Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

MURTAJA E HARRIMIT

nga Erl Kodra

Një replikë – le të themi disi e veçantë – më ra si befasi e pakëndshme, pasi autori ose nuk më kishte kuptuar, ose përsëri nuk kishte kuptuar asgjë, me apo pa vetëdije, nga teksti që kisha botuar tek Peizazhet e Fjalës. Në të vërtetë është disi e vështirë të replikosh me atë që nuk të kupton, sepse i bie që ti të përpiqesh të shpjegosh atë që tjetri ose nuk e sheh dot, ose nuk do ta shohë. Kjo replikë nuk është me autorin, as me Peizazhet. As me ndonjë emër të veçantë (që mund të jetë lënduar nga shkrimi im) sepse unë qëllimisht nuk kam përmendë asnjë emër, përjashto Ismail Kadarenë, si ilustrim flagrant. Unë nuk kam asgjë me ata që shkruajnë poezi, por pse shtyhen bërrylash që ta bëjnë terr “djerrinën” – duke shuar dritat që mund të ndriçojnë sadopak? Le të jemi të qartë, se letërsia shqipe është shumë më tepër se sa shfaqja mediokre që na serviret prej 70 e kusur vitesh.

Po, unë mund të përmendja emra autorësh që venerojnë që prej viteve 50 e deri më sot, megjithatë unë nuk doja të lëndoja askënd, të gjallë as të vdekur. Fundja nuk është faji i asnjë autori të përveçëm, nëse jeton brenda një sistemi të dyshimtë vlerash pa vlera. Ata që vazhdojnë të përmenden për interesa konjukturale, me siguri që do të harrohen ditën që do të vdesin koniunkturat. Dhe të tillë ka plot letërsia shqipe.

Ajo çka kam dashur të them është se fakti letrar po zhduket përmes censurës së injorimit. Edhe sikur të kesh shkruar poezinë më të madhe në botë, ti nuk përmendesh kurrë. Madje sa më të mëdha vlerat, aq më e madhe censura dhe injorimi. Kjo gjendje është e shëmtuar, e ndyrë dhe e neveritshme njëkohësisht.

Socrealizmi ishte një kostum hekuri për autorët, sa edhe kur shkruanin për dashurinë, kujdeseshin që ajo të ishte e partishme. Nuk është faji i tyre pse ata jetuan dhe krijuan nën një atmosferë të tillë, por sot nuk kanë pse të ndjejnë mëni nga liria. Metodat pak më të buta se sa censura e drejtpërdrejtë – përmes heshtjes dhe injorimit – nuk i nderon ata që merren me punët e letërsisë. Ky është turpi i tyre.

Unë nuk e di se çfarë e keqeje do t’i vijë letërsisë nëse kuptohet se çfarë ka ndodhur në “djerrinë” përgjatë 32 viteve të fundit, por e di se poetëve X, Y, dhe Z nuk do t’u vijë mirë. Duket qartë se ata duan të përjetësojnë emrin e tyre – duke mos lejuar asnjë hapësirë për të tjerët – sa kohë që janë në jetë.

Fakti letrar ekziston

Me kohë kam menduar – dhe këtë e kam të konfirmuar edhe nga autorë të tjerë – se letërsia e pas viteve 90 duhet hulumtuar nga studiues me skrupuj dhe njerëz që nuk hanë veten me dhëmbë prej mënie.

Duhet të verifikohet njëherë e mirë se çfarë dhe si është shkruar, kush janë autorët, cilat kanë qenë tendencat dhe poezia e shkruar para dhe pas lirisë. Me shënime dhe referenca për secilin autor, duke evidentuar vlerat e çdokujt, origjinalitetin e tij. Vetëm kështu lexuesi do të ketë një panoramë të saktë se çfarë ka ndodhur në letërsi për tre dekada, sepse lexuesi do të ketë librin në dorë dhe mundësinë për të lexuar jo vetëm Ervin Hatibin, por edhe Rudian Zekthin, Agron Tufën, Luljeta Lleshanakun dhe Ilir Belliun (ky i fundit poet i dënuar me harresë të përjetshme). Sigurisht, ka edhe autorë të tjerë që askush nuk i përmendë, po aq të mirë – në mos më shumë – se sa emrat e lartpërmendur.

Kjo do të ishte jo vetëm një dritë në mes të kaosit, por një dëshmi që provon faktet – sepse para së gjithash – letërsia është një fakt artistik. Ne nuk mundemi as t’i zhdukim faktet, as t’i relativizojmë ato, as t’i varrosim 32 vite letërsi të shkruar. Faktet nuk pushojnë së ekzistuari, sepse ato injorohen – thotë Aldous Huxley. Por ekzistenca humbet kuptimin kur pluhuri i harresës shkon një metër.

Vetë lexuesi mundet të zgjedhë autorin e mirë, të ndërtojë hierarkinë e tij të vlerave, duke kërkuar për botimet e mëhershme. Universitetet do të kishin mundësi t’i referoheshin letërsisë së shkruar në liri. Ndërsa studiuesit e huaj të letërsisë, do të kishin rastin t’u referoheshin edhe autorëve të tjerë, përveç Ismail Kadaresë.

Dhe së fundi duhet bërë një marrëveshje fjale se çka mund të jetë vlera e njëmendtë për një kohë letrare; cila është ajo poezia që vjen vetëm një herë në jetë – bash në kohën kur ekzistenca vihet në pikëpyetje. Përndryshe, këtë borxh nuk do ta paguajnë vetëm autorët e mohuar nga censura e harrimit, por edhe ata autorë që do të vijnë më pas. Ne nuk e kemi luksin e mohimit, as të pohimeve të dyshimta.

(c) 2022 Erl Kodra. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin