Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filozofi

PROGRESIZMI AMERIKAN SOT: LUFTË DHËMB PËR DHËMB NDAJ REALITETIT

nga Ernest Nasto

Në artikullin e kaluar rreth lëvizjes progresiste të fillimshekullit XX në Shtetet e Bashkuara, që mund të lexohet këtu (1), pamë se një arsye kryesore e suksesit të saj të jashtëzakonshëm ishte larmia e besimeve dhe pozicioneve brenda lëvizjes në fjalë. Koalicionet krijoheshin e ndryshonin vazhdimisht dhe pjesëmarrësit ishin sa aleatë aq edhe kundërshtarë në varësi të çështjes, por pa ja mohuar njeri-tjetrit kredencialet progresive.

Kjo shumëllojshmëri lidhej me faktin se objektivat ishin më së shumti praktike dhe ekonomike, pra synonin reforma për përmirësimin e kushteve konkrete të punës dhe jetesës brenda sistemit egzistues. Duhet theksuar gjithashtu se ajo ishte një lëvizje e zhvilluar në kushtet e modernizmit, dhe kishte disa besime të përbashkëta si tek shkenca, forca e arsyes dhe e logjikës së shëndoshe, tek optimizmi dhe tek progresi në përgjithësi. Në thelb ajo pohonte se realiteti mund të bëhej më i mirë për më shumë pjestarë të shoqërisë.

Mirëpo prej atëherë perceptimet tona për botën kanë ndryshuar, shpesh në mënyrë rrënjësore, dhe këtë e ka përjetuar edhe i ashtuquajturi progresizëm. Jemi kështu në prani të një lëvizjeje që vetëquhet progresiste e që pretendon të evokojë suksesin e një shekulli më parë, mirëpo që paraqet karakteristika krejt të kundërta. Arsyet për këtë janë të shumta, por le të ndalemi këtu shkurtimisht tek ato që kanë të bëjnë me bazën ideologjike të secilit progresizëm, si dhe me reagimin ndaj kompleksitetit të jetës së sotme.

Në një ndryshim të thellë nga e kaluara, lëvizja e ditëve tona, e frymëzuar kryesisht nga postmodernizmi, karakterizohet nga uniformiteti i theksuar, sepse baza e saj është ideologjike, dhe dihet se kur ideologjia bëhet primare ajo bie herët a vonë në kundërshtim me realitetin. Mirëpo nga ana tjetër ideologjia ka avantazhin e shpjegimit të thjeshtë e gjithëpërfshirës të dukurive të ndërlikuara, dhe duhet pranuar se realiteti i sotëm është padyshim tepër kompleks krahasuar me atë të një shekulli më parë. Për shumë njerëz shpjegime të tilla janë më tërheqëse se shpenzimi i kohës dhe energjive mendore për të vlerësuar në mënyrë kritike çdo situatë. Kjo bën të ndihemi po ashtu më të sigurt, veçanërisht në kohë të trazuara, megjithëse nga ana tjetër pakëson gatishmërinë për të njohur pikat tona të dobëta. Anashkalohet pra mundësia për të qenë vetë gabim dhe për të njohur meritat në këndvështrimet e të tjerëve.

Parapëlqimi i përgjigjeve të thjeshta, të ofruara nga ideologjia, ndërthuret edhe me një problem tjetër të procesit të njohjes në përgjithësi, që në psikologji quhet “paragjykimi i konfirmimit” (confirmation bias). Kjo nënkupton se në më të shumtën e rasteve ne priremi të shohim ato aspekte të realitetit që konfirmojne atë çka besojmë vetë, duke na përforcuar besimin se pikëpamja jonë është e drejtë. Një prirje e tillë është nxitur masivisht nga përhapja e madhe e mediave sociale, sepse sado gabim ta kemi, gjithmonë do të gjendet dikush në Facebook apo Twitter që të mendojë njësoj si ne, pavarësisht se faktet apo arsyeja e shëndoshë mund të çojnë në përfundim të kundërt. Këtu dëshmohet përsëri paradoksi se shumëfishimi i mediave e ka vështirësuar, dhe jo lehtësuar, informimin e saktë rreth realitetit.

Studimet tregojne se një sjellje e tillë është e zakonshme tek ata që identifikohen fort me një ideologji ose pikëpamje politike ortodokse, gjë që fatkeqësisht është mjaft e përhapur në diskursin e sotëm politik, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por edhe në vende të tjera (sigurisht edhe në Shqipëri). Krahu i kundërt politik, në këtë lloj mentaliteti, shihet fund e krye jo si kundërshtar, por si armik ekzistencial.

Të dy aspektet e mësipërme të procesit të njohjes duket se janë të bashkuara në ideologjinë e sotme progresiste, të mbështetur në teorinë kritike dhe me ndikime të forta të marksizmit. Kjo ideologji i sheh të gjitha marrëdhëniet shoqërore si shprehje dominimi, ku njera palë është kurdoherë “shtypëse”, ndërsa tjetra kurdoherë “e shtypur” (2). Në Shtetet e Bashkuara ajo njihet me termin woke që do të thotë të jesh vazhdimisht syhapur ndaj aspekteve të panumërta të kesaj shtypjeje të kudogjendur.

Sipas Pew Research Center e majta progresiste cilësohet si kryesisht e racës së bardhë, me arsim të lartë dhe me bindje tepër liberale. Shumica e tyre thonë se “institucionet amerikane duhet të rindërtohen plotësisht për shkak të ekzistencës së paragjykimeve racore” (3) dhe fjala kyçe këtu është plotësisht. Në analizat e realitetit sipas këtij grupi s’ka vend për nuancë dhe ekuilibër: çdo gjykim duhet të jetë i mirë ose i keq, pa asnjë hapësirë për koncepte alternative. Një analize e tillë dritëshkurtër kuptohet që është e mangët, por nga ana tjetër të lejon heqjen e përgjegjësisë nga vetja dhe nga pjesëtarët e simpatizantët e grupit tënd (më saktë llogores tënde). Prandaj faji gjendet gjithmonë diku tjetër: tek “supremacia e bardhë”, tek “patriarkalizmi”, tek “kolonializmi e neokolonializmi”, etj. Mirëpo kjo s’përputhet fare me realitetin e jetës së përditshme, ku shumica e rrethanave s’janë “bardhë e zi”, dhe kështu progresistët tanë kanë zgjedhur më mirë ta sfidojnë këtë realitet se sa të reflektojnë e të ndryshojnë sadopak pikëpamjet e tyre.

Në fakt pikëpamjet radikale s’përbëjnë tipar eksluziv të së majtës progresiste ekstreme, sepse edhe e djathta ka pjesën e vet të radikalëve. Ndër ta janë sidomos mbështetësit e teorisë për “zgjedhjet e vjedhura” të vitit 2020 (kryesisht përkrahës të Donald Trump), besimtarët e teorive konspirative të tipit QAnon, etj. Fajtorët e tyre për çdo situatë janë “elitat pedofile e sataniste”, “globalizmi”, “forumi i Davosit”, “Bilderbergu”, etj. Megjithatë në këtë shkrim po përqendrohemi tek e majta, sepse është ajo që pretendon sot, siç ka bërë edhe në të kaluarën, të çojë përpara historinë e të përsërisë suksesin e progresizmit të dikurshëm.

Duhet pasur gjithashtu parasysh se nëse krahu i djathtë shprehet të paktën për një numër të vërtetash dhe vlerash themelore që kanë qenë baza e suksesit të deritanishëm të sistemit Perëndimor, e majta progresiste mbështetet siç thamë tek postmodernizmi dhe tek teoria kritike, të cilat i mohojnë ato të vërteta e vlera. Një bazë e tillë ideologjike sëbashku me të dy prirjet e lartpërmendura në procesin e përballjes me kompleksitetin e jetës së sotme, kanë bërë që progresizmi i ditëve tona të shkëputet me shpejtësi nga realiteti.

Vetëm një shkëputje e tillë mund të shpjegojë shembujt e panumërt të protestave të studentëve progresistë në universitete ndaj të ftuarve me bindje sadopak të ndryshme, gjë që nuk ndodh pothuaj kurrë në rastin e kundërt, nga studentët konservatorë. Kjo sepse sipas bazave filozofike të progresizmit fjala dhe gjuha krijojnë realitet, prej ku edhe prirja për ta kufizuar lirinë  e shprehjes, sepse fjala në fund të fundit përbën dhunë. Kur ky realitet i vetë-krijuar sfidohet nga të tjerët me interpretime të ndryshme të fakteve, progresistët kanë prirje jo të arsyetojnë e të debatojnë, por të revoltohen e të përgjigjen me inat, me akuza, me kërkesa për “fshirje” të fajtorit nga mediat sociale, etj. Kemi të bëjmë këtu me shprehje të ankthit të tyre ekzistencial dhe të jetesës në realitet imagjinar, sepse një person emocionalisht i balancuar, i përkushtuar ndaj një ideologjie politike, s’ka pse të ndiejë nevojën për të mbrojtur pikëpamjet e veta me reagime të tilla, duke tëhuajzuar ata që s’pajtohen me të. Nëse jemi pra të sigurt në vlerat dhe besimet tona thelbësore, përse dikush tjetër duhet të përbëjë kërcënim për botëkuptimin tonë?

Kështu një aspekt kryesor i refuzimit të realitetit nga ana e progresistëve amerikanë janë marrëdhëniet ndërmjet racave. Kjo sepse nëse ideologjia të kërkon të jesh pro “të shtypurve”, ku një grup me rëndësi është popullsia me ngjyrë, atëherë për të gjitha problemet e saj duhet fajësuar vetëm e vetëm “supremacia e bardhë” ose, më gjerë, raca e bardhë. E vërteta është se pakica zezake vazhdon të jetë mjaft prapa në të gjithë treguesit ekonomikë në krahasim me grupet e tjera të popullsisë, sepse s’mund të pritet që pasojat e shtypjes së dhunshme 300 e ca vjeçare të zhduken tërësisht në 60 vite ndryshimesh të mundimshme qysh prej kalimit të ligjit të të Drejtave Civile më 1964. Ndërkaq ideologjia që po analizojmë i udhëzon ithtarët e saj të mos e shohin realitetin dhe të pretendojnë se Amerika e sotme s’ka ndryshime rrënjësore nga e kaluara relativisht e afërt, duke mohuar kësisoj të gjitha përparimet. Ajo kërkon po ashtu që çdo aspekt i kulturës zezake të jetë jashtë qerthullit të kritikave të mundshme dhe që kritikuesit të ndëshkohen me linçim (kuptohet figurativ) të menjëhershëm. Në vend që kërkesat për drejtësi në këtë fushë të konsiderohen pjesë e kërkesës për drejtësi në të gjithë shoqërinë, pra si mbrojtje e vlerave të përbashkëta të domosdoshme për suksesin e shoqërisë në fjalë, ato formulohen si çështje ekskluzive të pakicave me ngjyrë, ku të bardhët mund të jenë vetëm aleatë dhe kurrë bashkëluftëtarë.

Vetëm një refuzim i tillë i realitetit mund të shpjegojë p.sh. faktin që nëse një person i paarmatosur vritet nga policia, ngjarja përbën lajm vetëm kur viktima është me ngjyrë dhe polici i bardhë, dhe në asnjë rast tjetër. Apo përse mjafton një vrasje, sado e padrejtë dhe mizore, e tipit të mësipërm (si ajo e George Floyd para 3 vjetësh) që vendi të përfshihet nga protesta masive e shpesh të dhunshme, ndërsa vrasjet e përditshme brenda komunitetit me ngjyrë kalohen në heshtje. Vallë ato “jetë të zeza” s’kanë ndonjë rëndësi?(4)

Vetëm shkëputja e plotë nga realiteti i mundëson një profesoreje me ngjyrë në Hunter College në New York të pretendojë se u pushua nga puna sepse ishte “femër dhe zezake”, kur arsyeja reale ishte sjellja e saj prej rrugaçeje ndaj një grupi studentësh konservatorë, dhe më pas kërcënimi me thikë në grykë ndaj reporterit të New York Post që kish shkuar ta intervistonte(5).

Vetëm refuzimi i vendosur i realitetit shpjegon se përse personalitetet zezake që kritikojnë disa aspekte negative të kulturës së tyre, si p.sh. muzikën rap (6) konsiderohen menjëherë si të shitur tek supremacia e bardhë, si në rastin e gazetarit të njohur Juan Williams (7). E njëjta gjë ndodh me kritikuesit e lindjeve jashtë martese, një arsye themelore e provuar statistikisht e numrit të madh të familjeve pa baballarë në popullsinë zezake, që çon në prapambetjen e fëmijëve në shkollë e pastaj në rënien në varfëri.

Vetëm shkëputja e plotë nga realiteti mund të shpjegojë se përse krahu politik që trumbeton me të madhe parimet progresiste të diversitetit dhe ankohet për shtypjen e kudondodhur prej “pleqve të bardhë” (white old men), refuzon të thotë ndonjë fjalë pozitive tashti kur ndër kandidatët republikanë për president ka të rinj, femra dhe zezakë (8).

Nga refuzimi i realitetit vjen pastaj edhe përdorimi masiv i parullave të gatshme e i “gjuhës së drunjtë”, ku për çdo problem fajësohet, siç e përmendëm, vetëm “racizmi sistemik”, “supremacia e bardhë” apo “mediat e djathta” dhe asnjëherë personi konkret. Kjo gjuhë na kujton doemos ne shqiptarëve që kemi përjetuar vitet e komunizmit, propagandën partiake të fajësimit të “armikut” apo “rrethimit e bllokadës imperialisto-revizioniste” për çdo aspekt negativ të jetës, deri edhe për mungesën e perimeve në dyqan.

Një grup tjetër “të shtypurish” të cilët s’mund të kritikohen kurrsesi janë edhe personat transgjinorë. Përkushtimi ndaj këtyre të fundit i ka çuar progresistët të luftojnë realitetin me pohime të tilla absurde si “burrat mund të mbeten shtatzënë” apo me ngurrimin e zyrtarëve të lartë për të përkufizuar fjalën “grua”.

Edhe në këtë aspekt vetëm anti-realiteti mund të bëjë që fëmijëve t’u njihet e drejta për t’u ndjerë transgjinorë e për të bërë gjymtime të pakthyeshme mbi trupin e tyre qysh në moshë fare të re, megjithëse për të ngarë makinën u duhet të presin të mbushin 16 vjeç, si edhe 18 vjeç për të votuar dhe 21 vjeç për të konsumuar alkool në publik. Apo që shkolla të mos kërkojë miratimin e prindërve nëse nxënësi dëshiron të ndërrojë gjininë, me emrat dhe përemrat përkatës, por së njëjtës shkollë t’i ndalohet rreptësisht t’i japë nxënësit një tabletë paracetamoli pa atë miratim.

Vetëm anti-realiteti mund të shpjegojë se përse një mësuese në një shkollë vajzash në Angli u detyrua t’u kërkojë falje publike nxënëseve të saj ngaqë e filloi mësimin me përshëndetjen “Mirëdita vajza!”, apo përse një profesore, madje me bindje të majta, në Universitetin e Alberta-s në Kanada humbi punën sepse kish deklaruar se “burrat nuk menstruojnë” dhe se “seksi biologjik është real” (9).

Vetëm anti-realiteti mund të bëjë që një pastor i njohur në Shqipëri (10) të kalojë nëpër procese të gjata gjyqësore sepse u shpreh se s’ka dehumanizim më të madh se zëvendësimi i fjalëve për prindët (baba dhe nënë) me numra si prindi 1 dhe prindi 2.

Nga të gjitha këto duket se progresistët e sotëm kanë pushuar së qeni në favor të lirisë për të gjithë dhe po kalojnë gjithmonë e më tepër në sferën e detyrimit: ata dëshirojnë që jo vetëm ata vetë, por edhe çdokush tjetër të miratojë, madje me entuziazëm, realitetin e tyre imagjinar, prej ku edhe kufizimet e imponuara ndaj lirisë së fjalës.

Këtu duhet theksuar përsëri se në lidhje me të dy grupet e lartpërmendura çështja s’është se problemet e ngritura nga progresistët s’egzistojnë, por tek prirja e këtyre për të parë vetëm probleme e për të hedhur poshtë çdo arritje të deritanishme. Kjo përputhet me prirjen e fajësimit të sistemit në tërësi, për të mos i pranuar këtij asnjë anë pozitive, prej ku edhe synimi për përmbysje, pavarësisht se nuk ofrohet asnjë alternativë se me çfarë mund të zëvendësohet.

Në ndryshim pra nga progresizmi i vjetër, që ishte pragmatist sepse kërkonte ta përmirësonte realitetin e përditshëm të masave të varfra, ideologët dhe veprimtarët e sotëm s’duket ta kenë fare një shqetësim të tillë. Zor se mund të thuhet që heqja nga puna apo turpërimi i një “fajtori” në Twitter, pra shkatërrimi i karrierës së dikujt për shkak të shkeljes së rregullave ideologjike, të rezultojë në përmirësimin e jetës së veprimtarëve të revoltuar nga ajo shkelje. Apo se heqja e statujave të Kolombit, Churchill-it, madje edhe Lincoln-it ka patur ndonjë efekt pozitiv në jetën e përditshme të turmave që i rrëzuan ato, përveç shfryrjes së dufit. Edhe njëherë, motoja progresiste duket se është jo përmirësimi i realitetit, por luftimi i tij dhëmb për dhëmb.

E më në fund, nëse progresizmi i djeshëm përshkohej nga fryma optimiste, nga besimi se sistemi mund të rregullohej e të përmirësohej, siç edhe ndodhi vërtet, ky i sotmi përshkohet fund e krye nga cinizmi, negativizmi, nga ankimet pa fund për “shtypjen” dhe për “mikroagresionet”, nga etja për të treguar me gisht fajtorët, por më së shumti “fajtorët”. Viktimizimi është ngjitur sot në piedestalin simbolik të statujave të rrëzuara, dhe ironia qendron në atë se në sa më shumë grupe të shtypura të bësh pjesë, aq më lart vendosesh në atë piedestal, aq më i moralshëm dhe kompetent konsiderohesh për të ofruar zgjidhje të problemeve të shoqërisë.

Për këto arsye bëhet e vështirë ta quash progresizmin e sotëm si vërtet të tillë, pavarësisht nga emri: me idetë e gabuara që përhap, me hutimin dhe ngatërresat karakteristike, me gjuhën e drunjtë dhe me kundërvënien e vendosur ndaj realitetit ai s’është veçse një regres i sigurt. Vetëm rezistenca e bazuar në vlerat tradicionale, me gjak të ftohtë e me debat të hapur është mënyra për ta shpëtuar prej tij demokracinë amerikane dhe, më gjerë, krejt sistemin perëndimor.

(c) 2023 Ernest Nasto. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


(1) https://peizazhe.com/2023/06/13/progresizmi-amerikan-dje-shumellojshmeri-idesh-e-besimesh/

(2) http://www.panorama.com.al/mbi-origjinen-e-levizjes-se-sotme-majtiste-ne-shtetet-e-bashkuara/

(3) https://www.pewresearch.org/politics/2021/11/09/progressive-left/

(4) https://peizazhe.com/2020/10/01/polarizimi-politik-permes-blm/

(5) https://www.usatoday.com/story/news/nation/2023/05/25/hunter-college-professor-shellyne-rodriguez-new-york-post/70255596007/

(6) tekstet rap janë të njohura për gjuhën e ulët e denigruese ndaj femrave, të mbushur me pornografi, drogë, glorifikim të dhunës e të sjelljes prej gangsteri, etj.

(7) https://www.foxnews.com/opinion/rap-drill-music-america-racial-problem-juan-williams

(8) kështu Ron DeSantis është 44 vjeç, Nikki Haley është grua 51 vjeçare me prejardhje indiane, dhe biznesmeni Vivek Ramaswamy ka të njëjtën prejardhje dhe është vetëm 37 vjeç, në një kohë kur presidenti demokrat Biden kërkon një mandat të dytë në moshën 80 vjeçare.

(9) https://nationalpost.com/news/university-of-alberta-loses-admin-role-over-views-on-gender

(10) https://radio-7.net/pastor-akil-pano-fiton-gjyqin-ndaj-komisionerit/

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading