Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

SHQIPJA E SHKRUAR

– homazh për profesor Idriz Ajetin –

nga Bardhyl Demiraj (LMU München/RFGJ)

Profesor Idriz Ajeti kishte mbushur plot një shekull, kur e pashë të fundit herë, bash aty nga fundi i janarit 2017, në një konferencë kushtuar atij atë përvjetor[i]. Nuk i kishin mbetur më bashkëmoshatarë në këtë jetë, nëmos sosh komilitonë shkolle a universiteti, që të fiksonin në kujtesë datën kur ia festonin ditëlindjet. Ndërkohë ish-studentë e ish-studentë të ish-studentëve të tij, thuajse të gjithë të zbardhur nga mosha e hallet e ditës rreken e rropaten ende sot e gjithë të qëmtojnë dëshmi bindëse, nëse ditëlindja e tij përkon zyrtarisht me dt. 27 janar 1917, apo do shtyrë në kohë me nja gjashtë muaj, bash më 26 qershor 1917. Sigurisht që ky debat, përpos dobisë së datimit të saktë biografik, së paku nuk i mballos kujt e sidomos Fjalorit Enciklopedik Shqiptar ndonjë të keqe shtesë, madje as që vjen e përqaset dot me atë zezonë të madhe kulturore-intelektuale për mbarë kombin shqiptar që nxisin dhe mpleksin nata me natë Emilët tanë të periudhës së tranzicionit. Janë bash ata që dikur nuk ua bënte syri tër e  mëngonin të dhunonin deri edhe emrin e profesor Ajetit, duke e bërë bashkautor pamfletesh gazetareske, thjesht e vetëm me efshin me minuar në çdo hap e me çdo kusht nismën fanmirë të Këshillit Ndërakademik Shqipëri-Kosovë lidhur me mbarështimin në vazhdimësi të normës gjuhësore në shkrimin e shqipes, të cilën jemi mësuar ta lëçisim në kohën tonë më fort si Shqipja Standarde (me –d– në rrokjen fundore), duke u përgatitur kështu “Rregullave të drejtshkrimit të shqipes” (nëntor 1972) dimërimin e përjetshëm në ndonjë pavijon të Muzeut Kombëtar, ja ashtu si çdo relike materiale-shpirtërore e trashëgimisë së vyer kulturore të popullit shqiptar.

Asgjëmangut, në përvjetorë të kësaj natyre çdo kumtues është i detyruar me i anashkaluar këtij bërllogu intelektual po-shqiptar në jetën e përditshme, duke u përqendruar thjesht dhe vetëm në thurje laudatio-sh ndaj jubilarit dhe prurjeve të tija në kulturën mbarëshqiptare. Veçse në rastin tonë ky detyrim fatlum nuk e lehtësonte assesi sendërtimin në letër të bardhë të dëshirës së madhe me kumtuar diçka të veçantë. Dhe arsyeja ishte e thjeshtë, thuajse triviale: Jubilari kishte mbushur ndërkohë një moshë biblike dhe penda e tij nuk kish reshtur së shkruari dekada me radhë. Por jo vetëm kaq: profesor Ajetin e kishim mes nesh e sekush ushqente dhe ushqehej me shpresën dhe dëshirën e mirë me përjetuar në vazhdimësi – qoftë edhe në formën e kumtit gojor e të bashkëbisedimit – përsiatjet e tij për çështje nga më të ndryshmet që kishin të bënin me shqipen, shkrimet dhe historitë e saj.

Një opsion i dytë për mua ishte në fakt edhe të përmblidhja kujtimet e tim eti, Shaban Demirajt për profesor Ajetin. Të dy i kishte lidhur një kolegjialitet dhe miqësi e sinqertë dhe e stërlashtë, andaj nuk është aspak çudi, përse emri i profesor Ajetit lakohej aq shpesh në familjen tonë, qysh në fillimet e viteve 70-të të shekullit të shkuar, kur im atë filloi të vizitonte rregullisht Kosovën e unë si adoleshent mezi ç’prisja të kthehej me ndonjë top basketbolli apo me çimçakiz a karamele e më pas, kur u “burrërova” – d.m.th. aty nga mosha 14 vjeç – edhe me cigare “Kent”, të cilat ia vidhja tinëz nga çantat.

Por le të kthehem në temë: Vështirësitë që kisha në përzgjedhjen e njërit apo tjetrit opsion më detyruan të ndalem thukët në dy dhunti të karakterit human dhe profesional të profesor Ajetit, të cilat i kisha fiksuar dikur qysh fëmijë prej kumteve të tim eti, ndërsa sot më mbetet vetëm t’i përditësoj drejtpërdrejt ose tërthorazi qoftë me aktivitetin e tij shkencor, ashtu edhe me angazhimin e tij social në mbarështimin largvajtës të albanologjisë e të kulturës shqiptare në përgjithësi.

Ndër këto dy dhunti, e para nuk është aspak e vështirë sot për t’u diktuar, e për këtë mjafton të shfletojmë me lexim diagonal prurjet e profesor Ajetit, të përmbledhura qoftë edhe pjesërisht në opusin e tij pesëvëllimësh si botim i veçantë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (Prishtinë 1997/8). Ky opus, sikurse shumë e shumë botime të tjera, të organizuara këso rastesh jubilare dëshmojnë qartë që në personin e profesor Ajetit gjëllin si dhunti e lindur etja për njohje të gjithanshme të shqipes. Rinia, shkolla, studimet universitare, sikurse e gjithë jeta e tij shkencore-akademike konfigurojnë së bashku atë sjellje thuajse instinktive në aktivitetin e tij intelektual që feks e tingëllon sot në sytë e veshët tanë pikërisht si etje e amshuar për njohje të thelluar të shqipes në të gjitha perspektivat e mundshme, ndër to:

–   shqipja si gjuhë e gjallë e me larmi varietetesh bashkëkohore (: të folmet e Zarës dhe të Istries, të Krajës dhe të Shestanit, të zonës së Preshevës etj.);

–   shqipja në fazat e ndryshme të evolucionit të saj historik;

–   shqipja në marrëdhëniet e saj me gjuhët fqinjë;

–   kultura e shkrimit shqip në kohë e hapësirë (: shqipja e Kosovës në shek. XVIII-XIX etj.); e last but not least:

–   shqipja bashkëkohore në fokusin e planifikimit gjuhësor për gjithë hapësirën kompakte shqipfolëse në Ballkan dhe diasporë.

Mjaftojnë këto prurje në gjithë këto fusha me përsiatur mirëfilli atë ndërlidhni përmasash të pazakonshme me gjuhën shqipe që përjetonte profesor Ajeti në prag të qind­vjetëshit të dytë në jetën e tij. Nuk gabojmë aspak, po të mëtojmë se Shqipja, e personifikuar tash në Zonjën Shqipe, ishte pas gjase Ora e tij personale, që i rrinte gjithherë pranë, e shoqëronte, e mbronte dhe e orientonte në jetën e tij intelektuale. Kështu i përcillja dikur si adoleshent fjalët e tim eti, që gjithmonë ngazëllehej, kur binte fjala për profesor Ajetin me Çetën e tij të Profetëve gjuhëtarë të Kosovës, e thosh: “Or’ po, ata do na lënë prapa shpejt neve këtej. Jo për gjë, por…; se jo vetëm i kanë mundësitë, xhanëm (!), për literaturë…, por sikur…, ata sikur kanë lindur për gjuhëtarë.” E unë si fëmijë fantazoja, se si profesor Ajeti, kur kishte lindur dikur aty në motin e largët 1917, kishte pranë si vejtore të fatit Orën Shqipe. Ora Shqipe i kishte diktuar orientimin në jetë, deri si të ecë e të vallëzojë virtualisht me të, kur dhe si të kombinojë hapat para e mbrapa e kur të kthehej djathtas, apo të rrotullohej majtas.

Pikërisht në këtë qerthull marrëdhëniesh virtuale me Orën Shqipe diktojmë edhe atë dhunti të dytë, në personin e profesor Ajetit. Ani, është kjo një dhunti, pas gjase po e lindur, por që arrijmë ta deduktojmë mirëfilli si të tillë, sidomos kur përqendrohemi në angazhimin e tij social, bash kur ngjërojmë ashtu mes rreshtash në shkrimet, qëndrimet dhe intervistat e tij ndaj planifikimit gjuhësor, përkatësisht njësimit të normës gjuhësore për shqipen e shkruar në gjithë hapësirën kompakte shqipfolëse në Ballkan.

Lejohem të përcjell me këtë rast thjesht përvojën time personale, pikërisht mënyrën se si e kam përjetuar – ndonëse me shumë vonesë (!) – atë angazhim social të profesor Ajetit në shkrimet e tij përgjatë rrjedhës së procesit të normëzimit të variantit të shkruar të Zonjës Shqipe. S’kam përse e fsheh atë mbresë të thellë që më ka lënë njëri ndër artikujt e hershëm, në mos më i hershmi i botuar i profesor Ajetit në këtë fushë: “A ka gjâ mâ punë n‘ortografinë e shqipes?” (Përparimi, Prishtinë 1958, nr. 7-8, f. 471-476). E përcjellim rishtas këtë shkrim në opusin pesëvëllimësh të profesor Ajetit, duke e shoqëruar njëherësh sa me buzëqeshje të rastit aq edhe me seriozitetin e duhur: a) me buzëqeshje të rastit, sa i përket formës aktuale, meqë shkrimi origjinal është përshtatur i tëri në variantin normativ letrar të Zonjës Shqipe, madje qysh në titull: “A ka më punë në ortografinë e shqipes” (“Vepra”, bl. 2, f. 203-7); sikurse b) me seriozitetin e duhur, sa i përket mesazhit të natyrës universale që emeton ky titull, sidomos në kohën tonë dhe në hapësirën tonë shqipfolëse, bash kur ish-nxënës të tij e shtrojnë sot rishtas çështjen e mbarështimit dhe pasurimit të saj si imperativ i kohës.

Prashtu pa dashur të zgjatem, lejohem të shtoj pa drojë, se ngjërimi i këtij shkrimi të parë sikurse i çdo shkrimi, qëndrimi e interviste të mëvonshme që ka botuar e dhënë profesor Ajeti për 6 dhjetëvjeçarë të tërë për çështje të normës gjuhësore, më sjell ndërmend kumtin e dikurshëm ngazëllyes të tim eti, të cilin ma përsëriste shpesh: “Që sot kemi një shqipe të njësuar, mor bir (!), këtë duhet t’ia dimë Kosovës, e cila u sakrifikua përsëri për ne” – sakrifica e parë kishte të bënte cungimin e dikurshëm të Shqipërisë – dhe i shkëlqenin gjithnjë sytë kur përmendte me këtë rast emrin e profesor Ajetit.

Unë i kisha a s’i kisha aty te 14-at atëherë, kur u mbajt Kongresi i Drejtshkrimit në Tiranë (1972), dhe im atë ishte për mua si gjithnjë i vetmi person kontakti me botën, thënë më saktë qiellin e largët e të paarritshëm të Kosovës. Se kush ishte profesor Ajeti e çfarë rëndësie jetike kishte për ne kjo (atëherë) Shoqja Gjuhë me katër mbiemra: Letrare Kombëtare e Njësuar Shqipe, në fakt nuk arrija ta përtypja dot, por meqë i besoja tim eti në çdo fjalë që thosh, fillova ta dua edhe unë si i marrë profesorin tonë të nderuar, anipse nuk e kisha parë kurrherë më parë, as në fotografi. Ja që kjo rrethanë më ndihmoi shumë, se fillova ta përfytyroja profesor Ajetin tamam si Prometheun mitik, duke i sjellë zjarrin, që vjen me thënë gjuhën letrare-kombëtare të njësuar shqipe vëllezërve tanë në Kosovë, e ashtu me bark të çjerrë e me mushkëri të përgjakura gjëmonte sa tundej dheu: “S’ka mâ Shqypni, as Dhe t’ Arbnit, as mâ Gegni; ka vetëm Shqipëri, Arbëri e Gegëri!” Më vonë, filloi të më vinte vërtet shumë keq, kur e përfytyroja profesor Ajetin ashtu të shqyer e të sakatosur, si mos o Zot! Prandaj ndërrova mendje shpejt dhe e këmbeva Prometheun me Odinin, babazotin e mitologjisë nordike. Edhe ky zot babaxhan ishte, e po aq i etur për dije, mençuri e sakrifica si profesor Ajeti; andaj la peng fillimisht një sy, vetëm e vetëm që të pinte një kupë prej Burimit të Dijes që e ruante Zonja Mirmir, ndërsa më vonë, kur donte të mësonte edhe zanafillën e shkrimit runik, nuk e bëri të gjatë, por u vetëvar për nëntë ditë e nëntë net me radhë në Pemën e nëntë Botëve (Yggdrasil). Ja që pas nëntë ditëve së ndenjuri varur e mësoi edhe misterin e gjuhës Runa e sipas mitologjisë nordike jet e gjëllin sot e gjithë ditën shëndoshë e mirë në qiellin e nëntë.

Ngjashëm me Odinin, edhe profesor Ajeti, jo vetëm që ngulmoi dikur në unifikimin dhe përvetësimin e shqipes së shkruar, ase Standardin – siç po mësohemi sot ta mësojmë përmendësh këtë fjalë më se të çuditshme – por edhe e zbatoi atë me bindje në prurjet e veta, deri sa mbylli sytë për të fundit herë (13.2.2019). Veçse nuk ishte thjesht dhe vetëm etja për dije ajo dhunti e lindur që e nxiti profesor Ajetin të sakrifikohej për Runa-n shqipe. Vijmë kështu tek ajo dhunti e dytë, e lindur ashtu natyrshëm te shqiptari i Medvegjës, i Kosovës dhe i Shqipërisë mbarë: dëshira me qenë të gjithë gjithmonë bashkë, bash sipas motos që zhurmonte atëbotë ndër shqiptarët e Kosovës: “një komb – një gjuhë”.

(c) 2022 Bardhyl Demiraj. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Kopertina: Yggdrasil – Pema e Botës, në mitologjinë nordike.


[i] Teksti i është riprodhim me ndryshime të rastit i një kumtese të pabotuar, të mbajtur nga autori në Prishtinë më 27 janar 2017 në konferencën kushtuar 100-vjetorit të lindjes së prof. Idriz Ajetit e që po e botojmë për hir të aktualitetit që përjeton ndërkohë çështja e Shqipes Standarde në masmediat dhe rrjetet sociale të komunikimit publik.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin