(Shënime për romanin « Kohë astrale » të shkrimtarit Dritan Sulçebe)
nga Ilir Yzeiri
Janë dy autorë dhe dy romanet e tyre që më kanë tërhequr vëmendjen. Për të parin, për atë me titull « Balta », bëra një analizë te Peizazhet[1], për romanin « Kohë astrale » (Tiranë, Botimet Toena, 2022) të Dritan Sulçebe kam zhvilluar një intervistë në emisionin tim « ADN » të datës 20 korrik 2023. Megjithëse u përkasin dy entiteteve krijuese e formuese të ndryshme, këta dy autorë kanë disa të përbashkëta. I pari, Kristos Gezos ka lindur në Himarë dhe jeton në Greqi. Është rritur me kulturën e jetës së emigrantit të një lloji të veçantë. Ikur nga Shqipëria kur ishte vetëm 4 vjeç në vendin që prindërit e tij e quanin amë – Greqia, por aty u gjendën të huaj, sepse entiteti i emigrantit ishte më i fuqishëm sesa ai i prejardhjes. Grekët nuk mund t’i pranonin si të barabartë të ardhurit që ata i quanin veorioepirotë sepse për mentalitetin e tyre ata ishin disa të huaj me identitet etnik të turbullt, por të përfshirë në kategorinë e emigrantit që ishte më distancues. Historia nuk të bën të barabartë. Me këtë mënyrë arsyetimi ekzistencialist usheqehet romani i Gezos, « Balta ». Dritan Sulçebe është lindur në Tiranë, rrjedh nga familja e mjekëve të njohur Sulçebe, por ndjehet i huaj edhe ai në Tiranën e sotme. Edhe ai ka humbur identitetin dhe ndjehet si një emigrant jo vetëm në vendin e vet, por edhe në planet. Ndaj përfshin në rrëfim të gjitha narrativat nga ato të jetës së sotme deri te ato biblike e filozofike për të shpjeguar apokalipsin që ndodh në qytet.
Romani i Dritan Sulçebe « Kohë astrale » është një rrëfim për dramën ekzistenciale të njeriut në kohët moderne, më saktë një arsyetim mbi fatalitetin e tij. Ndërsa romani i Gezosit e shtjellon dramën e njeriut – që ndjehet i huaj edhe në tokën që ai mendon se është si balta e mëmëdheut -në formën e monologut të brendshëm dhe heroi zhvendoset e merr fatin e dhjetëra personazhesh fiktivë që enden në një qytet që të pakuptueshëm, në një qytet që i detyron të mbajnë varur në shpinë peshën e trishtë të kujtimeve nga vendi socialist, te Dritan Sulçebe ky ankth shkon deri në katastrofë dhe autori e ndërton rrëfimin jo si monolog të brendshëm, por si një rrëfim të jashtëm. Më duket se të dy kanë edhe të njëjtën moshë. Dhe heronjtë e të dyve duan të shkojnë deri në vetëvrasje. Ndërsa te Gezos mjeshtëria e rrëfimit ka ardhur nga analiza e imtë e gjendjeve më të koklavitura psikologjike, një lloj narrative që aktualizon nënvetëdijen, të Sulçebe rrëfimi mbështetet mbi atë që në narratologji quhet parimi i diegjezës. Personazhet janë të ndarë qartë dhe autori distancohet nga ngjarjet dhe i rrëfen ato përmes një narratori që shndërrohet në një instancë thënëse që përmban filozofinë, shkencën dhe historinë. Kjo instancë thënëse duket në roman si një dorë që drejton fatin e personazheve dhe i zhvendos ata në hapsirë e në kohë si të ishin algoritme, siç do të thoshte Harari. Romani hapet me një udhëtim në një ditë dimri në plazhin e Durrësit të personazhit kryesor, Gideonit, i cili, për shkak të disa dramave personale, ka vendosur t’i japë fund jetës. Nga plazhi përfundon në një lokal dhe pikërisht aty merret vesh që botës po i vjen fundi nga një sulm bërthamor dhe ai, së bashku me një grup personash të gjendur rastësisht në bar « Kandrra », hyjnë në një vendstrehim atomik. Kaq i ka mjaftuar autorit për të nisur më pas rrëfimin gjithë alegori për mbylljen, për fatalitetin e jetës, për vdekjen e njerëzimit. Secili nga personazhet shenjon një histori ose është një metaforë. Ndonëse të kujton Dekameronin, personazhet e mbyllur aty dhe përpjekja e tyre për të hapur një tunel që të shpëtojnë nga ankthi i izolimit e tejkalon filozofinë e meditimit dhe autori synon të rindërtojnë paradigmaet e jetës si kuptim i një fati të mëparshëm i shkruar më parë në një tekst biblik apo në kodin e judejve. Drita, Romina, prifti Lazër, Profesori, Luani dhe Gideoni që mbeten të izoluar në atë vendstrehim atomik rrëfejnë jetën e tyre duke u zhvendosur në kohë ose duke u bërë projektime të narratorit apo të asaj instance thënëse që përmenda në fillim. Romina nis rrëfimin e para dhe tregon se është pjesëtare e Tempullit të popujve, por gjatë narrativës së saj ajo zhvendoset sa në ishullin e Sazanit sa lart te profeti i së keqes Solomoni. Përzierja e regjistrave të rrëfimit dhe mbivendosja e ngjarjeve që e shoqërojnë atë, alternon historinë me filozofinë. Përmes digresioneve autoriale, tempulli i popujve dhe profeti i zi që çoi në vetëvrasje mbi 700 vetë (e vërteta historike) vijnë në formën e një rrëfimi për predikimet e personazhi quasi historik, Lusiusit. Ndërkaq, profesori filolog që ka mbetur në atë vendstrehim, Henrik Rada u tregon se është duke punuar për studimin e fundit mbi protopellazgjishten. Libri ka një zhdërvjelltësi në rrëfim dhe personazhet janë zëdhënës të teksteve apo narrativave teologjike e filozofike ashtu sikundër edhe paralelet e fataliteteve njerëzore me historinë e Shqipërisë dhe të Europës ilustrojnë më së miri alegorinë dhe satirën mbi të cilin është ngritur romani. Mallkimi dhe Djalli e çojnë autorin te kultura kristiane. Prifti Lazër rikujton engjëjt, teksa pasazhe si « Lutja e Papës » Leoni i XIII pas një vegimi të tmerrshëm ku toka u hap porsi një kokërr shege që nxirrte nga zemra e saj e molisur mijëra hordhi demonësh që ndillnin ngado luftëra, pleksen me të vërteta historike ashti si të ishin parathënie fati. Profesori dhe Lazri përplasin iluzionet për fatalitetin biblik me katastrofat nejrëzore si lufta e Dyte Botërore. Pastaj eksodi, Bibla apo ajo që Perëndia tha me gojën e Isait : « Pasi qiejt janë më lart se toka, ashtu edhe rrugët e mia janë më të larta se tuajat ». Pas kësaj Flutura kujton eksodin shqiptar, portin e Durrësit dhe ikjen në Itali. Ishte një lypës ai që kishte shkaktuar mallkimin mbi Fluturën dhe eksodin, një lypës që endet nëpër botë « duke vepruar kudo si një strumbullar aksidentesh, katastrofash natyrore, konfliktesh të përgjakshme apo edhe pandemish zezona » (f. 80-81). Këtu parimi i mimesisit në rrëfim është ruajtur në kuptimin që personazhet veprojnë në një vend imagjinar që ngjet me arealet ku e vendos fatin e tyre një ide ose një besim. Kolonia e Marsit e ngritur nga miliarderi Eduard Uang përzien bisedën e profesorit me priftin Lazër që po shpjegonte Lindjen, Njeriun, Diellin dhe Kishën dhe fantazia e narratorit e bën rrëfimin magjepsës kur ai e merr fjalën vetë dhe tregon se joshja nga fantashkenca ndodh kur një neomarsiane u kap nga kamerat teksa nisi të fliste krejt papritur në gjumë gjuhën antike të shumerëve ( f. 83). Në qoftë se në kapitujt e mëparshëm Flutura, prifti Lazër dhe profesori rrëfyen historitë e tyre, në kapitullin e katërt është një regjisor idealist, Azma, që udhëheq një revolucion të papritur kundër diktaturës së Monunit. Kaq mjafton dhe topika e diktaturës, e revolucionit apo e dhunës bëhen nxitje për inkursione në histori. Heroi dhe Eva që paraqiten këtu si të pleksur në subjekt shfaqen si një alegori e trishtë e luftës revolucionare jakobine për të fituar një vend përrallor si Haiti – ëndrra e çdo çifit sepse aty vendi po përjetonte një rilindje të vërtetë prej fesë së re të Lusius Solomonit. (Vini re ironinë !). Historitë e hunganëve vudu, Loa, Bondye janë vetëm disa thërmija nga kurioziteti historik i autorit. Kurse revolucioni francez, Mao Ce Duni, Mandela përmenden si dëshmitarë diktaturash. Azma nuk ka ndonjë referencë historike por tretja e tij në fund dhe sëmundja e pashërueshme kthehen në metaforë të një ideali që sjell vdekjen siç janë diktaturat. Saga e revolucionit të Azmës vijon edhe në kapitullin tjetër, por aty personazhi ynë merr forma të ndryshme. Ashtu i sëmurë ai të kujton Semyon Aleksein, një mistik që me lëvizjen fetare po trondiste atëbotë Rusinë mbarë. Ndërsa rikthimi i Rasputinit në tokë parashikohet si hakmarrje për atë që ndodhi në vitin 1916. Dom Lazri kujton Shën Agustinin dhe thënien e tij për mrekullitë derisa erdhi materializmi. Por Flutura ndërhyn në bisedë dhe kujton një episod me një shoqen e saj Zoin, e cila kishte arritur të sillte në jetë tejbotën ose pasvdekjen. Nami i saj kishte marrë dhenë dhe radhë të mëdha prisnin para apartamentit të saj të takoheshin me të vdekurit e tyre të dashur. Profesori e shtensionon situatën dhe sjell në mend një personazh nga bota e të marrëve, Fan Konin, i cili nga student i shkëlqyer i profesorit, të cilët së bashku kishin kryer hulumtime mbi traditën hebraike të kabalës për të gjetur domethënien e ndryrë në Bibël apo Torah, kishte përfunduar në një të çmendur shetitës. Pikërisht ky pasion e kishte nxjerrë atë mendsh, dhe dikush tha se e kishte parë me rroba gjithë zhele duke recituar tekste pa kuptim, si « papagalli kërkon kartën e palestrës, oqeani lëviz, shtëpitë e përmbysura nuk njohin zot ». (f. 133). Mes mistikës hebraike dhe ligjërimit të të marrëve mbyllet kapitulli për Azmën.
Kështu rrëfimi lëviz sa në ambientin brenda vendstrehimit antiatomik aq edhe në narrativat jashtë saj te ato që tregojnë jetën në qiell ose në pasvdekje, por ndodh që në bisedë futen edhe refleksione apo rindërtohen me parimin e diegjezës edhe histori shqiptare. Kanë kaluar njëzet e tre vjet dhe rrezatimi mbase është ulur. Si do të jetë bota pas-apokaliptike ? Nga një radio diku në një cep vijnë mesazhe rusisht. Ajo që ka ndodhur është hakmarrja e djallit sipas dom Lazrit, por edhe mesazh paqeje mund të jetë. Në bisedë e sipër fjala shkon të murgu i kuq, Lenini, te teoritë konspirative për Tempullin e popujve dhe dikush përmend Filip Marën. Këtu ndërhyn autori dha paranteza këtë radhë është nga historia e re e Shqipërisë që nis nga Lufta e Spanjës. Filip Mara që kishte provuar burgjet e diktaturës në ditarin e tij shkruante edhe për atë luftë. Të vjen ndërmend Petro Marko dhe libri i tij « Retë dhe gurët », autointervista e njohur, botuar në vitet ’90. Le Lynx, rrëqebulli kështu e kishte pseudonimin Filipi në fatin e të cilit ndoshta mund të shohësh edhe Mehmet Shehun një tjetër luftëtar të Spanjës dhe udhëheqës i diktaturës. Pastaj vijnë faqe të tëra për luftën dhe nazifashizmin. Në parantezat për Aushvicin autori duket sikur bie në një dehje magjike me personazhet historike që janë të shumtë dhe e bëjnë romanin një intertekst të larmishëm, ku rrëfimi përzien ngjarje e kohë me një lehtësi të madhe. Pastaj vjen Shqipëria e pasluftës , bomba në Ambasadën Sovjetike dhe vuajtjet në kampin e Sprisë (Spaçit). Filipi bëhet metonimia e gjithë paradokseve të krimit në diktaturë : në fillim revolucionar, pastaj edhe mbështetës i komunistëve, pastaj armik, burg e përjashtim. Të ngjet më shumë si një personazh i vizatuar nga Kafka. Kapitulli që pason është një udhëtim në filozofinë e jetës dhe ka vënë përballë dy entitete, Mesinë dhe Kaosin. Këtu lexuesi tërhiqet nga paraqitja me teknikën e videolojës të argumenteve nga më të sofistikuarat ; nga rrëfimet biblike të judenjve, te Murtaja e Zezë dhe gjithë klishetë e intepretimit filozofik. Lexuesi përjeton një çast magjinë e rrëfimeve biblike të aktualizuara në një realitet me personazhe që i kanë shpëtuar apokalipsit. Që aty rrëfimi zhvendoset në hulumtimin e nazistëve për të gjetur hebrenjtë me anë të investigimit tingullor. « Lubrifikantët socialë duke u përzier me entuziazmin e ndezur jakobin të asaj kohe ndryshimesh të mëdha injektonin një ndjenjë intimiteti… » f. 192. Zelanda e Re është shumë larg kaosit të raketave të pamëshirshme të Solomonit. « Nëse ne jemi shëmbëlltyrat e Zotit, atëherë ky i fundit do të ishte po aq destruktiv sa bijtë e tij dhe kjo do të shpjegonte tërmetet e kobshme, përmbytjet » (f. 195). Ndërkaq ka filluar puna për të hapur një galeri në mënyrë që të strehuarit aty të dalin jashtë. Ai vend që u shërbeu si mbrojtje, tani po u zë frymën. Nuk është vështirë të kuptohet alegoria e mbylljes dhe dëshira për liri.
Gjithë romani është mbushur me rrëfime të tilla. Secili nga personazhet është një kapitull i fantashkencës që përdor autori për të treguar përjetimet e një bote ku njeriu është në qendër të një apokalipsi idesh, në gropën e një kaosi të madh të cilin më së shumti e ka shkaktuar ai vetë dhe i mbështjellë nga një mori narrativash, teorish, klishesh dhe konceptesh aq sa vetja të duket si një algoritëm. Dritan Sulçebe, me këtë roman, ka arritur të ndërtojë një tekst në të cilin edhe ti si lexues ndihesh i përfshirë. Përmes një gjuhe alegorike dhe sidomos me ironinë që e shoqëron si tonalitet në rrëfim, autori të dërgon në viset më të largëta të narrativave dhe në honet e dijeve gjithfarësh, me qëllimin që të tregojë se ajo që njerëzit i kanë bërë vetes së tyre dhe të tjerëve po na kthehet sot si një feedback komunikativ, siç do të thoshte filozofi francez Edgar Morin. Si do të ishte bota pa Napoleonin, Stalinin, Neronin, Kaligulën, Pol Potin, Hitlerin, Çengiz Khanin apo Aleksandrin e Madh ? Pa dyshim më e paqtë, më e butë dhe më e mërzitshme » (f. 393), thotë autori diku nga fundi i romanit.
© 2023 Ilir Yzeiri. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
[1] BALTA SI METAFORË, Peizazhe të fjalës, 6 qershor 2023