Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

ASKETIKA NGA NIKOS KAZANXAQIS

nga Patroklos Stavru

“Asketika” është Nikos Kazanxaqis; dhe Nikos Kazanxaqis është “Asketika”. Një gazetë zvicerane shkruante para shumë vitesh, që “Asketika” është “Bibla sipas Kazanxaqis”. Vetë Kazanxaqis shkroi, që “Asketika” është një Klithmë dhe krejt vepra e tij është koment ndaj kësaj Klithme.

Kazanxaqis e filloi Asketikën në Vjenë në vitin 1922 dhe e mbaroi në Berlin, në Mars të 1923-it. Në një nga letrat drejtuar ish-bashkëshortes së tij Galateas, shkruan: “Fillova një libër të ri, “Asketika”; një libër mystique, ku përshkruaj metodën e ngjitjes së shpirtit nga rrethi në rreth, derisa të arrijë Prekjen më të epërme. Janë pesë rrathë: Unë, Njerëzimi, Toka, Universi, Zoti. Si të ngjitemi shkallë-shkallë dhe kur të mbërrijmë në rrethin më të lartë, të përjetojmë gjithë rrathët e tjerë. E shkruaj qëllimisht jo si poezi, por në formë urdhërore”. Në janar të 1923-it, i shkruan sërish Galateas: “Këtu punoj si i dëshpëruar. Zgjohem në të gdhirë dhe tani që s’kam ngrohje, rri në shtrat e punoj. Shkruaj, siç të thashë Asketikën. Nuk e di nëse do të pëlqejë. Është e shkruar në formë të kursyer, si ngjitje e mundimshme nga rrethi në rreth”. Vetëm dy ditë në javë kishte ngrohje në dhomë, për shkak të mungesës së qymyrit, dhe bënte një i ftohtë i llahtarshëm. Por përgjithësisht, edhe më vonë, nuk ishte e pazakontë për Kazanxaqin të shkruante me dorashka për shkak të të ftohtit polar. Në të njëjtën letër, shpreh problematikën e tij, që nëse është zgjedhja e duhur për t’iu kushtuar tërësisht veprimtarisë shpirtërore. “Të mundesha të bëja “kapërcimin”. Të lë pas, në bregun tjetër, shkrimet dhe poezinë e t’u flas njerëzve, pa i gjykuar, pa ndrojë e pa i peshuar. Më ngjan se vetëm atëherë do mundem të gjej formën e duhur, ku lehtësisht do të frymonte shpirti im. T’u flas njerëzve, jo vetëm një a dy vetave, por turmave të mëdha. Të gërshetoj idenë time me nevojat aktuale – ekonomike, shoqërore e politike. T’u flas e t’i nxis mbi problemet e përditshmërisë. Ideja, filozofia abstrakte, jo-mishtore – nuk mund të ngopë shpirtin sarkofag. Dhe gjithçka është e përkryer në mendjen time, por më mungon forca që të kapërcej ledhin e të mposht Qesharaken. Vallë, do të mundem ndonjëherë? Nëse jo, jeta ime do të jetë një hidhërim dhe mundim i thellë e i pashërueshëm. […] – luftoj, vështroj përpara si Odiseu, pa e ditur nëse do të prehem në Itakë. Veçse nëse Itaka është udhëtimi”.

Vetë ai nuk e konsideronte si diçka madhore anën ekonomike: “Për mua është e thjeshtë të zgjidh problemin ekonomik, pasi rroj me asgjë”, i shkruan Galateas në 20 shkurt 1924. Tetë vite para shkrimit të Asketikës, Kazanxaqis kishte vizituar Malin e Shenjtë (Agios Oros), që të njihej më mirë me asketizmin. Në vitin 1926 divorcohet nga bashkëshortja e tij Galatea. Para se të përfundojë botimi i Asketikës në revistën “Rilindja” në verë të 1927-s, Kazanxaqi i shkruan mikut të tij Pandeli Prevelakit “Sidomos për Asketikën, që e dua veçanërisht, them këtë: Le të printohet tani te revista “Rilindja”, le ta shoh së pari në një botim të dobët dhe atëherë do të kryej korrigjimet e duhura – disa gjëra përsëriten shpesh, rendi ka mangësira, etj. Dhe pastaj e botojmë siç duam”. Kulmimi i këtyre korrigjimeve ishte shtimi i kapitullit “Heshtja”. Kazanxaqi e shkroi këtë kapitull në Bekovo, në qershor të 1928-s “në një pyll mahnitës me bredha, një orë larg Moskës. Pemë gjigante, të dendura, dielli perëndon në mesnatë […]”.  Botimi i 1927-s, mbante titullin latin SALVATORES DEI, që do të thotë “SHPËTIMTARËT E ZOTIT”; domethënë njerëzit janë shpëtimtarët e Zotit, dhe me shkronja më të vogla, ASKETIKA. Ndërsa në botimet e mëvonshme, titulli grek i paraprin titullit latin.

Botimi i parë i Asketikës në Athinë shkaktoi turbullira. Në 22 shtator 1927, Kazanxaqis i shkruan shoqes së tij Elenit: “Greqia më mbyt, askënd s’kam shok, askush s’mund të ndiejë agoninë e shpirtit tim. Të gjithë këtu e perceptojnë Asketikën si vepër arti dhe jo si një klithmë kërkimi e tmerri. Sepse askush nuk ka këtë klithmë brenda vetes”. Në 5 nëntor 1927, i shkruan sërish Elenit: “Asketika është një klithmë e tmerrshme, e përgjakshme, që do të dëgjohet pas vdekjes sime. Tani njerëzit kuptojnë vetëm formën e saj poetike. Por përmes përngjasimeve e frazave lirike, kërcen e zjarrtë, e mbiarmatosur, përtej çdo dëshpërimi e shprese, pamja e ardhme e Zotit”.   Në letrat e tij me Elenin flet për postkomunizmin. Gjatë botimit të parë të Asketikës, përfshihet dhe një shënim:

Asketika u shkrua në Gjermani në vitin 1923 që të përcjellë agoninë shpirtërore dhe shpresat e një rrethi komunistësh gjermanë, polakë e rusë, që nuk merrnin frymë lirisht brenda perceptimit të ngushtë, të mangët e material të Idesë Komuniste”.

“Asketika le të konsiderohet si rrekja e parë lirike, si klithma e parë e besimit post-komunist”.

Kazanxaqis bashkë me botuesin e tij grek, Dhimitris Glinos, merren në pyetje nga organet gjyqësore. I pari sepse shkroi këtë libër “përdhosës” dhe i dyti sepse publikoi në revistën e tij “Rilindja”, “ tekstin ateist”. Kundër tyre u hap proces gjyqësor për “tallje ndaj fesë”, i cili nuk u bë.

Në vitin 1930 Stefan Cvajg do t’i shkruajë Kazanxaqit se Asketika nuk i përkiste atij, por njerëzimit: “Stefan Cvajg, i cili lexoi Asketikën, më dërgoi një letër entuziaste, ku më krahason me poetin e tij çek të preferuar, Brezinën, dhe më sugjeron që nëse dëshiroj mund të më rekomandojë të botohet diku”, i shkruan mikut të tij Prevelakit. Çështja e përndjekjes së Asketikës nuk i shkakton “as krupë, as habi. Urrej vetëm faktin e zallamahisë rreth librit e që shesin heroizëm kaq lirë”, vazhdon në letrën e tij. Kazanxaqis ndodhet në Paris dhe gjyqi kundër tij në Greqi zhvillohet në mungesë. Por, pavarësisht premtimit të Cvajg-ut, nuk arriti në atë kohë të gjejë botues për Asketikën.

Përkthimi i parë i Asketikës në frëngjisht u krye nga helenisti Octave Merlier, Drejtor i Institutit francez të Athinës në bashkëpunim me Kazanxaqin, dhe u botua mes shumë vështirësish në vitin 1951. Një mit gjeorgjian, shkruan Merlier në prologun e Asktikës, flet për tre mollë që ranë nga qielli: “e para për atë që e rrëfeu, e dyta për atë që e dëgjoi dhe e treta dhe më e bukura, ra në abis. Por molla e tretë nuk ra në abis, e mban në dorë Nikos Kazanxaqis”.

Shkrimi i mësipërm është shkëputur nga pasthënia e Patroklos Stavru, birit të adoptuar të bashkëshortes së dytë të tij, Elenit.  

 


 

Pjesë nga kapitulli i fundit “Heshtja”, 

Një Flakë është shpirti i njeriut; një zog i zjarrtë, që kërcen nga dega në degë, nga koka në kokë, dhe thërret: “Nuk mund të qëndroj, nuk mund të digjem, askush s’mund të më shuajë!”

Në një pemë zjarri shndërrohet menjëherë Gjithësia. Mes tymit e flakëve, i prehur mbi kreshtën e zjarrit, ruaj të dëlirë, të freskët, të paqtë, frytin e zjarrit, Dritën.

Nga kreshta e lartë, vërej vijën e kuqe që ngjitet – shkëlqim i përgjaktë drithërues, që zvarritet si insekt i dashuruar në dredhat e lagështa të trurit tim.

Unë, raca, njerëzit, toka, teoria e veprimi, Zoti: fantazma prej dheu e truri, të mira për zemrat e thjeshta që tremben, të mira për shpirtrat mbarsur, që kujtojnë se do lindin.

Nga vijmë? Ku shkojmë? Ç’kuptim ka kjo jetë? – thërrasin zemrat, pyesin kokat, duke goditur kaosin.

Dhe një zjarr brenda meje, filloi të përgjigjej. Do vijë një ditë, me siguri, që zjarri do të pastrojë tokën. Do vijë një ditë, me siguri, që zjarri do të shfarosë tokën. Kjo është Ardhja e Dytë.

Një gjuhë e zjarrtë është shpirti, që lëpin e lufton të zhurisë masën e errët të botës. Një ditë, e tërë Gjithësia do bëhet zjarr.

Zjarri është maska e parë dhe e fundit e Zotit tim. Mes dy zjarreve të mëdha, qajmë e vallëzojmë.

Rrëzëllijnë përsiatjet e trupat tanë. I paqtë qëndroj mes dy zjarreve, me mendje të palëvizshme mes marramendjes, dhe them:

Sa e paktë koha, sa i ngushtë vendi mes dy zjarreve, sa i ngadaltë ritmi i kësaj jete – nuk kam kohë, nuk kam vend që të kërcej. Ngutem!

Dhe menjëherë ritmi i tokës kthehet në marramendje, koha zhduket, çasti vorbullohet, shndërrohet në përjetësi, çdo pikë – qoftë insekt, qoftë yll, qoftë ide – bëhet vallëzim.

Ishte burg, dhe burgu shkatërrohet, dhe forcat e tmerrshme brenda tij çlirohen, dhe pika nuk ekziston më!

Shkalla më e lartë e këtij ushtrimi shpirtëror quhet: Heshtje. Jo, ngaqë përbëhet nga një dëshpërim i skajshëm i pathënë; as ngaqë përbëhet prej haresë dhe shpresës së skajshme të pashprehur; as ngaqë është dija e skajshme, që nuk pranon të flasë, as sepse është padituria e skajshme, që nuk mundet të flasë.

Heshtje do të thotë: Çdokush, pasi ka përfunduar shërbimin e tij në çdo arritje, mbërrin në majën më të lartë të përpjekjes – përtej këtyre arritjeve, nuk lufton, nuk thërret; maturohet i tëri në heshtje, përjetësisht me Gjithësinë.

Nikos Kazanxaqis, “Asketika”, Botimet Zenit 2021.
Përktheu : Eleana Zhako

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin