nga Gilles Bernanos
“E mandej, ç’rëndësi ka
në mbijeton vepra ime?
Veç gjalloftë hiri, bekimi që pres,
të ketë jetë në shekuj të tjerë,
në të tjera epoka e në vise të tjera,
pa s’ka rëndësi të ma dijë
as emrin madje!
Njëmijë herë më i madh
është nderi i jetës sërish
sesa i mbijetesës”
(George Bernanos).
Përkthimi në gjuhën shqipe i romaneve të George Bernanos-it[1]Georges Bernanos lindi në Paris më 20 shkurt 1888. Për shkak të një sëmundjeje të papritur, fëmijës 18-muajsh i rrezikohet seriozisht jeta dhe shpëton pasi piu ujë të bekuar, ngjarje që … Continue reading, i krishterë dhe shkrimtar i shekullit XX është, pra, moment i rëndësishëm për veprën e tij.
Romanet e Bernanos-it pasqyrojnë betejat e tij. Në këto romane, ku djalli shkëmbehet rrugës me shenjtërit, ka libra të zymtë, si Zoti Ouine; plot dritë, si Hareja (La Joie); ose nën tisin e Hirit, si ky Ditari i një prifti fshati[2]Kjo është vepra e parë e Bernanos në shqip. Botimet Logbook, Prishtinë, 2022, përktheu Romeo Çollaku, libri shoqërohet nga shumë shënime e sqarime mbi termat teologjikë.. Librat e tij na thithin drejt thellësive të shpirtit njerëzor, në mes dritës dhe territ.
Krishterimi shqiptar ka kaluar ditë të zymta gjatë shekullit XX. Ky shekull, gjatë të cilit bota përjetoi pështjellimin, e diktaturat, luftërat, si dhe sundimin e mbretërisë të Teknikës, për Bernanos-in mbetet zbulues i një krize të thellë shpirtërore. Ky “qytetërim i konsumit”, që pasoi kataklizmën e periudhës 1939-1945 – të cilën ai e parashikoi qartë – nuk i duket më i mirë autorit; është qytetërim i kamjes, i pronës, e jo i qenies; qytetërim, ku, Makina universale e furnizon pareshtur pushtetin politik dhe ekonomik me mjete pa kufi për të ushtruar kontroll, për të bluar informacion e për t’i vënë njerëzit nën shërbim.
Bernanos-i ishte krejtësisht e tërësisht i angazhuar në epokën e vet. Ishte në vijën e frontit gjatë luftës së 1914-1918-ës; dëshmitar i “varrezave nën dritën e hënës” gjatë luftës së Spanjës; shkrimtar i dedikuar i Rezistencës antifashiste franceze në 1939-1945; pat kaluar shumë prova… duke përjetuar edhe shumë hamendje e dyshime: “Shpresa është vendosmëri heroike e shpirtit dhe arrin formën më të lartë kur sapo e tejkalon mungesën e saj”.
Universi i tij romanesk ka në qendër të ligën dhe të shenjtën. “Kisha jonë është kishë e shenjtërve”, nënvizon ai. Por, cilët janë shenjtërit e Bernanos-it? “I pandehim pleq gjithë përvojë e të fortë në politikë, porse shumica janë fëmijë”. Shpirti i fëminisë mbetet pikë e ndritshme referimi gjatë tërë jetës së autorit: “Ç’rëndësi ka jeta ime; do doja veç t’i mbetej besnike deri në fund fëmijës që ka qenë dikur”. Sepse te fëmija jeton misteri i shpirtrave: “Jo vesi, po krejt e kundërta e tij: ajo çka mbetet e panjollosur, e dëlirë te qeniet, kjo mund të na i shpjegojë, sajë asaj çka u ka mbetur prej thellësive të fëminisë”. Shenjtëria dhe fëmijëria, të vetmet melheme kundër të ligës, këto janë të pandashme në veprën e këtij autori.
Çfarë lloj romancieri është, pra, Bernanos-i? Ndryshe nga shumë të tjerë, ai nuk i sheh romanet e tij si “listë opsionesh elektronike” (si drop-down kompjuteri). Përkundrazi, vetë personazhet e tij shfaqen, i paraqiten dhe e ftojnë në shtegtimin e tyre. Ende në fillesat e punës me Ditarin e një prifti fshati, ai theksonte: “Shoh si çohet para meje ngadalë një personazh i paharrueshëm, të cilin po rropatem ta skicoj me gjithë besimin e gjithë dashurinë që përmbaj në vete. Çfarë vështrimi m’i kthen ai, ditë e natë, vështrimit tim!”
Bernanos-i ka shkruar edhe ese të shumta si dëshmi të epokës ku jetoi. Por vepra e tij është një e pandarë. Përherë romanet dhe esetë kryqëzohen e ndërthuren. Në ditët e luftës së Spanjës, ai shkruante, lidhur me romanin Rrëfimi i ri i Mushetës”: “Nisa punë me romanin Nouvelle histoire de Mouchette kur, nëpër kamionët që më parakalonin, pashë mes ushtarëve qenie të gjora, me duart mbi gjunjë, fytyrat mbuluar nga pluhuri, por ama trupdrejta, me kryet lart, me atë dinjitetin që mbajnë spanjollët edhe në mjerimin më ekstrem. Po shkonin drejt pushkatimit, të nesërmen në mëngjes (…) E thashë me vete: do ta transpozoj këtë pamje në rrëfimin e një vajze që e ka kapluar hija e fatkeqësisë dhe padrejtësisë”.
Aktualiteti i veprës së George Bernanos-it është mahnitës. Kjo, si te romanet dhe te esetë e tij.
Diku ai pat theksuar: “Nuk është kënga ime që është e përjetshme, por ajo së cilës i këndoj!”
Përgatiti për Peizazhe të Fjalës: Idlir Nivik.
References
↑1 | Georges Bernanos lindi në Paris më 20 shkurt 1888. Për shkak të një sëmundjeje të papritur, fëmijës 18-muajsh i rrezikohet seriozisht jeta dhe shpëton pasi piu ujë të bekuar, ngjarje që pati ndikim vendimtar në jetë. Më 1897 kreu klasën e parë të një gjimnazi jezuit, nxënës ku mësoi në të njëjtën periudhë edhe Charles de Gaulle-i. Lexon autorë si Walter Scott, Barbey d’Aurevilly, Ernest Hello, Pascal, Victor Hugo, Michelet, si dhe Balzac. Në 1914, me shpërthimin e Luftës së Parë, Bernanos-i rimobilizohet, në muajin gusht. Në janar 1922 boton novelën Madame Dargent. Në mars të 1926 botohet romani Nën diellin e Satanait dhe korr sukses të menjëhershëm, por shkakton edhe qëndrim të mëdyshur në radhët e hierarkisë fetare. Në 1927 boton romanin Mashtrimi (L’Imposture). Më 1928 fillon të botojë romanin Hareja (la Joie), në La Revue Universelle. Boton mandej La grande Peur des bien-pensants (Droja e mendimtarëve zyrtarë). Në 1934, familja Bernanos vendoset në Ishujt Baleares. Fillon botimi i romanit Një krim, në një revistë të përjavshme. Në mars 1936 botohet Ditari i një prifti fshati si libër i plotë. Publiku e mirëpret me lëvdata, shpesh cilësohet kryevepër. Libri vlerësohet me Çmimin e Madh të Akademisë Franceze. Bernanos-i, nëpërmjet një artikulli, sulmon Musolinin për pushtimin e Etiopisë, si dhe Vatikanin për heshtjen ndaj atij pushtimi. Në korrik, gjatë Luftës Civile në Spanjë, monarkisti dhe katoliku Bernanos e mbështet fillimisht regjimin e Frankos, por pastaj i kundërvihet ashpër. Në janar 1937 Bernanos-i është dëshmitar i djegies me benzinë të qindra kufomave në Majorkë dhe shkruan librin Pesë varreza poshtë hënës, ndershmëria e të cilit u përshëndet nga një sërë personalitetesh, si Aragon, Camus, dhe filozofja Simone Weil. Më 1938 vendoset në ekzil në Brazil. Shkruan një sërë artikujsh që botohen në gazetat braziliane. Në 1943 boton, në shtëpi botuese braziliane, por frëngjisht, romanin Monsieur Ouine. Në qershor 1945 gjenerali de Gaulle e fton Bernanos-in të kthehet në Francë. Takohet me de Gaulle-in, i cili i propozon detyrë ministri, por Bernanos-i nuk pranon. Shkruan dhe boton artikuj të shumtë politikë. Për herë të tretë në jetë, ai refuzon Kryqin e Legjionit të Nderit, si dhe anëtarësimin në Akademinë Franceze. Në korrik 1948 Georges Bernanos ndërron jetë. Ai mbetet ende shembull i shkrimtarit të thellë, të angazhuar e pa kompromis. Intelekt i lirë, i gjerë dhe i pacenuar nga ideologjitë kalimtare. |
---|---|
↑2 | Kjo është vepra e parë e Bernanos në shqip. Botimet Logbook, Prishtinë, 2022, përktheu Romeo Çollaku, libri shoqërohet nga shumë shënime e sqarime mbi termat teologjikë. |