Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arsim / Kulturë

KRONI I POEZISË SHQIPE

Jusuf Alibali 1939 (?).

Duhet të ketë qenë vërtetë nga më të bukurat dhe sfidueset lënda e Letërsisë Shqipe e dhënë nga Gaspër Pali në vitin shkollor 1940-1941 në Gjimnazin e Shkodrës. Një ndër studentët maturantë të Liceut Shtetnuer ishte edhe Jusuf Alibali, i biri i një oficeri të ushtrisë së Zogut.

Lënda e letërsisë me mësues një ndër personalitetet më të shquara e poliedrike të kulturës ishte si njëfarë oazi që e largonte studentin nga realiteti i hidhur i ditës, nga atdheu i pushtuar, nga konflikti i përgjakshëm botëror.

Esetë, studimet, shkrimet për Letërsinë Shqipe të atij viti të vështirë shkollor mbijetojnë sot në një bllok shënimesh, që u ka qëndruar rrebesheve të kohës, përfshirë vitet e gjata të internimit, që maturanti i dikurshëm shkodran as që mund ta mendonte se do t’i kalonte mbi kurriz nga vitet 1975 -1987, sikurse kishte vuajtur periudha të gjata paraburgimi për veprimtari anti-fashiste në Firence më 1941 dhe në Tiranë më 1944. Nëse ky bllok do të kishte rënë në dorë të organeve represive të sistemit totalitar, kaq me gjasë do të kishte mjaftuar për të vërtetuar akuzat si element armiqësor, anti-parti, të shpalosura ndaj tij në atë kohë.

Autori, i cili këto ditë mbush 100 vjet nga lindja (u lind më 9 nëntor 1922), përcjell në këto ese figurën e një brezi maturantësh të edukuar dhe brumosur me cilësisht në gjimnazet e shquara të vendit. Ndër 78 faqet e dorëshkrimit përfshihen studime për “kronin” në letërsinë shqipe, një studim për “fytyrën frashëriane tek Bagëti e Bujqësi”, një analizë për Fishtën e parë me sytë e maturantit, dhe të tjera.

Po botojmë këtu për here të parë esenë kritike “Kroni, element frymëzimi në letërsinë shqiptare”.

(A.A.)

Kroni, element frymëzimi në letërsinë e ré shqiptare.
(studim kritik)

nga Jusuf Alibali

 G.Pali-t.

Klasa IV A/ K. Naltë
Liceu Shtetnuer Shkodër
Shkodër, 29 Nanduer 1940

Nuk mundena me thanë se kemi nji letërsi vërtè kombëtare. O ma mirë me thanë nji poezi shqiptare, megjithse poetët janë shqiptarë. E kjo nuk rrjedhë nga se u-mungon vullneti i mirë për kombtarizim të poezis shkrimtarve t’anë. Jo. Faktet tregojnë shpesh të kundërtën. Tentative të ndryshme janë bâ për me paraqitë jetën shqiptare edhe ndër vargje. E do të ishim me të vërtetë mosmirnjoftësa sikur të mos përmendëshim frymen shqiptare që ndihet nder vargje të nji Poradeci, të nji Koliqi, të nji Fishte, të nji Naimi, o të nji Prennushi.

Porse në ta âsht diçka tjetër që bje në sy të shqyrtuesit të kujdesëshëm: âsht influksi esotik i pazhdukun që del në relief në çdo rasë.

Unë kishe me thanë pa kurrfarë droje se në Shqipninë t’onë kemi kullën e Babelit të Poezisë. Frymë të ndyshme trashigue, me thanë keshtu, prej gjithnduer shkollash na e përforcojnë atë çka thame ma nalt.

Fishta ban me jetue endè ndër vargjet e tija shpirtin e gjallë të rapsodit ballkanas. Ndërsa Naimi kredhet në misticismin persian, ushqehet me ndiesit pastorale e endacake t’arabve, De Rada e ka të gjallë e mban të pashueme në vedi flaken e nji romanticismi dekadent. Koliqi, mbassi ndoq gjurmët e klasikve italian, mbassi kërkoi e gjeti n’ta të ashtuquejtunin “sentiment artistik” të poezisë, tue përvehtësue intuitën poetike, ngau edhe ndër realistët frengj me hulumtue bukurinë natyrale te vargut, paraqitjen tipike të jetës n’aspekte të ndryshme. E Lasgushin e shofim ndër Rumunët për me u rrokë atyne msheftësit sensualistike të vargjeve. Mihail Eminescu ka gjetë në te nji dishepull të dênj, tue u bâ si paraqitës i poezis erotike-sensualiste shqiptare. Letërsia e jonë ka gjetur në te “Saffon”.

Kjo bisedë e vogël qe sa me na kujtue nè prejardhjen e poezis s’onë. Nuk mund ta mohojmë veç përpjekjet që janë për t’u lavdue të shkrimtarve t’onë për unjisimin, kombëtarizimin e poezis. Por ndodhë e njajta gjâ si në tregti në kët rasë: malli i importuem që, tue i vue etiketa t’ona shitet nën emnin si industri vendit. Kaluem në nji fushë tjetër gadi: por dhe kjo sa me illustrue mendimin mbi prodhimin t’onë letrarë o poetik.

II

Na do shqyrtojmë, pra paraqitjet e ndryshme që i kanë dhanë “Kronit” poetët e përmendun mâ nalt, tue qenë brue ndër shkolla të ndryshme letrare.

Tue xanë fillë prej De Radës vrejmë se kroni përbân dhe ai ne vetvete nji farë shtylle mbajtëse mbi të cilën qëndron ndërtesa e bukur që merr emnin: “Milosaat”. Ndër kangjelat mâ të parat poeti na këndon bukurit e visevet shqiptare-t’atmes së kërcnueme e na bjen e na ndalë, bashkë me heroin e tij, brî kronit të kulluet. Aty ka rasen e fatin e bardhë me ndeshë në vashen e vet! Ndiesi të kullueta si ai uji që ka pranë, i burojnë spontaneisht nga zemra: aso ndiesish që kurr s’ka provue, aso të dridhunash që s’i ka pasë as kur i ka dal përballë vdekja kah i ngërdheshet. Luftëtari i patrembun mbetet shtang, përpara njaj vashe së dobët, aty, bri kronit fatal.

Qe çka ndodh aty: lindë shkëndijëza, që s’do të shuhet kurr, e dashunisë. Po pse s’lindi ajo shkëndijëz më ndonji vend tjetër, por aty, bri kronit? Jo, askund gjetiu s’kish me lindë, veç aty!

Poeti ashtu nuk don… E ashtu kishte me dishrue veç kushdo që e kupton fuqinë e pathyeshme që ushtron n’shpirtë të dashtnorit, ambienti, vendi i takimit të parë, të shikimit të parë, të dashunisë së parë. Qe arsyeja. Pra: jo, Poeti.

Kroni, të ramit çurg t’ujit të tij, zhaurima që ban kah bjen, jehu që shpërndan jonet e njaj muzikes’ amshueme – zbukurue ky kuadër prej ndonji drite hane të zbehtë, të dobët, tizike – e tanë kjo në kompleks, përban faktorin shtytës, elementin mâ të parë të dashunisë romantike. E nji vend mâ ideal për me gërshetue dashuninë e parë…, s’kish me gjetë De Rada askund në botë. Aty poeti i a ka dalë mjeshtërisht.

Mâ mjeshtërisht për, kishe me thanë për vedi, i a ka dalë Lasgushi ne traktimin e themës së tij. “Te Kroi i Fshatit t’onë” âsht kanga fshatarake e sensuale mâ e bukura që mund të krenohet letërsija e jonë e vorfën. Âsht margaritari mâ i shkëlqyeshmi i kollanës së vogël të poezis kombëtare. N’ato vargje nuk flet Lasgushi. Flet populli, anonymi, me gojën e tij t’ambël, me fjalën e tij kumbuese, me zemren e tij të dashtënueme.

Prap kroni, këtu, vend takimi i të rijve.

Në sa tek De Rada kemi edhe pjesën e idhët të dashunisë (e për kët nuk duhet me u çudit aspak: si në çdo dashuni romantike) që âsht ndamja e perherëshme e shkaktueme nga nji ndiesi ma e fortë se e para: detyra; tek Poradeci, përkundra, kemi pjesën e gëzueshme: mbas takimit, buzëqeshjeve e pershndetjeve e kemi edhe largimin po, por jo të pergjithmonëshem. Ky largim asht i çastit:

“Papo ula kryet e shkova si grua.”

Me gjith irnimin e përkohshëm, të verenikun t’ardhë nga deluzioni, poeti prap se prap e ka “humor”-in e e shprehë në vargje të mbrame, me thjeshtì e me entuzjazëm, kah i ban apologjinë kronit të fshatit të vet:

“.. kroj i fshatit t’onë tet sylenjarë
ndër tet krahina qenke kroj i parë.
Qënke një në botë, nuk paske një të dytë.”

III

Naim Frashëri, në kundërshtim me çka thame për te, tue lanë më njanesh misticizmin persian, len të kapet prej njaj ankthi që s’gjen sherim: dashunija për atdheun e largët.

“Tek buron ujët e ftohtë… “ kendon e vajton poeti i djegun prej atdhé dashunis. E n’ato vargje, n’ato fjalë ai don me gjetë shërimin: flladin ato fjalë ia bien për me shue zjárrmin e njaj nostalgjie së brendëshme. E njajo nostalgji e pashërim ka me e përcjellë deri në vdekje poetin e mërguem!…

Qe çka paraqet kroni i Naimit: nji pjesë shumë të vogël përbâse të bukuris së vendit të vet.

Me sa Ndiesí e ftofun, Shpresë, Riní, Gjallní, âsht Kroni i Koliqit. Naimi kendon kronin me mallin për atdhe  – Koliqi kendon Rinín e shtypun, të denueme me ndejë n’apatí, në ftoftësí, në plogëtí. Asht akulli – pengesë e Vullnetit të Rí, që i ndalon rrugen Kronit të porsa buruem!…E don me thye atë akull e don me dalë prej atij varr-  i Riu, kroni -për me përtrí, me ngjallë me újë të kulluetë të ndiesive të veta, Jetën, që e kaloi në dimën tanë rravgime e krajata. Por pret, e pret të shkrimunit e akullit. Ndrrimin e stinvet, Shpresën për të nesërmen e bardhë e të lumtun. Pret Riníja agimin e Pranverës, trandofilin mâ të bukur të jetës së sajë: Pret Riníja D a s h u n i n ë….

Jusuf S. Alibali

Shënim: tekstin e esesë më lart e ka transkriptuar dhe stabilizuar Agron Alibali.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin