nga Adrian Beshaj
- iminent dhe eminent
Që ne shqiptarët jemi të pasionuar pas gjuhëve të huaja, kjo s’ka pikë dyshimi. Ndoshta ky pasion ka lindur nga dëshira për të krijuar kënaqësi estetike, për të përsosur aftësitë profesionale, për të vendosur ura bashkëpunimi me homologë dhe profesionistë të vendeve të tjera më të zhvilluara, për të zgjeruar horizontin kulturor. Një rol të rëndësishëm në përvetësimin e gjuhës së huaj, përveç sistemit arsimor në vend dhe shkëmbimeve ekonomike, kulturore e sportive, luajnë edhe mass-media-t. Dhe shpesh folësit e shqipes në ligjërimin e përditshëm përdorin, dashur pa dashur, shumë fjalë të gjuhëve të huaja. Kjo mund të ndodhë për shkak të interferencës apo edhe manisë për të përdorur një gjuhë të stërholluar. Por shpesh, për shkak të nxitimit, mosinformimit dhe mungesës së vëmendjes, këto fjalë të gjuhëve të huaja përdoren në shqip edhe atëherë kur nuk është nevoja për to dhe për fat të keq ndonjëherë gabim. Të tillë janë edhe mbiemrat IMINENT dhe EMINENT.
Të rastis të dëgjosh nga gazetarë apo folës të ndryshëm në radio dhe televizion të flasin për “rrezik eminent” për të treguar një rrezik kërcënues. Nëse do të donim të përdornim patjetër një fjalë nga një gjuhë e huaj dhe jo nga shqipja në këtë rast, ajo do të ishte “iminent”.
“Iminent” është futur në shqip nga italishtja, ku “imminente” do të thotë “i afërt, i shpejtë” apo “i pashmangshëm, kërcënues”, si për shembull “pericolo, guerra, pubblicazione imminente” (rrezik, luftë, botim i afërt, që do të ndodhë së shpejti). Një kuptim tjetër i mbiemrit “imminente” në italishte është edhe që rri (varur) mbi kokë (si p.sh. shpata, etj.). Nga ky mbiemër rrjedh “imminenza” që në italishte do të thotë “afërsi, afrim” apo edhe “pashmangshmëri, kërcënim”, si për shembull “l’imminenza di un conflitto” që përkthehet “rreziku i afërm i një konflikti”.
Edhe “eminent” vjen po nga italishtja “eminente”, që përkthehet “i lartë, i ngritur” si për shembull “in grado eminente” që përkthehet “në shkallë të lartë”. Në kuptimin e figurshëm “eminente” përdoret për të treguar dikë që shkëlqen mbi të tjerët, që dallohet për dinjitet, nder dhe vlera, si për shembull “eminenti personalità” që përkthehet “personalitete të shquara”, ose “eminente scrittore” që përkthehet në shqip “shkrimtar i përmendur”. Nga “eminente” në italisht rrjedhin ndajfolja “eminentemente” (në shkallë të lartë; shumë fort) dhe emri “eminenza” që në shqip përkthehet “lartësi”. E gjejmë të përdorur shpesh në togfjalëshin “eminenza grigia” që në shqip përkthehet “hirësi e hirtë”.
Siç mund të shohim qartë, “eminent” nuk mund të shoqërojë emrin “rrezik” në atë togfjalësh, por mbiemri që ka ngjashmëri formale me të por jo kuptimore “iminent”.
Prandaj është mirë që kur flasim apo shkruajmë shqip të përdorim fjalë nga gjuha jonë e larmishme amtare, për të qenë më të qartë dhe të kuptueshëm për bashkatdhetarët që na dëgjojnë apo lexojnë dhe që për arsye të ndryshme nuk e njohin italishten, anglishten apo gjuhë të tjera të huaja. Nëse duam medoemos të përdorim fjalë nga një gjuhë e huaj, duhet të bëjmë kujdes dhe të sigurohemi që kemi zgjedhur atë të duhurën.
- vakant dhe vagant
Janë të shumta fjalët e gjuhëve të tjera që përdoren në shqipe, por ndonjëherë janë të panevojshme dhe përdoren gabim ose në kontekste të gabuara. Në shqip po përdoret gjithnjë e më shpesh fjala italiane VAKANT për të thënë i lirë, bosh, i pazënë. Dëgjojmë të thuhet dhe të shkruhet për shembull “vend vakant” për një vend që është bosh, i pazënë, të cilit i mungon titullari. Përdoret gjithashtu edhe fjala tjetër e prejardhur prej saj, siç është “vakanca”, si për shembull “ka shumë vakanca në institucion”. Në italishte “vacante” do të thotë që nuk e ka titullarin, si për shembull “sede vacante” siç cilësohet qeveria e kishës midis vdekjes së titullarit dhe zgjedhjes apo emërimit të titullarit të ri. Thuhet edhe “nave vacante” për një anije që nuk ka ngarkesë mallrash. Ndërsa “vacanza” është gjendja e asaj që është vakante dhe periudha në të cilën zgjat ajo gjendje, si për shembull “një vakancë e gjatë e një katedre universitare”. “Vacanza” në italishte do të thotë edhe ndërprerje e veprimtarive normale punonjëse të ndërmarrjeve, enteve, institucioneve për arsye të përgjithshme apo të veçanta. Në shqip nuk përdoret në këtë kuptimin e dytë dhe themi “po shkoj me pushime”.
Në vazhdën e përdorimit të tepruar të cilësorit italian “vakant” dëgjohet here pas here në televizion ndonjë komentator i pavëmendshëm i ndeshjeve të futbollit të flasë edhe “për top vakant në zonën e rreptësisë”. Me siguri komentatori dëshiron të thotë se “topi nuk është në zotërimin e askujt dhe endet kuturu në zonën e rreptësisë” dhe me gjasë e ka dëgjuar nga kolegët e tij italianë që në këtë rast përdorin cilësorin VAGANT. “Vagante” në gjuhën italiane është pjesorja e tashme e foljes “vagare” që do të thotë “endem andej-këtej pa një drejtim të përcaktuar, pa itinerare apo plan të qartë”. Në italishte thuhet “dolore vagante” për një dhimbje të lëvizshme apo “mina vagante” për një minë që është lënë në det në rrugët e përshkuara nga armiku dhe në kuptimin e figurshëm tregon një çështje të pazgjidhur që, me kalimin e kohës, mund të lërë vend për pasoja të rrezikshme. Nga folja “vagare” rrjedhin “vagabondare” dhe “vagabondo” që përdoret edhe në shqip për të treguar një njeri që nuk ka një vendbanim të përhershëm dhe jeton duke u zhvendosur andej-këtej. Përdoret për të përkufizuar gjithashtu një njeri bjerraditë që nuk ka dëshirë të punojë.
Siç mund të konstatojmë me lehtësi është e gabuar të flitet për “top vakant”. Në këtë rast cilësori i duhur është “vagant”, por do të ishte e tepërt dhe e papranueshme të përdorej në shqip për të treguar “një top që endet pa drejtim të caktuar në zotërimin e askujt”.
© 2021, Adrian Beshaj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.