Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Totalitarizëm

BANALITETI DHE POEZIA

Urrejtje e ardhur nga “fletërrufetë”

nga Visar Zhiti

Nuk i dua poezitë që vijnë nga urrejtja. Poezia shqipe ka shumë të shkruara kësisoj, sidomos ato të Realizmit Socialist, ku ka me tepri armiq, të jashtëm dhe të brendshëm, kështu thuhej në kohën e tyre. Ka luftë klasash, entuziazëm, mësime të Partisë dhe të shokut Enver, lëvdata dhe dënime, poema të gjata si kapanonë repartesh ushtarake a fjetore punëtorësh, strofa si strofulla banditësh apo zbuluesish, rima vezulluese si fishekzjarrët e 29 Nëntorit dhe si breshëri plumbash automatiku, e ç’nuk kanë, vetëm poezi jo.

Prandaj dhe letërsia shqipe ka poetë të dekoruar nga Partia, poema të lexuara kongreseve të saj, në konferenca e aksione, ashtu siç kishte dhe poetë të burgosur thjesht për poezi, të vdekur burgjeve, madje dhe të pushkatuar e të varur si asnjë popull tjetër, si asnjë antologji poezie në botë.

Kontrasti poezi shqipe dhe poetë lavdimëdhenj e të dënuar është i paparë, i çuditshëm, aspak si i parajsës dhe ferrit në “Komedinë hyjnore” të Dantes, por barbarisht absurd, marramendës dhe, në thelb, ka atë që Hanna Harendt e quan: banaliteti i së keqes.

Më ndodh të lexoj poezi të emrave të dikurshëm, pa dashje, të gjeneratës sime. Të thosha të kohës sime, ne s’kemi patur ndonjëherë kohë tonën, ajo ka qenë e askujt dhe e shtetëzuar, poezitë e tyre janë si dikur, bukur të ideologjizuara, qoftë dhe me ca demokraci, me mllefe, larje hesapesh, godasin patjetër ndonjë dukuri, por dhe dikë, kjo preferohet më shumë, duan të ruajnë status quo-në etj. E ç’nuk kanë brenda: krahasime, epitete, mbretin e figurave letrare, metaforën, edhe pse nuk janë ruajalistë, vetë poezi s’kanë dhe aq, hiç fare madje, nëse kujtojmë atë që thoshte poeti i madh nobelist Eugenio Montale: Poezia nuk thotë, poezia është.

Ky lloj vjershërimi, i urrejtjes së dikurshme më shumë dhe i zilisë aktuale të pafshehur, të përziera dhe me vese të tjera si shpifja, një lloj gjelle kjo si e magjistricave të “Makbethit”, mbart një gjendje nervoze, me tepri neurozash që u duket si frymëzim dhe më ngjan se brezi im e ka nga ajo që s’besohet tani, nga emocionet negative, të pashuara ende të fletërrufeve.

Të rinjtë sot ndoshta s’e dinë ç’ishin fletë-rrufetë tona, dhe aq më mirë. Një neologjizëm në diktaturë për ca letra të zakonshme fletoreje apo copash të mëdha kartoni sa një dritare, mund të ishin dhe ambalazh makaronash a thes çimentoje etj., dhe mbi to, sipas mësimit të shokut Enver: “cilido dhe pa frikë dhe me shkronja të mëdha mund të shkruajë se ç’mendon për tjetrin dhe punën e tij”. Ky citat i Enverit ishte i vendosej mbi një kënd në sheshin kryesor të qyteteve tona, aty ku vendoseshin fletërrufetë, njërën nën tjetrën apo njëra mbi të tjerat, pastaj një tjetër sipër saj etj., ngjashëm me deci baot e Revolucionit Kulturor kinez, që vetëm kulturë s’ishin.

Në fletërrufetë shkruanin me shkrim dore, me shkronja kapitale, me ngjyra, preferohej e kuqja, e zeza për gjërat negative, me plot gabime drejtshkrimore, përdorej karikatura, por gabimi i zymtë ishte tjetërkund. Në thelb, jo vetëm pse aty kritikoheshin, më saktë shaheshin apo përtalleshin të tjerët, shumëkush, cilido, dhe pse? Për pamjen, për flokët e gjata dhe veshjen, modën e tyre kapitaliste e revizioniste, kritikoheshin për punën, ata që nuk ia dilnin dot, për qëndrimet dhe mendësinë, megjithëse nuk lejoheshin qëndrime të tjera dhe mendime ndryshe nga ato që kishte urdhëruar Partia, që udhëhiqte Shqipërinë nga fitorja në fitore.

Dhe këto rrufe-në-fletë në qytetet pa qytet, në këndin e kuq të fabrikave dhe fermave, në fshatra, i lexonin gjindja e gjithë, qeshnin, gajaseshin, kishte dhe që shushateshin, dënesnin, i pushonin nga puna, shkak “fletërrufeja”, donin të hidheshin nga dritarja, në lumë etj. Me ato “rrufetë-në-fletë” nëpërkëmbej dinjiteti njerëzor, kuptoje hapur që ishe i mbikëqyrur, i kontrolluar, i përgjuar, i gatshëm për t’u dënuar, pra gjëmë rrufeje.

Çudia s’mbaron me kaq, ta lëmë etikën e tyre dhe të kalojmë në estetikë. Shpesh fletërrufetë kishin rima, shkruheshin si bejte, pëlqeheshin më shumë kështu dhe kishin më efekt, mbaheshin mend më gjatë dhe… dhe botoheshin… jo vetëm në revistën e humorit dhe të karikaturave, “Hosteni”, por…

Realizmi Socialist shqiptar mori shumë nga kjo dukuri dhe krijoi dhe poetë të tillë, pjesërisht ose tërësisht, kritizerë ziliqarë e mediokër, që u dukej se luftonin edhe zilinë dhe mediokritetin, por te tjetri sigurisht, që kishin emblemë Majakovskin, jo futuristin gjenial, por atë sovjetik, për të cilin Ilia Erenburg tha se Majakovskij pas Revolucionit la penën dhe mori fshesën. Ai, kur e kuptoi këtë, vrau veten. Tek ne ndodh ndryshe, shushunjat, kësisoj, pijnë gjakun e të tjerëve te këmbët. Për t’i vrarë. Gjithsesi ata u shquan dhe u krijua tradita e re e urrejtjes së vjetër, por e parë nën dritën marksiste-leniniste.

Dhe s’kish pse të mos vazhdonin të shkruanin pas ndryshimeve të mëdha sociale, nga diktatura njëpartiake u kalua në postdiktaturë, në ndërtimin e një sistemi tjetër, ngjashëm me demokracinë, shumëpartiake menjëherë, megjithëse u duk se partia e madhe u nda në parti të tjera më të vogla. Por kjo është çështje tjetër, dhe kur dua të kthehem te banaliteti i së keqes, shoh se nuk ndryshuan dot shumë ish-poetët. Dhe piskama më e fortë vjen nga më të dobëtit, që çudit edhe Lidhjen e tyre të Shkrimtarëve (në burgologjinë time “Rrugët e ferrit” fjala “shkrimtar” shpesh është shkruar “sh-krimtar”, “sh/krimtar” etj).

Dua të them se ka një revansh të paturp, ku etja për të poshtëruar tjetrin, që s’ka qenë dhe s’është si ata, shoqërohet me delirin e vetëmburrjes, prapë me biografi, jam i biri i këtij dhe atij, vetëm bij dhe etër të Enverit nuk thonë se janë.

Dhe po aktivizojnë fletërrufetë e dikurshme, me rima demo(n)kratike, asonanca, kakofoni e çlirët deri në penalitet, të talentuar vetëm në banalizimin e së keqes. Kanë venë nën akuzë dhe turpin, fytyrën që skuqet. S’duhet të kesh turp ti, ne që s’kemi, lopa na ka bërë?!

Po lopa është mrekulli.

Ata bëjnë sikur nuk e dinë që janë vetë ata minjtë me dy këmbë, që me të ndier tronditjen e ndryshimeve si tërmetet, nxituan të parët dhe i vunë flatra të zeza vetes, si në një karnavaliadë u shndërruan në lakuriq nate, duke ngushëlluar veten dëshpërueshëm me origjinën e dinozaurtë, të atyre fluturakëve, tashmë të zhdukur, nga realitetet e reja, nga klima, por trupi prej miu i laskuriqit u shërben që të kujtohen të shajnë të tjerët ashtu. Nuk kanë forca e as mendje të urrejnë veten e tyre të dikurshme dhe këtë e shpërngulin te tjetri sot, që s’ishte si ata.

Dhe për t’u shqyer gazit a për të ulërirë, atyre u duhet edhe poezia, se a nuk e kanë luftuar armikun me armët që i kanë rrëmbyer atij? Dhe plasën të bëhen si armiku i tyre dhe atë ta shajnë, siç duhej të bënin me veten e dikurshme. Vazhdimisht kanë shkëmbyer role me dhunë dhe sot nuk e luajnë dot rolin e vetes.

Por poezia është edhe gjendje turpi, skuqje fytyre, kurse ata njohin vetëm të kuqen ideologjike, e thonë dhe duke pohuar mohimin, po e kuqja është dhe ngjyra e Flamurit tonë të lashtë Kombëtar, dhe lindja e diellit dhe e perëndimit të tij për të rilindur sërish, edhe gjaku njerëzor është i kuq, edhe vera e kuqe, edhe trëndafili i kuq, po edhe cipa e një adoleshenti/e skuqet. A nuk duhet respektuar dhe të pyesim veten: ç’e shkakton?

Është mirë të skuqesh here pas here, them unë.

Poezia, sipas meje, jo vetëm që është e brendshme, por e shkruar vetëm nga dashuria. Pra, është dashuria, kështu më është dukur, vjen nga një pasion, nga një druajtje, por dhe nga një turp, yti ose i tjetrit.

Kam një poezi kështu, me këtë temë, skuqjen. Të jetë edhe kritike? Shpresoj të mos u ngjajë fletërrufeve të reja. E kam shkruar nga dashuria nja dy dekada më parë, më duket, fillimisht e botuar në gazetën “TemA” në atë vit, kur çdo të diel në faqen e parë të saj dilte një poezi e imja, sipas një marrëveshjeje me botuesin. Pastaj ndërhynë dhe u ndërpre. Mund të vazhdonte dhe duhej me poetë të tjerë. E them këtë si një dëshirë, si një thirrje që në gazetat tona duhet të ketë patjetër dhe poezi. Gazetat e mëdha në botë kanë. Të rinjtë tanë, sidomos të rejat, shkruajnë mjaft bukur.

Një poezi në ditë nuk të bën keq për shëndetin siç të bën paketa e cigareve…

Dhe po sjell tani poezinë “Të (mos) skuqesh”, e cila bën pjesë në kapitullin “Në festën me tradhtarë” nga libri im “Thesaret e frikës”. Ç’festa absurde, shokuese dhe me fantazma shokësh…

TË  (MOS)  SKUQESH

(Një arritje tjetër në shkencën e mjekësisë: që të mos skuqesh në fytyrë, ndërhyhet kirurgjikisht në venën përkatëse. Sukses i plotë…)

…sepse është turp të kesh turp.
Nuk duhet të skuqesh më.
Cila perëndi urdhëroi druajtjen tënde?
Duhet ta kalosh këtë pengesë
siç kalohet kufiri
e japim diçka në doganë,
kurse pas lëmë diellin,
ngjyrën e tij të kuqërremtë
si një turp të madh
a na del përpara.
I paturp çaj, mos më thuaj asgjë
për kurajozët e dikurshëm. S’ia vlen
të skuqesh. As kur puthesh.
Le të jetë kravata e kuqe, gjaku
i zhvirgjërimeve, sistemi,
por jo fytyra. Sa më e ftohtë qoftë,
serioze, dimërore,
e pandjeshme, e funeraltë.

Një fytyrë që skuqet,
i nervozon të tjerat si demat
coha valëvitëse e toreadorëve.

Prandaj mbylle venën
nga pikon ende dhe ca turp. Është
ca i shtrenjtë operacioni.
Fytyrë shkretane, e rrethuar
si kështjellat,
ku është ndërprerë ujësjellësi i fshehtë.
Mposhtet
fytyra
dhe triumfon veç trupi (gabim ortografik:
turpi). Dëshiron
një fytyrë tjetër, e lirë është, sa asgjëja
e maskave.

(c) 2023 Visar Zhiti. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


Shënim i redaksisë: Për një trajtim më teorik të fletë-rrufesë në Shqipëri lexoni
Ardian Vehbiu, Nga fletë-rrufeja në standardizim, Peizazhe të fjalës, 2013
një version i zgjeruar i së cilës është botuar në revista Përpjekja, nr. 32-33, 2014, f. 218-229.


 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin