Diku në një takim mbi arsimin në Lindjen e Mesme (L. Herrera) u ngrit teza se sistemi i arsimit publik ishte kthyer në një sistem performativ. Në këtë sistem nxënësit bënin sikur shkolloheshin, mësuesit sikur punonin, e ministria sikur kontrollonte. Arsimimi i vërtetë ndodhte në sistemin joformal (shadow education) të kurseve e në atë formal të shkollave private. Kjo situate lëkund themelet e projektit të shtet-formimit në këto shtete post-koloniale. Këto pasoja nuk mund t’i kontrollojë shteti rregullator.
Në Shqipëri numri i institucioneve private të arsimit formal e joformal është rritur (p.sh. sipas INSTAT nga 1071 në 2013, në 1354 në 2021), sikur edhe numri i nxënësve regjistruar në to (shih grafikun, mbi 5% prej 2004). Ndërsa problemi është përkufizuar brenda kornizës së barazisë dhe korrupsionit në arsim. Hiq ndonjë mendim mbi privatizimin e lidhjen me politikat ekonomike neoliberale, edhe ndonjë shqetësim i ndonjë specialisti për huazimin e teksteve dhe kurrikulave shkollore, kjo çështje nuk është trajtuar në aspektin e lidhjes së problemit me shtet-formimin. Duke qenë se historiografia shqiptare, sikur ajo post-koloniale, e sheh arsimin kombëtar si elementin kryesor shtet-formues, pasojat e largimit të shtetit nga ky funksion janë interesante për tu studiuar.
Aspektet politike të hartimit të kurrikulave dhe vlerësimit të dijeve janë një tjetër aspekt interesant që mund të kornizohen brenda këtij diskutimi. P.sh. provimi i maturës dëshmon se ka pritshmëri të ndryshme ndaj misionit të arsimit ndërmjet qeverisë, specialistëve, mësuesve, prindërve dhe fëmijëve. Qeveria që duhet ti sintetizojë këto synime e bashkojë këto pole interesash përpara se këto të shqyejnë fabrikën sociale, zgjedh të merret me demagogji; duke minuar ndoshta kësisoj projektin shtet-formues.
Është tashmë traditë vjetore që maturantë e prindër të protestojnë përpara Ministrisë së Arsimit për pakënaqësitë mbi provimin e maturës. Pakënaqësitë lidhen kryesisht me përmbajtjen dhe me administrimin e provimit. Specialistët e mësuesit shprehen po aq të pakënaqur mbi këto aspekte të provimit, edhe pse për arsye të ndryshme. Qeveria e zgjidh problemin duke i kënaqur pjesërisht të gjitha palët.
Kur nxënësit shfaqin pakënaqësi me përmbajtjen e tezës, e cila sipas tyre nuk përputhet me shembujt që ata ushtrojnë në klasë apo në kurset private, qeveria zgjedh të ulë pragun. P.sh. këtë vit problemi ishte teza e provimit të biologjisë. Këto shqetësime u shoqëruan me ato të prindërve, të cilët edhe mëtojnë se një pjesë e hartuesve janë në konflikt interesi pse ofrojnë kurse private. Zgjidhja e qeverisë: të ulet pragu për notën 10.
Mësuesit nga ana tjetër kënaqen me standardizimin e materialit mësimor. Nuk do të jetë e largët dita ku, sikur diku (The Economist), specialistët të përcaktojnë skripte për mësuesit: si dhe çfarë duhet të flasin në klasë, sa hapa e kur duhet të lëvizin, tonin, materialin e gjithçka tjetër që i përket procesit mësimor. Aktualisht për mësuesit që dhaskalojnë për tezën e maturës (teach to the test) e shohin provimin e maturës si orientues kryesor i programit. Kjo jo vetëm se rezultatet e maturës dëshmon punën e tyre, por edhe pse me ndryshimin relativisht të shpeshtë të programeve, provimi ofron një orientim të qëndrueshëm. Ndërsa specialistët e ndërgjegjshëm për ndikimin që ka provimi i maturës mbi kurrikulën, kërkojnë që qeveria të jetë më largpamëse në këtë drejtim. P.sh. ish-ministri i arsimit, Prof. Dr. Myqerem Tafaj (Panorama) kritikon përgjysmimin e formimit të thelluar në provimin e maturës. Kjo ka shkaktuar anashkalimin e një komponenti të rëndësishëm për zhvillimin e talenteve në shkenca si matematikë e avancuar, biologji e thelluar etj., që janë direkt të lidhura me kurrikulën në arsimin e lartë (në USA njihen si Advance Placement Courses, por në Shqipëri përllogariten për regjistrimin në universitet).
Specialistët që hartojnë tezat apo janë të njohur me kërkesat e programit nuk mendojnë se njohuritë mund të formatohen e standardizohen në 10 a 15 formate tezash që nxënësit e mësuesit të tyre mund t’i përcjellin në mënyrë mekanike. Ndërthurur edhe me ideologjinë e tyre (kryesisht konservatore), me interesat ekonomike (politikat kryesisht klienteliste të miratimit të teksteve shkollore, statusi social, etj.), me pritshmëritë mbi kalueshmërinë dhe shpërndarjen normale të aftësive të nxënësve, ky qëndrim i tyre përfaqëson një tjetër pol interesash. P.sh. Fatmir Vejsiu, specialist i arsimit, mendon se provimi i maturës nuk mundëson konfirmimin apo dallimin e nxënësve të shkëlqyer, pasi teza vlerëson njohuri në nivelin mediokër. Atëherë qeveria bën sikur i pyet specialistët kur hartojnë apo korrigjojnë tezat ndërsa ul pragun e notës si të dojë.
Më tej do të ishte interesante të mësohej sesi e kanë zgjidhur specialistët çështjen e kurrikulës së integruar në kuadrin e projektit të edukimit qytetar e kombëtar. Sipas ligjit, arsimi parauniversitar ka për qëllim të kultivojë “identitetin vetjak, kombëtar dhe përkatësinë kulturore”, sikur i referohet Korniza Kurrikulare në trajtimin “temave ndërkurrikulare” (2017, Karameta et al., fq. 56). Dihet që mësuesit janë të interesuar të zbatojnë kriteret formale të programeve lëndore dhe të performojnë ato aspekte të vëzhgueshme që edhe inspektohen. (Faqja e inspektoriatit nuk punonte për të parë si shembull një raport vlerësimi nëse vëzhgoheshin elementë të tillë që lidhen me identitetin kombëtar).
Nuk kam ndonjë mendim sesi mund të balancohen këto interesa e grupet që i përfaqësojnë në arsim në lidhje me projektin shtet-formues, por kjo tematikë them se ia vlen të hulumtohet, sidomos nga një këndvështrim historik. P.sh. ish-inspektori i arsimit parauniversitar, Robert Gjedia (2013), ka shkruar mbi kombëtarizimin e arsimit gjatë periudhës së mbretërisë, por do të ishte relevante një analizë e ngjashme mbi periudhën kur ai ka qenë inspektor (2009-2013).
Më poshtë janë rezultatet e maturës 2022 për të katër provimet: gjuhë shqipe, matematikë, gjuhë e huaj, dhe lëndët me zgjedhje. Fiktiviteti dhe aspektet e tjera performative vërehen p.sh. në vlerësimin e njohurive në gjuhën shqipe, ku prej 2013 frekuenca e notës 10 është rritur katërfish (shih grafikun më poshtë, edhe komentet në Facebook të specialistëve të qeverisë së kaluar, Fatmir Vejsiu dhe Ndriçim Mehmeti).
(c) 2022 Arjan Shahini. Të gjitha të drejtat të rezervuara.