Rikthimi i përjetshëm i së njëjtës në 37 poezitë e Ervina Halilit
Nuk janë sytë e mi është një përmbledhje me 37 poezi të Ervina Halilit, poete dhe studiuese nga Prishtina, interesi studimor dhe poetik i së cilës qëndron tek miti dhe manifestimi i sjelljes kolektive. Përmbledhja e propozuar për lexuesin, në figuracionin letrar dhe përmasën e vet shpirtërore, lidhet me një rrugëtim metafizik të qenies, e cila kalon nëpër vendqëndrime të ndryshme për të arritur atë që misticizmi sufi e quan fana. Fanaja nuk është një fanitje e thjeshtë, por është dorëzim palë-palë i atributeve materiale dhe identifikimeve të vetes së poshtme deri në asgjësim drejt qenies absolute dhe esencës se ekzistencës, duke ia dorëzuar, kështu, të gjitha. Përmbledhja nis me poezinë “Zat”, që do të thotë pikërisht mbërritjen te vetë esenca, bërthama, ose shkrirja në të. Ashtu nis rikthimi i asaj qenie sërish mes njerëzve, çka përbën edhe zbritjen e dytë, së cilës, Ervina Halili, i kushton një poezi në këtë përmbledhje.
Kështu pra, këto poezi gjallojnë në një realitet letrar mes shpirtërores, onirikes si dhe një tradite metafizike tradicionaliste, duke krijuar marrëdhënie me një tjetër konceptim të botës, më të shtyrë dhe parak. Janë pikërisht poezi si “Kanga e ujit” ato që nëpërmjet një figurativizmi tjetër, ftojnë drejt një kujtese e inteligjence universale të qarkulluar pafundësisht, e quajtur ndryshe dhe “rikthimi i përjetshëm i së njëjtës”[1].
Poezia e formuluar nga Ervina mbërrin matanë gjithçkaje shkruhet në shqip, mbase pikërisht për shkak të shkrirjes në një të disa përvojave gjuhësore shqipe të shfaqura në rrëfimet e përrallave të traditës ose ne kallëzimet e mistikëve sufi të Ballkanit. Autentike dhe filozofike, kjo poezi materializohet dhe na ushqehet në ciklet e nisjes dhe rikthimit që ndërmerr shpirti në poezinë e saj. Shpirti njerëzor është i pashtëpi dhe pa gjurmë. Ai ekziston diku përtej së përditshmes materiale, kështu që trupi që mbart shpirtin duhet, gjithashtu, ta ushqejë në një mënyrë që ta afrojë atë me të unitetin. Në fakt, dhe vetë cikli mbi nënën në këtë përmbledhje, përbën rikthimin e përjetshëm të së njëjtës, ku nëna këtu është e njëjta nënë e cila e lind veten dhe të tjerët pafundësisht.
ajo thue se kërkon me e lindë veten e pastaj mue
e më thërret të bahem shtatë palë sy hapun
që ngjiten lart pandalë e sodisin
se si nana rri pezull mes dy botësh
që ndajnë zemrën time në dysh
në njenën nana përcjell njerëzit në ikje
që të gëzuem qeshin a të pikëlluem presin
shpinën e nji kali me flatra të prarueme në ar
në tjetrën nana sheh frymët në ardhje
edhe mue edhe veten e saj tu ardhë
përsëri
tu ardhë
Kodet e këtyre poezive, si nëna, koha absolute, mali e uji mund të vibrojnë kordat tona të brendshme, duke rizgjuar eksperienca të papërnjohshme tashmë, por të jetuara, për rigjetjen e imazhit të humbur, nëpërmjet simbolesh që nuk e njohin marrëdhënien me mishin, e duke çelur mundësi shprehish të tjera. Ndodh kështu, që qenia absolute, arsye e përjetshme fjalësh, shkrimesh e heshtjesh, të ketë gjetur këtu, në shprehinë e lirë të vajzës poete, një epifani të re.
Të njëjtën epifani poetja e ofron edhe sa i takon aspektit formal të këtyre poezive a, më saktë, gjuhës së përzgjedhur. Shpesh poezia në gjuhën shqipe lind me “ngërçin fillestar” të një keqkuptimi mes faktit që ajo vërtet shkruhet, por nuk është vetëm gjuhë e shkruar; poezia shkruhet për t’u tejçuar e për t’u mbajtur mend, por formulohet për t’u thënë. Si pasojë, brenda saj, ajo mbart shumë nga regjistri i folur, i cili te çdokush përkon me regjistrin arketipal a, më saktë, me atë të nxënë në shtëpi e jo të mësuar në shkollë. Nëse autorja do të ndiqte vetëm këtë shteg, poezitë e saj do të ishin kryekëput të koinesë gege, pasi arketipi i saj gjuhësor themelohet mbi këtë koine. Në të vërtetë, ajo zgjedh të mbajë nga arketipi i saj pikërisht ato lema parake që nuk ndryshojnë, pasi janë pjesë të leksikut themeltar, pjesë e shenjave fillestare të Universit tek çdo njeri, sikurse nana, zani, e foljet, thuajse të gjitha, në format e tyre të zgjedhuara a të pazgjedhuara; këto fjalë pra mbeten të gjitha arketipale, gjithçka tjetër në poezi i takon një ligjërimi që përfaqëson një pajtim të vetvetishëm të varieteteve të shqipes. Pikërisht te ky pajtim i vetvetishëm qëndron dhe epifania e re e gjuhës, e cila duket se lëshon një regjistër të ri, në një rrëfenjë të pakohë.
Së fundmi, të vetëdijshëm siç jemi, se përdorimi i shpejtë dhe përgjithësues i mbiemrit mistik, shpesh nuk është më shumë se një rrugë e shkurtër për të shmangur përballjen me poliseminë e një sërë formash mendimi, nuk marrim përsipër të bëhemi interpretë të kësaj përmbledhje poetike, por veçse t’i urojmë modestisht lexuesit ta shijojë poezinë, duke shpresuar të gjejë një shteg të ri komunikimi me përmasën e vet shpirtërore dhe atë gjuhësore.
Anna Shkreli, botuese
[1] the eternal return of the same, trajtuar nga Friedrich Nietzsche.
(c) Anna Shkreli. Të gjitha të drejtat e rezervuara