– Duke shfletuar “Kartela të Realizmit të Dënuar” –
nga Visar ZHITI
METODA E RE E TË SHKRUARIT:
…Kishte vdekur parakohe Migjeni, nga turberkolozi i pashërueshëm, por dhe nga parandjenja e rrezikut të një sëmundje ngjitëse që i kanosej letrave shqipe. Vërtet me Migjenin kishte marrë fund romantizmi i zgjatur, por gjithsesi ai s’kish si të ishte, siç donin ta bënin dhe pararendës të realizmit socialist shqiptar, më i pashpirti që mund të ekzistonte.
Dhe liriku qiellor, i mbetur gjallë, shtërgu elegant me flatrat plot fshikje yjesh, Lasgush Poradeci, nuk do të shkruante më. Poema e tij e heshtjes do të ishte më e mistershmja.
Dihet që heshtja nuk është letërsi. Dhe letërsia është e domosdoshme për shpirtin njerëzor, arti për shoqërinë. Kultura në tërësinë e saj është jetike për vendin.
Dhe letërsia nuk është heshtje, por në kushtet kritike për të e jo vetëm, do të duhej të zgjidhje: të ishe me detyrim me ata që do të shtypin, me sistemin e tyre apo me ata që do të shtypeshin, me vuajtjen e tyre, kur do të ishte aq shumë e vështirë, sakrificë?
Prandaj dhe pati nga ata që zgjodhën heshtjen…
Me vendosjen e sistem i ri duhej letërsi e re. Partia-shtet po stërviste shkrimtarët e saj ashtu si oficerët.
Letërsia duhet t’i shërbejë ndërtimit të socializmit, Të ishte e partishme, në shërbim të Partisë. Nga përmbajtja – socialiste, në formë – kombëtare. Por përmbajtja dikton formën, pra dhe në formë socialiste. Të pasqyrojë luftën për ndërtimin e socializmit, personazhet duhet të jenë nga klasa punëtore dhe fshatarësia punonjëse, ku të dalë kudo e gjithmonë roli udhëheqës i Partisë. Arritja më lartë e kësaj letërsie do të jetë kur ajo të ketë personazhe udhëheqësit e socializmit, etj, etj.
Realizmi Socialist: I ardhur nga jashtë, nga qendra e perandorisë komuniste, iu dha me detyrim gjithë arteve dhe letërsisë, metoda e re dhe e vetme, supreme, që e vinte veten në shërbim të ideologjisë dhe politikës së diktaturës komuniste, të udhëhequra në Shqipëri nga mësimet e Partisë dhe të shokut Enver.
Metoda e Realizmit Socialist vërtet u bë e detyrueshme në të gjithë perandorinë komuniste, por jo e zbatueshme njëlloj në të gjitha vendet, e kushtëzuar dhe nga antropologjitë e kulturologjitë specifike, nga arsimimi tradicional, se sa e ashpër ishte dhe diktatura e secilit vend e kundërtrysnia, por dhe nga ajo e fundit, që është e para, por harrohet, nga shijet e një populli, sa honeps ai..
Realizmi socialist nuk është i njëjtë me realitetin socialist, por se ç’është na ndihmon dhe Fjalori Enciklopedik, Tiranë 1985, i vetmi që mundi të botojë regjimi:
“Realizmi socialist, metodë krijuese e letërsisë artistike dhe e arteve, që u formua pas fitores së revolucionit popullor në Shqipëri. R. S. i zgjedh, i interpreton dhe i vlerëson faktet e dukuritë e jetës nga pozita e realizmit shkencor… Letërsia dhe artet u rritën në luftë me orvatjet e armiqve të ndryshëm për të penguar ecjen e tyre… orvatje që u dërrmuan…”, etj., etj.
Të duket sikur po lexon Historinë e Partisë Komuniste deri dhe Kodin Penal të saj. Gjuhë dhune dhe entuziazmi pa kuptim për letërsinë.
S’kish si të ishte rastësi që, kur krijohej lidhja e shkrimtarëve dhe e artistëve shqiptarë, me anëtarët e kryesisë të ishin bashkë dhe gjeneralë serbë, e dëshmojnë dhe fotografi të asaj kohe, ashtu si dhe Partia Komuniste në themelimin e saj pati drejtues serbë.
Pse pak më vonë një pjesë e asaj kryesie do të asgjësohet? S’i deshën gjeneralët? Madje dhe ngrehina e Lidhjes kishte qenë shtëpia e oficerëve dhe iu kalua shkrimtarëve, oficerëve të fjalës së Partisë.
Realizmi socialist tipik është në botimet e Enver Hoxhës, që i quanin vepra, në kujtimet e tij, prolikse dhe mediokre, plot me shtrëmbërime të së vërtetave historike dhe aktuale deri dhe antinjerëzore për urrejtjen që kërkonin të përçonin mes shqiptarëve dhe të shqiptarëve ndaj botës, që na i lexonin me detyrim dhe burgjeve si vazhdim i torturave fizike në tortura mentale.
Në atë shembull duhej të ecte dhe letërsia.
Dhe Shqipëria e vogël duhej ta zbatonte metodën e re si në Bashkimin e madh Sovjetik. Nga përmbajtja socialiste dhe nga forma kombëtare. Dhe njeriu i ri. Të treja të vështira, për të mos thënë të pa mundura, se socializëm s’kishte, por diktaturë dhe forma kombëtare nuk ishte kristalizuar, në fund të fundit ishte dhe e dënueshme, kurse njeriun e ri ku ta gjeje, ku ta kapje, nuk ekzistonte..
Kërkohej dhe Gorki ynë dhe romani i tij “Nëna” shqiptare. Të vendosej zyrtarisht dhe kryetari i parë i shkrimtarëve dhe artistëve dhe të dilte romani i parë i realizmit socialist. Cili do të ishte?
Mbas disa rrëzimesh e heqjesh, pas partizanit udhëheqës Sejfulla Malëshova, pedagog i marksizmit dhe në Moskë, poet, përkthyes, që u dënua dhe pas partizanit tjetër Shefqet Musaraj, që e përdorte penën ashtu siç duhej, si pushkën, që i thanë të dorëhiqej për arsye shëndetësore, u arrit te Dhimitër Shuteriqi, kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë. Ai i kishte lënë eksperimentet poetike alla franceze, fare të vakëta, që i dukej se kishte bërë në rini, pas studimeve në Francë, por si të gjithë partizanët, nuk duhej të linte pushkën dhe granatat dhe në art. Tashmë ai ishte shkrimtar i angazhuar politik duke nxituar ta nxirrte ai, pikërisht në vitin 1952, romanin e parë të realizmit socialist, “Çlirimtarët”, i takonte ky nder. Por volumin e dytë s’e bëri që s’e bëri dot.
Shkrimtari me emër i viteve ’30, Sterjo Spasse, do të ngulmonte se romani i tij “Ata nuk ishin vetëm” qe shkruar më parë, kurse partizani i çartur Kasëm Trebeshina, do të shpjegonte nervoz se makinacionet e udhëheqjes së Partisë, intrigat, e penguan atë, me qëllim që të dilte në dritë patjetër romani me dy vëllime i Shuteriqit.
Në fakt një vit më parë qe botuar romani i një partizani tjetër, “Në gojën e ujkut” i Kin Dushit, me tmerret që ai hoqi në kampet naziste të përqendrimit në Prishtinë.
Me shkuarjen e partizanëve këtej në Kosovë andej, nën komandën e Shefqet Peçit, me komisar Ramiz Alinë, vendasit nacionalistë u bindën të dorëzonin armët. Por, kur panë se forcat bashkatdhetare po largoheshin e po i linin në dorën e të huajit, dilnin para kamionëve duke thirrur: si na pretë në besë, na ju besueme si vllazën, mosni, bre burra, mos na lęni peng te serbt…!
Të kthehemi te letërsia. Romani i Shqipërisë së re s’mund të fillonte kurrsesi me shkrimtarin Kin Dushi, që do të binte së shpejti në burg.
Fatmir Gjata do të nxirrte tregimet e tij me pika gjaku nga lufta si partizan. Dhe prapë një tjetër partizan, Shefqet Musaraj, po shkruante librat e tij për para dhe pas agimit, me stilin disi gazetaresk të “Zërit të popullit”.
Dhe po përzgjidheshin shkrimtarë dhe talente të reja për t’i çuar në Bashkimin Sovjetik e në vende të tjera socialiste për studime.
Skedë për Drago Siliqin
(1930 – 1963)
Do të ishte njëri nga ata, që do të sillte mendimin e ri kritik, me pasionin dhe kurajon e poetit.
Doli malit partizan, s’ishte as 14 vjeç dhe një vit më vonë nxjerr librin e parë. Dhe shkon të studiojë për letërsi në Bashkimin Sovjetik, në Moskë, në Institutin e njohur “Gorki” Kthehet në atdhe dhe bëhet drejtor i të vetmes shtëpi botues “Naim Frashëri”.
Me të do të botohej antologjia e poezisë ruso-sovjetike në 1959 dhe një vit më vonë do të nxirrte poemën e tij “Këngë e re për dashurinë e vjetër”, etj.
Me Drago Siliqin dolën emra të rinj dhe vepra të reja. Ai hapi qendrën e përkthimit me mjeshtrit, që vinin “nga e kaluara…”, por dhe nga burgjet. Do të ishte mbëshetja e parë dhe për autorët që s’i donte regjimi Dhe solli romanin e huaj bashkëkohor, Heminguejin, Remarkun etj,..
Kur kthehej nga Kina, avioni ku ishte dhe ai, ra nga hapësirat ajrore të Bashkimin Sovjetik. Ishte viti 1963, Në kampin socialist kishte ndodhur përçarja e madhe. Shqipëria kishte ndërprerë marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik dhe ishte lidhur ngushtë me Kinën. Në atë avion kishte dhe diplomatë shqiptarë, por më e rëndësishmja, fluturonin shkencëtarë dhe studiues kinezë. Avioni ra apo e rrëzuan? Kjo pyetje ka mbetur pa përgjigje dhe sot.
Ndërkaq letërsia e re shqipe humbi në moshë të re një poet, kritikun pararendës, botuesin guximtar.
Ky akt tragjik sikur më përfton një metaforë, atë të rrëzimit të fluturimeve poetike, kur nuk do… komunizmi.
Ndërkaq Gorki ynë qe bërë jo njëri, të gjithë nga pak. Po kështu dhe Fadejevi. Si Majakovski i pasrevolucionit po i thyente vargjet në poemat e tij entuziaste Lazar Siliqi.
Do të krijohej treshja sunduese me poetët Ismail Kadare, Dritëro Agolli dhe Fatos Arapi, renditja e të cilëve ndryshonte sipas situatës politike në vend dhe raporteve të partisë me veprën e tyre
Esenini nuk lejohej dhe aq, ja, ia falnin ndonjëherë Dritëroit. Liriku Dhori Qirjazi seç kishte në biografi, babanë të ikur. Shollohov mund të ishte Jakov Xoxa me romanet e tij prolikse, por triologjia “Lumi i vdekur”, ama, ishte një arritje, një realitet edhe gjuhësor, që e pasuroi aktualitetin letrar. Ka dhe një personazh kosovar, e mori nga të dëbuarit…
Dhe dolën romanet e rëndësishëm: “Qyteti i fundit” i Petro Markos dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë. Dhe pas rënies së diktaturës do të mund të diskutohej se me cilin nga këta dy romane fillonte letërsia moderne shqiptare. Me Gjeneralin?… Jo me Qytetin… se është botuar tre vjet më parë, më 1960.
Po në këtë vit në Romë, azilanti politik, shkrimtari Ernest Koliqi kishte botuar romanin “Shija e bukës së mbrume”, por ai dhe vepra e tij ishin të dënuara si e gjithë letërsia e të ikurve.
Ecje e vështirë:
Por për ndryshim… të regjimit? A mund të guxonte letërsia? S’ke pse e mendon?… Ata që e duan, janë në burgje ose nën dhé. Dhe s’është punë e letërsisë? Po ruajtja e regjimit pse është?…
E përcakton realizmi socialist. Atëhere…
Letërsisë shqiptare i duhej të ishte, si të mundëte në gjithnajën e saj, nëpër kohëra dhe vende, aq shumë të copëtuara, si dhe brenda mureve e telave me gjemba e përtej tyre, në gjysmën tjetër a më larg, përtej detit e oqeanit, përtej mundësive, edhe nën tokë, atje ku nuk shfaqej.
I duhej të shpikte mënyrat e qendresës në ecjen e vështirë.
Letërsia u bë pronë e shtetit dhe u arrit deri atje sa Partia të bëhej gati dhe bashkautore. U injektua sindromi i të qenit shkrimtarë të socrealizmit, pa çudira letrare, por me aksionet e asaj që quhet brainwash (po sovjetikët a e lejonin këtë term? – sepse këtu u shkërbye shumëçka e tyrja. Te ne njiheshin veç “larje rrobash… hesapesh… të lash kokën një herë në javë” etj, por jo “larje trush”). Dhe kështu një pjesë e madhe e veprave të asaj kohe të afërt, e përngjitur dhe e përzierë me kohën që po jetojmë tani, kanë diçka hibride prej monstrash të ftohta, pa jetë, gjysmë të balsamosura, metalike, patetike, hovëzuese, që të ngjethin.
Librat duhej të kishin ideologjinë sunduese, politikë dhe propagandë për socializmin, ndryshe i priste mënjanimi, deri edhe dënimi.
Duheshin zbuluar mundësitë dhe shtigjet përmes vështirësive, që letërsia të ishte sa të mundej letërsi, që thelbi të mbetej i tillë.
Po idealet? Ato jashtë letrare. Ëndrrat? Ato jashtë letrare. Të përzgjidhen. Tonat të vihen në qendër. Letërsia po kalamendej, bënte mbrapsht, kthehej, merrte turr, mbetej në vend, ecte, ecte kuturu, jo, në rrugën e përcaktuar…
Është detyrë e studiuesve dhe e kritikës të na e bëjë të njohur dhe të çertifikojnë periudhat dhe përfundimet.
* * *
Si mund të ishin përsiatjet e një qytetari që lexonte, me gjakimin se duheshin pranuar, madje dhe mbrojtur ç’ishte e arrirë me librat, thënë thjeshtë, e shkruar mirë?
Gjersa letërsia është, nuk mund të bëhet sikur nuk është. Gjithaq, kur ti beson në letërsi, pavarësisht se ku është shkruar ajo, studiove të kryeqytetit nga shkrimtarë të mirëpaguar apo qelive të burgjeve a mes humbëtirave të internimeve, që po t’u kapej një dorëshkrim, do merrnin dënime të tjera, ti u jepesh vlerave, emocioneve të tyre, porosive që përfton dhe ato mbeten.
Vetvetiu ti do të dish se si letërsia i ka bërë ballë së keqes së letërsisë, që s’është gjithmonë e njëjtë me atë të jetës, po aq e thjeshtë dhe me dinakëritë e saj e fshehtësitë studimi i të cilave, them se do të ishte me interes, i dobishëm, gjithsesi dhe përvojë e të shkruarit dhe e leximit, që s’është njëlloj si në parajsë dhe në ferr e purgator. Edhe Dante është dhe s’është po ai, i njëjtë gjithmonë…
* * *
Letërsia, ajo pjesë brenda truallit të Shqipërisë, që quhej Republikë, pastaj shtoi një Popullore e më pas Socialiste, natyrisht që i shërbeu ndërtimit të një bote të re, atij besimi dhe entuziazmi, Partisë që udhëhiqte, Shefit të saj të parë. Misioni për t’i shërbyer socializmit, diktaturës së proletariatit dhe mbylljes e dëmtoi atë letërsi dhe e bëri të fajshme përgjithësisht.
Letërsisë në total po i viheshin pjesë këmbimi si veglat e traktorëve, të marra nga ndihmat e Bashkimit Sovjetik e vendet e tjera të perandorisë komuniste, pse jo edhe nga Mongolia. Pegasin e bënë kalë karroce në kooperativat bujqësore dhe e ngarkonin me kashtë, pleh. Të rinjve iu kërkua të revolucionarizonin poezinë, emfaza e së cilës pëlqehej dhe kishte ndikim.
Diçka ndryshe mund t’u thuhej lexuesve dhe duhej, sidomos atij të vëmendshmit, pse jo dhe të ardhshmit. Po dhe atyre lart, që drejtonin. Në kërkim të përmirësimit të sistemit shoqëror, shpesh duke bërë thirrje për ashpërsi.
1.
Gjuha e Ezopit,
si natyrë e brendshme e vetë letërsisë, ka arritur të cenojë ideologjinë dhe praktikat e Partisë-shtet, një lloj moskuptimi që zbulonte kuptimet, mbyllje kundër mbylljes, që vinte edhe nga pamundësia për të ushtruar hermetizmin artistik.
Metafora
s’po honepsej në botime, hapte punë, keqpërdorej, po urrehej, sa dhe u vendos dënimi i saj. Sidomos te poezia, që konsiderohej pararojë. Goditjet do të ishin brutale si gjithmonë dhe do të shtoheshin në aradhët që do të vinin. që teksa rrekeshin ta afronin, si të thuash Europën e poezisë, ajo bëhej vegim tantalian dhe më i largët.
Proza, që konsiderohej si artileria e rëndë, ribënte historinë e luftës siç do të donte të ishte, dhe realitetin socialist e përndrinte aq shumë, sa nuk të linte të shikoje pothuaj asgjë, veç iluzion dhe irealen e rëndomtë. Por ndodhte që në sulmet e saj gabonte dhe i derdhte predhat jo në pozicionet e armikut, por në tonat. Se si dilte ndonjë vepër “me gabime ideore”, jo aq e realizmit socialist, me nëntekst të gabuar, me aludime.
Pengesat:
Krahas kazmës dhe pushkës, në emblemën e saj Partia vinte edhe librin. Por cilin libër? Atë që i shërbente. Të tjerët ishin ndaluar, letërsia e vite ’30, ajo gjatë Luftës… Por dilnin nga qarkullimi dhe librat e rinj, të botuara gabim, sipas tyre, pasi zbulonin ndonjë gjë të dyshimtë në përmbajtje, jo tipike, jo optimiste, pra jo aq lavdërues, që ndonjëherë i aviteshin realitetit, pa le dhe e nxinin.
Prapë Petro Marko, e harroi burgun ai? Dhe ndaloheshin veprat e tij me radhë, madje dhe ai vetë. Dhimtër Xhuvani është çuar punëtor si dënim, madje bashkë dhe me një personazh të vetin, ia gjetën .
Një novelë më e vonë e Koço Kostës do të botohej përgjysmë në revistën “Nëntori”, se do t’i ndalohej vazhdimi, i cili do të mund të dilte vetëm pas rënies së diktaturës.
Kritika do të forconte partishmërinë. Do të binte më shumë mbi poezinë e të rinjve por dhe mbi autorët, ja, Sadik Bejkon e çuan të punonte në minierë, etj.
Komplotoheshin me zhurmë, kritikoheshin me heshtje, madje dhe kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve, Dritëro Agolli; ndalohej përgjysmë a i gjithë libri, ka ndodhur me Fatos Arapin, kërkohej një variant tjetër i pranueshëm i veprës siç ka ndodhur me Ismail Kadaresë, edhe ku personazhi më i rëndësishëm në vepër ishte vetë Enver Hoxha, që s’i lejohej kujtdo ta trajtonte.
“Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, fshehur brenda një libri me novela, do të hapte punë, më ndryshe se romanet pararendës. Sistemi dilte më shumë i frikshëm, se sa të fortë.
Metafora ishte shkatërruese. Do të mblidhej një plenum, që do ta kritikonte ashpër atë dhe përdoruesit e saj si të ishte drogë dhe s’dihej ç’ndëshkim i priste. Se Partia të ngre, të çon në majë dhe Partia të ul, të flak në ferr, ishte shprehur pasardhësi i diktatorit, Ramiz Alia.
Kur do të vendosej demokracia, Presidenti i parë i posdiktaturës, Sali Berisha pikërisht romanin oruellian “Pallati i ëndrrave” do ta konsideronte si veprën më disidente në të gjithë Lindjen, kurse Presidenti tjetër i mëpastajmë, Bamir Topi, do t’i dërgonte së voni një letër Akademisë Suedeze në Stokholm, që çmimi “Nobel” t’i jepej Kadaresë, kaq kohë kandidat për të.
Humori, satira.
Klasat e përmbysura dhe armiku i jashtëm duheshin përtallur, kështu jepej rasti të nxirrje dukuri negative të realitetit, vese, gjoja të së kaluarës, mendësi që s’arrinin të kapnin rendin e ri, ndikime nga presioni borgjezo-revizioniste etj. Qoftë dhe pa dashje, krijohej një si gaz i keq, i pa të keq dhe grotesk i përgjithshëm, i pakuptim nga qindra e qindra skeçe të estradave të vendit, nga disa prej komedive dhe ndonjë romani satirik etj.
Duke e marrë me pak humor humorin, tolerohej disi rreziku i tij nga shteti dhe censura, pa e kapur gjithë dëmin që mund të sillte.
Po gjithë ai folklor opozitar, anekdota e gazmore, jo vetëm në kryeqytet, por sidomos në Veri, në Shkodër, me humorin më fin, aq të shquar në Ballkan, ku kishte bërë traditë i ndaluari i shkëlqyer Gjergj Fishta, sarkazmi i hidhur migjenian e deri te shpotia e gjallë, karikaturisti Tef Palushi, për të cilin mungon pafalshëm një rrëfim monografik.
Ndërkaq ndodhte që të dënoheshin përhapësit e atij humori kundërshtar, ku e qeshura ishte aq pranë së qarës.
Lëvdatat:
Prapë një tjetër dukuri, zelli festiv, brohoritës, i tepërt, i kthyer kundër vetes.
Nëse kishte një letërsi të socrealizmit dhe pararojë paranojake të saj, që vetëm i thurte lavde të padurueshme Partisë dhe sistemit (pati vende si Rumania që e përdorën teprimin me qëllim neverie, sipas ndonjë studiuesi të huaj), u arrit kështu, pa dashje prej propagandës së shfrenuar, në velje dhe ç’është më keqja, në mosbesim, jo vetëm për atë lloj arti, por dhe për kohën që kishte nevojën e tij.
Shkrimtarë të politizuar ortodoksalisht, fanatikë të pandreqshëm, misionarë të pandërgjegjësuar për antimisionin, me talent të pamjaftueshëm, i sollën dëme realizmit socialist duke ua lehtësuar ndjeshëm punën disidentëve, kundërshtarëve dhe armiqve të tij.
Letërsia për fëmijë,
edhe aty duhej shkuar, ku nis e ardhmja, ta bëjmë tonën dhe kujdes dhe me përrallat, dhe me letërsinë e huaj, me ato mrekullitë ashtu… Mrekullira bën socializmi…
Edukim. ku më shumë se gjithçka, dhe se fëmininë e tyre, vogëlushët duhej të donin nënën Parti, udhëheqësin e saj. Të futej pedagogjia e luftës së klasave. S’ishte fantazi kjo, por detyrë.
Nga shkolla tradicionale, gjimnazet po hiqeshin lëndët humane dhe gjuhët e vjetra: greqishtja dhe latinishtja dhe po dominonte rusishtja si gjuhë e Leninit dhe Stalinit.
Letërsi për fëmijë u hodhën të shkruanin dhe ata që s’kishin mundur dot të bënin letërsi “për të rriturit”, duke dëmtuar kështu pafajësinë dhe mahnitjen ndaj botës, duke shenjuar palumturinë e perspektivës.
6.
Letërsia e huaj,
edhe aq sa lejohej, ndikoi në emancipimin e leximit, në estetikën e shijeve, duke qenë më së shumti e traditës, ajo ndikoi në konservimin e sjelljeve jo të reja, të pikëpamjeve të dikurshme, në etike, etj aq sa mund të shkohej dhe në mendimin ndryshe, në të kundërt.
U arrit të kishte një shkollë të mirë përkthimi, duke sjellë në shqip klasikë, të afërt e të largët, modernë e deri në antikitet duke i dhënë kështu dhe një shtysë të dy kahëshme gjuhës, në riaktivizimin e fjalëve dhe strukturave të vjetra dhe në krijimet e neologjizmave dhe shkathtësimet sintaksore.
Ndërsa Faik Konica dhe Fan Noli, dy të ikurit e mëdhenj të shekullit XX, kishin lënë si trashëgimi, bashkë me magjepsjen e përrallave arabe, Shekspirin tragjik, Servantesin komik dhe aftësinë e shqipes, për të mbartur tragjiken hamletiane, komiken donkishoteske si dhe magjepsjen e çdo kryevepre në botë.
Koha lejoi të përktheheshin nga klasikët, nga të vjetrit, jo thjesht nga të vdekurit, por dhe duke u parë si letërsi e vdekur, e shkuar. Erdhën në shqip vepra nga klasikët rusë Tolstoi, Gogoli, Çehovi, Gorki patjetër, Dostojevskij jo, në asnjë mënyrë, etj, klasikë francezë, Viktor Hugo, Balzak, Emil Zola, Gi Dë Mopasan, etj. Nga gjermanët Gëte, Hajne, etj. Nga anglezët Xhon Gollsuorthi, Bernard Shou, Bërnsi…
Kërkohej letërsi revolucionare, ku të ishte, por me dhe kujdes…
Fëmijëve iu dha Hamleti i tyre, “Pinoku”, dhe “Liza në botën e çudirave”, edhe Zhyl Verni, Mark Tueni, por s’e kuptonin pse ndaloheshin ndonjëherë.
Përkthenin me normë klasikët e përkthimit Lasgush Poradeci, Sotir Caci, Vedat Kokona, etj, Mitrush Kuteli – ish i burgosur, do merreshin dhe të burgosur të tjerë, etj, etj.
Ndaloheshin shpesh libra, sipas politikave dhe luftës së klasave brenda për brenda dhe marrëdhënieve me jashtë, me kampin socialist dhe luftën e popujve ndaj kapitalizmit dhe dhe imperializmit ndërkombëtar. Kështu flitej.
Përkthehej gjysma e “Dekameronit” të Bokaçios ose romani “Çoçarja” i Alberto Moravias, Hemingueji: “Lamtumirë armë”, “Plaku dhe deti”; Shollohovi: “Doni i qetë”, “Tokat e çara”, vetëm vëllimi i parë, se u prishën marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik në vitet ’60 të shekullit të kaluar, jo vetëm ato politike, por edhe letrare dhe çuditërisht ndaloheshin dhe Gollsuorthi, Cvajgu, Kuprini, etj. Ndalohej edhe Remarku i brezit të humbur: “Tre shokë”, “Harku i triumfit”, përkthyer nga Robert Shvarc, hebreu i ardhur qysh fëmijë nga Bosnja, që i dha shqipes së përkthimeve lartësinë e origjinaleve. Edhe “Ushtari i mirë Shvejk” ishte ndaluar, sidomos në repartet ushtarake.
Bibliotekave u dërgohej urdhëresa e re me listën e librave që s’duhej të qarkullonin më. Do të ndalohej dhe Esenini, liriku rus, fshatari i zhgënjimeve nga revolucioni, por edhe Lukreci i lashtë, s’dihet pse, patjetër nën ndikimin e revolucionit kulturor kinez. Por, kur u prishën marrëdhëniet edhe me Kinën, u ndaluan dhe “Poetët klasikë kinezë”, të para 1000 vjetëve, Du Fu e Li Bo…
Uollt Uitmanin, që e solli në shqip rebeli Skënder Luarasi, nuk qe nevoja ta ndalonin. Përmbledhja e tij “Fije bari” mbetej në vitrinat e librit bujqësor, mes botimeve që s’i merrte askush “Si të rritim grurin”, patatet… barin… derrin. Kurse për më modernët evropianë s’lejohej as të flitej. Dënoheshe, po të përmendje Kafkën e Xhojsin, Eliotin, Joneskun a Beketin, Sartrin, etj. As shkrimtarë si Pol Elyar e Bertolt Breht, le të ishin me pikëpamje të majta, s’duheshin lejuar, prishnin punë. Bukë dhe trëndafila për të gjithë, është një varg pacifist i Elyarit, pra i dënueshëm. Po “Marshi i viçave” i Brehtit dukej si e shkruar enkas për ne:
Dhe viçat pas daulles
hedhin çapin.
Lëkurën për daulle
vetë e japin.
Kush e kishte përkthyer, prapë ai hebreu? Dhe nuk duhej të ishin gjallë autorët e huaj, që të mund të përktheheshin në shqip, qofshin dhe komunistë, sepse ndodhte që e tradhtonin kauzën. Por, kur lexonim për diktaturat e Amerikës Latine nga Asturiasi, p.sh., përkthyer marramendshëm nga Petro Zheji kundërshtar, nënkuptonim dhe tonën.
Ndërkaq nisën të botoheshin dendur shkrimtarë afrikanë, nga ata që s’njiheshin as në vendet e tyre. Ribotoheshin klasikët e socializmit parak, si Gorki e Anri Barbys, Fadejev, Go Mo Zho, Mao Ce Dun, kurse Majakovski futurist, jo. Shtoheshin veprat e romantikut sovran Viktor Hygo, i bezdisuri gjenial Honore De Balzak, që po njihej goxha mirë te ne, e ndonjë tjetër, nëse bënte pjesë në autorët që kishte pëlqyer në rininë e vet në Francë diktatori Enver Hoxha. Sigurisht që botoheshin me pjesë të hequra, krerë të tërë të shkulur si të papërshtatshëm ose, siç thuhej atëherë: me gabime ideore e kufizime. Lord Bajroni qe futur nëpër tekstet e shkollave, se kishte folur mirë për shqiptarët gjatë atij udhëtimi me kalë të Çajd Haroldit, në fund të mesjetës sonë.
Por po vinte Gabriel Garsia Markes, ende gjallë, siç kishin ardhur Moravia, Buzati, Ekzyperi, Bölli, ende gjallë dhe ai me përkthyes të rinj si Shpëtim Çuçka, Aurel Plasari, Mira Meksi, Pirro Misha, Ardian Klosi etj, dhe do të dilnin, po aq modernshëm dhe të shtatë tragjeditë e Eskilit.
Si kështjella hijerënda do të mbeteshin Homeri, “Iliada” dhe “Odisea” dhe Dante “Komedia hyjnore”, të përkthyer… nga të burgosur…
LIBËR TJETËR
“Si na erdhi ai, i ndaluari”
Koha nxori në skenë treshen emblematike Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi.
I pari rrokej për lart, maleve që mendoheshin dhe shqiponjave sipër tyre, avionëve që fluturonin mbi dëshirat, antenave në acar, metropoleve, duke sjellë risi të shkëlqyera, jo pa ndikim nga poezia sovjetike, nga Majakovskij dhe futurizmi i tij, etj, deri dhe nga bashkëgjeneratasi i tij Jevtushenko, por, për fat, Kadare kritikohej dhe për qasje nga poezia Perëndimore Europiane.
Ndërsa Agolli u bë poet i tokës, i gjerësisë naimjane dhe begatisë së saj në kushtet e varfëra të kooperativave… por prirej nga një lloj eseninizmi shqiptar, optimist, sidomos nga Bagrickij që dhe e përktheu, me frymë lokale rurale.
Fatos Arapi, më pak i lavdëruari, me më pak ndikim sovjetik, shkëlqeu tek poezia vetanake, ajo e dhimbjes dhe dashurisë, mbarti më ekzistencializëm duke konfiguruar poezinë elitare më europiane të kohës që mundej në Shqipërinë e mbyllur.
Nëse na duket se në poezinë e Jevtushenkos gjenden dhe “ndjesi kristiane”, të një poet “ortodoks”, me përçikje biblike, edhe të forta, te Arapi, mbasi braktisi thirrjet revolucionare, ku çuditërisht arriti të botojë dhe klithmën: “jemi tragjedi nga tragjeditë e komunizmit”, sikur gjejmë ca ortodoksi fshehtanake, një si hije kryqi, varre dhe përshpirtje.
Te Kadare ka dukje ateizmi, materializëm të aktualitetit, kurse tek Agolli sulme kundër besimit fetar.
Ky mosbesim kryeneç, i një poezie pa fe, por me luftë të ashpër klasash, është një tjetër mëkat shkretues i kolektivitetit të saj.
Pas rënies së perandorisë komuniste e për rrjedhojë dhe të diktaturës në Shqipëri, poezia e Arapit vazhdoi pothuaj siç kishte qenë, por më e lirë, po ai ritëm, duke u bërë më e thellë në trishtimet e veta, plotësisht europiane. Agolli shtoi zhgënjimet dhe kundërshtitë sociale, motivet njerëzore, edhe ato të pleqërisë, dashurinë si kujtim gjenerues, futi shpirt, se plakesh dhe kur je komunist, por në fund të fundit te Dritëroi mbetet shenjimi i poetit të gjithkohshëm, kurse Kadare, që poezinë e lënë po e zbrazte në romanet e tij të njëpasnjëshëm, të shkëlqyer, që me suksese përktheheshin nëpër botë, shfaqte një lloj sikleti ndaj poezisë, që sipas tij, ia kishte zvordhur lexuesit realizmi socialist. Por romanet e tij janë edhe poema të mëdha.
Kjo treshe krenare mbetet e konsoliduar. Dhe ajo për të cilën ka më pak nevojë poezia, sipas meje është krenaria.
(c) 2021, Visar Zhiti. Të gjitha të drejtat të rezervuara.