista është shteruese. Por mendimi që modeli sub dat nuk përdoret në ligjërim aq shpesh sa ai sub akk del evident në prezantimin tonë. Kështu dhanorja (edhe gjinorja) sipas kriterit tonë sintaksor klasifikues, llojit të lidhjes me foljen, ndryshe nga emërorja dhe kallëzorja, përbëjnë rasa periferike. „Por nga kjo nuk duhet të nxjerrim përfundime të gabuara në plan semantik“ (shih më tej: Helbig/ Buscha : Deutscha Grammatik, 1998, Leipzig, f. 286). Kështu nuk duhet menduar që dhanorja nuk është dhe aq e përhapur, aq e përdorshme në ligjërimet tona. Krahas dhanores që del e lidhur ngushtë me foljen, si plotës i vetëm, i domosdoshëm (deri tani kemi bërë fjalë për një dhanore të tillë), ka dhe një dhanore që lidhet me foljen si një plotës dytësor, herë i detyrueshëm, herë fakultativ. Në bashkëvajtje me plotësin në kallëzore (sub akk dat) dhanorja shfaqet në një numër të madh rastesh, sidomos pas foljeve jap, marr, them: thuaj një fjalë; trego ndodhinë; Nëna dhuroi dy libra; Ajo dha një mësim të mirë etj.. Në hierarkinë rasore dhanorja renditet e treta, pas emërores dhe kallëzores. Vlen të theksohet se përdorimi i domosdoshëm ose fakultativ i plotësave nuk kushtëzohet vetëm nga modeli ndërtimor, por dhe nga semantika e foljeve dhe e plotësave vetë. Gjithsesi studimi teorik i raportit i domosdoshëm vs. fakultativ kërkon kërkime të mëtejshme në plan gjuhësor shqiptar dhe më tej. Dhanorja merr pjesë dhe në ndërtime sub dat prp: Ajo tregonte për librin e saj. Nuk duhet harruar që në gjuhën tonë dhanorja ndodh të shfaqet vetëm me foljen, pa u shoqëruar nga gjymtyrë të tjera (siç ndodh dhe me kallëzoren në ndërtime si: ka vetëm një zgjidhje): dat: merren mendtë (grupi merren mendtë është folja e fjalisë). Dhanorja del dhe në modele: sub akk dat prp (prp në kuptimin plotës parafjalor): Shtëpia botuese i dha një çmim qesharak për librin. Një model tjetër, që përmban dhanore, do të ishte sub akk dat dir (dir shenjon plotës drejtimi): Ai i solli babait gazetën në zyrë). Si shtesor (jo argument/plotës) dhanorja përdoret në shumë ndërtime krahas kallëzores: Era mi solli librat. Përdoret dhe në struktura që përmbajnë një kallëzore që shënon pjesë të trupit ose veshje: I lava djalit flokët/xhaketën. Etj. Nuk po përmendim këtu dhanoret e lira (dhanore etike, commodi, incommodi etj.) që zakonisht nuk janë gjymtyrë të detyrueshme në fjali. Siç kemi thënë pak më sipër para çdo foljeje të gjuhës shqipe, që plotësohet me një formë në dhanore, qëndron gjithnjë një trajtë e shkurtër përemërore: Lilit nuk i fola. Kështu dhanorja realizon një gamë lidhjesh të ngushta , jo aq të ngushta ose të lira me foljen.
  • Gjinorja: Përsa i përket gjinores edhe ajo në pikëpamje sintaksore, sipas lidhjes, që ka me foljen, klasifikohet si rasë periferike (ndryshe nga emërorja dhe kallëzorja). (Shih për këtë dhe: Helbig/Buscha: Deutsche Grammatik, Langenscheidt, 1998, f. 286); (Beatrice Primus: Protorollen und Verbtyp… Semantische Rollen, Tübingen, 2004, f. 380). Autorja Beatrice Primus shprehet: „Da die Kasus verschiedener Sprache einheitlich benannt werden, kann man von der allgemeinen Hierarchie ausgehen: Nominativ..; Akkusativ…; Dativ…; andere Kasus…“ (Meqë rasat në gjuhë të ndryshme emërohen njësoj, mund të pranojmë/nisemi nga një hierarki e përgjithshme: Nom…; Akk…; Dativ…; anderer Kasus (rasa të tjera). Autorja madje nuk e përmend me emër gjinoren në shkallën hierarkike të ndërtuar prej saj. Edhe në gjuhën shqipe, si dhe në gjermanisht, gjinorja nuk shfaqet rëndom si plotës, si gjymtyrë e domosdoshme, në lidhje të ngushtë me foljen. Si në gramatikën e Akademisë së Shkencave (Tiranë, 2002), ashtu dhe në Gramatikën Shqiptare të Buchholz-Fiedler (Leipzig, 1987) gjenden pak shembuj me gjinore si plotësues të foljes. Te Buchholz – Fiedler përmenden ndërtime, si: Një sjellje e tillë nuk është e udhës; Kjo gravurë është e shekullit XV. Në rastin Vetura është e një shoku folja jam shfaqet me kuptimin „ i përkas“, kuptimi i katërt në listën e kuptimeve të foljes jam në „Fjalor-in e Shqipes së Sotme, Tiranë 1984, f. 462. Fjalitë e përmendura janë ndërtime me foljen – këpujë jam. Ka raste ku gjymtyra në gjinore duhet plotësuar me një fjali të varur: Edhe ai është i mendimit se ti gabon (f. 471). Në këto përdorime folja jam ka kuptimin mjaft abstrakt të ekzistencës së një karakteristike. Për këtë arsye funksioni i saj kryesor është të shprehë kallëzuesinë: mënyrën, kohën, vetën (shih për këtë: Gramatika e gjuhës shqipe, Tiranë, 2002, f. 189). Përveç foljes këpujë jam ka dhe pak folje të tjera (gjysmëkëpujore) që plotësohen nga një gjinore e zgjeruar me një fjali të varur, të detyrueshme : gjen/quan/sheh të udhës….
    Foljeve të gjuhës gjermane, që kërkojnë një plotës në gjinore, u përgjigjen në shqip folje të plotësuara me një gjymtyrë në kallëzore ose me një ndërtim parafjalor: Diese Menschen bedürfen der Hilfe. (‚Këta njerëz kërkojnë ndihmë/kanë nevojë për ndihmë‘).
    Në përdorime, si: Shoku im, përkundrazi, u bë (si)i shtëpisë … (marrë nga „Gramatika e Gjuhës Shqipe, II“, Tiranë 2002, f. 245), (folja bëhem përfshihet edhe në listën tonë) emri në rasën gjinore përfaqëson gjymtyrën e varur të një togfjalëshi emëror (njeri i shtëpisë) dhe përdoret në këtë funksion në sajë të kuptimit të tij mbiemëror.
    Nga gjithçka thamë për gjinoren, për shfaqjen e saj si plotësues i foljes (si argument foljor), mund të themi se ajo del si e tillë shumë rrallë (si në gjuhën shqipe ashtu dhe në atë gjermane). Në lidhjen folje + gjinore foljet përdoren (kryesisht) jo në kuptimet e tyre kryesore, por në kuptime të dyta, të treta…, në kuptime që ruajnë vetëm pak përbërës semantikë të kuptimit kryesor (kuptimit 1). Në rastin e shumësisë së kuptimeve të foljes, në rastin kur një kuptim i zinxhirit polisemik paraqet një semantikë disi të papërcaktuar, që duhet sqaruar me elemente të tjera gjuhësore (e shoh të udhës të grumbullohemi para shkollës), atëherë leximi është i veçantë për çdo rast. Kjo do të thotë që nuk krijohen modele si në rastin sub akk dat etj.: I dhuroj motrës lule. Sipas këtij modeli, edhe me folje të tjera, mund të krijohen shembuj pa fund. Konstrukti sub gen në gjuhën shqipe nuk përbën model (produktiv – jo që jo).
    Nuk mund të themi se folja jam kërkon, hap vend, për një plotës në gjinore (është i besës). (Gjinorja i besës si dhe në rastin u bë i shtëpisë përfaqëson gjymtyrën e varur të një togfjalëshi emëror: djalë i besës). Kjo provohet dhe me kthimin në një gjuhë tjetër, p.sh. në gjermanisht: Ai është i besës = Er ist treu = Ai është besnik. Në një fjalor valencash foljore, në pjesën e gjuhës gjermane, në artikullin sein „jam“ nuk jepet asnjë mundësi lidhjeje e foljes me një formë në gjinore, të gjashtë kuptimet foljore nuk ofrojnë valencë për ndërtime folje + gjinore. (Ulrich Engel- Miloje Djordjeviç: Wörterbuch zur Verbvalenz, Iudicium, 2009, f. 507, 508)
    Edhe foljet e tjera, të cituara në shembujt e mësipërm: shoh (të udhës); bëhem (i shtëpisë); gjen/quan/ (të udhës) në lista ose fjalorë valencash foljore nuk shfaqin ndonjë valencë, aftësi lidhëse me gjymtyrë në gjinore.
    Në kapitullin mbi „Genitivergänzung“ (plotësi në gjinore) Ulrich Engel shkruan: Ky plotës përdoret pas shumë pak foljesh, dhe kjo është arsyeja e thënies ogurzezë ‚vdekje e gjinores‘. Në disa përdorime gjinorja konkurrohet nga plotësa me parafjalë…Ka vetëm disa ndërtime (kryesisht nga fusha juridike) ku gjinorja gjëllin ende (e sigurtë). (Ulrich Engel: Deutsche Grammatik, iudicium, 2004, f. 98).
    Pyetjes: pse ka aq shumë forma në gjinore nëpër tekste llojesh të ndryshme, do t’i përgjigjeshim: Gjinorja e shqipes (dhe e shumë gjuhëve të tjera) kryen zakonisht funksionin sintaksor të atributit. Brenda këtij grupi dallohen: gjinore pronore: Makina e vëllait; gjinore pas subjektit: rëndësia e teorisë; gjinore pas kundrinës së drejtë: leximin e librit; gjinore e cilësisë: lulet e malit; gjinore e pjesës: gjysma e nxënësve; gjinore me parafjalë: për shkak të shiut… Etj.

Përdorimi pleonastik i trajtave të shkurtëra përemërore dhanore e kallëzore

Përdorimi i trajtës së shkurtër përemërore në rasën kallëzore nuk është gjithnjë i lidhur me ekzistencën në fjali të një emri a përemri në kallëzore:

Ia nisën këngës.

Ia kishin shtruar bisedës.

Ua mbathën këmbëve.

Ky përdorim pleonastik („i tepërt“) lidhet me përdorimin e disa leksemave foljore të kufizuara në numër që shfaqen në struktura me një emër në dhanore, si: arrij, dal, filloj, hipi, hyj, kapërcej, mbath, marr, nis, pëlcas, shtroj, them. (shih dhe: Buchholz,O;Fiedler, W.: Albanische Grammatik, Leipzig, 1987, f. 445). Në folje, si: arrij, hipi e ndonjë tjetër përdorimi i formës në kallëzore është fakultativ: i arriti qëllimit, i hipi kalit. Edhe numri i njësive, që realizojnë frazën emërore në dhanore është shumë i kufizuar (shih dhe shembujt). Ndërtime të tilla kanë shpesh karakter frazeologjik, kuptimi i përgjithshëm i grupit: folje + frazë emërore në dhanore nuk është shumë e kuptimeve të gjymtyrëve përbërëse.

Të dyja trajtat e shkurtëra (në dhanore e në kallëzore) mund të shfaqen në mënyrë pleonastike në fjalitë, që përmbajnë një folje e cila nuk kërkon si plotës as një gjymtyrë në rasën dhanore, as në rasën kallëzore, si: shpie, çoj, , mbaj, nis, pëlcas (në një formë të caktuar):

Si po ia çon?

Si ia shpini andej?

Ia mbajtën për në fshat.

Para se të kaloj në rasën tonë rrjedhore, do të ndalem në prezantimin e sistemit rasor të shqipes nga studiuesi i fushave morfologjike, Leonard Dauti. Ai, pasi vë re se në gjuhën shqipe është përgjithësuar një formë e përbashkët e markuar rasore për gjinoren, dhanoren pjesërisht dhe rrjedhoren, formë me të cilën ato shfaqen në realizimin e funksioneve përkatëse të tyre, zhvillon një qasje tjetër duke iu larguar trajtimit tradicional morfologjik të sistemit rasor të gjuhës sonë. Qasja e ndjekur ka krijuar mundësinë për një argumentim të ri dhe rikonfigurim të sistemi rasor. (Kjo më kujton “vdekjen e gjinores“ të Engelit. Por L. Dauti nuk e” dënon ende me vdekje” gjinoren). Ai konstaton kristalizimin e dy konstrukteve gramatikore: një konstrukt për gjinoren: emër + klitik + emër (libri i Agimit) dhe një konstrukt për dhanoren: klitik + folje + emër (i shkrova Agimit). „Në krahasim me simotrat ballkanike shqipja ka treguar një shkallë më të lartë abstragimi, duke e zëvendësuar kundërvënien rasore morfologjike me kundërvënie të karakterit morfosintaksor (Leonard Dauti- në konkluzionin e punimit „Rasa“). Ndoshta fakti, që gjinorja e shqipes bashkohet me foljen jo direkt por me ndërmjetësinë e një klitiku (në studimin e L. Dautit), ka sjellë një labërgim dhe një mosaprovim gjuhësor të lidhjes së ngushtë folje +gjinore. (?)

  • Rrjedhorja: Gjithnjë sipas kriterit tonë klasifikues, përcaktimit të gjymtyrëve në një strukturë minimale kuptimore të fjalisë, kushtëzuar nga valenca e foljes, do ta shikonim rrjedhoren tonë në shumë pak ndërtime ku ajo shfaqet si plotës (sidomos si gjymtyrë e domosdoshme). Në funksionin e një gjymtyre me kuptim kohor ose vendor rrjedhorja shfaqet zakonisht si një shtesor (gjymtyrë fakultative) i lirë; si çdo gjymtyrë e fjalisë, e domosdoshme ose fakultative edhe ajo varet nga folja, lidhet me foljen, kuptimin e së cilës plotëson. Ja një përdorim i rrjedhores si plotës vendi, i detyrueshëm: më ra shpatullave. Gjymtyra me kuptim shkakor e realizuar me rrjedhore del në një numër të kufizuar foljesh si përbërës i domosdoshëm i fjalisë: u shkulëm së qeshuri; plasa vape. Kjo mundësohet, sidomos, nga përdorimi i foljes me kuptim të figurshëm Në disa raste forma në rrjedhore është e detyrueshme sepse në konstruksione të tilla bashkimet folje + rrjedhore janë bërë frazeologjizma ose synojnë në këtë drejtim: hiqmu sysh, luan mendsh,
    Ashtu si dhe gjinorja funksionet më të shumta të rrjedhores së pastër (pa parafjalë) janë ato atributive. Rrjedhorja-atribut shpreh një sasi të madhe lidhjesh kuptimore, ku denotati i emrit-bërthamë karakterizohet, modifikohet më tej. Atributi (përcaktori) në rrjedhore mund të shenjojë:
    Agjent (Veprues): lëvizje trenash; thirrje fëmijësh
    Objekt: grumbullime materialesh, hapje shkollash
    Producent (Prodhues): autor veprash madhore; kompozitor këngësh lirike…Etj. Etj. Buchholz – Fiedler evidentojnë njëzet përdorime të tilla (Buchholz – Fiedler: Albanische Grammatik, Leipzig, 1987, f. 224-225), pa llogaritur përdorimin pas përemrave të llojit: çfarë zanati ka…
    Hierarkia, për të cilën bëhet fjalë në këtë shkrim, bazohet në lidhjen e formës së pastër rasore me foljen. Duke u nisur prej këtej rrjedh rendi i ndërtuar: nominativ – akkusativ- dativ- genitiv- ablativ (emërore-kallëzore-dhanore-rrjedhore). Ndërtimi i hierarkisë rasore mbështetur në teorinë e plotësave (argumente- gjymtyrë të domosdoshme të fjalisë) dhe në forcën e lidhjes së tyre me foljen ka një përparësi të padiskutueshme krahasuar me ndërtime të tjera hierarkike.

Hierarki dytësore

Në librin tonë „Albanisch – Fremdsprachengrammatik“ („Gramatikë e shqipes si gjuhë e huaj“, Oberhausen, 2019) kemi theksuar dhe njëherë se valencë manifestojnë dhe emrat, mbiemrat (sidomos ata prejfoljorë), përemrat etj. Lidhur me këtë ndërtohen hierarki të tjera. Emrat si bartës valence selektojnë, kërkojnë fjalë të tjera për të formuar fraza nominale. Në shumicën dërrmuese të rasteve plotësit e emrave janë fakultativë. Vetëm në pak raste mbushja e vendeve bosh është e detyrueshme: Kursi i euros lëkundet së tepërmi kohët e fundit. Lista e emrave me valencë origjinale, që manifestojnë veçori të forta lidhjeje, që nuk janë as prejfoljorë, as prejmbiemërorë, është tepër e kufizuar në fusha semantike dhe në ekzemplarë. Në gramatikën tonë ne kemi përmendur disa fusha semantike, kemi renditur dhe 24 njësi emërore: Shitësi ishte një djalë me kokë të vogël. Etj. Edhe mbiemrat, përemrat etj. shfaqen shpesh me satelitët e tyre. Duke bërë një vlerësim e një krahasim të raporteve valencore, që shfaqen te foljet dhe te gjymtyrë të tjera të fjalisë, si emrat, mbiemrat etj., përparësia në lidhjet valencore te foljet është krejt e dukshme. Hierarkinë e zhvilluar mbi bazën e valencës foljore studiuesit Helbig/Buscha e kanë quajtur primare. Hierarkitë, që ndërtohen duke u nisur nga valencat e gjymtyrëve të tjera – sekondare. (Helbig/Buscha: Deutsche Grammatik, Langenscheidt, 1998, f. 621). Kjo dukuri nuk është objekt i shkrimit tonë, siç nuk është objekt dhe hierarkia e roleve semantike që lidhet ngushtë me hierarkinë rasore.

Mbyllje: Hierarkia e rasave të shqipes mund të paraqitet me skemën e mëposhtme: emërore > kallëzore > dhanore > gjinore > rrjedhore. Lidhur ngushtë dhe në bashkëveprim me hierarkinë rasore qëndron ajo e roleve semantike (tematike). Folja e fjalisë cakton jo vetëm statusin leksikor dhe sintaksor të gjymtyrëve, të domosdoshme ose fakultative, por dhe rolin e tyre tematik: veprues, pësues, pritës… Në një shkrim tjetër do të merremi me prezantimin e hierarkisë së roleve semantike. Rëndësia e një tematike të tillë duket qartë edhe në një shembull të thjeshtë, por domethënës. Agjenti (vepruesi – rol tematik; subjekti në emërore) në një fjali me foljen ha: Era hëngri dardha pas shpine – kontrollon të gjithë veprimin, shkakton ndryshimin e një pjesëmarrësi tjetër në situatë (dardha), vepron autonom, realizon i ndërgjegjshëm një veprim. Në gjuhët akuzative (shqipja është e tillë) plotësi/argumenti me veçoritë e vepruesit jepet zakonisht me emërore, argumenti (plotësi) korrespondues me veçoritë e pësuesit realizohet me kallëzore etj. Gjymtyra pas shpine është fakultative, jo e domosdoshme gramatikisht, edhe pse në vështrim pragmatik mban një peshë të veçantë semantike – emocionale.

 

© 2023 Emine Sadiku. Të gjitha të drejtat janë të autores.

Kopertina: Photo by Alexander Grey on Unsplash.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin