nga Edon Qesari
Media të ndryshme kanë shpërndarë disa të dhëna, të shqyrtueshme në vazhdën e provimeve të përvitshme të maturës, të cilat tregojnë se adoleshentët shqiptarë kanë rezultate më të larta dhe cilësore në gjuhën angleze sesa në shqipe. Në mos paradoksale, për një shkollë që pretendon të jetë kombëtare, këto të dhëna janë njëfarësoj kundërthënëse.
Megjithatë, duke i lexuar thjesht si vlera sasiore, duke qenë se janë shpërndarë en gros, unë do t’iu jepja disa shpjegime – të cilat duke mos qenë, unë, ekspert i fushës por arsimtar me kohë të plotë në ciklin e lartë, nuk janë rrjedhojë e ndonjë përpunimi profesional por vetëm të mbështetura në përftime personale.
1. Arritjet më të larta në lëndën e gjuhës angleze, krahasuar me ato të shqipes, nuk janë tregues i cilësisë më të lartë të zhvillimit të të parës përkundër të dytës. Nxënësit nuk është se shkëlqejnë në cilësinë e anglishtes, ata thjesht e kanë më të lehtë të shprehen nëpërmjet saj se shqipes;
2. është e njëjta shtresë mësuesish që ua ligjeron, të dyja lëndët, e përvoja më thotë se njohuritë e nxënësve nuk diktohen nga lëndët përkatëse por nga praktika që ata gjejnë apo ia gjendet dorazi jashtë sferës mësimore;
3. çka do të thotë se, së pari, anglishtja më e mirë e nxënësve, krahasuar me shqipen, i kushtohet jo shkollës – dyshoj se anglishtja që ata dëgjojnë nga mësuesit e tyre, të mirë apo jo qofshin këta në punën e tyre, është kaq ftuese për ata veshë të njomë – por një game të tërë aktivitetesh të cilat pak kanë të bëjnë me librat dhe aspektet e zhvillimit gjuhësor: më së shumti është anglishte e rrjetit dhe e mediave masive;
4. që më shpie në përfundimin se, pavarësisht dukjes që na bën të mendojmë se të rinjtë njohin më mirë anglishten se shqipen, nuk do të thotë se janë më të aftë të lexojnë, fjala bie, Dickens-in se Kadarenë në gjuhët përkatëse;
5. në të vërtetë, pikërisht përftimi i një gjuhe e cila gjykohet si lingua franca e rrjetit (një lloj international and simple English), në krahasim me një gjuhë, si shqipja, e cila në rrjet është jashtëzakonisht e kufizuar dhe kufizuese, na jep shpjegim të qartë mbi përmasat virtuale dhe informative (si kundërpeshë ndaj atyre reale dhe diturore) të anglishtes së nxënësve;
6. më shumë se anglisht, ajo që has të dëgjoj më shpesh nga adoleshentët e rrjetit dhe që përcillet në të folurën e tyre të përditshme, është një amerikançe e cila përzien slang-un me strukturën e një shqipeje bruto[1].
Arsye të cilat më shtyjnë të mendoj se arsimi në Shqipëri, pos vështirësive që has si pasojë e globalizmit (në kuptimin më të gjerë të fjalës, e ky nuk është vetëm një problem i këtushëm), vuan edhe për shkak të një ngërçi si dhe të një mangësie:
Ngërçi ka të bëjë me telefonin e prishur që ekziston mes gjuhës që mësohet në shkolla dhe zhvillimeve gjuhësore në shoqëri. Dhe kur flas për gjuhë, nuk e kam fjalën vetëm me aparatin gramatikor apo sintaksor që lë përherë përshtypjen e të qenit shkaktar klaustrofobie. Mjafton t’iu hedhim një sy temave të eseve/hartimeve që iu jepen nxënësve, të cilat rrëshqasin shumë shpesh në kufijtë e qesharakes, për t’u bindur se shkolla shqiptare, e veçanërisht mësimi i gjuhës shqipe brenda mureve të saj, është një pocaqi që vështirë se mund të korrigjohet: nyjet e saj me realitetin dhe me zhvillimet e këtij të fundit janë, në mos të mangëta, për faqe të zezë në gjendjen e tyre aktuale.
Gjendje e cila nuk është krijuar, siç mund të mendohet, pasi pedagogjia e gjuhës parapëlqen të vjetrën dhe nuk i qaset risive; se ka mbetur peng i një traditë tepër të rrënjosur, e cila refuzon të njohë ndryshimin e lëkurës së vet.
Përkundrazi, kam bindjen se ndodh pikërisht për të kundërtën, e këtu shoh një mangësi të theksuar historike, duke e vënë në krahasim edhe me sisteme arsimore nga vende (Italia, Gjermania, Greqia) të cilët shpesh gjykohen si objekt frymëzimi për shumë aspekte të shoqërisë shqiptare.
Shkollat shqipe – e tanishmja, e djeshmja (do guxoja të shtoja edhe të pardjeshmen) – kanë qenë gjithnjë deficitare në atë çka përbën, sipas meje, trungun e një didaktike të shëndoshë dhe të aftë për t’iu përshtatur dinamikave shoqërore: ergo, studimin dhe vetë praninë e dijeve klasike (filologji latine dhe greke, mbi të gjitha, por edhe filozofi dhe letërsi antike), sidomos në ciklin e mesëm, të cilat, nëse i hedhim sot një vështrim panoramikës së gjerë të sistemeve arsimore, përbëjnë “gardianin” e vërtetë të atyre shkollave që, pavarësisht se me vështirësi, sot i ruhen tundimit për të përfunduar në asgjë më shumë se një internet-kafe.
Jam i vetëdijshëm se kjo pikë e fundit lyp trajtesë më vete, e cila nuk mund të marrë shkas vetëm nga aktualiteti. Dijet klasike, aq më tepër në lëmin gjuhësor, nuk po jetojnë ditët e tyre më të mira, as në sisteme të cilat, më herët, i shpallnin ato si filtra për katarsisin kulturor dhe mbarështimin etik të njeriut[2]. Porse, më duket e rëndësishme, që kjo mangësi të vihet në dukje, sidomos në aspektin e vet historik: duke mos pasur një traditë në studimin e dijeve klasike, kanë munguar gjithnjë aftësitë didaktike për të hapur dhe shtresëzuar themelet e njohurive gjuhësore, duke i lënë mangut nocioneve dhe vetë praktikës së gjuhës njëfarësoj “palestre” mendore për ta mësuar dhe zhvilluar të folurën.
Nuk është dhe aq çështja te leximi i Eneidës në origjinal, sesa tek ushtrimi – në mosha të gatshme për ta kryer atë ushtrim – i mundësive retorike dhe logjike që mund ta ofrojnë ato dije.
[1] Ky shkrim, para se të hidhej për Peizazhe të fjalës, korri edhe disa komente ndriçuese në Facebook. Mes tyre, atë të Rei Balës më duket e nevojshme ta përmend. Më shkruan Bala: “Krahas të gjitha shpjegimeve, qëndron edhe fakti se provimi i anglishtes është i nivelit B1, ndërkohë që ai i gjuhës shqipes i një niveli më të lartë, të papërcaktuar. Pra le të themi se në të parin mjafton njohuria e zgjedhimit të foljeve në Present dhe Past Simple, ndërsa te i dyti njohuria mbi epanastrofenë, anaforën, diatezën, drejtshkrimin, Iliadën, Shokun Zylo e të tjerë, e të tjerë, e të tjerë.”
[2] Kohë më parë, kam shkruar, këtu, diçka për këtë temë
(© 2023 Edon Qesari. Të gjitha të drejtat janë të autorit.