Jorida Pasku bisedon me Arb Elon rreth romanit “Loja, shembja e qiellit” (Toena, 2013) të Bashkim Shehut. Bisedë kjo që nuk merret me biografinë e shkrimtarit, të cilën media shqiptare e ka pasur jo pak herë në fokus, duke kaluar në plan të dytë veprën si dhe kontributin e çmuar të Shehut në përkthim .
Kujtojmë që Bashkim Shehu është autor i një sërë romanesh, tregimesh dhe novelash para dhe pas viteve ‘90. Veçojmë këtu: “Rrethi” (2002), “Orfeu në Zululandën e Re” (2003), “Udhëkryqi dhe humnerat” (2003), “Mulliri që gëlltiste shpirtra” (2004), “Gjarpri dhe heronj të tjerë” (2004), “Angelus Novus” (2005), “Hija e gurit”(2006), “Mozart, me vonesë” (2009), “Loja, shembja e qiellit”, (2013), “Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve” (2015), “Triptiku i magjistarëve” (2019).
Zgjodhëm për të folur mbi “Loja, shembja e qiellit” krejt në mënyrë spontane, ashtu siç është edhe kjo bisedë, për të qenë sa më afër asaj të vërtete dhe çiltërsie që kërkojmë shpesh kur flasim për një vepër, mbresave aty për aty ose shijes që na ka lënë edhe pas pak kohësh leximi i veprës së një autori.
P.S.: Qysh në krye të herës theksohet ruajtja e një distancë mes intervistueses dhe të intervistuarit, të intervistuarit dhe autorit, pasi për veprën e Shehut po mëtohet të flitet në mënyrë asnjanëse dhe vërtetësisht. Këtë sqaron edhe Elo në hyrje të bisedës që vijon si më poshtë:
…
Z. Elo, në nisje të kësaj bisede ju sugjeruat të kishte një distancim me autorin për të cilin do të flitet në këtë intervistë? Përse është e rëndësishme kjo?
Sugjeroj të flasim paksa të distancuar pasi vetë kjo mënyrë të foluri të jep mundësinë të distancohesh si nga personi me të cilin po flet, – edhe nëse e njeh këtë personalisht, – ashtu edhe nga vetja. Meqë ra fjala, për autorin në fjalë, për Bashkim Shehun, kjo do të ishte një pyetje shumë interesante: “Si t’ju quajmë”?
Sepse unë do ta thërrisja me shumë dëshirë “z. Shehu”, mirëpo, për një përkitje të çuditshme, që nuk ka të bëjë asfare me familjen e tij – (mu ashtu siç Müller dhe Meyer janë nga mbiemrat më të përhapur në Gjermani; kështu që në futboll thuhet për shembull Gerd Müller-i për ta dalluar nga një Müller tjetër, Hansi Apo Thomas-i, fjala vjen, meqë kam dëgjuar në një intervistë që z. Shehu është amator futbolli) – për një përkitje të çuditshme pra, Shehu edhe Hoxha janë statistikisht nga mbiemrat më të përhapur në Shqipëri, Në këtë rast është mirë që autori të quhet z. Bashkim Shehu, ndaj sugjeroj qysh në krye ta lëmë mënjanë atësinë e tij, të mos i bëjmë biografinë autorit, sepse pak a shumë ai ia ka bërë vetes në veprën që do flasim, por edhe ngaqë nuk është e nevojshme, ngase autori është viktimë e pikërisht kësaj mendësie, e mbiemrit të tij, atësisë së tij, e familjes prej nga vjen. Është viktimë e gabimit kriminal që propagandohej në diktaturë dhe që u bë me autorin vetë, të cilin e admiroj, mes të tjerash, pikërisht për këtë: duke qenë një person tragjik, i cili nuk ka bërë asgjë, i cili është viktimë e gabimit që kritikon vetë, ai gjen qetësinë dhe durimin për ta bërë këtë duke ndërruar vendet me bashkëvuajtësit e tij. Megjithatë, nuk mund të lihet mënjanë tragjizmi i jetës së vetë autorit pasi ky, meqenëse ka qenë real, ia kalon për nga vërtetësia veprës së tij fiksionale.
Kur ke në dorë një vepër të Shehut duket se qenkësh e vështirë t’u shmangesh përngjasimeve me jetën e autorit, edhe pse, siç e thamë, nuk po duam të “shohim nga vrima e çelësit”.
Më falni, se ndoshta duket sikur “po i bëj biografinë” sidoqoftë, por nuk po flas për njeriun tani, as për bashkatdhetarin tonë, por për shkrimtarin si të tillë. Shkrimtari Bashkim Shehu sjell tragjizëm me vete, ai ka një fat jashtëzakonisht të rëndë. I ati është ai që është dhe ka bërë atë që ka bërë, – të gjithë e dimë dhe nuk po dua ta përmend posaçërisht, – e ëma i ka vdekur në burg, i vëllai në rrethana të ngjashme, dhe kjo është e rëndë. Nuk dua të bëj as humor të zi, të filloj të mas plagët e tjetërkujt, kush paskësh plagët më të mëdha, por natyrisht z. Shehu i ka plagët më të mëdha se më të shumtit nga ne dhe unë e admiroj më së pari, shkrimtarin ose autorin, ose njeriun po të doni ju, pikërisht për këtë: ai ka jo vetëm ka plagë të vërteta, që janë të rënda, të mëdha dhe për këtë më vjen jashtëzakonisht keq kur e mendoj, sepse nuk e di sesi mund të ndihet edhe as nuk po dua ta di si ndihet njeriu në një tragjizëm të tillë. Nga ta dish se ç’dhimbje mban një njëri i tillë me vete, sesa e madhe apo e thellë është plaga e tij? Nuk kam nga ta di dhe nuk po dua vërtet ta di aq shumë, sepse kush po do të vuajë në këto përmasa? Mirëpo kjo atij i ka rënë për hise. Ka një lloj cinizmi në të menduarit që ka edhe më keq. Ka edhe një lloj cinizmi në të menduarit që ka edhe më mirë, në kuptimin që njeriu krahason fatin e tij me fatin e të tjerëve, mirëpo duke folur për këtë temë unë po i qasem dalëngadalë, nga ana tjetër, qasjes së romanit në fjalë kësaj teme, pasi vepra bën fjalë pikërisht për këtë: si të krahasojmë plagët, si ndërvaret njeriu nga tjetri, dhe autori ka gjetjen e tij për këtë temë, edhe ai ka bërë ndërkaq përzgjedhjen e tij.
Për mendimin tuaj, si qëndron romani “Loja, shembja e qiellit” në mozaikun e veprave të shkrimtarit Shehu?
Për vetë faktin që shqipja është gjuhë e vogël, letërsia jonë e shkruar mund të topografohet relativisht lehtë. Mund të ndjekësh fare mirë në letërsinë e vogël dhe të re shqipe – kur them “e re” e kam fjalën për letërsinë e shkruar pas viteve ’90 – atë që ndodh dhe ka zhvillime interesante për atë që është i interesuar. Megjithatë zgjedhja nuk ka sesi të jetë e detyruar. Liria sidomos për të lexuar, sidomos për brezin tonë, sidomos për tematikën për të cilën bëhet fjalë, duhet parë si vlera më e çmuar e njeriut. Në këtë rast, liria për të lexuar jo se duhet t’i jepet lexuesit; ky e ka atë sidoqoftë. Autorin e kam lexuar me dëshirën time, por edhe për një mirëdashje që nuk është e vetëkuptueshme. Ai m’i ka dërguar veprat e tij me e-mail dhe për këtë gjej vendin ta falenderoj, sepse do t’i kisha blerë me gjithë qejf, por ja që nuk e di se për çfarë arsyesh veprat nuk mund të blihen në Amazon në shqip.
Në mozaikun e krijimtarisë së autorit, kjo rrekje për të rrokur tjetrin nëpërmjet vetes dhe veten nëpërmjet tjetrit, ky lloj dialogu i pamundur që ndodh te “Loja, shembja e qiellit”, ndodh në tri-katër romane të autorit: për shembull te “Angelus Novus”, “Udhëkryqi dhe humnerat”, etj. Me sa duket, kjo është një rrekje që e ka munduar shumë. Me sa kam vënë re, po flasim këtu edhe për një autor shumë sqimatar, – jo vetëm shumë të kulturuar, por edhe shumë sqimatar, – që kërkon shumë nga vetja, pavarësisht se në një pamje të parë mund të duket lakonik. Për letërsinë e burgjeve do të flasim ca më vonë sepse kjo nuk është letërsi burgjesh.
Mund të thelloheni pak në këtë që sapo thatë?
Nuk ka letërsi burgjesh, ka vetëm art. Art që ka motiv burgun. Për këtë autori jo vetëm është i vetëdijshëm, por nga e ashtuquajtura letërsia e burgjeve Bashkim Shehu për mua është një përjashtim. Po flasim për art që është edhe mënyra më e mirë, më duket mua, për të përpunuar një tragjedi vetjake ose një padrejtësi që të ka ndodhur. Ta kthesh këtë në art, sepse ç’mund të bësh tjetër me fajësinë, kur vetë je ndërkaq viktimë dhe i pafajshëm? Në rastin në fjalë autori i parë si njeri dhe si shkrimtar. Ç’mund të bënte më mirë me fatin e tij të rëndë se art? E ka bërë art të mirë; edhe për këtë e admiroj.
Duket sikur rrëfimi te “Loja, shembja e qiellit” është vetë një labirint, personazhet sikur janë brenda një loje, ashtu edhe ngjarjet që marrin rrjedha të ndryshme, me rrënjë të thella tek e shkuara, e cila sikur mban “rob” të tashmen, por edhe të ardhmen. Keni një koment për këtë temë që përvijohet në roman?
Labirinti dhe pasqyrat janë motive borhesiane që gjenden më së shumti te romani tjetër i z. Shehu “Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve”. Janë sidoqoftë motive që përsëriten në veprën e tij dhe autori e tregon dukshëm që është i ndikuar nga Borhesi. E lejon këtë të duket, – ai jo vetëm e lejon këtë, por është neoborhesian me vetëdije. Por jo në veprën që po flasim, për mendimin tim gjithnjë. Janë dy autorë që ndihen në veprën e Bashkim Shehut, por që ndihen menjëherë për dikë që ka lexuar diçka më shumë se e zakonshmja: Kafka dhe Borhesi. Dhe ashtu është vërtet: në qoftë se paskësh dy autorë të shekullit të XX-të, që kanë çarë shtigje të reja në letërsi, – natyrisht mund të përmendësh edhe emra të tjerë këtu, – Kafka edhe Borhesi janë sigurisht dy nga autorët më mbresëlënës. Kur e pata lexuar për herë të parë Borhesin, më pati lënë pa frymë nja dy-tre vjet, më magjepsi aq shumë sa u ndjeva shumë i çliruar kur mbaroi ajo magji. Sidoqoftë, në veprën për të cilën po flasim, “Loja, shembja e qiellit” nuk do të shikoja më tepër Borhesin, por Kafkën, këtë ca më pak sidoqoftë, pasi autori është i vetëdijshëm për atë që bën dhe është shumë më i thellë se ç’duket në sipërfaqe.
Çfarë do të veçonit si tipare kryesore të stilit të autorit?
Autori ka stile të ndryshme. Te “Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve” i gjen të gjitha stilet. Autori mund të shkruajë ç’të dojë, ai e zotëron tashmë stilin. Romani në fjalë më duket më tepër në stilin e Kafkës, por jo për ta krahasuar autorin me këtë apo atë autor të madh – edhe ky është një gabim që bëhet gjithnjë, – sepse nuk do të ishte e ndershme. Megjithatë po flasim për letërsinë brendapërbrenda letërsisë dhe në këtë rast po i bëjmë nder z. Bashkim Shehu duke e krahasuar me Kafkën, se me kë ta krahasojmë? Me Kadarenë nuk do të ishte e ndershme, do të ishim brendapërbrenda letërsisë shqipe. Sidoqoftë edhe Franc Kafkën kur e lexon nuk ndien ndonjë kënaqësi të atypëratyshme. Shija e asaj që po lexon të vjen më vonë, pasi e ke lexuar, por në lexim është i vështirë, është i mundimshëm, është i lodhshëm. Është sikur po pi një pije që në të pirë është e mundimshme, ndërkohë që efekti dehës vjen më vonë. Dehja që të vjen prej këtij leximi është e një lloji tjetër, të vjen pasi ke pirë. Megjithatë – për vete flas – nuk më intereson shumë se ç’stil përdor autori për sa kohë vazhdoj ta lexoj, sepse askush nuk më detyron ta çoj një vepër deri në fund.
Duket se ka një heshtje që e shoqëron këtë shkrimtar, sikur nuk ka marrë atë që ka merituar… E ndieni ju këtë?
Nuk po dua të qëmtoj ligësinë njerëzore në këtë bashkëbisedim sepse nuk është e nevojshme. Do të na trishtonte. I bie që Bashkim Shehu të mos jetë vënë re në letërsinë aq të vogël shqipe për 10 vjet apo 15 me radhë dhe romani në fjalë nuk ka marrë asnjë çmim kombëtar, por ka marrë një çmim, – dhe kjo është vërtet për të vënë duart në kokë, – në Panairin e Fierit; nga ana tjetër del që më vonë merr Çmimin “Balkanika” në vitin 2015 dhe çmimin special të jurisë: Prix Méditerrané Etranger, më 2018-ën, pas botimit të tij në frëngjisht. Ka një lloj humori në këtë rast, por mua vetë më erdhi mirë për shijet e mia letrare, sepse i bie të kem patur të drejtë, kur më pati pëlqyer romani, sepse jashtë nuk ta japin çmimin me mik, duhet ta fitosh vetë. Më erdhi mirë që paskam patur të drejtë në nuhatjen time qysh në kohën që e pata lexuar këtë libër dhe më pati pëlqyer aq, që qenkësh vërtet libër i mirë dhe çmimi si i tillë e vërteton këtë. Çmimet në Shqipëri nuk e vërtetojnë këtë, por çmimi që ka marrë autori në Francë po.
Në letërsitë e vogla nuk mund të presësh në çdo vit të shkruhet ndonjë kryevepër ose ndonjë gjë shumë e bukur, sepse për nga vetë mundësia statistikore e ndodhisë, e ngjarjes si të tillë, është një letërsi e vogël, është një gjuhë e vogël dhe gjasat që të shkruhet ndonjë kryevepër janë po ashtu të vogla. Por ne kemi fatin, nga ana tjetër, që në shqip shkruan një autor jashtëzakonisht i mirë siç është Kadareja.
Janë edhe kohë të vështira për letërsinë, kjo nuk duhet harruar. Sidomos me hyrjen e internetit, ka ndodhur një revolucion i ngjashëm me teknologjinë e Gutenbergut, me shpikjen e shtypshkronjës, ka ndodhur një revolucion në botën e shkrimit si të tillë. Edhe fakti që ne po flasim për një libër nëpërmjet internetit, i ka të dyja brenda: edhe mundësinë që të jep kjo teknikë e re, por edhe një lloj përmallimi për atë librin arkaik. Është një vërshim virtual i ngjashëm me Përmbytjen e Madhe të Noes. Megjithatë mund ta përdorim këtë përmbytje të shqisave për të folur për librin fizik.
A ka diçka tjetër që ju nuk do të donit ta linit pa përmendur në lidhje me romanin “Loja, shembja e qiellit”?
Është një rrekje e pamundur e autorit me kryqin e tij. Po përmend Biblën, por nuk ka të bëjë fare kjo me fenë si të tillë. Po përmend Biblën edhe sepse njëri nga personazhet më kryesorë në rrëfimin e autorit te “Loja, shembja e qiellit” është at Shtjefni, personifikim i at Zef Pllumit. Edhe ky një martir edhe më i madh, ndonëse kjo tingëllon cinike, – është ajo që po thosha qëparë, që të mos nisemi të gjejmë se kush ka vuajtur edhe më shumë.
Ndihet në libër një qasje e krishterë, që vjen në formën e përndjekjes dhe martirizimit të priftërinjve apo rishtarëve katolikë në Shqipëri. Më vjen në mendje tani një pasazh nga Bibla, në të cilin Jezui nuk e mban më dot kryqin dhe rrëzohet nën peshën e tij dhe marrin një të pafajshëm, kapin njërin që quhet Josif apo Jozef nga Arimatea, që t’ia mbajë ky kryqin deri në Golgota. Po ashtu në skenën e kryqëzimit kemi Krishtin nga njëra anë dhe dy të dënuar nga ana tjetër. Autori i di këto gjëra dhe është rrekur në katër apo pesë vepra të tij pikërisht me problematikën e fajit dhe të dënimit. Megjithatë, për mendimin tim, ai nuk thotë siç thotë Jezu Krishti në kryq: “Fali se nuk dinë se ç’bëjnë!”. Ai nuk thotë asgjë. Autori nuk thotë asgjë, as fali, as mos i fal. Ai kërkon drejtësi për veten e tij, me veten e tij, nuk i drejtohet as publikut, askujt, as Zotit në fund të fundit, që të vendosë drejtësi, por sidoqoftë ai kërkon drejtësi, ndonëse nuk ngjan se është i bindur në do të ketë drejtësi vërtet.
Shkrimtari e ka zgjidhur në mënyrë shumë elegante këtë dilemë me anë të lojës aktoriale të protagonistit Aleks Krasta dhe kjo më ndërmend “Konti i Monte-Kristos”, por edhe tragjeditë antike greke. Autori shkon edhe një hap më tutje, pasi në roman deri edhe vetë fajtori potencial, hetuesi, edhe ky paraqitet si viktimë e fatit të tij njerëzor, fat për të cilin mund të bëhej fajtor vetëm Krijuesi, Demiurgu, por kjo është një çështje që i kalon edhe kufijtë e mi modestë si njeri – besimtar ose jobesimtar, ç’rëndësi ka?- i kalon caqet e mija si lexues. Unë nuk e di nëse do të ketë drejtësi në botën tjetër, nëse bota tjetër ekziston. Kjo është ajo që quhet në besimet fetare dilema e teodicesë: Përse nuk ndërhyn Zoti kur sheh gjithë këtë padrejtësi, në paskësh Zot? Edhe kjo është tematikë në romanin në fjalë, jo vetëm në veprën që po flasim, por edhe në tri a katër veprat e mëparshme të z. Bashkim Shehu.
Përse kjo vetëpërmbajtje? Dimë edhe që nuk e keni takuar kurrë…
Po të isha takuar me autorin, po ta njihja njeriun personalisht, nuk do të flisja për veprën e tij, pasi do të më dukej vetja i kompromentuar dhe vlerësimi si qokë. Vetë autori ka qenë pré e Sigurimit të Shtetit (edhe në librin në fjalë), viktimë e vuajerizmit, viktimë e ngushtësisë provinciale. Nuk ka pse ta rimarrim këtë mendësi edhe në vlerësimet letrare.
Megjithatë, nuk duhet harruar që nuk kanë vuajtur njerëzit dhe vuajnë njerëzit vetëm në Shqipëri, pa dashur megjithatë të bëhem cinik dhe ta minimizoj atë që ka ndodhur në diktaturë, ose edhe ne ‘97-n apo atë që ndodh tani ose ka ndodhur në 21 janar, kur u vranë katër vetë në shesh, pavarësisht se kush qenkëshin fajtorët ose viktimat. Kjo botë, si e tillë, e përmban tragjizmin. Në këtë rast kemi të bëjmë me një tragjizëm që për nga autorët e mëdhenj botërorë më kujton vetëm Dostojevskin, – edhe ai ra në burg dhe vuajti jashtëzakonisht shumë. Por më kujton edhe tragjizmin e Tolstoit. Ka shumë shkrimtarë që janë tragjikë; Gogoli, fjala vjen: edhe ky tragjik në jetën e tij.
Artistët në përgjithësi – jo të tërë megjithatë – i kanë edhe jetët të tilla, tragjike. Ndoshta vetë arti si i tillë ngjan me tunelin e hapur nga abati Faria, kërkon t’i largohet kësaj bote, të fluturojë në qiell, t’i largohet realitetit. Arti nuk është mënyrë për t’iu larguar realitetit, por sidoqoftë është një botë tjetër, një “pasqyrë e magjepsur” – më vjen ta quaj këtu – dhe kështu e shikon edhe Shehu për t’u kthyer përsëri te romani në fjalë. Tjetri, bashkëvuajtësi i Shehut në këtë rast, me të cilin ai ndërron vendet në kryq, herë është Jozefi i Arimatesë dhe herë ai vetë, por nuk janë vetëm këta të dy, ka edhe të tjerë. Pikërisht këtë rreket autori në katër a pesë vepra të tij: cili do ta mbajë kësaj radhe kryqin nga ne, meqenëse ai ka shumë bashkëvuajtës. Por nuk e di pse kryqi më i rëndë u bie gjithmonë artistëve dhe besimtarëve, – ndoshta ngaqë këta rreken ti shpëtojnë kësaj bote nëpërmjet artit apo fesë, të hapin një tunel për t’iu referuar kontit të Monte-Kristos, një tunel të pamundur për në botën tjetër. Arti është një pamundje, një rrekje e pamundur për të krijuar një botë paralele, por edhe një ngushëllim i epërm. Në këtë këndvështrim, është më mirë të lexosh letërsi të mirë, të këtij lloji, se të lexosh gazetari të keqe, ku merr vesh vetëm se kush paskësh qenë në burg dhe kush e paskësh patur fajin apo të shohësh riciklime gjyqesh. Edhe vdekja, në këtë rast, jo vrasja, por vdekja, është një ngushëllim për kë kërkon drejtësi në këtë botë. Ndoshta paskësh drejtësi në tjetrën dhe këtu po i rikthehem temës kryesore të romanit, ndoshta ka një drejtësi në tjetrën dhe këtë autori e lë të hapur. Ai nuk e di këtë, nuk ka edhe nga ta dijë; dhe për këtë e admiroj sepse nuk ke nga ta dish. Kjo mund të tingëllojë si agnosticizëm, për të interesuarit e filozofisë mes nesh kjo…
…sidoqoftë, për t’iu kthyer pyetjes tuaj, autori m’i ka dërguar librat me e-mail dhe ne kemi një marrëdhënie të çuditshme. Njihemi pa u njohur. Fare mirë mund ta linim të njiheshim, mirëpo sa autori, sa unë, sa rastësia, po shmangin takimin tonë, ndonëse ai është një klik më tutje. Mund të flisnim në skype me orë të tëra, por unë do të doja ta takoja autorin Bashkim Shehu ose njeriun Bashkim Shehu rastësisht. Kjo është diçka e pamundur, që pak gjasa ka të ndodhë. Kam 8 vjet pa ardhur në Shqipëri dhe ku do takoheshim rastësisht?
Është bërë shumë e thjeshtë të takohesh, të njohësh dikë. Interneti ta jep këtë mundësi dhe kjo nuk më pëlqen në internet, që mund të njihesh me çdokënd. Bota bëhet e vogël, mirëpo bota nuk është e vogël. Na duket ne që është bërë e vogël; bota është aq sa ka qenë gjithmonë. Edhe interneti nuk e ka bërë botën të vogël, as të madhe. Për këtë mostakim ka punuar sa z. Shehu, aq edhe unë, për këtë mosnjohje. Sepse është bërë e thjeshtë për t’u njohur, ndërsa është bërë shumë e vështirë për t’u njohur rastësisht, për t’u njohur si njerëz. Unë po pres të ndodhë ndonjë çudi, ndonjë habi. Kam punuar sa kam mundur në mënyrë negative për të mos u njohur me autorin, për të munduar ta lexoj atë akoma si shkrimtar. Duke mos e njohur dikë, ke edhe mundësi për ta lexuar atë si autor. Nga njëra anë, mund të njohësh njeriun pas autorit, sepse edhe këta janë shtresa të një personaliteti, por nga ana tjetër, është aq banale bërja e një bisede dhe humbja në fjalëzimet e saj. Parapëlqej pra ta lexoj z. Bashkim Shehu dhe jo ta dëgjoj apo ta shikoj atë. Megjithatë, biseda me zë me ju është një kompromis për të folur duke mos folur me njëri-tjetrin e për t’u lexuar kësisoj në një formë tjetër.
Z. Elo, ju falenderojmë vërtet për këtë bisedë kaq të këndshme!
Ju faleminderit edhe juve.
(c) 2020, Jorida Pasku & Arb Elo. Të gjitha të drejtat të rezervuara.