Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

PAPA JOANNA

[…] every woman who makes herself male
will enter into the kingdom of heaven

Jesus’ logion 114, Gospel of Thomas

nga Anisë Margjonaj

Një legjendë mjaft e përhapur në Mesjetë dhe në Kohën e re, e dëshmuar për herë të parë në Chronicon pontificum et imperatorumMartin Polonus-it, rrëfen për Papën Joanna (Ioannes Anglicus, 855-857), grua që – falë aftësive të shkëlqyera dhe duke u tejveshur e maskuar si burrë – arriti të bëhej Papë dhe ta udhëhiqte kishën katolike për disa vjet.

Ioanna e tradhtoi veten si “uzurpatore” e fronit papal, gjatë një procesioni, kur lindi një fëmijë para kohe dhe pastaj u masakrua prej turmës, bashkë me foshnjën e porsalindur. Pas të tjerash versione, para se ta vrisnin, Joannën e tërhoqën zvarrë pas një kali, rrugëve të Romës.

Domenikani Jean de Mailly (i shekullit XIII), shkruan se kur doli sheshit gjinia e Joannës gjatë procesionit, u dëgjua një zë që foli kështu: Pietre Pater Patrum Papisse Proditum Partum (“O Pjetër, at i etërve, u tradhtove nga papesha që lindi”).[1]

Me gjasë, këto fjalë i paskësh shqiptuar vetë demoni.

Historianët sot priren ta gjykojnë rrëfimin dhe personazhin e Papës Joanna si të trilluar (fiksional), për arsye të ndryshme; por ka edhe që e marrin për të mirëqenë. Mbijetesa e rrëfimit, në shekuj, me gjasë ka të bëjë me shansin përndryshe tabu që një vajzë a grua të infiltrohej në radhët e klerit shekullar; tabu e cila vetë i ka rrënjët tek tabuja tjetër më e thellë, e gjinisë si konstrukt social dhe kulturor, prandaj edhe të ndërrueshme.

Ashtu, papa femëror tingëllon si një metaforë, e cila ka ardhur në jetë vetvetiu e mbarsur me rrëfim.

Në Mesjetë rëndshëm u pat përfolur edhe se, pas këtij skandali, u vendos që kandidatët për t’u zgjedhur Papë të ftoheshin për t’u ulur në një fron të posaçëm, të njohur si sedia stercoraria (karrige të pëgërash), me një vrimë në ndenjëse; përmes së cilës vrimë një kardinal do të fuste dorën nga poshtë, për t’ia kontrolluar seksin kandidatit.

Një sede stercoraria, por pa vrimë në ndenjëse, e sheh sot e kësaj dite në arqibazilikën San Giovanni in Laterano në Romë; frone të ngjashme i gjen edhe në Muzeumet e Vatikanit[2] dhe në Louvre. Historianët e kanë përgënjeshtruar legjendën se përdoreshin për verifikimin e papëve (madje disa duke e shpallur propagandë banale anti-katolike), por pa ofruar ndonjë shpjegim alternativ bindës për funksionin.

Pietro Ratto (te Le Pagine strappate: I trucchi della Chiesa rinascimentale per rimuovere le vicende storiche della Papessa Giovanna), beson se ka zbuluar prova që autoritetet kishtare, gjatë periudhës së Rilindjes dhe veçanërisht pas Koncilit të Trentos, u mobilizuan për të fshirë çdo gjurmë të skandalit së papës grua nga dokumentet historike. Edhe një statujë mermeri e Papës Joanna me skeptrin në njërën dorë dhe djalin e vet në tjetrën dhe që, sipas disa dëshmive, ngrihej në një rrugët afër arqibazilikës San Giovanni-t, duhet të jetë hequr që andej rreth vitit 1480 dhe hedhur në Tevere me urdhër të Papës Sixtus IV; fat të ngjashëm mund të ketë pasur një bust i Joannës në Siena.

Në libër, Ratto i referohet një rrëfimi relativisht të hollësishëm për Papën Joanna nga Bartolomeo Platina, prefekti i Bibliotekës së Vatikanit, autor i një historie të Papëve, të cilën e pat hartuar me urdhër të patronit të vet, Papës Sixtus IV.

Sipas Platinës, papa Joanna u pat lindur në Mainz dhe u edukua në Athinë, duke arritur një nivel të tillë të dijes dhe të urtësisë, sa të zgjidhej në krye të Kishës Katolike pas vdekjes së Papës Leo IV. Ky autor rrëfen edhe skenën fatale, ku zbulohet që Joanna është grua, duke shtuar se e gjithë kjo histori është e errët dhe e dyshimtë.

Në gjyqin e famshëm kundër tij, Jan Husi argumentoi se Kishës nuk i duhej detyrimisht Papa, sepse asgjë nuk ndodhi gjatë viteve kur Kishën e udhëhoqi një grua (duke iu referuar Papës Joanna) – komentatorët kanë vërejtur se trupi gjykues nuk reagoi me ilaritet, as me zemëratë ndaj këtij argumenti, duke ia marrë për të mirëqenë premisën. Edhe Petrarca dhe Boccaccio e përmendin Joannën në shkrimet e tyre.

Çuditërisht, nuk është thënë gjë për ndonjë të pabërë që mund të ketë kryer kjo grua kur rrinte në timon të Kishës; skandali kish të bënte me gjininë e saj, me mbetjen shtatzënë, lindjen e fëmijës gjatë procesionit dhe të tjera konflikte mes qenies së saj intime dhe dukjes publike.

Sipas legjendës, Joanna arrin të bëhet papë falë zotësisë për t’u maskuar si burrë, por pastaj gjinia e saj zbulohet nëpërmjet një akti ekskuziv femëror: lindjes së një fëmije. Babai i fëmijës nuk dihet, çfarë e rëndon edhe më mëkatin. Dinamika e skandalit, me Papën që lind një fëmijë dhe pastaj të dy, nëna dhe foshnja, masakrohen nga turma, duket sikur e kthen kokëposhtë historinë e Shën Mërisë dhe të Jesuit – gjithë duke mbajtur parasysh identifikimin simbolik të Kishës Katolike me nënën e Jesu Krishtit.

Në çdo rast, mënyra si u trajtua legjenda e Papës Joanna nga autoritetet e Kishës Katolike dhe forma që u lejua të marrë legjenda në rrjedhë të shekujve dëshmon edhe për konsolidimin e qëndrimit zyrtar të Kishës ndaj pjesëmarrjes së grave në hierarki.[3] Ashtu, edhe portretizimi i saj si moralisht e shthurur para se të hipte në fronin papal mund të pasqyrojë thjesht refuzimin absolut të ambicies së saj nga Kisha. Ndonjë historiane (Karen L. King) ka kujtuar, tani së fundi, se edhe Maria Magdalena, e cila “zyrtarisht” trajtohet për adultereshë dhe e përdalë, mund të ketë qenë në fakt një nga dishepujt më të shquar të Krishtit dhe prijëse e një krahu të lëvizjes së Krishterimit të hershëm që promovonte udhëheqësinë e grave, madje edhe si apostull (këtë thuhet se e ilustron edhe ungjilli gnostik i Marisë).[4]

Versionet e ndryshme të legjendës së Papës Joanna bien dakord në atë se, për t’u ngjitur në hierarkinë e Kishës, asaj iu desh të maskohej si burrë, duke u “tejveshur”. Në kontekstin e statusit që kish gruaja në Mesjetën e asaj periudhe, veçanërisht në komunitetet e krishtera, tejveshja (transvestizmi) shihej rëndom si një mënyrë për t’i shpëtuar një fati inferior. Gjithnjë kanë qarkulluar histori shenjtoresh (vajza dhe gra) që patën vendosur ta ndiqnin vokacionin e tyre brenda Kishës duke u veshur burrnishte. Sipas ndonjë historiani, femrat e tejveshura toleroheshin, madje inkurajoheshin, meqë duke synuar të bëheshin më të ngjashme me burrat, i afroheshin edhe një modeli më të përshtatshëm të virtytit.[5] Kjo përputhet edhe me një pasazh nga Shën Jeronimi, i cili pat shkruar: “Sa kohë që gruaja është për të lindur dhe rritur fëmijë, ajo ndryshon prej burrit siç ndryshon trupi nga shpirti. Por kur ajo dëshiron t’i shërbejë Krishtit më shumë se botës, ajo do të pushojë së qeni grua dhe do të quhet burrë.”[6]

Gjithsesi, imazhi “skandaloz” i një gruaje në fronin e Papës së Romës nuk mund të ndahet nga jehona e Shekullit të errët (saeculum obscurum), i njohur edhe si Pornokraci ose Heterokraci (sundimi i lavireve, gjerm. Hurenregiment) – një periudhë gjatë shekullit X (904-964), kur Romën e sundonte familja Theophylacti, veçanërisht Theodora – gruaja e Theophylactus-it dhe Marozia, e bija. Të dyja, nënë e bijë, thuhet se kontrollonin zgjedhjen e papëve të rinj. Marozia, e njohur edhe si Mariuccia ose Mariozza, u bë konkubina e kushëririt të të atit, papës Sergius III që kur ishte 15 vjeçe, dhe pati me të një djalë që do të bëhej pastaj Papa Gjon XI. E martuar tre herë, ajo mori edhe titullin e jashtëzakonshëm të senatrix dhe patricia e Romës nga Papa Gjoni X. Sipas Gibbon-it, një djalë bastard i Marozia-s, dy nipa, dy stërnipa dhe një stër-stërnip arritën të ulen në fronin papal.[7]

Kësisoj, legjenda për Papën grua dhe fatin e saj absorbonte dhe racionalizonte vetëdijen e frikës gjithnjë të perceptuar se Kishën Katolike mund ta merrnin në kontroll “femrat”, nëse klerikët shekullarë, dhe aq më keq Papa vetë, do ta shpërfillnin disiplinën e beqarisë (celibatit) në praktikë.[8] Si e tillë, legjenda mund të ketë shërbyer edhe për të përjetësuar dobinë e kësaj beqarie dhe në përgjithësi të dëlirësisë seksuale (castitas), për mbijetesën e institucionit në shekuj.

Një simbol tjetër, i bashkëlidhur me legjendën e Joannës, është karta e Priftëreshës së Lartë në Tarot, e njohur edhe La Papesse, të cilën disa studiues e lidhin edhe me Shën Mërinë, dhe të tjerë studiues me jehonën e kultit të Astarte-s. Ka edhe historianë që shohin te Papessa e Tarotit Visconti-Sforza një imazh të Motrës Manfreda, një murgeshë e urdhrit Humiliati, të cilën e pati zgjedhur si Papë sekti heretik i guglielmitëve, në Lombardi. Inkuizicioni e shfarosi këtë sekt dhe “Papesha” (ose eshtrat e saj) u dogj në turrën e druve, në vitin 1300.

Për personazhe të tilla, që jetojnë në rrëfim dhe në kujtesën kolektive të milionave, nuk ka shumë kuptim të kërkosh nëse kanë jetuar vërtet apo jo, nëse i përkasin historisë apo trillimit; ato e kanë zënë tashmë një vend në historinë e imagjinuar, edhe sikur të provohet se janë mirëfilli trillime. Ashtu Papa Joanna mund të krahasohet, për nga statusi ekzistencial, me Helenën e Trojës, Antigonën, Rozafën, Mbretin Artur, Don Kishotin, Guliverin, Robinsonin; figura me ekzistencë më të fortë se të vdekatarëve të zakonshëm.

© 2022 Anisë Margjonaj & Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Qarkullojnë edhe variante të tjera të kësaj fraze.

[2] Karrigia në sallën Gabinetto delle Maschere të Musei Vaticani është prej porfiri dhe ka vërtet një hapësirë në ndenjëse, në formën e një vrime çelësi. Shpinorja e saj është e pjerrët, në një kënd prej 135 gradësh në raport me ndenjësen, aq sa në të mund të rrish vetëm si i shtrirë në shezlong. Sipas një shpjegimi që e lexoj te John Julius Norwich, gjeometria e pazakonshme e shpinores mund të shpjegohet si imitim të karriges “obstetrike”, që përdorej nga gratë shtatzëna për të lindur; dhe se kjo vegël ishte përfshirë në ceremoninë e kurorëzimit të Papës për të simbolizuar “Kishën si Nënë”.

[3] Disa komentatorë besojnë se legjenda u promovua – madje edhe duke falsifikuar provat dorëshkrimore – prej historianëve protestantë, në përpjekje për të diskredituar Vatikanin dhe autoritetin e Papës. Ka diçka qesharake tek imazhi i militantëve katolikë që fshijnë të dhënat për ekzistencën e Joannës nga dorëshkrimet historike, përballë militantëve protestantë që i shtojnë ato të dhëna jo rrallë duke i sajuar ose falsifikuar. Një luftë e heshtur, në gjysmerrësirën e arkivave, si kjo jona sot në Shqipëri me dosjet.

[4] Shkruan Karen L. King në vendin e cituar: “Çdo varietet i Krishterimit të hershëm që mbështeste legjitimitetin e udhëheqësisë së grave do të deklarohej herët a vonë heretik, dhe provat e roleve të hershme të grave si udhëheqëse do të fshihej ose zhdukej.”

[5] Vern Bullough, Sex, Society and History.

[6] Shih gjerësisht Peter Stanford, The She-Pope, A Quest for the Truth behind the Mystery of Pope Joan, William Heinemann Ltd, 1998.

[7] Këto të dhëna dhe më shumë, nga John Julius Norwich, The Popes, A History, Chatto & Windus, January 1, 2011.

[8] Sipas një bindjeje gjerësisht të pranuar, celibati i klerit ndihmon për t’i anuluar diferencat gjinore, çfarë gjen pastaj shprehje edhe te natyra androgjine e uniformave klerikale (aq sa, në shekuj, veshjet e priftërinjve janë konsideruar dhe shpesh qesëndisur si veshje grash).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin