nga Bujar Meholli
Në lidhje me funksionin e artit në shoqëri avangarda përbën formacionin që në përgjithësi, duke minimizuar apo zhvleftësuar kushtet tradicionale letrare, shfaq në horizont dëshirën për estetikë të re, gjegjësisht për projeksionin artistik të së ardhmes. Ekspresionizmi, në kuadër të avangardës, shquhet për patosin social, revolucionar, drejtimin artistik të ndërtuar mbi humanizmin dhe që priret kah aspiratat e mobilizimit të masës kundër obskurantizmit; ekspresionizmi e tejkalon substratin simbolik për të vazhduar drejt një poetike të re, ku ndërthuren pasazhet bizare, absurde, sëmundja, ankthi, fragjiliteti, depresioni, honet e thella të dëshpërimit. “Ekspresionizmi kërkon rifitimin e qasjes në përvojën autentike, që nënkupton afrimin tek e brendshmja e individit, aftësia për empati, imagjinatë dhe kreativitet.”[1]Hermann Bahr: Expressionismus, cituar nga artikulli i Světlana Ondroušková: Augenmusik, or synaesthesia as a technicue in the early avant-garde, Študie-Téma, World Literature Studies, vol. 7, … Continue reading Njëri ndër përfaqësuesit më të shquar të ekspresionizmit në letërsinë ballkanike është Miroslav Krleža, shkrimtari kroat me aktivitet të dendur intelektual të përbërë prej shumë eseve, kritikave letrare, studimeve, romaneve, novelave e poezive.
Emri i Miroslav Krleža-s lidhet ngushtë me intelektualin e angazhuar politikisht, kritikun social që nuk i intereson historia, ngase e vë theksin tek e tashmja, me sytë kah e ardhmja. Krleža, ndikimi i të cilit mund të haset te shkrimtari ynë Migjeni për nga fryma ekspresioniste, tematika e modeli i shkrimit, protesta dhe ngritja kundër miteve e idhujve, mëton ta përçojë frymën rebeluese kundër estetikës dhe moralit borgjez, kushteve tradicionale, poetikës dekorative, që plekset te kuazi-artistët meskinë, oborrtarë.
Dua të ndalem te novela “Hodorlahomori i madh” për ta analizuar më specifikisht ekspresionizmin fantazmagorik të Krleža-s, surrealizmin, lojën me kohën, paralelet e mentalitetit ballkanas karshi perëndimit dhe yshtjen lakmuese drejt jetës dinamike plot kolorit që ia ofron metropoli Paris…
Novela nis me fjalinë: “Pero Orliqi ëndërronte për Parisin qysh në shkollën fillore”.[2]Të gjitha citimet që do t’i përdor në këtë ese janë nga botimi i dytë i “Rilindjes”, Mirosllav Kërlezha, Novela, përkthyer nga Vehap Shita, Prishtinë, 1978.Çilimiu Orliq kishte dëgjuar për herë të parë fjalën “Paris” kur në të njëjtin korridor, bri familjes së nëpunësit Orliq, në Zagreb, banonte zonja Mejer, gjermane, biri i së cilës qe tapicier dhe kishte shkuar nga fundi i shekullit të kaluar në kryeqytetin francez. Parisi, kjo fjalë magjike, depërton thellë në trurin e njomë të Orliqit, ajo bëhet nevojë jetësore mes mijëra fantazive “rrugëve të Parisit” në këtë qytet të madh, itinerarin e të cilit Orliqi riosh e krijon në tregimet e tij fantastike. Ai pikturonte në mendje konturet e Harkut të Triumfit, muzgjet, omnibusët, karrocat, fontanat, “Trokaderon”, pallatet, kafenetë trotuareve, vallëzimet… “të gjitha këto vlonin në trurin e Orliqit të vogël dhe vallëzonin me një ritëm të flaktë të mendjes së shfrenuar të fëmijës në ethe. – Orliq! More kopuk përtac! Çka je hutuar?”. Mpirja e nxënësit nga zoti mësues, klasa, manifestohet sall nga ajo fjalë melodioze “Paris”, që “filloi ta brente fantazinë e Peros së vogël dhe t’i rriste gjithnjë e më tepër dimensionet.”
Dhe, ja, dita e shumëpritur erdhi. Peroja do ta bëjë realitet ëndrrën e fëmijërisë, shkeljen e tokës pariziene! «“Biletën ia bleu i ati, Orliqi plak. Pero i përjetoi atëherë të gjitha tronditjet dhe nervozitetin e një përgatitjeje të madhe për udhëtimin “via-Paris”». Zulma e jetës metropolitane, të teletisur, premtuese, mes dhjetëra mundësive, rrugës së trasuar për famë e lavdi, bie ndesh me skepticizmin e autorit se një jetë e tillë utopike mund të ngjajë vërtet, ashtu siç shkrimtari i njohur amerikan Theodore Dreiser është skeptik për “Ëndrrën amerikane”… “Teodor Drajzeri me pendën e realistit të fuqishëm grisi napën plot larushi e qëndisma artificiale, hapi ca vrima karakteristike nëpërmjet të cilave mund të vërehej qartë një Amerikë fare tjetër, ajo e realitetit të vrazhdë e plot kontradikta, plot vërtetësi vrazhdësie, eksploatimi, egoizmi, paragjykimesh racore, një Amerikë në të cilën nuk mund të gjendej vendi i premtuar i mundësive të mëdha, i atyre iluzioneve borgjeze për gjoja zhvillimin e qetë, pa konflikte, të shoqërisë.”[3]Hasan Mekuli, Amerika në vrojtimin realist të Teodor Drajzerit, revista “Jeta e re”, Prishtinë, 1996.
Pero Orliqi, djaloshi kroat, që e ëndërronte Parisin prej largësive të Potokut, tashmë po e shkelte me këmbë. Ai e kishte mësuar përmendsh Parisin: planet, kuartet e qytetit, stacionet, varrezat, vendosjen e galerive, muzeve dhe kur rrinte sipër detyrave të matematikës ose latinishtes me ofshamë të thellë merrte në dorë “Bedekerin” si ungjillin, “për t’iu përulur qytetit mbi të gjitha qytetet, Babilonit mbi Babilonet, Parisit të Shenjtë”. Kështu, Orliqi mësyu me vrap në Paris. “Dridhej, nuk mund të rrinte i qetë e rehat, kërcente, sillej andej-këndej, merrte erë e vibronte si llamba në frymë.” Duket se udhëtimi me tren drejt “Babilonisë” do të zgjaste pafund. Emocionet e djaloshit qenë në kulm. “Filloj të ndihej Qyteti. Ky është Parisi! Parisi! Pëshpëriti devotshëm Orliqi. Iu duk si të kishte shkelur në tempull. U ndal dhe shikonte rrëmujën e britmën dhe çdo gjë i dukej si e shenjtë. Pra! Pero Orliqi, qe! Pas pesëmbëdhjetë vjetëve të gjatë malli të madh, më në fund erdhi në Paris! Në Paris! Burrë i fortë! Në Paris!”
I ndodhur në Paris, Pero Orliqi, i cili kishte ndërtuar amalgamën e iluzioneve për qytetin e “shenjtë”, përballet për herë të parë me diçka që s’ishte e njohur për “Parisin” e tij. Duke harruar “planin” e mësuar përmendsh, fejtonet që do t’i shkruante për gazetat, qytetin për të cilin kish ëndërruar ditë e net, vorbulla pariziene e hedh drejt kuartit, ku do të zinte një dhomë. Të nesërmen, Orliqi, në bulevardin e Mihajlit gjen një dhomë të ndytë me llambë vajguri në ballkon, ku çdo gjë bie erë mejhane, karshi restorantit me jevgjit hungarezë dhe ku një kat sipër tij një femër kreu vetëvrasje. “Kjo qe e para gjë që e priti. Kjo grua me gabzherr të prerë dhe drojat e përgjakura, pellgjet e gjakut dhe policia.” Derisa i lexon këto radhë tromaksesh, ngase ato vijnë si rrufe në qiell të qetë. Është pikërisht kjo veçoria e ekspresionizmit kur ankthi, britma, tronditja janë pjesë e pandashme e kësaj poetike që sulmon falsitetin, gënjeshtrat e sheqerosura të jetës borgjeze, duke e paraqitur jetën me të gjitha të vërtetat e saj. Kështu, Orliqin, e pret ajo që s’e kishte parashikuar kurrë: Parisi i marrë, “lëngu” i tij i athët që thithet marrëzisht, shfrenuar. Parisi i vërtetë e mori pas Orliqin tonë që bridhte rrugëve, galerive e kullave, shihte katedralet, Senën, parqet, oborret, rrëmbyer nga “hutimi prej bollëkut dhe më në fund ligështimi.” Tabloja është tronditëse! Pero Orliqi ballafaqohet me të vërtetën, deluzionin e qytetit të madh. Me Parisin e gënjeshtërt! Ngase donte ta përfshinte gjithë Parisin, mbetej duarthatë. “Të gjitha këto janë rrenë dhe fjalë boshe! Të neveritshme! Nuk ka Paris! Nuk ka!”. Zhytur në krizë, mes zhgënjimit të thellë, monologu i Orliqit tingëllon i çjerrë, cimbisësh nervash, tipik ekspresionist: “Ç’është Parisi? Ku është Parisi? A është ky Paris? Çfarë liridashësish të dreqit? Purgarë trashamanë! Dreqi ta marrë! Ku është më ai Paris? Vallë ky qenka Parisi? Hej! Paris! Pse nuk po rrëmben qeset nën ato vithe të majura? Pse po ta thithin gjakun? Pse po të grahin si kalit të omnibusit? O ju rrenacakë, idiotë gungaçë, torollakë konservativë! Ju, mashtrues republikanë! Çka më interesojnë mua mbretërit e këpucarët, gijotinat dhe kafkat që nuk janë? Të gjitha këto nuk janë kurrkund! Të gjitha këto kanë vdekur! Të gjitha janë varruar! Parisi është bërë varrezë!”.
Ëndrrat e Orliqit rezultojnë të jenë më pariziene se Parisi! “Nuk ka Paris! Parisi është brenda në ne”, klith personazhi i Orliqit, i cili tipizon njeriun e zhgënjyer të shekullit, ëndërruesin, viktimën e realitetit diametralisht të kundërt – nga uzdaja për Tokën e Premtuar, në damarët e realitetit, fundërrinës e dhimbjes nëpër Parisin e vërtetë, njerëzor! Itinerari i Pero Oriliqit tashmë përfshin mejhanet dytësore, nëntokësore, ku dehet me themel, luan bilardo me sergjenët, shpenzon edhe kacidhet e fundit. “Atë natë fitoi afër pesëqind e njëzet franga, e mandej i humbi të gjitha menjëherë, pothuaj në një çast”. Humbi edhe orën e argjendtë, dhuratë e kumbarës. Miroslav Krleža e vendos personazhin e tij para dilemës ekzistenciale. Ky ndryshim drastik ndodh mu atëherë kur Orliqi, ndodhur në honet e jetës triviale pariziene, përjeton fiaskon më të madhe të jetës së tij. Tashmë ka humbur gjithçka. I vetëm. Duhet të çajë nëpër Paris. “Tashmë nuk kishte kurrgjë. As të holla, as dhomë, as iluzion. Nuk i mbeti gjë pas shpirtit.” Çfarë rrjedhe tronditëse! Shndërrimi i rioshit Orliq – që ëndërronte për Parisin, lexonte, bënte projeksione – në një endacak të përzënë nga dhoma, me pelerinën e lënë peng, me revolverin që në kulmin e krizës e vendoste në gojë, prej nga e nxirrte prapë i përqeshur nga tyta – është njëri prej kontrasteve më të fuqishme ekspresioniste, të cilin Krleža e krijon duke e vënë theksin te vulgariteti i jetës, rrena, lustra, mjerimi i ditëve, çarja përpara mes banalitetit, krizës, klimës së nderë morale, që të ysht drejt vetëvrasjes… I ndyrë, i palarë, i uritur, me këpucë të shqyera, Pero Orliqi i tret ditët shëtitjeve, rri nëpër muze, ku edhe pushon ngapak. “I mallkoi të gjithë klasikët, ato rrena tejet të marra dhe të tepërta, ai e urrejti tërë Evropën, e përbuzte tmerrësisht prej thellësisë së zemrës. – Zotin e tij të rrejshëm! Ta ther unë tash me thikë atë van Dyckun! Ato plakat e tij të trasha, të mallkuara! Hej! Ai van Goghu i mallkuar! Pra, ti qenke ai? Kështu po më dukesh ti mua?”.
Bredhjet e dëshpëruara, uria e madhe, vitrinat karshi tij me lloj-lloj ëmbëlsirash e ushqimesh të tjera të bollshme, gjithë konglomerati tërheqës parizien, paralelisht me jargët dhe dhëmbët që i kërcëllinin Orliqit nga lakmia, t’i ndërmendin skenat tragjikomike të Charlie Chaplin-it, regjisorit e aktorit të madh, filmat e të cilit po ashtu marrin jetë nga ekspresionizmi, nga paraqitja e realitetit, demaskimit të jetës borgjeze, “të lumtur” – fjala vjen te filmi “A Dog’s Life”, ku endacaku që bën jetën tok me qentë, vjedh salsiçen dhe e kthen prapë, ngase polici aty pari e sheh dhe e përndjek. Oriliqi, po ashtu, duhet të vjedhë ndonjë gjë për të ngrënë, ngase kërkesat e tij, përgjërimet për bukë përcillen nga tallje me të folmen e tij “barbare”. “Vallë, a nuk paska këtu njerëz? Vallë, njerëzit përnjëmend po jetuakan vetëm në literaturën ruse?”, pyet ai. Orliqi kryen vjedhje. Merr ushqim nga një i moshuar që “po piqte lardh në zjarr dhe pinte verë prej bucakut.” Nevoja e madhe për një copë bukë, uria e tmerrshme, e shtynë në aktin e vjedhjes, “krimit”, a thua se ka plaçkitur ndonjë bankë gjermane!
Nga këto pasazhe ku përshkruhet krejt zhveshur mjerimi, kotësia e ekzistencës dhe shtyrja e zorshme e ditëve dhe netëve – Krleža na paraqet Hodorlahomorin e madh, të cilin Orliqi e ndesh në Muzeun e Luvrit, ku bënte gjumë diku në skaj, gjithmonë me frikën e gërhitjes dhe flakjes jashtë nga rojat. Sidoqoftë, Muzeun e Luvrit ai e njihte mirë. E zë gjumi mes grumbullit të sarkofagëve. Donte ta bënte një sy gjumë, mandej të kërkojë diku ndonjë kacidhe për ca bukë dhe të shkruante fejtonin në ndonjë kafene. Atë fejton sensacional për të cilin ëndërronte! Të shkruante diçka që do ta dridhte gjithë Parisin. Të fitonte kruna nga “Narodni list”[4]“Gazetë popullore”. apo “Zagrebaçki dnevnik”[5]“Ditari i Zagrebit”..
I zhytur mes ëndrrave në galerinë e kaldejve dhe asirëve, dhoma nr. 16, Orliqi, shihte Babiloninë, Evropën moderne, me shpirtin delikat që i merrte hov për Antikitetin dhe Lindjen. Zemra i rrihte gjysmë për Evropën, gjysmë për Lindjen. “Ëndërronte se po pinte verë në ndonjë tarracë mermeri, ku janë perdet shumë të çmueshme e korridoret e shtruara në gurgjaku. Nata është e blertë e lundërtarët në Tigris këndojnë këngë dhe rrjedh e farfullon metali i shndritshëm rremave të tyre.” Kështu ikën nga Parisi i zhurmshëm, i rremë, me lloç, uri e fluturon konstelacioneve…, bredh nëpër brigjet lindore të përrallave të lashta. Është pikërisht takimi i parë me Hodorlahomorin e madh kur ky e zgjon nga gjumi.
“Unë jam Hodorlahomori!, foli njeriu me bas të thellë, e Orliqi u drodh në mënyrë nevrastenike si ndër ethe.”
“Unë u kam grahur tufave të panumërta të demave dhe kam dashuruar një mijë e një gra! Priftërinjtë e mi i kanë zënë me grushte yjtë.” Dialogu surreal mes Orliqit dhe mumies asirike manifeston nënshtrimin e djaloshit ballkanas ndaj Madhërisë së Tij. Zagrebi, Parisi, Ballkani? Ç’janë këto përrallisje prej të marri? “Ballkani, ju lutem, është siujdhesë e Evropës. Kurse Evropa është një siujdhesë e vogël e Azisë. Njëfarë shtojce e tepërt. Një lloj zorre qorre, në qoftë se Madhëria Juaj e di se ç’është zorra qorre. Kjo zorrë qorre mund të pezmatojë dhe plas, mandej bën kërdi e mrekulli.”
“Nuk kemi krijuar asgjë, Madhëria Juaj, në këto pesë mijë vjet. Ende hamë mish dhe theremi ndër vedi. Ju të paktën keni pasur ide! Keni ngritur pirgun për të rrëzuar Zotin! Ju në Babilon! Kurse ne asgjë! Ne jemi nervozë! Vetëm kaq! Ju keni luajtur me yj, ne po cofim nëpër fabrika, jetojmë në zinxhirë me hallka.” Krleža ironizon me shoqërinë borgjeze, bollëkun dhe inercinë që shkakton ky bollëk, ngase ngatërron qeniet njerëzore, ua humb dinjitetin, ndershmërinë, ndjenjën për tjetrin, gjykimin e drejtë…, shuan ëndrrën e kamotshme për krijimin e një shoqërie ku mbizotëron drejtësia, barazia, mundësia për të gjithë e solidarizimi me njëri-tjetrin. Duke e përdorur mumien asirike, Krleža portretizon tiraninë e “Babilonisë moderne”; kjo mumie e Luvrit joshet nga “Babilonia e re”, ndaj shpërthen murin e vjetër dhe del… në Paris. “Dëgjo, o burrë i mirë! Do të të shpërblej mbretërisht, në qoftë se më çon në atë Babilonin tuaj të ri! Bash kisha dashur të shëtis pak. Unë kam plot gurë të çmueshëm e flori!”. Kjo pjesë e novelës më ndërmend autorin austriak Joseph Roth, i cili në romanin “Historia e natës së 1002-të” ndërthur një subjekt pak a shumë të përafërt: Shahu i Persisë bën vizitë në Austrinë e monarkisë habsburgase për t’i ndërruar gratë, në fakt për t’i shijuar gratë mondane evropiane që vishen aq bukur e lëshojnë aroma dehëse… mandej dhurata që i bën njërës nga ato me të cilën e kalon natën, rrathë margaritarësh, ngatërrojnë e demaskojnë shoqërinë austriake…
I dyzuar me asirianin Hodorlahomor, Orliqi, tashmë me dukjen e një princi oriental zbret udhëve të Parisit me gardërobën e çmueshme. Qëndrojnë në Ritz, me apartament të veçantë me nëntë dhoma e varg shërbëtorësh. Skena elitare pariziene është në delir nga muskujt, dhëmbët, sytë orientalë të Hodorlahomorit. Damat fisnike, markezet, baroneshat, laviret, shkriheshin për hiret orientale të këtij mashkulli të rrallë me trupin e zhdërvjellët prej tigri. Ja pra, të famshmit, yjet botërore, vallëzueset, rendnin pas tij, hanin me të, fletoret bulevardeske të mbrëmjes i thurnin elozhe. Për Oriliqin, sekretarin e tij, interesoheshin gazetarët sa për të marrë hollësi mbi Madhërinë e Tij. Këto janë pjesët që përbëjnë ironinë më therëse, klithmën e Krleža-s, ndaj shoqërisë së rreme, inerte, që krijon allishverishe e bën gjithçka tjetër, mjaft të mos mungojë paraja, kjo Perëndi e vërtetë që mbretëron sipër njerëzve! Forca e saj e pakufi mund të të shndërrojë saora nga endacak në zotëri e njeri me peshë në shoqëri! Pero Orliqi urren gjithçka! Parisin. Ritz-in. Llumin e konteshave, markezeve, gjithë këtë makineri luksoze, të gënjeshtërt, të krimbur brenda…, mbi të gjitha Hodorlahomorin, “këtë malok primitiv, tutkun, që pëlqen sall mishin e gjallë, gogësin si fshatar e mrekullohet nga Parisi që e pushtoi si Dalila magjistare.” Ky konfrontim mes Orliqit dhe mumies asiriane mbush fletët e fundit të novelës, ku Hodorlahomori i ringjallur e ndien afrimin e vdekjes, ndaj i lutet Orliqit ta shpëtojë, ta mbajë në këtë Babilon. S’donte t’i fishkej gjithë ky bereqet parizien – operat, gratë e bukura lozonjare, pallatet plot salltanet, hotelet, muzika, kabaretë, e të kthehej në Luvrin e tij, në sarkofag. Përgjërimi i tij jehon, përbetimi, klithma ndaj Orliqit – shpëtomë!…
Pasazhet e fundit të novelës, trajtat surreale që merr e gjithë skena, Parisi, mbyllin siparin e historisë së të riut kroat, që mori botën në sy nga Ballkani, ëndërroi dhe shijoi qytetin e madh, u shkri në shkumën e ditëve të tij, jehonën e Babilonisë së re dhe kur e zgjua nga gjumi, pa policinë atje tej dhe u frikësua. Rrëmbeu asirianin, e hodhi atje-tej dhe ia dha vrapit. Ç’po ndodh? “Njerëzit bërtitën lemerishëm, kurse kulla Eiffel u rrëzua me zhurmë të madhe.” Kjo zhurmë ia pati nxjerrë gjumin. Vrapon trimërisht larg qytetit, prej nga mund të shihen konturet e Babilonit të mbyllur. “I hoqi këpucët e veta dhe e shkundi pluhurin prej tyre. Mandej nxori prej xhepit revolen e vet dhe i zbrazi të gjashtë fishekët mbi Parisin.” Kjo “vrasje” e Parisit nga Orliqi është fundi i kësaj novele kult të ekspresionizmit nga shkrimtari i mirënjohur kroat, i cili qoftë në prozë artistike, qoftë në ese e shkrime tjera është gjithmonë kritik i mprehtë ndaj shoqërisë, artit dhe kulturës në përgjithësi. Letërsia e Krleža-s është rebeluese ndaj “bukurisë së rreme”, sipërfaqësisë, moralit të ngurtë e pseudo-demokracisë. Ekspresionizmi i tij trand muret e borgjezisë, synon ta demaskojë panoramën pozitive të jetës; Krleža pikturon me ngjyra të tjera kaosin socio-ekonomik ku zhytet individi me gjithë kompleksitetin e tij – ai është çdoherë në përpjekje për çlirim shpirtëror, çapitet mes gjendjes së rënduar psiko-emotive, intime, ëndrrave, revoltës konvulsive në rezistencën e fortë ndaj kufizimeve amorfe, të moralit të rremë, siç në letërsinë tonë shqiptare i kundërvihet guximshëm Migjeni.
© 2023 Bujar Meholli. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
Kopertina: Photo by Adrien on Unsplash
References
↑1 | Hermann Bahr: Expressionismus, cituar nga artikulli i Světlana Ondroušková: Augenmusik, or synaesthesia as a technicue in the early avant-garde, Študie-Téma, World Literature Studies, vol. 7, 2015. |
---|---|
↑2 | Të gjitha citimet që do t’i përdor në këtë ese janë nga botimi i dytë i “Rilindjes”, Mirosllav Kërlezha, Novela, përkthyer nga Vehap Shita, Prishtinë, 1978. |
↑3 | Hasan Mekuli, Amerika në vrojtimin realist të Teodor Drajzerit, revista “Jeta e re”, Prishtinë, 1996. |
↑4 | “Gazetë popullore”. |
↑5 | “Ditari i Zagrebit”. |