Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

TITRIM PËR ÇËSHTJE DIVERSITETI SOCIAL?

nga Lumnije Jusufi (HU Berlin)

Titrimi i serialit kosovar „Rrushe“ nga Top-Channel në Shqipëri ka nxitur diskutime të shumta dhe të ashpra nëpër mediet sociale. Dhe fakti që „Koha” raporton dy ditë rresht për këtë, tregon se çështja është e komplikuar.

Pse?

Aktori i serialit Shkumbin Istrefi, dhe një ditë më vonë edhe producentja Doresa Rexha kanë thënë gati njëzëri për „Koha“, se kjo bëhet për „personat që nuk mund të dëgjojnë ose kanë dëgjim të dëmtuar“. Gjithnjë ekziston mundësia teknike për ndezje apo fikje të këtij funksioni në televizor, sipas nevojës. Por këtë nuk e kemi dëgjuar deri më tani as nga Top Channel as nga personat e stafit të serialit.

Titrimi për shkaqe dialektore është në televizion mjaft i përhapur. Në Gjermani kjo ndodh nëpër kanale të Gjermanisë jugore, si BR apo SWR. Këtë fenomen e shoh disa herë edhe në kanalet televizive në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut, ku shumica e të folmeve shqipe i përkasin një grupi të gegënishtes (qendrore), i cili dallon shumë nga standardi, por edhe nga të folmet e tjera gege, sidomos për shkak të diftongimit të zanoreve të larta (i, y dhe u).

Pra të dy rastet apo ndoshta sqarimet do ta bënin televizionin shqiptar në të gjitha vendet shumë të larmishëm dhe tolerant. Në aspekt artistik kjo metodë mund të bëhet e diskutueshme dhe e mërzitshme, nëse e zbatonim gjithmonë në televizion, pa pasur mundësinë e fikjes së titrave. Unë kur kam titra të përkthimit, nuk i heq dot sytë nga ata, edhe pse e ndoshta e flas pak ose mirë gjuhën e origjinalit të filmit.

Ku qëndron problemi i titrimit të serialit të përmendur? Titrimi për çështje diversiteti ndjek metodën e transliterimit, d.m.th. të të shkruarit e gjuhës që flitet në ekran. Dhe me këtë ide janë krijuar metoda të ndryshme dixhitale nëpër rrjete të ndryshme në internet, si YouTube. D.m.th. në këtë kontekst nuk kemi adaptim të gjuhës së folur në ekran me gjuhën standarde/të shkruar në titrim. Dhe kjo do të nënkuptonte, që „personat që nuk mund të dëgjojnë ose kanë dëgjim të dëmtuar“ kuptojnë vetëm standardin, dhe se në standard të patitruar kemi lëvizje të tjera buzësh, pra vend artikulimi të ndryshëm nga varietetet non-standarde, çfarë fonetikisht për gjuhën shqipe nuk është e vërtetë, por ndoshta edhe për gjuhë të tjera.

Adaptimi i të folurit dialektor në standard ndodh shumë rrallë, në rast se, shpesh njerëz të moshuar, flasin në dialekte që janë shumë larg standardit dhe pa afrim në drejtim të standardit. Por po e bëmë këtë këtë në çdo rast, do të duhej të titronin jo vetëm Tironsit si folës të gegënishtes, por edhe gjithë Shqipërinë e Veriut në Shqipëri, dhe gjithë arealin tosk në Kosovë. Ndodh kjo në televizionin shqiptar? Jo! Ndodh kjo në Shqipëri apo te Top Channel në lidhje me gegënishten e Shqipërisë së Veriut? Jo! Ndodh kjo në Kosovë me toskërishten? Jo!

Pra si t’i sqarojmë titrimet e Top Channel-it? Si kanal televizioni i Shqipërisë, Top Channel-i titron një serial nga Kosova dhe lë të kuptojë atë që vërehet shpesh në Shqipëri. Shqiptarët e Shqipërisë, natyrisht jo të gjithë, i lënë shqiptarët jashtë Shqipërisë të ndihen të huaj dhe jo pjesë e një bashkëkombësie apo pjesë e së njëjtës bashkësi gjuhësore. Ja disa komente të shqiptarëve të Shqipërisë në takime me shqiptarët andej kufirit: “Ti je kosovar!” “Ti je maqedons!” “Ti je malazez!” “Ti flet mirë!” “Ti flet keq!” „Të kuptoj mirë!” “Të kuptoj keq!” “S’të kuptoj o burrë (i tha dikur Edi Rama Hashim Thaçit)!” „Të përuroj për shqipen e bukur!” „O sa bukur e flitke shqipen!“ – Me këtë formë të bukur habitoreje të shqipes, sikur ka ndodhur çudia më e madhe në botë. Dhe shumë e shumë të tjerë, dhe kjo edhe – dhe ndoshta sidomos – nga njerëz të shtresës intelektuale. D.m.th. Top Channel i lë Kosovës të kuptojë, se Shqipëria nuk e kupton Kosovën ose nuk do. Dhe tani nxehemi për sulmin ndaj unitetit kombëtar apo gjuhësor shqiptar (ose nga seriale ose nga Top Channel), të cilin unë si shqiptare me orgjinë nga Maqedonia e Veriut gjatë qëndrimeve të mia në Shqipëri ose në kontakt me kolegë nga Shqipëria jashtë shpesh nuk e shoh. Unë për shqiptarët e Shqipërisë shpesh jam enigma më e madhe, duke më bartur nëpër të gjitha vendet shqiptare, nga mund të vij, pa zotëruar pyetjen më të thjeshtë: “Nga vjen?” Ose jam gjeniu më i madh gjuhësor, se si shqiptare dhe albanologe zotëroj mirë gjuhën e nënës dhe profesionin tim. Dhe ju garantoj, se nuk jam vetëm unë. Vetëm historitë e rrethit tim privat dhe profesional mund të mbushin vëllime të tëra.

Një gjuhë – një komb? Ka qenë dikur parulla për afrim kombëtar e gjuhësor për shqiptarët, të cilën me seriozitet e kanë marrë dhe vazhdojnë ta marrin vetëm shqiptarët jashtë Shqipërisë. Shqipëria vetë gëzon superioritetin që i ka dhënë vetes dhe që shqiptarët jashtë me idenë e Mëmëdheut ende e kultivojnë. Shtrohet pyetja, deri kur.

Kosovaren Albina Kelmendi Shqipëria e dërgoi në Eurovizion pa titra! Por nejse, e lëmë këtë për herë tjetër.

© 2023 Lumnije Jusufi. Të gjitha të drejtat janë të autores.

Shënim: Ja si duket oferta shqip – shqip – KOHA.net (mos e lini pa klikuar videon)

 

6 Komente

  1. S’ja asgje te keqe te flasesh shqipen me dialektin qe do .Por nese ben nje film ne ate dialekt dhe deshiron qe pjesa tjeter e kombit e cila nuk eshte familjare me te ta kuptoje , detyrimisht qe do te perdoren titra ,prandaj dhe kemi shqipen standarte e cila u aprovua edhe firmos edhe nga studiuesit kosovare.Qellimi i standartit ishte qe shqiptaret pavaresisht prej dialekteve qe flasin te kishin nje menyre te vetme komunikimi per tu marre vesh .Seriali ne fjale nese do qe ta kuptoje dajua im coban ne Zagori duhet te shfaqet me titra .Nese tregu permbytet nga seriale me dialektin kosovar ,titrat pas nje fare kohe do behen te panevojshem pasi njerezit do familjarizohen me ate dialekt .

  2. Shume te faleminderit moj zonje per te kete sqarim, sepse me te vertete, duke mos na munguar telashet e shumta nga te gjitha anet, nuk do te ishte aspak e nevojshme qe te shtohej edhe nje telash tjeter per t’ja perkthyer gjuhen shqipe me titra banoreve te Shqiperise, Kosoves, Maqedonise se Veriut, Malit te Zi apo edhe deri Camerise.

  3. Kanadaja ka nje province etnolinguiste nacionaliste qe flet Frengjisht. Theksi is frengjishtes, nje gjuhe qe ta imponojne me force nqs jeton atje, eshte shume i pakendshem per dike qe flet Frengjishten pariziane.

    Disa vite me pare, kur isha ne Tirane per vizite, ndeza televizorin dhe me doli nje kanal i Frances. Po jepnin nje telenovele te Kebek-ut. E dallova pernjehere per shkakt te akcentit. Edhe ky kanal kishte zgjedhur ta titronte kete telenovele, packa sa ishte ne Frengjisht.

    Franca e standartizoji gjuhen para disa shekujsh, dhe rriti kohezionin brenda feudeve te saj historike. Nuk degjova asnje ankese per te kete nga Kebekuazet. Atehere, ku eshte problemi per Kosovaret?

    1. Kebeku eshte koloni popullimi,ne kontrollin e nje shumice gjuhesore tjeter, kurse Kosova eshte Shqiperi dhe shtet me vete, prandaj dinamikat jane sa te ndryshme aq edhe te brishta ne rastin tone,
      Nuk duhej te kalohej nga elbasanllishtja ne kete te 1972. Ishte nje oreks politik i nje pakice sunduese, qe e nxori gjuhen zyrtare nga binaret e dobise kombetare.

    2. Atehere, ku eshte problemi per Kosovaret?

      Urime! Me këtë pyetje, të bërë me kaq sinqeritet, ju keni përmbledhur në gjashtë fjalë të gjithë esencën e qëndrimit të elitës së Tiranës: Kosova është një provincë e largët, diku në anën tjetër të botës, ndoshta andej nga Kanadja, Amerika Latine apo nga ishujt e Paqësorit, dhe Kosovarët janë diasporë, të cilëve ne, duke i begenisur, u bëjmë nder të madh.

      – Ndonjë prej tyre ne e bëjmë edhe ministër, me ose pa vulë; u transmetojmë edhe ndonjë film, me ose pa titra; i çojmë madje edhe në Eurovision të këndojnë për ne. E ç’duan Kosovarët më tepër? Ndërgjegjen tonë patriotike (sorry për fjalën anakronike) ne e kemi të pastër!, – foli liberali i Tiranës dhe lau duart, gjithë duke vazhduar së pari veten në pasqyrë.

  4. Gjuha është një ‘organ’ dinamik dhe si e tillë zhvillohet – jo gjithmonë për mirë’-, por zhvillohet. Ajo pasurohet, modernizohet, por është edhe e paprekshme në disa aspekte: Gramatika dhe fjalori bazë mbijetojnë shekuj e shekuj. Ashtu si edhe SHQIPJA.
    Unë nuk shoh asgjë të keqe tek ruajtja e dialektit apo e një të folure krahinore. Shumëllojshmëria është pasuri. Mos ja humbni secilit shqiptar të drejtën e të folurës së fshatit, qytetit apo shtëpisë ku jeton dhe ndihet shqiptar! Unë preferoj terminologji të tillë si: shqiptarët e Kosovës, shqiptarët e Shqipërisë, shqiptarët e Maqedonisë së veriut, shqiptarët e Greqisë, shqiptarët e Malit të Zi, shqiptarët e Sërbisë, ato të Bosnies, të Turqisë e me rrallë. Të vetmit që duhet dhe thirren ndryshe për meritën dhe qëndrueshmërinë e tyre janë arbëreshët e Italisë.
    Këmbëngulja e kotë e disa gjuhëtarëve komunistë e post-komunistë i marrin të keqen shqipes, dialekteve dhe nëndialekteve të saj!

    1972 ishte fatkeqësia e dobësimit të gjuhës shqipe. Ky është mendimi im dhe i shumë shumë shqiptarëve atdhedashës.

    Faleminderit!

    Ida

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin