Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

SANDUIÇ POLAK

nga Marelba Fushekati

Marketi polak ndodhet në pjesën perëndimore të Torontos, përballë liqenit të Ontarios, në lagjen e cila dikur banohej me shumicë nga polakët, gjurmët e të cilëve janë zbehur me kalimin e kohës.

“Polish Bakery” është një minimarket që tregton produkte ushqimore me origjinë vendase dhe gatesa tradicionale polake.

Shitëset pas banakut janë ca zonja polake, më së shumti bjonde, në moshë kaluar asaj të mesmes, me ca fytyra që qëmtojnë një bukuri të shkuar, aq të ëmbël sa të duken si portrete vajzash me faqe të kuqe që të vijnë në kujtesë nga përrallat.

Shqiptarët si unë e gjejnë veten herë pas here tek “polaku”. Paninet janë fantastike, proshutat e tymosura të prodhuara po aty të bëjnë të besosh se ky kontinent, ofron edhe doza dashurie nëpërmjet ushqimit, krahasuar me prodhimet e ftohta dhe të pashpirta të supermarketeve.

Në një pasdite të vonë, kur amperi i lodhjes më kish rënë ndjeshëm, bëj këmbë në këtë copëz të Europës së vjetër qendrore, e ndërsa rreshtoja mbi banak vazot me kastravecë e lakër të ëmbël turshi, paninet dhe pançetën e dhjamosur, ndjeva pas shpinës një breshëri fjalësh në polakçe, që përfunduan me “Ogorki”. Ndërkohë që kuptova që burri pas kurrizit tim po kërkonte kastravecë turshi, një duhmë alkooli, e përzierë me aroma të tjera fermentuese, m’u përplas në fytyrë, duke më ngarkuar me ndjesinë e inatit, lodhjes dhe neverisë.

– Më fal, tha, hyra pa radhë, por jam në qejf sot.

Hajt, i pirë.

– Nga je ti? – vazhdoi.

– Nga Shqipëria, – i jap muhabet.

– Oh, my God! Shqiptarët i urrej shumë!

– Çfarë?!

M’u qesh në fakt. Për dy arsye. Këndej nga e shkoj jetën, nuk dëgjon të tilla deklarata të pafiltruara, që shprehin urrejtje apo mendime të kulluara kësisoj të trurit. Dhe arsyeja e dytë ishte pasojë e kësaj që thashë më lart, pasi jam ç’mësuar të dëgjoj të tilla. U gjenda e papërgatitur.

Për shumë pak ama.

E para shprehje që më erdhi në mendje ishte: “Uh m’u bëfsh kurban! Paske urrejtje dhe ti!”

Nuk përkthehet kjo. Lëre.

Fala një buzëqeshje si skërmitje dhe gërmëzova: – Hajt, se edhe ne ndonjëherë e urrejmë veten.

Ç’pata?! Sindroma e atij që sa më shumë t’i biesh, aq më shumë bën Amen?

U deha më duket.

– Po ti nga je – tëholla bisedën.

– Unë jam gjerman, tha.

Po, thashë me vete, gjerman polskij.

– Familja ime bie kushërirë e largët me Hitlerin!

Ndoshta vodka e patateve që ziejnë ca syresh si ky nëpër bodrume shtëpish, dhe gjithë çka kish mbledhur në stomak, kishin bërë punën e tyre dhe po kërkonin dëshpërimisht një figurë të fortë e të poshtër, për të vënë në vend dinjitetin e lëkundur prej pijaneci.

Mblodha qeset, dhe në të ikur shpëtimi më erdhi në gjuhën e mëmës, kur gjithë qejf iu ktheva:

– Uh, m’u bëfsh kurban! Paske urrejtje dhe ti!

Ika në paqe. Më hahej.

Sanduiçi polak ka shije të mirë; është ushqim i thjeshtë, i bukur, i paqtë, Dashuri.

Nuk jam e inatosur. Urrejtja është një i pirë i marrë, që blen tranguj turshi tek furra e bukës në lagje.

 

© 2021 Marelba Fushekati. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin