Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Totalitarizëm

SI E LEXON SOCIALIZMIN NJË POET NË ANGLI…

nga Visar Zhiti

Kur kanaçet e Coca-Cola-s ishin të mbushura me gjak në Shqipëri…  këtë përfytyrim pata, kur dëgjova jehonën për një libër të botuar së fundmi në atdhe, që në kopertinë ka një kanaçe me një lule, metaforë e socializmit shqiptar. Po varfëria e madhe dhe mërzia ende më e madhe, mbyllja, mos shpresa? Po telat me gjemba, internimet, burgjet, të pushkatuarit, të rinjtë e vrarë në kufi, se donin të iknin, të studionin nëpër botë, ku mundi të diplomohet e të bëjë karrierë autorja e atij libri?

Shpesh të huajt dinë të na lexojnë më mirë se ç’e tregojmë ne veten ndonjëherë dhe mbase dhe andej nuk dinë të lexojnë të gjithë njësoj.

Ka botime pak më të hershme, që duhen dhe për kohë më të tanishme. Ka dalë në Mbretërinë e Bashkuar libri me ese dhe kritika Mentioning the war (“Duke përmendur luftën”), shkruar nga Kevin Higgins, poet, studiues dhe botuesi irlandez me banim në Londër. Krijimtaria e tij i ka kaluar kufijtë e vendit duke u bërë e njohur dhe në SHBA, Zelandë e Re, Belgjikë, etj.                               

Shqetësime të kohës, prirjet dhe kundërprirjet, socializmi si (pa)mundësi dhe iluzionistët, ide, poezi, estetikë, politikë, dhunë, emra të njohur diktatorësh të kuq, ideologësh, shkrimtarësh, estetikë, nostalgji, terror, etj, gjithë kjo përzierje e ngërthyer në 217 faqe.

Po Kevin Higgins ka përfshirë në këtë libër, (fq. 113-116)  dhe esenë e tij për librin me poezi të Visar Zhitit,  “The condemned apple”, (“Molla e dënuar”), botuar në SHBA, Los Angeles, me përkthim të albanologut të njohur kanadezo-gjerman, Robert Elsie.

Ajo që shkruan Kevin Higgins duket se është përgjigje dhe për pyetjet që po bëhen tani në Shqipëri.

MOLLA E DËNUAR

nga Kevin Higgins

Molla e dënuar” është libri me poezi, më turbulluesi që kam lexuar ndonjëherë.

Visar Zhiti u rrit në Durrës, port në bregdetin Adriatik. Poezitë e para i botoi në revistat letrare, teksa përgatiste vëllimin e parë të poezive “Rapsodi e jetës së trëndafilave“.

Nëse do të jetonte në Irlandë apo Angli, Visarit do t’i jepej çmimi “Forward” apo dhe do të ftohej të paraqiste vëllimin e tij në Festivalin Letbury apo në Cuirt. Edhe mund të ndodhte të bënin sikur ta harronin dhe, në një rast të tillë, pa dyshim kjo mund të përflitej me miqtë. E tillë është jeta e poetit. Të paktën nga ajo që dimë. Po Visar Zhiti nuk jeton në Brighton apo në Galway; ai mbijeton në një vend që ishte nën regjimin absolut stalinist fanatik të Enver Hoxhës, që e bënte Nikolae Çausheskun të dukej një liberal i mirë në krahasim me të. Enver Hoxha ishte një maniak me proporcione të hatashme. Pasi u prish me Bashkimin Sovjetik, kur Hrushovi pranoi gabimet e bëra nga Stalini, dhe më pas me kinezët, të cilët pas vdekjes së Maos ndërprenë të ashtuquajturin Revolucion Kulturor dhe nxorën në gjyq “bandën e të katërve”, ku përfshihej edhe gruaja e Maos, Hoxha dënoi Bashkimin Sovjetik, Republikën Popullore të Kinës (dhe satelitë të tjerë të tyre, që nga Kuba e deri te Korea e Veriut) si “revizionistë borgjezë”. Nga mesi i viteve ’70 Shqipëria ndërpreu kontaktet diplomatike dhe ekonomike me pjesën tjetër të botës komuniste dhe zyrtarisht ishte “i vetmi vend socialist në botë”, por në të njëjtën kohë ishte edhe vendi më i keq në botë. Vetëm regjimi i Pol Potit ia kalonte regjimit shqiptar.

Pra nuk ishin rrethanat që të mund të botohej koleksioni i parë i poezive të Zhitit, megjithëse kishte paraqitur dorëshkrimin e tij të parë në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, kur filloi “spastrimi i liberalëve” në Sesionin Plenar të Partisë Komuniste në Tiranë. “Liberalët” në fjalë ekzistonin më shumë në fantazinë e Enverit, por kjo nuk kishte rëndësi, duhej bërë një spastrim medoemos.

Dhe Zhiti e vuajti si pasojë: Vepra e tij u zbulua si “nxirje e realitetit socialist”. Dy anëtarë të Lidhjes së Shkrimtareve dhe Artistëve – emrat e tyre janë dhënë vetëm me iniciale R. V. dhe P. K. – përgatitën një “akt-ekspertizë“ mbi veprën poetike të Visar Zhitit, me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Të dy lakejtë me shumë zell i dorëzuan autoriteteve më 24 tetor 1979 relacionin prej 12 faqesh të kësaj akt-ekspertize. Dy javë më pas Visar Zhiti u arrestua.

U lirua nga burgu më 28 janar 1987, pasi qe flakur në gulagun shqiptar, i detyruar të punojë si skllav në ferrin e minierës së Spaçit. “Akt-ekspertiza” është ribotuar e plotë në fund të librit. Të rrëqethet mishi kur e lexon, sepse ndëshkimi më mizor i bëhet “gjuhës së errët” dhe natyrës “hermetike” të poezive të Zhitit, gjë që më kujton ato që kam dëgjuar të thuheshin nga miq socialistë, disa prej tyre tani ish-miq, për veprat e poetëve si Medbh McGuckian dhe John Ashbery. Një pjesë e mirë e kritikës letrare të majtë, sidomos, siç duket në shtypin e vogël, është e lidhur ende me qëndrimet staliniste.

Tani kanë mbetur pak stalinistë dhe midis tyre padyshim, ka edhe në letërsi që flasin si Trocki “nuk ka vijë partie në art”, por veprojnë si Stalinër, gjithë ndëshkime dhe zilira të zeza, kur flitet për poezinë që i tejkalon apo nuk i shërben çështjes së tyre.

Me të këqijat dhe të mirat, ne që jetojmë në botën perëndimore, jemi të paktën të lirë të shkruajmë atë që duam. Poezitë tona mund edhe të injoroheshin, kjo është çështje tjetër, po Medbh McGuckian nuk rrezikonte të denoncohej nga Ministria e Brendshme për faktin që ai nuk është Adrian Mitchell apo Linton Johnson.

Por ata arritën ta përndjekin Visar Zhitin për obskurantizëm në poezi. R.V dhe P.K. të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, e dënojnë pse thotë atë që ata s’duan të dëgjojnë, ja p.sh: “’Në poezinë “Xhulisë’, një vajzë malësore shkon në shkollë, e veshur me një xhaketë të vjetër ushtarake, që ia dhanë vëllait, kur u lirua nga ushtria. Synimet e poetit janë të qarta këtu. Në këto poezi ai kërkon të nxijë jetën tonë dhe shpif për mirëqenien ekonomike që u ka sjellë socializmi, ashtu si për gjithë popullin, edhe malësorëve tanë.”

E vetmja kritikë që kam për këtë libër është se poezitë goditëse, ato të cilave u referohen R.V. dhe P.K. në akt-ekspertizën e dënimit nuk përfshihen të gjitha. Do të ishte shumë interesante të na jepej mundësia të lexoheshin. Në këtë vëllim mbizotërojnë poezi që Visar Zhiti i shkroi gjatë viteve në burg. Kur nuk kishte të drejtën për të patur letër e penë në qeli, ai krijoi me mend dhe i nguliti në kujtesë të gjitha poezitë duke u përpjekur kështu të mos humbiste dhe mbamendjen. Përkthimi i vëllimit nga shqipja në gjuhën angleze, pa dyshim, ka humbje. E megjithatë përkthimi i Robert Elsie-së është i fuqishëm dhe prekës.

Nga poezitë më të bukura ndoshta është dhe “Çastet ikin”:

Ikin çastet si morrat nëpër trupin tim.
Në këtë llogore burgu plot baltë vuajtjesh,

rri dhe pres.
Sa keq të jesh luftëtar pa luftra.
(1982)

Në poezinë e shkëlqyer “Banjoja e të burgosurve”, e krijuar kur ai ndodhej në burgun e Qaf-Barit në korrik të vitit 1983, Zhiti tregon se si edhe në rrethanat më të tmerrshme njeriu kapet pas sensacioneve që mund të të japin edhe kënaqësi, sado vogëlane:

Më lëpin me gjuhë uji i dashuruar
u lehtësova i tëri.
Hija e telave me gjemba
si tatuazh skllavi
nxin mbi lëkurën time.
Po unë po lahem,
e humba peshën si në një realitet tjetër.

Në poezinë që ka marrë dhe titullin vëllimi, Zhiti kapet pas humanitetit nga fija më e brishtë: “Unë, si i marrë, ulërij në heshtje:/ Ej, ti, botë!/ Dhe në më ke harruar,/ unë jo…”

Dhe në njëfarë mënyre, profetikisht, kështu ndodhi, sepse regjimi ra më 1990 dhe Visar Zhiti doli nga gulagu, pra ky është një libër, për fat, me një fund të lumtur: Poeti ruajti shëndetin e mendjes dhe mbijetoi.

Në poezinë “Zyra e dikurshme e diktatorit, pranë së cilës punoj” ai arrin madje të hyjë në zyrën e torturuesit të tij dhe – jehonat e Hannah Arendt – sheh se ai ishte një vend shkretimisht zymtan, jashtë imagjinatës: “As humnera dënimesh. Nga sirtarët/ s’dalin tyta armësh/ si sy detektivësh metalikë. Rri i heshtur./ Fytyrëzbardhur. Sikur të kem dalë nga një sëmundje e gjatë.

Ky libër poezish lindi si realiteti i një makthi tejet të keq. Është një nga ata librat e rrallë që ka forcën t’i ndryshojë lexuesit vizionin mbi botën. Merreni dhe mbajeni fort. Është dhe ilustrimi më i shkëlqyer që kam parë, ku shpjegohet se si shpresat e larta, me socializmin e fillimit të shekullit 20, degjeneruan në një tirani të përditshme.

_________________________________________
Përktheu nga anglishtja: Mira Xhiku

(* theksimet me të zezë janë të përkthyeses)

(c) 2021 Visar Zhiti. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kopertina: Kevin Higgins

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin