nga Gazmend Krasniqi
A është e mundur të shkruhet një histori letërsie, pra – të shkruhet diçka që do të jetë edhe letërsi, edhe histori? Lypset pranuar se pjesa më e madhe e historive të letërsisë janë ose histori të jetës shoqërore, ose histori të mendimit shoqëror të ilustruara me vepra letrare, ose përmbledhje përshtypjesh e gjykimesh për vepra të veçanta të renditura pak a shumë në rend kronologjik.[1] Rene Wellek dhe Austin Warren, autorët e librit Teoria e letërsisë, i japin përcaktimet që i janë bërë letërsisë nëpër historitë e letërsisë te botimet e traditës (të gjitha na duken të njohura, sepse e njëjta gjë ka ndodhur në të gjitha letërsitë e mëdha, të cilat kanë qenë modele edhe për letërsinë tonë).[2] si “Biografi e kombit”, “Histori e shpirtit kombëtar”, “Funksion i veçantë i organizimit të shoqërisë në përgjithësi”, “Regjistron me besnikëri tiparet e kohës së vet”, apo “U transmeton brezave të ardhshëm një histori të vërtetë të jetës”.[3] Për të dëshmuar lajthitjet që krijohen nga projektimi i asaj që nuk gjendet në tekst, për ilustrim, do të veçonim rastin ku merret poezia e njohur “Vaji i bylbylit”, shkruar mbi njëqind vjet më parë nga Ndre Mjedja, botuar e propaganduar gjatë në botime të veçanta, sidomos në tekstet shkollore, argumentohet si më poshtë: kur e përktheu atë poezi në italisht, Leonardo de Martino e interpretoi si një vaj për atdheun e robëruar; nën presionin e shoqërisë së rreptë jezuite (e cila për arsye të veta të brendshme reagoi ndaj interpretimit të mësipërm), vetë autori e interpretoi poezinë si vaj për humbjen e një shoku të afërt; studiues më të vonë (si edhe tekste shkollore) thanë se me këtë poezi Mjedja i këndoi ndrydhjes në shoqërinë jezuite, ku poeti bënte pjesë.[4]
Për të përcaktuar kohën e rritjes së vëmendjes ndaj statusit të tekstit letrar, e shohim të vlefshme të ndalemi pak në një studim ku poeti dhe teoricieni francez Paul Valery tregon atë histori që piktori impresionist Edgar Degas ia përsëriste shpesh: Edgar Degas, i cili shkruante poezi herë pas here, duke i filluar ato mjaft mirë, një ditë ankohet te Stephane Mallarme-ja se poezia është një zanat ferri, se si ai është plot ide, por nuk arrin të thotë atë çfarë do. Mallarme-ja i përgjigjet se poezia nuk bëhet me ide, por me fjalë.[5] Kur Degas fliste për ide, do të thoshte Paul Valéry, ai, para së gjithash, po mendonte për ligjërimin apo imazhet, sepse ato qëllime dhe perceptime të mendjes nuk bëjnë vargje. Ka diçka tjetër, sipas Valéry-së, një modifikim, i papritur apo jo, spontan apo i përpunuar gjatë, i cili zakonisht ndërhyn te mendimi që prodhon ide, kaq i ndryshëm nga ligjërimi i zakonshëm, aq kuriozisht i rregulluar, se fjalët e Edgar Alan Poe-s, kur flet për “Korbin”, krijimin e tij të njohur poetik që e tërë poema ka vijuar hap pas hapi, gjer në përfundimin e saj, me përpikërinë dhe rigorozitetin e domosdoshëm matematik,[6] si dhe fjalët e Stephan Mallarmé-së që më mirë thjesht një libër i vetëm, i organizuar dhe i punuar fort, sesa një përmbledhje frymëzimesh të rastësishme, qofshin këto edhe të mrekullueshme,[7] nuk janë përkime të rastit. Që nga viti 1861, thotë Paul Valéry-ja, nuk ka një rresht të tij që të mos bëjë të ndiesh se ai që e ka shkruar, ka menduar në vetvete, si në një jetë tjetër, shpikjen e pallogaritshme, Ligjërimin.[8] Por, do të shtonte një kritik letrar francez, Batuta e famshme e Mallarmé-së: “Poezia nuk bëhet me ide, por me fjalë”, në fund të fundit, është veçse formula e mbrame e asaj fitoreje të re të shprehimësisë fjalësore, pionieri mendjendritur i së cilës ka qenë Bodleri.[9]
Thënë shkurt, ajo që dëshmon për ndërhyrjen e Poetikës, është evidentimi i artit që ka përdorur autori për të ndërtuar veprën e tij. Nëse pëlqehet ajo që poezia “thotë”, kjo mund të shterohet në një fjali proze. Atje do të jetë ideja, por diçka do t’i mungojë. Ajo që mungon do të jetë poezia.
Le të marrim kumtimin “unë jam i dashuruar”. Të shohim çfarë ndodh kur N. Frashëri shkruan të njëjtën gjë në poezi:
Do të shtrihem,
të venitem
si kandili, kur s’ka vaj,balt’ e pluhur
do të bëhem
të më shkelnjë këmb’ e saj;e të prehem
duke puthur
atë këmbë pasandaj.A s’më thua:
ç’ke me mua?
Pse të dua, paskam faj?
Shihet menjëherë që diçka ka ndodhur tek ideja: janë shtuar metri dhe loja e këndshme tingullore e rimave, sidomos zanorja “a” e ngulitur në fund të çdo strofimi, ku këngëzimi i fituar shfaq mrekullinë e rrallë të ndjenjës së dashurisë. Pra, kjo tregon se ne mund ta zbërthejmë poezinë, ashtu siç zbërthejmë një orë, e me pjesët e hapura ta ngremë sërish në këmbë, duke rikthyer shërbimin e saj.
Siç thotë Jurij Lotmani,[10] jo çdo bashkësi shenjash e frazash mund të merret si tekst artistik, sepse për të qenë e tillë ajo duhet të formojë një strukturë të dytë, të një rrafshi më të lartë se teksti thjesht gjuhësor.[11] Kështu, teksti artistik mund të paramendohet si mekanizëm i organizuar në mënyrë të veçantë, që ka aftësinë për të përmbajtur një informacion me përqendrim jashtëzakonisht të lartë,[12] i cili duhet të dalë nga analizat tekstore. Sasia e informacionit, në përgjithësi, lidhet me veçori të tilla strukturale si zhvendosja e dominanteve strukturale,[13] sepse teksti e ka vlerën te vetvetja ose, çfarë është quajtur në një punim të viteve ’30 nga Jakobsoni dhe Mukarovski, te funksioni estetik.
Lotmani nuk mohon se teksti artistik integrohet domosdoshmërisht në ndërtimet jashtëtekstore: nëse e përcaktojmë një tekst si poezi shqipe, mund të na shkojë mendja te një veçori e caktuar e saj, që lidhet me vargun a strofën. Nëse themi se është poezi shqipe e gjysmës së parë të shekullit XX, atëherë i afrohemi edhe më tepër identifikimit të saj. Nëse themi se është një sonet i shkruar në dialektin gegë, i jemi afruar shikimit të saj si poezi e Ndre Mjedjes.[14]
Një qasje e tillë ndaj godinës së sistemit shpalos mundësitë tona për t’u thelluar në konceptin mbi tekstin, si:
– një minimum shenjash që përdoren në një diskurs, por megjithatë është në gjendje të na përçojë diçka më të pasur se çdo formë tjetër e gjuhës;
– një numër “sistemesh” (leksikale, grafike, metrike, fonologjike etj.), që arrin efektin nëpërmjet përplasjesh së vazhdueshme dhe tensioneve midis këtyre sistemeve;
– si forma diskursive më e vështirë që mund të mendohet, sepse kondenson në pak hapësirë sisteme të tëra, ku secili përmban tensionet, paralelizmat, përsëritjet dhe kundërshtitë e veta, duke modifikuar vazhdimisht të tjerët;
– si potencialin domethënës, që e detyron fjalën të punojë nën tensionin e atyre që e rrethojnë.
Rrjedhimisht, perceptimi i strukturës së poezisë na bën të ndërgjegjshëm se:
– Shpleksja e organizimit të strategjive leksikore të tekstit poetik dhe mënyrës se si ai krijon mbetet detyrë e çdo leximi, duke e parë letërsinë në atë çfarë lexojmë dhe interpretojmë si letërsi; [15]
– Kur e vendosim poezinë në terma të marrëdhënieve të veçanta fonologjike, sintaksore apo semantike, e kemi vendosur në kufijtë e një teksti. Për ta ndërtuar këtë tekst poeti vendos konvencione të reja të cilat i dhunojnë normat e gjuhës standarde.
Me këtë logjikë diskutimi, paradigma e Historisë Letrare njeh njërin prej statuseve themelore të operacioneve të saj – statusin e tekstit letrar.[16]
© 2022 Gazmend Krasniqi. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] Uellek, Rene; Uorren, Ostin. Teoria e letërsisë, Sh.B. Enciklopedike, Tiranë, 1993, fq. 239
[2] Arsyet që nuk ka pasur përpjekje për hetimin e evolucionit të letërsisë si art, dy studiuesit i kërkojnë kështu: 1) analiza paraprake e veprave të artit nuk është bërë konsekuente e sistematike, pasi mjaftohemi me kriteret e retorikës së vjetër, e cila rrëshqet në sipërfaqe të dukurive; 2) paragjykimi se historia e letërsisë mund të dalë vetëm si shpjegim kasual nga ndonjë veprimtari tjetër; 3) koncepti i zhvillimit të artit të letërsisë. (Krahaso, po aty, fq. 240)
[3] Po aty, fq. 239
[4] Krahaso: Osja, V. Punim doktorature (konsultuar në dorëshkrim)
[5] Mallarmé, Stéphane. Poezi, Ombra GVG, Tiranë 2004, fq. 115
[6] Poe, Edgar Alan. Vepra, Plejad, Tiranë 2004, fq. 83
[7] Vep. cit. fq. 75
[8] Mallarmé, Stephane. Poezi, Ombra GVG, Tiranë 2004, fq 101
[9] Baudelaire, Charles. Lulet e së keqes. Redona publishing. Tiranë 2010, fq. 6
[10] Lotman, J. Structure of artistic text, Michigan Slavic Contributions, Michigan 1977
[11] Për Lotman-in, koncepti i ligjërimit ngërthen: a) gjuhët natyrore (shqipja, anglishtja, rusishtja etj.) b) gjuhët artificiale (ligjërimet e shkencave, metaligjërimet e përshkrimeve shkencore, ligjërimet e shenjave konvencionale si sinjalet e rrugëve, etj.) c) ligjërimet dytësore (strukturat e ligjërimit që i mbivendosen rrafshit natyral gjuhësor (miti, religjioni si dhe arti). Po aty. Fq. 10
[12] Po aty. Fq. 10
[13] Lotmani flet për parimin sintagmatik dhe parimin paradigmatik, ku: i pari i ndërton njësitë e tekstit në lidhje lineare mes tyre mbi baza kundërshtore; i dyti i ndërton njësitë e tekstit mbi bazën e mospranisë, pra mbi bazën e kundërvënies. (Po aty. Fq. 20)
[14] Ilustrimi sipas: Ismajli, Rexhep. Shumësia e tekstit. Rilindja. Prishtinë 1980, fq. 79
[15] Fjala letërsi, në gjuhët evropiane, është mjaft e re, ajo daton në shek. XIX. Për më tepër shumë gjuhë (si ato të Afrikës, p.sh) nuk kanë ende asnjë term gjenerik për të shënuar (përcaktuar) letërsinë si një të tërë. Po kështu nga mënyra sesi është zhvilluar letërsia në vende dhe kohë të ndryshme nuk do të ishte shumë e lehtë që të vendosnim sot se çfarë është dhe çfarë nuk është letërsi, duke pasur parasysh diversitetin e dukshëm midis veprave të shkruara.
[16] Me Riffaterre-n kemi zhvillimin e konceptit të formalistëve se vepra artistike nuk është pasqyrim i realitetit, por një domethënie e organizuar semiotikisht. Riffaterre thotë se realiteti dhe autori janë zëvendësuar prej tekstit, se teksti është ndërtuar në një mënyrë të tillë që të ketë nën kontroll deshifrimin e vet.