Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

NARRATIVË E PASHMANGSHME

Mere Fizi, Adnan Pinxho dhe Murat Shtaga: Orienti i Marksit, unilineariteti historik i Stalinit dhe Revolucioni Kulturor i Enver Hoxhës në romanin Njeriu me top të Dritëro Agollit.

nga Artan R. Hoxha, Ph.D.

Diku në jug të Shqipërisë, rrëzë një mali të quajtur Kokallë, në luginën e një lumi që i thërrisnin Krak, ndodhej fshati Arun. Nëntëdhjetenëntë shtëpitë e këtij fshati ishin të ndara në pesë fise, të cilat nuk ngjasonin me gishtat e një dore, që të bashkuara formonin një grusht. Përkundrazi! Fizët, Pinxhot, Shtagët, Marukët dhe Grudët ishin të ngërthyer në një vorbull hasmërish, prej së cilës dukej se nuk do mund të shkëputeshin dot. Të sakatuar e të kredhur në një det gjaku, të vdekurit mbanin peng të gjallët dhe nuk i linin ata të jetonin e të shikonin përpara. Aruni ishte vetëm pesëmbëdhjetë minuta larg xhadesë kryesore, por dukej se rruga që e lidhte atë me botën e madhe nuk kishte asnjë ndikim mbi fshatin, që i mbyllur në vetvete, rrëzë Kokallës e përgjatë lumit Krak riprodhonte në një qerthull të shkuarën e tij dhe i mbante të pesë fiset të shkëputur nga njëri-tjetri në një urrejtje të pafund. Në pesëdhjetë vjet gjakmarrje ishin varë plot dyqind vetë, burra, gra e fëmijë; dyqind jetë të këputura në mes, dyqind fantazma që qëndronin pezull mbi të gjallët dhe u merrnin frymën; nuk i linin të qetë, i thërrisnin për hakmarrje dhe i mbanin ata të mbyllur në kullat e tyre të gurta. Mjegulla që qëndronte pezull mbi siluetën e vranët të peizazhit malor, ku qielli gri e balta përshkonin tejembanë mjedisin e këtij fshati të çuditshëm i cili qëndronte i shkëputur nga ngjarjet e mëdha dhe që ngulmonte të mos bëhej pjesë e historisë. Edhe pse vetëm çerek ore larg rrugës kryesore, shteti është krejtësisht i papranishëm në Arun, ku njerëzit me pushkë e jataganë, shpërfillës ndaj kujtdo autoriteti të jashtëm, i përgjigjeshin vetëm rregullave mizore të traditës, që i kishin brendësuar dhe i riprodhonin përmes mënyrës së tyre të jetesës.

Por a mund të mbetej Aruni edhe për shumë kohë i paprekur nga gjëmimet e luftës, krismat e armëve të së cilës oshtinin si kambanat e mbrame të fundit të botës së vjetër dhe lindjes së një jete të re? Patjetër që jo. Përplasja titanike mes të vjetrës dhe së resë zhvillohet edhe në Arun dhe ajo pasqyrohet në ndërgjegjen e Mato Grudës, personazhi kryesor i romanit “Njeriu me top” i Dritëro Agollit; ai është zoti i të vetmes shtëpi të mbetur nga fisi i Grudajve, të cilin e kishte shuar zjarri hakmarrës i Fizëve. Përmes syve të Matos dhe rrëfimit të këtij burri me vetulla të trasha që binin të ngrysura mbi sytë e tij të thellë kuptohet se edhe pse i izoluar, Aruni kishte ndryshuar. Ky fshat nuk ishte më thjesht një bashkësi fshatarësh malësorë të lirë që mbronin me pushkë të drejtat e tyre. Ai nuk ishte thjesht i përçarë nga gjakmarrjet, por brenda tij kishin hedhur rrënjë edhe dallime të rëndësishme në pasuri e kamje. Madje edhe hasmëritë e shumta që kishin përgjysmuar Arunin kishin si burim të tyrin pronën: tokat dhe femrat, që ishin po ashtu si ngastrat e kullotat, pronë e burrave, të cilët vriteshin për kontrollin e këtyre burimeve natyrore dhe njerëzore. Zgjerimi i kufijve të tokës, zhvendosja e sinoreve, etja për më shumë prona, shkaktonin konflikte të ashpra. Toka e bukës, me grurin e të cilës banorët e Arunit gatuanin bukën e tyre, ishte e larë me gjak.

Fisi më i madh dhe më i pasur, ai i Fizëve, ishte fuqizuar shumë pikërisht duke zhdukur armiqtë e tij dhe duke u marrë atyre tokat. Prona dhe dhuna ishin pazgjidhshmërisht të lidhura me njëra-tjetrën edhe në Arun dhe përfaqësuesi i këtyre transformimeve të ngadalta që përforconin pushtetin patriarkal ishte plaku Mere, gjyshi i madh, i moçëm dhe i lig, njëqind a dyqind vjeç, me kandilin e tij të ndezur që nuk fikej kurrë. Ai fliste më shumë turqisht se sa shqip, i referohej vazhdimisht Allahut dhe shejtanit dhe teksa shtirej se ishte gardiani i traditës, në të vërtetë ai simbolizonte rendin çifligar në formim e sipër dhe sundimin shumëshekullor osman që kishte goditur rëndë e përçarë komunitetet e lira dhe barazimtare malësore shqiptare. Madje, sipas legjendës, ai kishte vdekur një herë dhe kur po e varrosnin ishte ringjallur. Ringjallja e tij simbolizonte lënien në mes të deotomanizimit të Shqipërisë nga ai, që komunistët e quanin si regjimi çifligar i Ahmet Zogut. Monarkia ja kishte zgjatur jetën rendit të vjetër duke i hedhur ende vaj kandilit të Mere Fizit. Kështu, në këtë fshat malor të Shqipërisë së jugut shohim të zbatohen të njëjtat ligje të hekurta historike që shpinin në shthurjen e rendit fisnor, zhbërjen e bashkësive barazimtare dhe diferencimit klasor.

Ndërkaq, në Arun, edhe tregtia po merrte hov. Përfituesit kryesor janë fisi i Pinxhove, të cilët të përfshirë në sipërmarrje të ndryshme nga shitja e lëndëve drusore e te fajdetë, ishin pasuruar gjithnjë e më shumë duke përvetësuar pronat e bashkëfshatarëve të tyre që i fusnin në borxhe me kamata të papërballueshme. Djallëzorë, të pangopur e të paskrupullt, Pinxhajt, e sidomos përfaqësuesi kryesor i tyre, Adnan Pinxho, përdornin paranë e plumbin për t’u pasuruar gjithnjë e më shumë në kurriz të bashkëfshatarëve të tyre, sidomos fiseve të varfra të fshatit, Shtagët e Marukët. Jo rastësisht, zengjinët e rinj të Arunit – që kishin vetëm njëzetepesë shtëpi, kishin një aleancë me pronarët më të mëdhenj e më të fortë të tij, me Fizët. Adnan Pinxhon, simboli i depërtimit të kapitalit tregtar e grabitqar që kishte depërtuar edhe në një fshat si ai i Arunit, e lidhte një miqësi e fortë, edhe pse jo pa dyshime, me plakun Mere. Bashkëpunimi mes zotëruesve të tokës dhe kapitalit, dukuri kjo që sipas teorisë marksiste ishte tipike në fazën e hershme të zhvillimit të kapitalizmit, ishte farkëtuar edhe në Arun.

Varfërimi, copëzimi dhe humbja e pronës i kishte shndërruar si Shtagët ashtu edhe Marukët në një rezervuar krahu të lirë pune, që për t’u shpëtuar borxheve dhe humbjes së tokës, kërkonin burime financiare jashtë fshatit. I tillë ishte edhe rasti i Murat Shtagës. Ky kishte shkuar në Tiranë e kishte punuar në një firmë italiane si punëtor me mëditje. Murati donte të mbetej bujk i lirë, pjesë e një bashkësie që kaherë kishte jetuar brenda suazave të vetëmjaftueshmërisë bujqësore, e cila nga ana e saj ushqente edhe izolimin. Por kjo ishte një ëndërr e bukur, që do të merrte fund shpejt sapo Murat Shtaga të kapërcente pragun e Arunit e të shkonte në kryeqytet. Aty, ai do të bëhej punëtor dhe do të ballafaqohej me një botë më të madhe, me imperializmin italian që kishte vënë nën thundrën e tij Shqipërinë dhe më pas e kishte pushtuar atë. Murati tanimë doli nga bota e vogël e Arunit dhe u përfshi në jetën më të gjerë kombëtare dhe në përplasjen me përmasa titanike botërore.

Duke punuar për firmën italiane Purricelli, Murati do të kuptonte se kishte një luftë më të madhe klasore dhe ajo që ndodhte në Arun ishte një projektim në shkallë më të vogël dhe primitiv i asaj që ndodhte në një rrafsh shumë më të gjerë. Dhuna, vrasjet dhe fajdetë në Arun përfaqësonin një luftë klasore ndërmjet zaptuesve që të shtyrë nga etja për pasuri synonin të përvetësonin pronën e bashkëfshatarëve të tyre, dhe atyre, që përmes pronës së vogël kërkonin të ruanin lirinë dhe barazinë e dikurshme. Pra burimi i problemeve ishte vetë prona. Në Tiranë, Murati përqafoi idetë komuniste dhe që aty ai u kthye në fshat një tjetër njeri, një misionar që, i armatosur me një ndërgjegje të re, do të predikonte në vendlindjen e tij ndërtimin e një bote po të re, thellësisht e ndryshme nga bota aspak heroike dhe thellësisht mizore në të cilën tanimë ishte zhytur Aruni me diferencimin klasor dhe vrasjet e panumërta që gjymtonin fuqinë e tij të gjallë njerëzore. Murati, ishte po njëlloj si Adnan Pinxho një përfaqësues i të resë, vetëm se ai qëndronte në antitezë me tregtarin fajdexhi që ishte shndërruar në agjentin kryesor të kapitalit të shitur tregtar dhe në emër të tij shtypte e grabiste bashkëfshatarët e tij.

E kështu, në Arun kemi një trekëndësh, Mere Fizin, përfaqësuesin e pushtetit të vjetër patriarkal të lidhur me tokën, Adnan Pinxhon, përfaqësuesin e kapitalit dhe Murat Shtagën, përfaqësuesin e punës. Konflikti mes tyre ishte i ndërgjegjshëm. Të tre ishin të vetëdijshëm për gjendjen e tyre klasore dhe konfliktin mes tokës, punës dhe kapitalit. Të tjerët, si Mato Gruda, rrinin e vështronin, rrekeshin të kuptonin, të zhytur në armiqësi, me irinitë e hakmarrjes që u vërshëllenin pa pushim në vesh, që i shtynin të riciklonin të vjetrën, të marrë rob prej saj, ku të vdekurit diktonin jetën dhe të ardhmen e të gjallëve, ku e vjetra nuk i linte hapësirë të resë të hidhte filizat e saj. Edhe pse e urrente me shpirt, fjalëpaku dhe mendimshumti Mato Gruda, mashkulli i vetëm i fisit të tij që i mbijetoi flakëve të hakmarrjes, në fund tërhiqej pikërisht nga modeli i Mere Fizit, lëkundej nga predikimet e Murat Shtagës, të cilin ende nuk e kuptonte, ndërsa përbuzte Adnan Pinxhon, tregtarin e paskrupullt të Arunit.

Por ja që erdhi Lufta e Dytë Botërore dhe ajo e ngushtoi gjithmonë e më shumë lakun rreth banorëve të Arunit. Tashmë ata nuk mundnin të vijonin të qëndronin shpërfillës ndaj asaj që ndodhte jashtë kufijve të fshatit e të vazhdonin të pashqetësuar luftëzën kundër njëri-tjetrit. Ishte gjithnjë e më pak e mundur të mos mbahej anë. Tosun Baçi, kreu ballist i përshkruar si kriminel, ishte mik i Pinxhove dhe bashkëpunonte me italianët, e më pas me gjermanët kundër “horrave të malit”, partizanëve. E kështu, aleanca e re ndërmjet kapitalit dhe pushtuesit të vendit shpaloset me gjithë fuqinë e saj. E sërish, në momentin që Italia kapitullon, Mato Gruda merr një top gjerman të markës Haufman (sic!) të braktisur nga italianët dhe e fut në plevicën e tij, me qëllim që ta përdorte atë për të zhdukur me xhephanen e gjermanëve Mere Fizin dhe ushtrinë e nipërve dhe stërnipërve të tij.

Por kur ushtritë gjermane erdhën në Shqipëri dhe qëndresa kundër tyre mori hov, e kur Adnan Pixho e Tosun Baçi iu bashkuan nazistëve e bashkë me ta vranë Murat Shtagën, Mato nuk pati tjetër zgjidhje. Ai mori topin gjerman dhe e përdori kundër vetë nazistëve. Teknologjinë e imperializmit ushtarak të Rajhut të Tretë një shqiptar analfabet i maleve të Toskërisë, tanimë nuk e përdori kundër armiqve të tij personalë, kundër hasmit të familjes së tij, por kundër armikut të Shqipërisë, të botës, të lirisë. Mato Gruda doli nga izolomi i tij, kapërceu përçarjet meskine të Arunit, e më këtë çap, ai kreu një hap të jashtëzakonshëm sepse iu bashkua një përplasjeje ideologjike ku njeriu kapërcente interesin e ngushtë dhe individualizmin e lidhur me pronën. Mato nuk ishte i vetëm. Nëse deri në atë çast, nën hijen e Kokallës dhe përgjatë rrjedhës monotone të lumit Krak, Aruni kishte qëndruar i mbështjellë në mjegullën e kohës së palëvizshme, i veçuar dhe indiferent ndaj rrugës, në momentin që gjermanët u shfaqën me mjetet e tyre të motorizuara, të gjithë fiset e fshatit u bashkuan si pesë gishtat e një dore e formuan grushtin për të dërrmuar armikun imperialist. Aruni iu bashkua më në fund botës. E teksa bënte këtë, Adnan Pinxho mori arratinë kurse plaku Mere u mbyll në shpellën që banorët e fshatit e përdornin për t’u mbrojtur në raste luftërash. Ndërkaq, stërnipërit, e bashkë me ta edhe Shega, stërmbesa e tij, ju bashkuan partizanëve. Lufta kundër nazistëve u shkri me atë të klasave dhe brezave. E reja triumfoi në flakën e luftës.

Që historia ka shërbyer gjithmonë si një mjet për të legjitimuar ose delegjitimuar rendet politike, shoqërore dhe ekonomike, kjo nuk përbën asnjë risi. Fundja, prandaj edhe historia është një fushë e dijes aq e debatuar: kjo jo vetëm sepse mekanizmi i prodhimit të njohurive akademike ka në qendër të vetin përplasjen e mendimeve të ndryshme dhe dyshimin, por edhe sepse historia vijon të jetë një lëmë thellësisht i politizuar. Po ashtu, është një fakt i mirënjohur se veprat letrare luajnë një rol të dorës së parë në popullarizimin e narrativave historike. Jo më kot thënien e novelistit sovjetik Juri Olesha se shkrimtarët janë inxhinierë të shpirtrave njerëzorë, Stalini e përvetësoi dhe e shndërroi në një postulat. Në këtë kuptim, “Njeriu me top” nuk përbën asnjë ndryshim nga shumë romane të tjera të realizmit socialist. Por ajo që ka rëndësi për mua në këtë rast, e prandaj vendosa të ulem e të shkruaj këtë sprovë, është të lidh këtë tekst të shkruar nga shkrimtari ynë i shquar, Dritëro Agolli me kohën dhe mendimin marksist, e prej këtej të kuptoj funksionin e tij brenda narrativës së regjimit komunist shqiptar.

Teksti, sikundër thotë edhe rrënja latine e kësaj fjale (texere), është një pëlhurë e endur me shumë fije, që, për ta analizuar, duhet vendosur në kontekst. Konteksti është sa tërësia e rrethanave historike, ideologjike, politike, institucionale apo materiale ku një tekst krijohet, aq edhe lidhja e këtij të fundit me tekste të tjera që i kanë paraprirë. Të gjithë këta elementë tirren ngjeshur në cohën e një teksti dhe shtjerja e tyre mundëson zbërthimin e raporteve të pushtetit të ngërthyera në të dhe funksionin e tyre politik. Kontekstualizimi i romanit “Njeriu me top”, i botuar në vitin 1975, na lejon të kuptojmë se si ky tekst është i vendosur brenda një hapësire diskursive. Këtu, ai komunikon me disa shkrime të rëndësishme të Marksit, tekstualizon konceptualizimin stalinist të historisë, duke i shërbyer, kështu, agjendës së regjimit komunist shqiptar në fundit të viteve ’60 dhe fillimit të viteve ’70.

Më konkretisht, fjalën e kam për dy artikuj të rëndësishëm që Karl Marks shkroi mbi Indinë, më konkretisht “Sundimi britanik në Indi” dhe “Rezultatet e ardhshme të sundimit britanik në Indi”, të botuara përkatësisht në qershor dhe gusht të vitit 1953 në gazetën amerikane New York Daily Tribune. Këtu, ati i “komunizmit shkencor” analizoi trashëgiminë aziatike të Indisë dhe rolin e kapitalizmit në gërryerjen e bazës së, asaj që ai e emërtonte si “despotizëm oriental”. Sipas Marksit, përtej efekteve shkatërruese që sundimi britanik i kishte shkaktuar ekonomisë dhe shoqërisë indiane, kontrolli kolonialist kishte lidhur nënkontinentin indian në një njësi të vetme territoriale dhe politike. Me teknologjinë e tyre sipërore, përmes shkatërrimit që ekonomia kapitaliste britanike i kishte bërë ekonomive të izoluara dhe autarkike të qindra mijëra fshatrave indiane, ajo kishte shembur bazën e despotizmit të deriatëhershëm lindor; përmes telegrafit dhe makinës me avull i kishte lidhur ato me botën dhe britanikët kishin ndërtuar bazën teknologjike që një ditë do të përvetësohej nga masa e pafundme e hinduve dhe do të përdorej kundër sundimit të tyre imperialist.

A nuk ishte kjo që ndodhi edhe me topin Haufman, në momentin kur Augusto, artilieri italian që strehoi Mato Gruda e mësoi këtë të fundit se si akumulimi i gazrave që çlironte lënda plasëse brenda folesë së topit, krijonte presionin e nevojshëm për ta hedhur predhën me saktësi të mahnitshme kundër një objektivi të caktuar? A nuk ishte më pas Mato Gruda ai që përdori këtë teknologji gjermane kundër vetë makinës luftarake naziste? A nuk ishte imperializmi italian që shtriu kthetrat e tij edhe në Arunin e humbur përmes Adnan Pinxhos për të gërryer me shpejtësi ekonominë e vetëmjaftueshme të fiseve të tij dhe e lidhi atë, me fije të padukshme me një botë më të madhe? A nuk ishte Myftar Shtaga ai që, me tokën e mbajtur peng nga Adnan Pinxho u bë punëtor dhe ju bashkua masave të proletarëve të kryeqytetit, që punonin pikërisht në shërbim të sipërmarrjeve të mëdha italiane, të cilat ndërsa shfrytëzonin Shqipërinë po krijonin edhe klasën punëtore që do të bëhej strumbullari i Partisë Komuniste të Shqipërisë e që do të organizonte luftën kundër armatave të tyre? A nuk ishte lufta në Arun, një pasqyrim i konfiguracioneve politike që krijoheshin në të gjithë botën e kolonizuar, ku plutokracitë vendase ndërtonin aleancë me imperializmin europian, duke u rreshtuar në krahë të tij për të shfrytëzuar masën vendase? A nuk shndërrohej, kështu, lufta çlirimtare dhe antiimperialiste edhe në luftë klasash? A nuk ishte ky parim që u skalit edhe në Kushtetutën e Shqipërisë të vitit 1976, ku shprehej qartë se Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë mbështeste të gjitha lëvizjet revolucionare nacionalçlirimtare dhe antiimperialiste në mbarë botën? A nuk ishte kjo edhe vetë fryma antihegjemone e partisë-shtet të Shqipërisë komuniste, që teksa izolohej gjithmonë e më shumë nga bota, mëtonte me të madhe se ishte një fortesë e antiimperializmit dhe fanar ndriçues i të gjithë popujve dhe masave të shtypura në mbarë rruzullin?

Prognoza dhe analiza e Marksit duket qartë se janë burimi intelektual i motivit të “Njeriu me top”, i cili e materializon atë në një tekst që ndërton një narrativë ku shpalosen në veprim ligjet e çelikta të materializmit dialektik. E bashkë me të edhe drejtimi i vetëm linear nëpër të cilin lëvizte gjithë historia e njerëzimit. Tema e këtij romani shqiptar, e përqendruar në momentin e luftës, teksa e cilëson këtë të fundit si vitin zero, ku fillon ndryshimi i vërtetë i Shqipërisë, njëkohësisht e lidh ardhjen e këtij momenti jo me një histori specifike kombëtare por me një metanarrativë të historisë botërore. Prej këtej, komunistët dalin të jenë përfaqësues të historisë, pararoja e zhvillimit progresiv dhe linear të saj. Kushdo që dilte kundër, qoftë Adnan Pinxho apo plaku Mere Fizi, ishin të dënuar të flakeshin tej në koshin e saj të plehrave. Skema e historisë që lëvizte në një drejtim, në pararojë të së cilit qëndronte Bashkimi Sovjetik dhe që përbënte modelin për t’u ndjekur, shohim të aplikohet edhe në Arun, rrëzë Kokallës. Kalimi nga feudalizmi – duke quajtur feudal cilindo lloj rendi socio-ekonomik e sistem të pronës që nuk i nënshtrohej rregullave të kapitalizmit – në kapitalizëm e komunizëm, në vende me ekonomi agrare bëhej i mundur përmes aleancës së fshatarësisë dhe proletariatit.

De facto, revolucionet që kryen partitë komuniste në vendet aziatike dhe të Europës Lindore – me përjashtim të Çekosllovakisë e Gjermanisë Lindore – ishin në fakt një kalim drejt komunizmit pa pasur përvojën feudale dhe me një kapitalizëm embrional. I ngjizur në shoqëritë e Europës Perëndimore, modeli parashikonte një rrugëtim drejtvizor dhe të domosdoshëm nga tipi shoqëror i skllavërisë në feudalizëm e kapitalizëm për t’u përmbyllur pastaj me socializmin, si fazë tranzitore drejt komunizmit. Atje ku këto tipe shoqërish nuk ishin, praktikisht komunistët që mbanin në duar frerët e pushtetit, i shpikën këto faza të transformimit social dhe bashkë me to edhe luftën e klasave, shfrytëzimin klasor, kulakët, kapitalistët dhe spastrimet e mëdha që pasuan luftën kundër të gjithë elementëve shoqërorë të shpallur apo konsideruar si të padëshirueshëm.

Kështu, sipas kësaj skeme, kapitalizmi kishte depërtuar edhe në fshat, diferencimi klasor dhe i pronës i kishte përfshirë bashkësitë rurale në një botë më të madhe se e tyrja, e kjo ndodhte edhe atëherë kur fshatarët, që sipas Marksit nuk arrinin të shikonin përtej gardhit të tyre, nuk e kuptonin. I tillë, po aq i verbër ishte edhe Mato Gruda. Të vetmit që kishin vizion të qartë ishin komunisti Murat Shtaga dhe Adnan Pinxho, sipërmarrësi kapitalist i Arunit. Do të ishte lufta që do t’i nxirrte bashkëfshatarët e tyre nga amullia e jetës rurale, e që do të thërrmonte guaskën e vogël të individualizmit rural dhe do t’i shtynte ata të kuptonin se ishin pjesëtarë të një klase dhe jo banorë të një fshati; se në fakt i fundit ky ishte një miniaturë e përplasjeve të interesave shumë më të gjera; e mbi të gjitha, se ai që duhej të mbështetnin ishte Murat Shtaga e jo Adnan Pinxho.

Murat Shtaga ishte e ardhmja dhe partia ku ai bënte pjesë, përfaqësonte drejtimin e historisë. Pasi u ndërgjegjësuan për këtë, banorët e Arunit u hodhën në mbështetje të partizanëve, nisën ta shkruanin vetë historinë, si aktorë aktiv e të vetëdijshëm dhe jo si vegla që riprodhonin e mbronin përmes verbërisë së tyre rendin që i shtypte ata. Kështu, “Njeriu me top” integron rrëfimin e tij – që marrin shkas nga ngjarje reale të ndodhura në krahinën e Dibrës – brenda skemës unversaliste të Stalinit, që ky e përdori si pikë referimi për ta bërë atë instrument ideologjik të hegjemonisë imperialiste të Bashkimit Sovjetik. Kontrolli mbi narrativën historike ishte edhe ruajtje e supremacisë së Moskës në bllokun socialist. Ndërsa komunistët shqiptarë luftonin imperializmin, narrativa historike e tyre riprodhonte imperializmin sovjetik të Stalinit.

Në vitin 1975, kur ky libër u botua nuk përforconte vetëm marrëdhënien e letërsisë së realizmit socialist në Shqipëri me burimin e saj intelektual të klasikëve të marksizëm-leninizmit, por legjitimonte edhe Revolucionin Kulturor që kishte nisur në vitin 1967. Ky, nuk ishte asgjë tjetër, veçse një sulm kundër traditës patriarkale në malësitë shqiptare si dhe ndaj fesë, të emërtuar si luftë kundër “besëtytnive dhe mbeturinave të së shkuarës në ndërgjegjen e njerëzve”. Jo më kot lufta klasore shoqërohej edhe me luftë brezash, e gjitha kjo e ndërlidhur me sundimin e huaj. Plaku Mere që fliste turqisht, që thërriste Allahun e shejtanin nuk ishte vetëm përfaqësuesi i të vjetrës, por me të vjetrën identifikohej sundimi osman dhe format e pushtetit që ky pushtim kishte lënë e kockëzuar brenda shoqërisë shqiptare e që përjetësoheshin në mënyrë autonome pavarësisht sistemi socio-ekonomik e politik. Çlirimi i vendit nga çdo lloj pushtimi i huaj, nënkuptonte edhe asgjësimin e sistemeve kulturore që perandoritë e huaja kishin lënë në vend dhe përmes këtyre zgjatimeve superstrukturore vijonin të ishin gjallë edhe dekada pasi rrënojat e tyre ishin mbuluar nga pluhuri i harresës.

Lufta e brezave, goditja e patriarkalizmit dhe mënjanimi i plakut nga qendra e pushtetit familjar do t’i hapte rrugën depërtimit të bërthamës shoqërore nga ideologjia marksiste-leniniste. Jo rastësisht plaku Mere ngurronte të bashkohej si me Ballin Kombëtar ashtu edhe me komunistët. Vendosja e familjes së tij nën njërin ose tjetrin flamur politik do t’ia nënshtronte Fizët e kullën e gurtë që ai kontrollonte, forcave politike që kapërcenin autoritetin e kryeplakut. Izolimi nga jeta politike e depolitizimi i familjes e ruanin pushtetin e tij mbi nipërit e stërnipërit të pacenuar. Njëkohësisht, zhvishnin forcat politike nga mundësia për të shtrirë autoritetin e tyre kudo. Pushteti negociohej dhe nuk vepronte lirshëm pa ndërmjetës.

Në këtë mënyrë, “Njeriu me top” sa paraqet popullarizimin e një narrative të historisë që e përfshin Shqipërinë brenda një skeme universale historike, aq edhe përfaqëson një burim të parë që nëse kontekstualizohet lejon zbërthimin e rrethanave në të cilat është krijuar. Aruni është Shqipëria dhe dalja e Shegës dhe kushërinjve të saj në mal, e shoqëruar kjo me futjen në shpellë të gjyshit të madh simbolizon atë mit të vjetër pagan për të cilin Marksi fliste plot pështirosje, që pinte nektarin me kafkën e njeriut të vrarë. Nëse Marksi kërkonte që t’i jepte fund, këtij miti, udhëheqësi stalinist shqiptar e ricikloi atë përmes luftës permanente që kryente ndaj kujtdo që cenonte pushtetin e tij, përfshi edhe ndaj të vjetrës. Enver Hoxha dhe mbështetësit e tij ishin të vendosur të mos e linin Mere Fizin të ngjallej sërish ditën e varrimit të tij.

© 2022 Artan R. Hoxha. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Titulli është i redaksisë.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin