nga Andi Rëmbeci
Në muzetë e parë, që u shfaqën në Evropë në shek. XVIII, kishte shumë objekte nga kishat apo koleksionet kishtare, të zgjedhura për nga vlera e tyre e trashëgimisë dhe të ekspozuara si vepra arti, gjë që çoi në humbjen e konotacionit të tyre të shenjtë. Ekspozimi në muze i këtyre objekteve solli si pasojë zhdukjen e pjesës më të madhe të mjedisit të tyre simbolik, pavarësisht nga tipologjia e muzeut në marrëdhëniet e tij me artin fetar. Gjatë periudhës së diktaturës ateiste, ideologët e PPSH-së, në luftën e tyre kundër Krishterimit, përdorën muzetë për t’i zgjeruar këto dallime. Për ta një objekt fetar ruhej në muze për vlerën e tij artistike. Ai u interpretua ideologjikisht si dëshmi e pakuptimësisë dhe degradimit të praktikës fetare mbi njerëzimin. Vetëm falë përpjekjeve të disa punonjësve të guximshëm u shpëtuan këto objekte kulturore me rëndësi botërore. Në përgjithësi, punonjësit në sferën kulturore u detyruan të përdorin truke dhe argumente të ndryshme, të cilat ende i befasojnë kolegët e tyre modernë. Nevoja për të fshehur të vërtetën në të kaluarën ka çuar në keqkuptime sot. Në periudhën e diktaturës ateiste, komponenti i shenjtë i një objekti muzeor që kishte një qëllim të mëparshëm fetar u eliminua nga ndërgjegjja e vizitorit të muzeut, gjë që është bërë pengesë për të kuptuar rolin e trashëgimisë së shenjtë, rëndësinë e saj dhe rolin e muzeve, si gardianë të vetëm trashëgimisë së shenjtë. Kësisoj, asfiksia ateiste kulturore kontribuoi në zhdukjen e njohurive fetare dhe shkaktoi një injorancë në rritje për këto tema. Shumica e vizitorëve nuk i njohin objektet fetare, figurat dhe skenat fetare, ndërkohë që muzeu, besnik në dogmën për shekullarizimin e së shenjtës në muze, jep pak informacion, duke harruar aspektet funksionale apo simbolike që do të kontribuonin në kuptimin e asaj që ekspozohet atje.
Ajo që më shtyu të shkruaj këto radhë ishte qëndrimi i mbajtur prej Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, një prej institucioneve më të rëndësishme të vendit që ruan dhe ekspozon mbi 7000 objekte të trashëgimisë kishtare kulturore të popullit tonë, ndaj kritikave për lejimin e xhirimeve në muze të videoklipit muzikor “Picasso”. Kritikave që iu drejtuan, titullarja e institucionit iu përgjigj publikisht kështu:
“Dikur objektet kanë qenë religjioze por në momentin që ato ekspozohen në muze, ai është i hapur për të gjithë, tani janë objekte artistike dhe jo më fetare. Muzeu është institucion shtetëror laik, dhe nuk ka të njëjtat rregulla si një institucion fetar. Kjo është.”
Pikërisht për të mënjanuar keqpërdorimin e objekteve fetare dhe për të shmangur cenimin e ndjeshmërisë fetare, kodi i etikës i ICOM-it konsideron se objektet e shenjta (siç janë ikonat etj.) duhet të përftohen dhe të ekspozohen në muze në respekt ndaj besimit dhe fesë së komuniteteve nga të cilët ato kanë ardhur (ICOM-Code of Ethics for Museums (2017 [2006], f. 25). Më tej, kodi i etikës së ICOM-it përcakton se “materialet me rëndësi të shenjtë… duhet të ruhen në kushte sigurie dhe ndaj tyre duhet të tregohet respekt… në përputhje me interesat dhe besimin e pjesëtarëve të komunitetit, kombëtar apo fetar, nga ku e ka prejardhjen objekti” (ICOM, Code of Ethics for Museums, 2017: pika 2.5, fq. 10).
Për të theksuar këtë domosdoshmëri në Shqipërinë postkomuniste, ligji shqiptar nr. 27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë” thekson se “Muzetë janë përgjegjës për paraqitjen e koleksioneve muzeore të trashëgimisë kulturore të komuniteteve prej nga kanë ardhur, duke respektuar identitetin kombëtar, vendor, etnik, fetar apo politik.” (neni 191, pika 3) dhe, më tej, në nenin 224, pika 6 ai përforcon vlerat evropiane të kodit të etikës së ICOM-it duke i trupëzuar ato brenda ligjit si vijon “materialet e një rëndësie të shenjtë bëhen pjesë e fondit muzeor vetëm nëse mund të vendosen në mënyrë të sigurt dhe në përputhje me standardet profesionale, interesat dhe besimet e anëtarëve të komunitetit, grupeve etnike ose fetare, nga të cilat objektet kanë origjinën”.
Për shkak të kësaj dritareje të hapur për të shenjtën në koleksionet e tyre, muzetë në vendin tonë, sado laikë që dëshirojnë të jenë, duhet edhe ligjërisht, të jenë të aftë të respektojnë “ndjeshmërinë fetare” dhe t’i ekspozojnë objektet fetare në respekt me identitetin e tyre të vërtetë dhe në një mënyrë që nuk është fyese për komunitetin fetar që i krijoi dhe i ruajti përgjatë tallazeve të shekujve dhe as për vizitorin besimtar. Duhet të bëhet ende një përpjekje bashkëpunuese dhe një reciprocitet më i madh i institucioneve të kulturës që e ruajnë sot këtë trashëgimi të shenjtë me institucionet fetare që i kanë krijuar dhe ruajtur ato përgjatë shekujve, e në rastin konkret të Kishës dhe komunitetit ortodoks në Shqipëri, në mënyrë që t’u jepet respekt më i madh formave të ndryshme të së shenjtës. E ky është një detyrim sa ligjor dhe etik, aq edhe historik e kombëtar.
(c) 2022 Andi Rëmbeci. Të gjitha të drejtat të rezervuara.