Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Urbanistikë

MENDIME TË LIRA MBI KAFEN E MADHE

Nga Sonela Pirani

Titulli origjinal: Idromeno: shenjti i përdhosun prej idhujve të rrejshëm. Mendime të lira mbi Kafen e Madhe e jo vetëm.

Du me sqaru që me ktë shkrim unë nuk pretendoj të zgjidh diçka e as të kem impakt mbi të tashmen e një qyteti që me ndihmën e një graviteti artificial vetëm sa bjen poshtë e ma poshtë. Du vetëm me liru vedin prej disa mendimeve të trazume që ka ma shumë se një vit që më vjedhin gjumin në mënyrë agresive. Në fakt, ajo çka unë kam dasht asht me referu shkencërisht fenomene që po degradojnë Shkodrën nga dita në ditë: po dita asht tu ken aq e gjatë sa nuk ka ma as orë, as minuta e as teori me e përkufizu; gjithsesi ndoshta herë mbas here do ia lejoj vedit me citu ndonjë që e kam përzemër.

U zgjova atë nadje tan ankth prej lajmeve që ndigjova një natë ma parë në lidhje me Kafen e Madhe dhe kisha nevojë me ec pak. Ka kohë që dal vetëm e konsumoj kafen e nadjes vetëm, sidomos në ndërtim të edicionit të dytë të Idromeno Independent. Sa e sa herë më duket që rrugët, ndërtesat, gjithçka don me m’shtyp, si n’hakmarrje që un i shkeli përditë në orare që si shkel asnji. Po hapat e mi janë gjurmë dashniet, pushtuesit nuk zbathen me prek tokë, sytë e tyne janë gri, të akullt, fluturojnë sipër nesh pa e përqafu ekstazen e ajrit. Këto pushtues nuk shihen as në pasqyra po veç ndër xhama: vetëm vetratat reflektojnë qenien e tyne ashtu siç asht; hije e flliqun që përsiatet e kërcënohet nëpër qytet. E kta hije unë s’po di me i luftu, jo që s’di po s’besoj se mundem. A luftohen hijet?! E nuk ishte ma vonë se shtatë e nadjes kur pak metra larg shpisë më doli përpara ndërtesa e qëndisun prej Kolë Idromenos: vila e dikurshme e Dan Hasanit, apo e austro-hungarezve, siç njihet edhe sot në Shkodër. E harrume, e dëmtume, e shkatërrume deri në pikën që ndonjë idiot ka me dasht me e ba pallat, a hotel lluksoz, a restorant me hangër delikatesa oksidentit, pa e mendu që çdo copë e asaj vile asht eleganca e msheftë e nji qytetit dikur perëndimor.

Benjamin na kujton që memoria nuk asht instrument për me eksploru të kalumen, por teatri i saj. Kjo ndërtesë mundet me u ngulit në memorie si ngrehinë e çfarëdoshme e një të kalumet jo fort të largët e mundet edhe me u konsideru si mjet për me arrit në disa konkluzione për atë çka asht ndërtu dikur në Shkodër. Ama, randsia e teatrales qëndron pikërisht tek eksperienca e të kalumes, tek trashëgimia që mbetet e paprekun mbi tokë, tek ajo që asht ndërtu, si asht ndërtu dhe qëllimsia që e sjell deri në të tashmen. Pikërisht kjo eksperiencë duhet me shërby për me u rrit, për me msu, jo me e trajtu si suvenir i një të kalumet joorigjinale. Elias na mëson që civilizimi nuk asht një dhuratë që e sjell një entitet i panjohun, mistik, por një proces i gjatë dhe i thellë njohjeje i të gjithë elementëve që kanë kontribu në të. Trajtimi cinik nga të gjitha institucionet, pronarët, a dreqi e din se kush tjetër, i ktyne objekteve si relike të së kalumes që i duhet veç një llustër, na cenon e na privon në procesin e njohjes e na kthen në një popull me sindromën Carere Patria, pa identitet e pa histori.

Kur kambët m’u ndalen përpara Kafes së Madhe ndigjova një të qame. Ishin tu qa muret, në heshtjen e tyne të vjedhun prej rrëmujës së pluhnit, kolonave të thyeme prej pushtuesve pa shtyllë kurrizore, që dojnë me ia përngja çdo gja vedit. Muret qajnë se makineritë hungërijnë, makineritë që ia thyen kockat nji e nga nji Kafes së Madhe deri në përdhosje nuk dijnë me qa, ata nuk e njohin elegancen e dhimbjes. Se ktë fasadë para se me e gjujt armët kontemporane që zhbajnë pa emocion, e kanë gjujt dritat e diellit, mendimet e kullueme e shikimet plot jetë. Kto janë vlera të dashtun pushtues, vlerat nuk mundeni me i tjetërsu me beton e pllaka, jeni shumë të rinj për me mund historinë, jeni shumë të vegjël për me zvogëlu disa personalitete! Kjo tokë e egër din me dallu luanin prej hienave. E prap ndij britma… britmat e rrënojave e presin qiellën ma randë se kumonat e minaret. E ka dit fort mirë Migjeni mendova me vedi. Njashtu u ula me pi kafen. Kamarieri më pyeti a isha mirë, mesa duket isha zverdh në ftyrë, e pakuptimtë për dikë që i nxjerr shpirti flakë, kimia kajher bahet e çuditshme.

Në fakt krejt mirë isha, kisha kohë pa marrë përgjigje kaq pozitive prej doktorëve për analizat, udhëtimet në Europë janë tregu trasgresive me shnedin tem, e tash n’atdhe, kur organizmi më ka ardh për fije, unë e shoh vedin në limit të çmendisë. Duhet mos me hesht ma kjo Ministri Kulturet, kjo Drejtori e Trashëgimisë Kulturore, kjo Bashki, e me kto mendime m’u pështjellu edhe kafja. “A kta i hangërt dreqi”- e thashë me za të naltë. E kuptova kur kamarieri më hodhi nji shikim të shqetësum. U çova me sigurinë që ma kishte vulos letrën për në psikiatri. Eca me hapa të shpejtë drejt Pedonales së ideume prej Mjeshtrit e sytë më shkunen tek Muzeu Marubi. Nuk e di cili ka me më çmend i pari, pamundësia asht e poshtër fort! Njerëzit si unë ndoshta kanë lind për me kalu nëpër pikpyetje e pikçuditëse të tilla. Sa keq më thonë që nuk di me ken elastike e me ba kompromise, po unë tmerrohem me mendimin që mund të bahem sofistja e radhës që zgërdhihet nëpër skela takimesh. Prapë e dallova që isha tu fol me vedi e me za. Hajt n’dasht, kamarieri kishte me e hap fjalën gjithsesi.

© 2022 Sonela Pirani. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin