Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

SI VAJI NË LAKRA

Rrjedhja, me gjasë, e bazës së të dhënave të Partisë Socialiste ka krijuar mundësi të reflektojmë mbi natyrën, përmasat dhe administrimin e të dhënave personale që grumbullohen sot edhe në mënyra të paligjshme. Edhe Peizazhe do të kryente një akt të paligjshëm nëse do të publikonte pa anonimizuar të dhënat (aksesi është përgjegjësi e autorit).

Pikësëpari problemi më i madh është cenimi i të dhënave personale. Problemi i dytë është publikimi dhe procedimi i tyre në një mënyrë po aq jo-etike sa edhe grumbullimi.

Sot me dy linja kodi mund të lidhen të gjitha këto të dhëna. Reporter.al kishte ndërmarrë një veprim të tillë për të identifikuar patronët, prej nga vetëm 1/3 ishte e pa-identifikuar ne listën e zgjedhësve (7133 ishin identifikuar). Mësova se në internet qarkullon një listë e shtetasve shqiptarë e vjedhur nga regjistri i gjendjes civile dhe këto të dala rishtazi mund te shkrihen me to për të përfituar më shumë të dhëna mbi personat.

Përqendrimi i këtyre të dhënave në një dorë, sikur shprehet personi që mendohet se e ka rrjedhur data bazën te portali Lapsi.al, ka rritur eficiencën e përpunimit të informacionit në kohë reale dhe relativisht të besueshme. Edhe pse një pjesë e të dhënave mbi përkatësinë partiake mund të kenë nevojë për përditësim, efikasiteti i sistemit në këto përmasa vlerësohet së pari nga shpejtësia. Me dy fjalë kodi mund të vlerësohet edhe performanca e patronëve.

Shqipëria është një vend i vogël dhe krijimi i bazave të dhënave nga partitë, kompanitë e shërbimeve telefonike, qeveria etj. si edhe shkrirja e tyre është një mundësi që nuk kërkon as shumë investim në infrastrukturë. Miliarda vëzhgimesh sot nuk janë problem të procesohen me kompjuterat në re (cloud) të Amazon (AWS) apo Google Cloud.

Atëhere, po ja jap një shembull se si mund të analizohen të dhëna të tilla jo vetëm në përputhje me interesin publik, por edhe në mënyrën më të shpejtë të mundur.

Për t’ia përshtatur terminologjisë së shkencave sociale le ti quajmë patronazhierët “patronë“, sikur në lidhjet klienteliste, pasi këta koordinojnë shërbimet që i ofrohen zgjedhësve nga shteti në këmbim të besnikërisë politike.

Pasi anonimizohen të dhënat (gjenden këtu), mund të bëhen disa analiza interesante. Vlen të përmendet se baza e të dhënave është e vjetër, ndoshta e vitit 2014, përpara zgjedhjeve, pasi nuk përmban të dhëna mbi votimin e zgjedhjeve parlamentare të 2017 apo të zgjedhjeve vendore në 2015.

(1) Si është organizuar sistemi i patronazhit? Janë 9020 të angazhuar si patronë me nga mesatarisht 100 zgjedhës (Graf A). Secila qendër votimi ka mesatarisht 12 patronë (Graf B). Nga grafiku rezulton se këto janë kryesisht të ndarë sipas zonave elektorale. Njësia Bashkiake 5 ka më shumë patronë nga të gjitha qendrat e votimit, pasi ka edhe më shumë zgjedhës.

(2) Si janë të përqendruar ata? Sikur vërehet nga grafiku, raporti më i madh zgjedhës për një patron është për ato qendra votimi ku parashikohet se do të fitojë PS ose PD (mbi 250 zgjedhës për patron).

(3) Çfarë mund të mësojmë nga strategjia elektorale? Numri i patronëve është më i madh te PS-ja për të pasigurtët (pa informacion) dhe më i madh te PD-ja për ata kundër. Vota të sigurta për PS-në janë rreth 200 mijë nga 910 mijë (871 mijë prej tyre kanë një patron).

(4) Sa përqind të zgjedhësve arrin të monitoroj partia? Të gjitha qendrat e votimit të Tiranës janë në monitorim. Në zgjedhjet e 2017 sipas KQZ kanë qenë rreth 3.46 milionë dhe 5344 qendra votimi (mua nga tabelat e KQZ më rezultojnë 3.72 milionë dhe 5287 qendra votimi).

(5) Cilat janë problemet që has Partia Socialiste në terren? Në rreth 60 mijë komente problemet mund të klasifikohen (me Topicmodel, LDA) në: (1) zgjedhësi ishte i paarritshëm pse emigrant; (2) zgjedhësi është i lëkundur apo i pakënaqur; (3) zgjedhësi është cenuar nga tërmeti në Durrës.

(6) Cilat janë problemet që shprehin qytetarët? Në hallet që patronët angazhohen të zgjidhin ose i perceptojnë si probleme që mund ti zgjidhë shteti janë legalizimet, ndihma sociale, nevoja për banesë, etj. Fjala legalizim është në rreth 173 zgjedhës, një farë Gramozi duhet të rregullojë punën e 172 zgjedhësve, të pakënaqur janë 245 zgjedhës, të luhatur apo lëkundur janë 1300 zgjedhës, e kështu me radhë.

 

(7) A ka qenë fushata dhe monitorimi i suksesshëm? PS-ka shënuar rritje dhe duket se ka marrë shumë vota nga ata që nuk dihej sesi kishin votuar nga 2013. Të dyja partitë kryesore kanë humbur terren në parti të tjera.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin