Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filozofi / Histori

MBINJERIU, NJERIU GJADRI DHE SHQIPËRIA E MOTIT ‘30

nga Rei Hodo

Në kujtimet e Dr. Av. Lazër Radit (Shqipnia në vitet ’30, 2019), “ishte nji kohë kur lypsarët bulonin nga tana qoshet e rrugëve; ishte kjo periudhë kur malësori ynë detyrohej me ba rrugë pafund ndër shtigje malesh me mbrritë në qendrat e shpërndamjes së drithit , për pak kile misër, me pshtue qoftë edhe përkohësisht prej vdekjes.” Një pasqyrim i qartë, prej optikës së ftohtë të një juristi, ashtu sikurse i nevojitet vetë historisë, duke shprehur kësisoj edhe fjalët e Visar Zhitit në parathënien e librit në fjalë. Në po të njëjtin segment kohor, teksa hedh vështrimin mbi kolanën e juristit që më së shumti shijoi dënimin dhe internimin, si një zgjedhje jo fort e menduar gjatë, ndër duar do sillja “Letra grues seme të vdekun”, nga Ing. Gjovalin Gjadri.

Ashtu sikur na mëson edhe Descartes ndryshimi i opinioneve tona nuk vjen nga fakti se disa janë më të arsyeshëm se të tjerët por vetëm nga fakti se ne mendimet tona i dërgojmë nëpër rrugë të ndryshme. Atë ç’ka përfitova dhe mund të thithet prej kësaj vepre të veçantë dua ta parashtroj sa më poshtë duke e përvijuar në disa vështrime mbi disa momente kyçe.

Së pari, në vepër, dallohet qartë bashkërendimi i materies dhe i shpirtit, të udhëhequra këto nga një dialektikë e caktuar, e cila bën që t’i atribuojë fitoren herë njerës, herë tjetrës. Një lëvizje e tillë, thuajse e njëtrajtshme formëson poetin, duke e ngjizur atë prej humbellave të filozofisë së botës së mësipërme. Nga kjo, kuptohet më së miri edhe një karakteristikë e shpirtit: sa më shumë të shtypet dhe t’i merret fryma, aq më lart hidhet, aq më gjerë përhapet (A. Pipa, Skicë e një konceptimi për jetën, 2011). Në vepër, këtë mund ta perifrazojmë më së miri në sa vijon: “S’e kuptoj dot sesi fati mund të jetë kaq i pamëshirshëm, me i zhytë njerzit në mjerim siç na ka fundos ne” apo edhe “Asht e mnershme e dashun, me u zhuritë mallit për nji krijesë dhe me qenë i sigurt që kjo krijesë edhe pse të don nuk mund të kthehet ma mbrapa.” Nga kjo kuptojmë se ka plotësisht të drejtë të mallkojë vuajtjen ai që shtypet prej saj. Vuajtja, poshtë, të dërgon tek krimbi, lart, të ngjit tek hyjnia. Edhe pse i përgjigjen artit poetik, në rreshtat e Ing. Gjadrit jetësohet më së miri një ndër mësimet e Boileau-it se “në të gjithë pjesët e tua t’veprojë ndjenj’ e thellë, / që zemrën të rrëmojë, të nxis’ e ta këndellë.”

Së dyti, në vepër ngjizet edhe një tjetër betejë, ajo midis shkrimtarit e individit ndaj Zotit. Sikurse parashtrohet edhe në fjalën e përkthyesit, trauma formësoi shkrimtarin dhe individin. Rrjedhimisht, në hapësirën midis dy formësimeve qëndron hyji, i cili herë shihet si shpëtim dhe herë shihet si ai akuzuar/fajtor. Paraprakisht, më duhet të pranoj se gjatë qëmtimit të veprës kam besuar se i gjendur i paaftë për të luftuar pavetëdijen e prejardhjes së traumës, duke e pranuar a priori këtë paaftësi, me një ndërgjegje të dorëzuar, individi ka hequr dorë duke pranuar plotfuqinë e materies mbi shpirtin, të vdekjes mbi jetën. Nuk mund ta pranojë vdekjen ose mund të priret drejt kërkimit të pavdekësisë vetëm ai që beson fort apo i falet instiktit tepër të hollë intelektual. Ing. Gjadri, mbi të gjitha e konturon vetveten si vijon “… un jam nji vetmitar i frikshëm, për të cilin, mendimi, i çfarëdolloji qoftë ai, asht e vetmja pasuni që kam në fushën e ndjenjave.” Duke qenë i tillë, i mbrujtur me armën e racionalitetit. S’mund të ndodhë të mos e shohë dhe pranojë vdekjen si çast të nevojshëm për të rikthyer materien tek materia. Thënë ndryshe, për ta pranuar vdekjen si domosdoshmëri e ritmit jetësor, si domosdoshmëri e evolucionit. Ndoshta vetëm mistiku nuk mund t’i besojë vdekjes, por Njeriu Gjadri po dhe kjo sepse sentimentali zakonisht nuk arsyeton. Si e tillë, në raportin midis inteligjencës dhe ndienjës, inteligjenca, sa më e fortë të jetë, aq shumë do të vuajë ndienja.

Së treti, duke marrë si të mirëqenë parashtrimin XXXVI të Spinozës, priremi të dakordësohemi me fjalën e përkthyesit në hyrje të librit. “… Ai kërkon me gjetë të dashunën e tij dhe me vijues, në ribashkimin e individualiteteve të tyne, pafundsisht dashuninë që hovi jetëshues i vdekjes ka ndërpre.” Nga ana tjetër, filozofi na mëson se çdo gjë prej së cilës marrim kënaqësi dhe shndërrohet në shkak gëzimi, ai do të dëshirojë ta zotërojë atë se bashku më gjënë nga e cila pati marrë kënaqësi (B. Spinoza, Etika, 2015). Në vepër, kjo gjendet kudo. Një dëshirë që s’lyp nevojë të shpjegohet duke u copëzuar por duke u parë si një e tërë, dëshirë krejt e drejtë, duke buruar prej dashurisë me qëllim dashurinë.

Në fund, mistiku Ecchart duke se e përvijëzon më së miri Ing. Gjadrin. Duke dashuruar një njeri, Gjovalin Gjadri është dhe mbetet Njeri.

(c) 2023 Rei Hodo. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin