nga Christian Voss
recension për romanin Die Erweiterung të Robert Menasse
(Berlin: Suhrkamp 2022, geb., 653 S., ISBN 978-3-518-43080-4)
Romani më i ri i Menasse-së është vazhdim i Die Hauptstadt, që u vlerësua me çmimin Libri Gjerman në 2017. Në këtë roman, shkrimtari austriak ka gërshetuar biografitë evropiane me një përshkrim ironik të burokracisë së Brukselit dhe jetës së përditshme të Drejtorit të Përgjithshëm për Kulturën të Komisionit Evropian, në një mënyrë shumë të ngjashme. Ky roman depërton edhe më thellë në politikat e përditshme dhe përqendrohet te Ballkani Perëndimor si çështja më urgjente në agjendën e BE-së, sidomos Shqipëria.
Menasse-ja merr si pikënisje veton franko-holandeze kundër statusit të vendit aderues në BE të Shqipërisë (dhe Maqedonisë së Veriut) në 2019, dhe e zhvillon historinë më tej – nga këndvështrimi i ekipit të zyrës së kryeministrit shqiptar. Kryeministri është, dhe ish-lojtar profesionist basketbolli, dhe artist, kësisoj i identifikueshëm lehtësisht me Edi Ramën. Personaliteti i tij përshkruhet si dominues, me vetëbesim dhe i paqëndrueshëm, por njëkohësisht vizionar dhe novator. Megjithatë, nuk ka asnjë monolog të brendshëm nga këndvështrimi i Ramës, por vetëm nga tre protagonistët e ekipit të zyrës së tij.
Vepra vijon si satirë politike me ato lloje elementesh absurde që i njohim nga “Njëqind-vjeçari që doli nga dritarja dhe u zhduk” i Jonas Jonasson-it (2009). Për të penguar kërkesën zyrtare të qeverisë për kthimin e helmetës së Skënderbeut të ekspozuar në Vjenë, opozita shqiptare (as Sali Berisha nuk përmendet me emër) e vjedh helmetën. Prej këtu, u qepet pas këmba-këmbës policia vjeneze, përfaqësuar nga majori stoik Starek. Personazhe dytësore, të tillë si kolegët e dehur, janë të nevojshme për të riprodhuar stereotipat mbizotërues të Ballkanit, të cilët pastaj dekonstruktohen. Në të njëjtën kohë, kryeministri shqiptar porosit një kopje të helmetës, pasi dëshiron të kurorëzohet si sundimtari i gjithë shqiptarëve të Ballkanit (pra dhe atyre të Kosovës, dhe zonave shqip-folëse në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Greqi). Simulimi i këtij skenari bashkimi supozohet ta detyrojë BE-në të reagojë. Megjithatë, kopja e helmetës vidhet gjatë një grabitjeje në rrugë dhe përfundon përkohësisht në duart e mafies shqiptare në Italinë e Jugut.
Shqipëria u bën thirrje gjithë kryetarëve të shteteve evropiane të marrin pjesë në inaugurimin dhe udhëtimin e parë të anijes shtetërore SS Skanderbeg, gjatë ceremonisë së të cilës do të ekspozohej helmeta. Në bordin e anijes shpërthen një epidemi vdekjeprurëse që shkakton kaos. Skena finale përshkruan anijen që lundron kuturu në Mesdhe, megjithatë arrin të shpëtojë nga mbytja disa emigrantë afrikanë.
Në këtë pikë, të paktën, nuk mund të mos na shkojë mendja se ndoshta Menasse-ja mund të mos e kish vrarë aq lart. Intriga është plotpërplot dhe sa s’pëlcet nga stereotipat: Shqiptarët, si nacionalistë famëkëqinj dhe megalomanë, fajësohen lehtësisht për vjedhje veprash arti. Megjithatë, Menasse-ja arrin të krijojë një panoramë emocionuese të perceptimeve të dyanshme dhe tipareve të jashtme të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së që përfshijnë dhe perspektivat e dy zyrtarëve civilë të rangut të lartë (polakë dhe austriakë), një hetuesi krimesh austriak dhe rrethit të afërt të kryeministrit shqiptar.
Kur ka qenë hera e fundit që një roman gjerman ngjarjet e të cilit zhvilloheshin në Shqipëri është shitur kaq shumë? Ndoshta ka qenë një nga librat e Karl May-t, të cilin e kujton ta ketë lexuar si fëmijë dhe detektivi në romanin e Menasse-s, (“Das Land der Skipetaren”, “Toka e Shqiptarëve”). Duke qenë se pjesa më e madhe e ngjarjeve të librit zhvillohen në Tiranë, dhe Menasse-ja përfshin dhe histori dashurie dhe të fëmijërisë së protagonistëve, ia del me sukses të “normalizojë” një vend që për një kohë të gjatë shihej si të ishte Korea e Veriut e Evropës.
Menasse-ja i kushton kohë shpjegimit historik të dhënies së besës shqiptare, dhe e kombinon jo vetëm me klishenë e gjakmarrjes por edhe me episodet e shpëtimit të hebrenjve gjatë Holokaustit. Ylberja është një nga dy gratë me karakter të fortë në roman dhe bijë e pronarit plak të një shkolle gjuhësh në Tiranë, Siegfried Lenz. Duke qenë se sipas kodit shqiptar të nderit, shtëpia i përket Zotit dhe mikut, i zoti i shtëpisë ku bujtte Siegfried-i ishte i gatshëm të sakrifikonte të birin për të gjatë një bastisjeje nga ushtarët e Vermahtit. Ylberja përpiqet të gjejë fshatin e saj të lindjes dhe nga fundi i romanit, shkon me makinë në malet e Tropojës, dhe pikërisht me Ismailin, ish-zëdhënësin e kryeministrit, që do të pësojë një aksident vdekjeprurës në male. Menasse-ja i përqendron kontrastet e mëdha politike të Shqipërisë te ky personazh: babai i tij kishte qenë pjesë e nomenklaturës por u bë viktimë e përndjekjes gjatë spastrimeve të viteve 1980 dhe u zhduk bashkë me të shoqen. Deri atëherë, djaloshi që mbeti papritmas jetim kishte jetuar në një vilë në Bllok, ku në kohën e ngjarjeve të romanit ndodhet një radio-bar ku takohet me Ylberen.
Një tjetër grua e fortë është Baia Muniqi (e quajtur sipas “FC Bayern Munich” nga i ati), me të cilën do të bjerë në dashuri dhe do të krijojë një lidhje zyrtari i lartë shqiptar, Karl Auer. Baia përfaqëson personazhin më pozitiv shqiptar dhe mishëron Shqipërinë e re teknokratike-profesionale që kërkon me vetëdije të ndihmojë për realizimin me sukses të reformës shqiptare në drejtësi. Historia e dashurisë midis Karlit dhe Baias kthehet në një deklaratë dashurie për Tiranën: Menasse-ja i përshkruan me detaje klubet në zonën e mëparshme të elitës së partisë komuniste, Bllok, por edhe shkrirjen moderne të restoranteve në qytetin ku vera e hershme pothuajse e pafund të kujton Barcelonën. Në librari ruhet një hartë që tregon planimetrinë e qëndrueshme të qytetit të Tiranës të bërë nga fashistët italianë në vitet 1930, përfshirë dhe formën e sëpatës së fashos të krijuar nëpërmjet sistemit rrugor të qendrës së qytetit.
Menasse-ja krijon një konflikt të spikatur homonimesh nëpërmjet fjalës kyç SS Skanderbeg: nga një anë SS është shkurtesa për Steam Ship (avullore) (sikure MS do të thotë anije me motor – motor ship), ndërsa nga ana tjetër kjo të kujton episodin me Divizionin SS Skanderbeg, që ishte aktiv gjatë fazës së fundit të Luftës së Dytë Botërore, gjatë periudhës maj-dhjetor 1944, kur Hitleri u përpoq të përdorte formacione muslimane si një rezervë e fundit, duke përfshirë muslimanë shqiptarë dhe boshnjakë.
Sërish e në mënyrë të përsëritur ngrihet pyetja se pse shqiptarët, një popull evropian me shumicë muslimane adhurojnë Skënderbeun katolik që tentoi të ndalonte pushtimin otoman të Evropës Juglindore në shekullin e pesëmbëdhjetë. Këto pyetje shkojnë kundër natyrës së të menduarit të thjeshtëzuar: “Kjo Shqipëria është një vend shumë i çuditshëm. Kam dëgjuar se këtu u shpëtuan shumë hebrenj gjatë luftës. Shumë e çuditshme. Pse të duket e çuditshme? Epo…muslimanë që shpëtojnë hebrenj.” (Botimi gjerman: p. 633). Këto diskutime për përkatësinë evropiane kulturore dhe politike të Ballkanit Perëndimor shpresohet në veçanti që të arrijnë shumë lexues të rinj dhe ta zgjerojnë debatin brenda shoqërisë perëndimore. Megjithatë, romani i Menasse-së do të jetë një aventurë emocionuese edhe për lexuesin shqiptar.
Përktheu nga anglishtja Albion Zifla.
© 2022 Christian Voss. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
Titulli është i redaksisë.