nga Eris Agolli
(ese krahasuese e personazheve Robinson të Daniel Defoe-s dhe Premti (Vendredi) të Michel Tournier-it)
Pjesa III: Robinsonada e Tournier – Deleuze
Robinsonada e Tournier përmes mitit dhe alegorisë
Tournier e ka ndërtuar figurën e Robinson Kruzoit si një pararendëse, në të cilën janë të pranishme letrat tarot.[1] Gjithashtu përdoret edhe Bibla si shoqëruese e të gjithë rrëfimit, e cila shfaqet gjithmonë në situatat pa rrugëdalje të personazhit. Ndërsa log-book për David Platten, është një ndërgjegje që shpaloset herë pas here. Kjo ndërgjegje ndikon në tre situata raportesh si: mes Robinsonit dhe vetes, Robinsonit dhe ishullit, dhe midis zërit të log-book dhe zërit të narracionit. “Miti i ishullit të shkretuar është një simbol i tjetrit, i tjetrit të panjohur, gjithçka që nuk është e jetës, e kulturës dhe shoqërisë perëndimore.”[2] Një tekst i Tournier-së i cilësuar si një hiper-tekst jo për shkak të marrëdhënies me tjetrin, por për hir të ndërthurjes së rrëfimeve. Çdo hap kthehet në një pararendës ashtu sikur letrat tarot mund të na dërgojnë tek secili akt i të ardhmes. Humbja e barutit nga Platten, shihet si e parashikueshme sepse veprimet e Premtit kishin filluar të ishin të pakontrolluara. Robinsoni i Tournier-së nuk bën një ndarje të barutit siç e kryen Robinsoni i Defosë në fuçi të vendosura larg njëra-tjetrës, duke e evituar kështu shpërthimin e tyre.
Shprehjet e seksualitetit të Robinsonit kanë një lidhje me mitin dhe nuk qëndrojnë si një banalitet i të përditshmes. Kjo marrëdhënie e seksualitetit, që lidh Premtin me Robinsonin shihet nga Platten jo si një raport i drejtpërdrejtë mes tyre, por me ndërmjetësimin e Speranzas, e cila bëhet forma që pëson dëshirat e Premtit dhe Kruzoit. Si çdo ndërmjetës, edhe Speranza është ambige. Simbolet e shumta dhe emërtimet qoftë në seksualitetin e përshkuar janë kontradiktore dhe intensiteti i tyre prodhon trullosjen, hutesën, njësoj si në përballjen me tjetrin. Premti me Robinsonin qëndrojnë si simbol i natyrës dhe kulturës, po se kujt i përket kujt kjo është e paperceptueshme, për shkak të ndryshimit të pozicionit të tyre. Miti merr tipare politike dhe sociale, po ky faktor humbet shpejt, sapo e lexojmë Premtin si një projeksion të frikës dhe ankthit të Kruzoit. Metafora e letrave tarot dhe e Biblës për Platten është vendosja në formën e mitit par excellence. Letrat, dhe hedhja e tyre sjell heronj, jetë të shprehura, persona me ngjarje, të gjithë për të inskenuar në një skenë. Një botë e skematizuar nga letrat tarot si një mikrokozmos. Një miti i inicuar nga letrat tarot na ndihmon të kuptojmë hapësirën para realizimit të gjërave, një pre-ekzistencë, një pre- ndodhi e kështu me radhë.
Robinsoni është i defamiljarizuar nga bota dhe i dehumanizuar, pas një pre-mendimi dhe një pre-ekzistence që shndërrohet në një rilindje tek guva në ishullin e Speranzas, e që ndikon tërësisht në një lloj ambiguiteti të rrëfimit, një rrëfimi nga një jetë apo një rrëfimi nga një botë. Këtij aspekti i shtohet figura e Premtit, si një zhvendosës i madh kuptimor. Robinson Kruzoi i parë si një mit i progresit dhe një zhvillimi metodik, ku edhe për Platten do të ndihet filozofia karteziane. Problemet e Kruzoit diskutohen në log-book, për të cilën Tournier është kujdesur të mos e kthej në hybris. Vështirësia është tek gjuha e shkruar që duhet të përcjellë në mënyrë të gdhendur ndjenjat, frikën dhe çdo ndjenjë tjetër. Privatja tek log-book ndihet e themeluar dyfish, një privilegj tjetër i të qytetëruarit. Log-book si fushë e logosit, shprehet Platten.[3] Speranza është jashtë kohës, pjesën më të madhe e qendërzuar në limbat e Paqësorit, dhe nuk arrin dot t’u shmanget barrierave mes subjekti dhe objekti që e banojnë, edhe pse ka një përdorim të gjuhës.
Të lexuarit të robinsonadës jo më në rrafshin mitik, po në atë alegorik ndryshon të tërë gjendjen. Alegoria për Platten përdor figura kalimtare, që rrokin direkt objektin, ndërsa miti jokalimtare sepse vijnë prej simbolit. Një simbol që perceptohet vetëm nga intelekti, dhe një alegori që rrjedh nga intelekti. Në kuptimin alegoriko-filozofik, siç e kam trajtuar dhe në fillim të punimit log-book është tjetri. Edhe për alegorinë ndihet një pre-destinim i narracionit duke ngulmuar më shumë tek rrëfimi sesa tek simbolet e shumta siç bën miti, me figura të forta si toka, dielli, të përkthyera në elementë. Premti i alegorisë nuk ka simbole, ai vetë është kthyer në simbol të tjetrit që ndihet i uzurpuar shpeshherë dhe rreth tij përçohet mosprania e kohës, kurse për Kruzoin alegoria merr fund me shfaqjen e anijes angleze Whitebird, e cila kthen në ekzistencën e së tashmes në vazhdim vetëdijen e kohës së shkuar dhe moralitetin.
A mbetemi me një subjekt solipsist?
Rindërtimi i historisë së Robinson Kruzoit nga Tournier bëhet me mungesën e tjetrit. Deleuze në esen e tij mbi “botën pa tjetëri” përdor efektet mbi Robinsonin, që është pa tjetrin dhe fillon të ndërtojë një teori të tjetrit.[4] Tjetri perceptohet aty ku ka objekt dhe kur ky objekt është perceptues. Eksperiencat e Robinson Kruzoit janë si eksperienca të subjektit, të subjektit që mund të ishte subjekt i çfarëdoshëm. Mungesa e tjetrit e drejton angazhimin e tij drejt botës, po jo ndaj banimit të ishullit. Tjetri që nuk vjen kurrë e shndërron subjektin në ekzistencën e një elementi. Si element bashkëveprimi me tjetrin është i realizueshëm por nuk ka vlerë. Në mungesë të tjetrit dhe tjetërisë, Kruzoi është i detyruar të njëjtësohet me ishullin, pa një ndërprerje prej tjetrit. Deri në shfaqjen e Premtit, kjo gjendje mbetet e pandryshuar. Për Robinsonin ishulli nuk ngjallte frikë, frika i ngjallej sapo ndiente pamundësinë për shpëtimin prej ishullit. “Me praninë e Premtit ka një shpresë të pashpresë. Perversioni i Robinsonit si element i tokës, për Deleuzen është paravajtës, po vetë koncepti bastard, duke mos patur mundësi për përcaktimin e origjinës, juridike apo mjekësore.”[5] Nga ana tjetër koncepti është i tillë, që i gëzon të dyja fushat në atë mënyrë saqë nuk e shpreh dot njërën pa thënë tjetrën. Robinsoni i vjetër e përjeton botën me strukturën ndërtimore të saj, ndërsa si element e përjeton përmes perversionit, i cili nga ana e tij nuk ka strukturë. Tjetri për Deleuze mund të përcaktohet si një botë e mundshme. Forkluzioni, pezullimi i botës së vjetër arrihet nga mungesa e tjetrit. Largimi nga çdo të mundshme të një bote perëndimore, si gjeneruese e teknikës dhe ekonomisë e vendos subjektin si solipsist, kjo prodhon pasojën e shndërrimit në element dhe si element në ushtrim të perversionit, i cili do të përbëjë momentin e parë.
Momenti i dytë është ai mimetik, imitimi i strukturave kryesore të botës perëndimore për të siguruar një vazhdimësi të ekzistencës. E reflektuar jo vetëm në të mbjellat, banesat, por edhe të emërimi i vetes mjeshtër, gurvernator, dhe në fund mbret i ishullit. Këto kopje bëhen kopje e kopjes, simulakër. Ky dyfishim i kësaj bote të vjetër, sillte një mos-përkatësi të objekteve me një tokë që nuk njihte objektin e vërtetë e jo më kopjen. Rikthimi i Robinsonit tek mëmësia, guva, është një moment primordial.[6] Mund të quhet perversion, po jo dhe aq i tillë shprehet Deleuze, sa kohë që mungon struktura e perversionit. Ai e lëshon veten e tij tek elementet e ishullit. Ai është një çelje e re në ishull.
Në këtë çast me shfaqjen e Premtit vjen, momenti i tretë. Premti si tjetër ka sjell përsëri strukturën e botës. Një botë që kërkon të zhbëhet dhe të bëhet. Në mendimet e Robinsonit shfaqen mundësitë me tjetrin, por jo bota e mundshme. Me një tjetër që sjell strukturën në botë, imazhin e një fytyre, dhe dallimin. Pyetja mbetet sërish: a mund të flasim për një subjekt solipsist? Një vete që tjetrin nuk mund ta shikojë si vete ndërton një botë që nuk mund të shohë asnjë tjetër. Dallim potencial dhe real është momenti i ardhur, ai quhet Premti dhe Enjti.
Deleuze ndaj botës pa tjetëri.
“Tournier ia ndalon vetes të lejojë që Robinsoni të braktisë ishullin. Përfundimi, qëllimi final i Robinsonit, është ‘dehumanizimi’, takimi i libidos me elementët e lirë, zbulimi i një energjie kozmike ose një shëndeti të madh elementar, që nuk mund të burojë veçse në ishull, dhe vetëm në përmasën që ishulli është bërë ajror ose diellor”.[7] Nga ky pasazh ndihet devijimi i parë i pasuar nga shumë devijime e degëzime që Deleuze evidenton në romanin e Tournier. Një Robinson që i kushtohet qëllimeve të tij ndaj ishullit dhe jo kthimit pas. Për Deleuzen, Robinsoni bëhet mbi të gjitha seksual. Në një përballje mes prodhimit ekonomik dhe aktivitetit seksual, ky i fundit është më parësor. Marrëdhëniet seksuale tek vaginishtja nuk mund të na evitojnë emërtimin e një kuadri pervers. Për Deleuze ka një dallim mes perversionit dhe figurës së perversit. Për të perversi nuk është një unë që dëshiron, më shumë nga ç’është tjetri, por për të mbetet një objekt i dëshirimit i pajisur me ekzistencë reale.
Robinsoni është pa tjetrin në ishullin e tjetrit. Një tjetër, i cili më ndihmon në perceptimin tim ndaj botës si një siguri për atë që ndodh pas shpatullave të mia. Kjo ndodh gjersa nuk e perceptoj si një kërcënim ndaj të qenit vete. Tjetri të huton dhe të kthjellon njëkohësisht. Robinsonin e huton prania e tjetrit gjatë të menduarit se çfarë do të vijë më pas, por ama kthjellohet shumë mirë për vitet që kanë kaluar, kur vendoset përball kapitenit të anijes. Mungesa e tjetrit më krijon një botë pa një të mundshme dhe si e tillë, e reduktoj veten aq shumë jo më ndaj tjetrit, po ndaj tokës që më mban saqë bëhem element i saj për të takuar elementë të tjerë. Deleuze thotë që para së gjithash duhet një strukturë për perceptimin. Kështu vetëm me anën e një perceptimi që ka një plan ku të vendoset, ne arrijmë të perceptojmë tjetrin. Një botë e mundshme që luhet midis aktuales dhe jo-aktuales.“Shkurt, tjetëria si strukturë është shprehja e një bote të mundshme, është e shprehura e rrokur si ende jo ekzistuese jashtë asaj çka e shpreh .”[8] Një dualizëm luhet mes efekteve të strukturës të tjetërisë dhe po të mungesës së efekteve të saj. Pra, a do kishim perceptim pa tjetrin dhe a do kishim tjetrin pa perceptimin? Për Deleuze është tjetri si strukturë që e bën të mundur perceptimin ndaj po një tjetri që shpall pezullimin (forkluzion), e kjo detyrimisht çon në mos shquarjen e të tjerëve që vijnë pas tij, sepse struktura e tjetrit ka rënë, e njëjta gjë ndodh me Robinsonin.
Tjetri si një tejçim tek e shkuara me anë të një ndërgjegjeje që fillon të bëhet ndërgjegje, i referohem këtu takimit të Kruzoit me kapitenin e anijes angleze. Kjo tregon se tjetri që vjen me një botë më bën të vë në dyshim botën time. Nëse pajtohem me një tjetër që është i tillë sa kohë që unë jam një vete, atëherë si do të konfrontohen bota e tjetrit me botën e vetes. “Nëse tjetri është një botë e mundshme, unë jam një botë e shkuar.”[9] Gabimi qëndron në përputhjen që tentohet gjithmonë të arrihet mes subjektit dhe objektit, tentativ që shprehet në rrafshin e botës. Po sinteza në këto raste është e pavlefshme, duke qenë se përdor asgjësimin e njërës prej pjesëve. Nga ana tjetër, kur mungon tjetri kemi përputhjen e ndërgjegjes dhe objektit të saj, pasi nuk ka më kush ta kushtetojë, bashkëngjitur këtij procesi edhe të mosqenit e kohës.
Me humbjen e tjetrit një ndërgjegje në vete, me humbjen e vetes një ndërgjegje e tokës (ishullit). Një vete që e ka shpërbërë strukturën e tjetërisë është një vete aq sa është ishulli në vete, duke mos u shqetësuar për shkretimin e tij. Tjetri jo vetëm që turbullonte këtë botë, po ishte dhe vetë ai turbullimi. Me rënien e tjetrit do të shfaqet një dytës, që është dytës sendor i çdo sendi. Tjetri më reduktonte praninë e elementeve tokësore-ajrore, po tani që tjetri është vetëm një imazh i pashqueshëm, pa strukturë ku ta vendosë kur janë po elementet tokësore-ajrore që më reduktojnë tjetrin si një imazh i pashqueshëm pa strukturë. Për Deleuze është toka, trupi, që përmban elementët, po i mban të tillë duke ditur që është dytësi që çlirohet pas humbjes së tjetrit dhe është dytësi që do të çlirojë elementet. “Shkurt tjetri është ai që, duke mbështjellë botën e mundshme, nuk i linte dytësat të drejtoheshin. Tjetri ishte përkulësi i madh. Kështu që destrukturimi i tjetërisë nuk është një disorganizim i botës, por një organizim i drejtuar në kundërvënie ndaj organizmit të shtrirë, drejtimi, çlirimi i një imazhi vertikal më në fund dhe pa trashësi; dhe një elementi të kulluar më në fund të lirë.”[10]
Përpjekjet për të vendosur një orë-matës (klepsidrën), prodhimet e bollshme, vendosja e ligjeve duke ditur shumë mirë që është vetëm ai në ishullin, veten e tij nuk e vendos si subjekt të tyren, por kjo lexohet si përpjekje për ta (ri)populluar botën, ku Deleuze do e perceptojë si akte vetëm për të ruajtur efektet e pranisë së tjetrit, së tjetrit pa strukturë. Me shfaqjen e Premtit nuk duhet menduar se është tjetri i ri, sepse kjo nuk implikon ndërtimin e strukturës së zhdukur. Kështu, mund të kemi një botë tjetër dhe jo tjetrin. Premti si një dytës po jo si një kopje. Ka dhe një gradë më të lart të tjetrit që është tjetri a priori. Tjetri perceptohet si tjetër nga vetja si dikushi, ndërsa tjetri a priori nuk arrin formën dikushi, pasi struktura e tij është gjithmonë transhendente ndaj afektimeve. Deleuze e përkufizon tjetrin a priori si ekzistenca e së mundshmes në përgjithësi, por gjithmonë duke pasur parasysh nëse kjo e mundshme ekziston. Struktura e tjetërisë, në robinsonadën e Tournier-së, është kundërvënie ndaj strukturës perverse, ku secila është prekursor i shkërmoqjes, sepse Robinsoni nuk ka as tjetrin dhe as nuk është pervers.
(fund)
© 2022 Eris Agolli. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] Letrat tarot janë letra që kanë nisur të përdoren në Europë në shekullin XV. Interpretimi i figuracionit të tyre bëhet një parashikues për të ardhmen. Një kuadër hera herës “mitik” për të ardhmen.
[2] D. Platten, Michel Tournier and the Metaphor of Fiction, Liverpool University Press, 1999, fq. 42.
[3] D. Platten, Michel Tournier and the Metaphor of Fiction, Liverpool University Press, 1999, fq. 67.
[4] Deleuze’s Theory of other- A serial solipsism in three moments, University of Edinburgh, Edinburgh, 2009, fq. 1.
[5] Po aty, fq. 2.
[6] Deleuze’s Theory of other- A serial solipsism in three moments, University of Edinburgh, Edinburgh, 2009, fq. 2.
[7] G.Deleuze, Michel Tournier dhe bota pa tjetëri shih tek: M.Tournier, Premti ose Limbat e Paqësorit, Zenit, Tiranë, 2012, fq. 230.
[8] G.Deleuze, Michel Tournier dhe bota pa tjetëri shih tek: M.Tournier, Premti ose Limbat e Paqësorit, Zenit, Tiranë, 2012, fq. 238.
[9] Po aty, fq. 242.
[10] G.Deleuze, Michel Tournier dhe bota pa tjetëri shih tek: M.Tournier, Premti ose Limbat e Paqësorit, Zenit, Tiranë, 2012, fq. 246.