nga Natasha Shuteriqi
Për ty biri im që nis klasën e parë…
Janë ca fjalë që pluhuri i kohës nuk arrin t’i mbulojë. Kanë bërë rrugë këto fjalë… që nga 20 vite, tingëllojnë sikur dje.
– Letër e shkruar në fillimshekullin e XXI….20 vite më parë….
Dedikuar (jo vetëm) ty …
Dashuria ime e vogël, sot në orën 08:00 ndërsa do të kapërcesh pragun e portës së rëndë të shkollës, unë do të jem pas kangjellave duke drithëruar. Harromë mua dhe nisu!
Rrok bekimin dhe dëshirat e mia:
Dëshiroj me gjithë shpirt të marrësh me vete tërë entuziazmin tënd, fantazinë tënde. Me to të ngjyrosësh bankën ku do të ulesh për herë të parë. Nuk ka rëndësi nëse je i ndrojtur, fjalëpak. Besomë drojtja jote është dhuratë, mos e harro këtë asnjëherë!
Uroj që ndërsa do të rrëshqasësh nëpër fletët e abetares të ndiesh aromën e ëmbëlsirave, jodin e detit, puhizën e alpeve, magjinë e mrekullive, të gjitha këto mes ngjyrave e germave të librit tënd të parë. Sepse, mbaje mënd biri im: kujtimet janë pjesë e historisë tënde.
Lutem të ndiesh kënaqësinë e shkumësit mbi tabelë. Nuk ka rëndësi nëse do të bësh gabime ndërsa shkruan, sepse kur korrigjohen e kuptohen gabimet, atëherë ato nuk përsëriten më asnjëherë.
Sa dua të kryqëzosh vështrimin me atë që do të jetë miku yt i ngushtë. Gëzofshi bashkë miqësinë siç di vetëm mosha juaj ta shijojë.
Shpirti ma do të provosh krenarinë e të qenit i pari klasës, sepse kështu mbase do të jesh gjithmonë timonieri i jetës tënde, por nuk ka rëndësi edhe nëse nuk je në krye. Do të thotë që nesër do të jesh duke rendur për të arritur të ardhmen tënde. Është bukur, më beso!
Drita ime uroj të arrish të shkruash emrin tënd saktë, brenda vijave, por edhe të dalësh nga vijat kur nuk do të të duket e drejtë ajo që të tjerët bëjnë.
Mëso fjalë të vështira biri im, me ngjeshje të bashkëtingëlloreve, me dhe pa ë-në fundore, por qofshin fjalë zemre, të vërteta, fjalë ndjese, fjalë urimi, falënderimi, ndryshimi…
Nesër kur të jesh pak më i rritur, do të çuditesh me këtë dëshirë të pazakontë timen, por sot uroj të dështosh herë pas here, sepse fitoret që do të vijnë më pas do të kenë një shije marramendëse, unike, shijen tënde.
Shpresoj që egoizmat, konkurrenca dhe indiferenca midis bankave të zhduken dhe t’i lënë vendin mikpritjes, bujarisë… e nëse nuk e gjen, të lutem, kërkoje ti vetë i pari.
Njih tërë sfumaturat e ngjyrave, përfshirë edhe atë të lëkurës apo të ajrit, sepse lëkura dhe ajri mund të shpërbëhen në mijëra reflekse nëse ti vetë do të dëshirosh.
Dua të të shoh duke luajtur futboll me Megin, të bësh byzylykë fidhesh me Eltonin, e pastaj të ndash me tërë klasën kekun e ditëlindjes tënde. Të gjithë bashkë, sepse lojërat nuk kanë gjini dhe keku shijon njësoj për të gjithë.
Dashuria ime e madhe, uroj tërë këto e shumë e shumë të tjera për ty shpirt. Mbi të gjitha unë dua qetësinë dhe paqen tënde.
Mos nxito të rritesh. Ka kohë, shijo fort këtë mrekulli që ke tani.
Sot ti je 28 vjeç; u rrite shumë shpejt. Ke shkelur në shumë auditorë pas asaj dite të diellt të fillimshekullit XXI.
E nëse këtë letër tani e bëj publike, këkoj ndjesë biri im. Ti e ruan në sirtarin e gjërave të çmuara (e di, e kam parë..), unë e kam ngjeshur në mendimet e mia. Ndjesë që sot del nga ne.
Por dua që ky urim sot t’u shkojë tërë vogëlushëve që për herë të parë, trembshëm nisin udhën e gjatë të shkollës. Urime dhe dëshirë, sidomos për të vegjlit që kanë mësuar fjalë të cilat nuk duhej t’i kishin njohur kurrë… vuajtje, dhimbje, keqtrajtim…por që për fat të keq, janë skalitur tashmë në memorien e tyre, e cila si një tabelë e bardhë mban përjetësisht gjurmët e para të shkruesve….
Për të gjithë ju vocërrakë, gëzuar ditën e parë të shkollës, paçi një vit të mbarë, qofshi të rrethuar nga mësues që ju shohin në dritë të syrit, ashtu siç ne prindërit ju përcjellim drejt tyre!
© Natasha Shuteriqi. Të gjitha të drejtat të rezervuara.