(Shënime për romanin “Hinterlandi i kuq” të Mustafa Nanos)
Nga Ilir Yzeiri
Botimi i tretë i librit “Hinterlandi i kuq” i Mustafa Nanos është një rrëfim i plotë dhe i mbaruar për jetën e një të riu që nis të reflektojë qysh në moshën shtatëvjeçare, përkatësisht në vitin 1967, në kohën e socializmit, e deri në fillim, në mes, apo edhe tani në fund, pra në kohën që jetojmë, të cilën jemi mësuar ta emërtojmë si tranzicioni i pambarimtë i kalimit nga një shoqëri totalitare në një shoqëri të shthurur që aspiron të ndërtojë rendin demokratik.
Nano nuk e ka emërtuar librin e tij as autobiografi, as roman, as refleksione, as vështrim dokumentar dhe, mesa kuptoj, ia ka lënë lexuesit që ta klasifikojë apo që ta plotësojë këtë anë të shenjueshmërisë së veprës. Unë do të thosha që i ka që të gjitha. Prej kohësh, po ndeshemi me këtë letërsi të re që është një shkrirje e narrativës dokumentare, e refleksionit social e filozofik dhe e trillimit e, të gjitha bashkë, të vendosura në magjinë e rrëfimit cilësor. Kam parasysh këtu Mustafa Nanon me këtë libër, Ardian Vehbiun me “Sende që nxirrte deti”, Vera Bekteshin me “Vila me tri porta”, apo Ben Blushin me “Kandidatin”, apo Myslim Pashën me romanin “Statuja”.
Ndërkaq kjo vepër e Nanos, mua më kujton “Kronikë në gur” të Kadaresë, apo “Çështje të marrëzisë” të po këtij autori, sepse edhe aty elementi autobiografik është lënda kryesore mbi të cilën ngrihet vepra.
Paul Ricouer në vëllimin e parë të veprës së tij “Temps et récit”[1], thotë se për të kuptuar se si rrjedh koha në rrëfim duhet të mbajmë në vështrim shfaqjen e saj si “diskordancë” dhe “konkordancë” apo siç thoshte Shën Augustini në formën e “distentio animi” dhe “intentio”. Këto dy përmasa të kohës ai i lidhte me “muton” dhe “peripetinë” apo me “intrigën” dhe “mimesisin”, dhe e nis veprën e vet me analizën e “Confession” të Shën Augustinit dhe “Poetikën” e Aristotelit.
Pra, në një rrëfim vështirësia më e madhe është koha e rrëfyer. Sepse, siç e përmenda më lart, jeta e secilit prej nesh shënjohet nga koha totale, universale dhe nga koha reale që gjendet në ngjarjet që i kemi kaluar të gjithë. Ndërkaq, jo çdokush ka aftësinë të na sjellë sot emocionet me të cilat e kemi jetuar atë kohë. Dhe këtu hyn letërsia me anë të asaj që po Rikër e quan “rifigurim”, “rindërtim”, “riimagjinim” (Refiguration).
Sinkretizmi i gjinive letrare ka nisur në Europë qysh pas Luftës së Dytë Botërore, kur një pjesë e madhe shkrimtarësh ishin filozofë, gazetarë dhe shkrimtarë po ashtu dhe veprat e tyre, gjithë duke qenë trillim, ishin të mbushura me refleksione, me dokumente e sidomos me shumë biografi, pra, i kishin të tria këto përmasa. Të njëjtën hapësirë ka edhe letërsia e Nanos dhe e atyre që përmenda më lart.
Prof. Tarifa në parathënien e këtij botimi ka vënë në dukje me të drejtë se “kujtimet impresioniste të Nanos në këtë rrëfim mbi fëmijërinë dhe rininë e tij në Ch i ofrohen lexuesit si një pasqyrë e qartë e eksperiencave njerëzore të brezit të vet”[2].
E veçova këtë pasazh sepse dua të mbahem te shenja “rrëfim impresionist”. Ka disa mënyra për të rrëfyer vetveten ose për ta rindërtuar atë. Ne të gjithë biem në një mendje se Nano në këtë libër apo Kadareja te “Kronika” nuk na tregojnë gjithë jetën e tyre. E megjithatë, ne arrijmë ta marrim vesh pothuajse gjithë kohën në kuptimin e ngjarjeve, intrigave, konflikteve, personazheve dhe temave kryesore që shënjojnë jo vetëm periudhën të cilën rrëfejnë, por bëhen kështu edhe refleks i kohës dhe shenjueshmërisë së një periudhë të tërë historike, të brezit të tyre, domosdo, por edhe të shoqërisë në tërësi, madje edhe të Shqipërisë së asaj kohe. Pse? Ka shumë arsye. Mirëpo unë do të mendoja se njëra është themelorja dhe ajo është “autoderision–i” ose vetëpërqeshja, vetironia. Ky është një problem i komplikuar, por unë po mjaftohem të them se kur një periudhë historike e dështuar siç ishte socializmi shtetëror te ne, është larguar, mënyra më besueshme në rrëfim është sinqeriteti. Dhe siç thoshin antikët grekë, forma më e lartë e sinqeritetit është naiviteti dhe forma artistike e tij është vetironia, satira, sarkazma disa herë. Nëse një autor arrin të tregojë me naivitetin e fëmijës që ka brenda njeriu, jetën e jetuar me dramacitet butaforik, ai jo vetëm që është i besueshëm, por rrëfimi i tij bëhet joshës dhe teksti fiton magjinë e duhur. Një kohë dhe një sistem mund të rrëfehen më së miri kur ai që do të tregojë arrin të shquajë në fasadën e asaj kohe anën surreale, groteske, absurde, karikaturore dhe ironike. Këtë çelës të rrëfimit e ka gjetur dhe e ka përdorur me shumë mjeshtëri edhe Nano në këtë libër duke qëmtuar çastet surreale, absurde dhe qesharake nga jeta e tij dhe e arealit ku ai ka jetuar.
Romani ndahet në tri kapituj dhe në secilin prej tyre ai ka vendosur një fragment nga një autor i dalluar. Në kapitullin e parë është një përshkrim i Robert Kapllan, nxjerrë prej librit të tij “The Ends of the Earth”, ku ai vizaton aeroportin e Tashkentit.
“Aeroporti i Tashkentit ma hoqi trurin. Veç makthi bolshevik mund të pillte atë shëmti arkitekturore. Muret ishin ndërtuar me llaç zhavorri e veshur me plloça me kënde të çrregullta. Brenda të merrej fryma. Të dukje vetja si në dhomat e ngushta të paraburgimit a të hetuesisë. Arkitektët sovjetikë kanë pasur mjeshtërinë e pagabueshme për të ndërtuar shpejt e shkel e shko zgjyra të tilla urbane, duke shtënë në punë pa kursim lëndë ndërtimi të një cilësie të dobët”.[3]
Kjo gjetje do të përcaktojë edhe tonalitetin e rrëfimit në këtë kapitull, i cili, më së shumti, i kushtohet asaj që në teoritë e komunikimit quhet semiologjia arkitekturore dhe, në këtë vështrim, bëhet njolla e parë apo imazhi fillestar që e godet imagjinatën e autorit në qytetin e vogël Ch. Falë njohurive dhe mprehtësisë në vëzhgim ai e paraqet me shumë finesë këtë areal.
Qyteti Ch është modeli i Tashkentit të Robert Kapllan-it por i vendosur në një areal gjeografik më të fisëm, në një vend më të bukur, në një peizazh të mrekullueshëm që të kujton Zvicrën. Dhe nga fotografia e CH-së ai kalon në utopinë e qytetit, në mënyrën se si njerëzit e kanë jetësuar atë areal me idetë, mendimet, besimet, ndjenjat, paragjykimet, dashuritë dhe urrejtjet e tyre. Mënyra e qeverisjes thotë ai mblidhet në disa fjalë të çuditshme që e kanë humbur shenjueshmërinë fillestare. Fjalë të tilla si “sekretari i parë”, akronime si “KQP” që ndodheshin në parulla që vareshin poshtë dritares së ndonjë apartamenti dhe të dilnin vazhdimisht në sy, së bashku me fjalën “ekzekutiv” apo “komitet” janë kodet e para të një ligjërimi që gjithnjë e më shumë ngjet me absurdin. Refleksioni mbi kohën ideologjike, që zë faqet e para të librit, ka një arsyetim pak cinik e të athët :
“Njeriu mund ta qasë pa ndonjë problem sundimin e një klike, nëse percepton se kjo e fundit jep siguri e drejtësi. Edhe mjerimi i skajshëm, kur shpërndahet në mënyrë të barabartë, është i ngjërueshëm. Padrejtësia të bën të ngresh krye më shumë sesa varfëria apo mungesa e lirisë.” (f. 5) – shkruan ai. Kjo varfëri e njëtrajtshme dukej sidomos në utopinë e banimit, dhe ëndrra për një banesë ishte një nga gëzimet themelore të atyre banorëve. Rindërtimi i sociologjisë së sigurimit të një apartamenti, planifikimi, ndarja, pastaj urimet kishin krijuar një mitologji të veçantë në Shqipërinë e asaj kohe. Përmes një rrëfimi që ka brenda ironinë, naivitetin dhe gëzimin e njerëzve për jetën e mbyllur në një apartament të ndërtuar keq, Nano nis çmitizimin fillestar që ngrihet mbi ekzistencën. Detaje si shkallët që kishin numër tjetër nga kati në kat do të mjaftonin për të parodizuar këtë afeksion të njerëzve të qeshur të provincës. Mjerimi i skajshëm ndahet në mënyrë të barabartë thotë Nano, ndaj dhe u shijon të gjithëve.
“Kam borxh të besoj se një ditë mund të harroj edhe detaje shumë të rëndësishme të fëmijërisë sime, kacafytjet me grushte me vërsnikë të lagjes apo të lagjeve të tjera, një qepje me gjashtë kapëse të mjekrës që m’u ça tejetej e gjakos, teksa u rrëzova pikërisht në shkallën e fundit, atë të dyzetën, dhe rashë mbi një tog drush që i mbaja në krahët e hapur para gjoksit etj., etj., shkurt, mund t’i harroj këto e ngjarje të tjera si këto, po jo numrin e shkallëve nga kati i parë deri tek i treti (tok me numrin treshifror të telefonit të shtëpisë: 360, dhe datën kur blemë televizorin : 1 shtator 1973). Ishin dyzet kokërr më kokërr : pesë shkallët e para, që të ngjisnin në kat të parë(që jashtë Shqipërisë e quajnë kat përdhes), dhe pastaj vinin nëntë që të ngisnin në sheshpushim, e tetë, çuditërisht tetë, që të çonin në katin e dytë. Nga i dyti në sheshpushim, e nga ky i fundit në katin e tretë, ato bëheshin përsëri nëntë plus nëntë. Mua më linte ndërdyshës e të çmeritur ai tetëshkallëshi prej sheshpushimit në kat të dytë…” (f. 25).
Pastaj rrëfimi bëhet personal dhe universal. Fëmijëria dhe rinia është tema më e dashur për çdo shkrimtar. Dhe Nano, gjithë duke i qëndruar besnik stilit të tij vetpërqeshës, ka qëmtuar me mjeshtëri historinë e Xhodës dhe pasionin e tij për të ngrënë dhe për të vjedhur. Njeriu i provincës dhe ai i socializmit nuk ishin engjëj, ishin mëkatarë si gjithë të tjerët, por edhe të zgjuar dhe Xhoda, fjala vjen, arrinte të manipulonte edhe policin e hekurt të asaj kohe. Më tej vjen refleksioni për strukturën sociale të qytetit dhe popullsia ndryshe, apo ajo me ngjyrë, apo “evgjitët”, siç quheshin, i mjafton Nanos të rrëfejë se ai sistem dhe ajo popullsi e asaj kohe ishte edhe raciste, se kjo kategori nuk u integrua asnjëherë sa duhet në atë shoqëri. Është mjaft interesante përsiatja për atë që Nano e quan “shtresa gri”, vënë në gojën e mësuesit të jashtëm të gjimnazit. Të “deklasuarit” ishin targeti ndaj të cilëve nomenklatura ishte rigoroze dhe nuk bënte asnjë lëshim. Por ishte një pjesë tjetër, një masë e madhe “gri” që nuk përfshihej as te nomenklatura sunduese, as te shtresat “e deklasuara”, nuk i hiqej e drejta për të kërkuar e për të marrë hisenë e vet të varfërisë dhe për këtë shkak as që donte t’ia dinte për të mirat që përfitonin udhëheqësit e për të këqijat që binin mbi shpinën e “armiqve të klasës”. Vendosja e kësaj shtrese në kuadratin e mendësisë së “evgjitit” në mënyrë ofenduese, e thekson më tej jo vetëm racizmin, por edhe përbuzjen për topitjen mendore dhe mungesën e reagimit shoqëror të asaj “masës gri” që, në këtë rast, ishte njësh me masën e madhe të “evgjitëve” të cilët dukej se nuk u interesonte bota jashtë rrethit të ngushtë të familjes apo grupit të tyre. “…përse atyre u japin gjithmonë apartamente në katet përdhese?” vëren një inxhinier mekanik, i cili bënte disa orë rolin e mësuesit.
”Ata, në përgjithësi, nuk e durojnë dot praninë në katet e sipërme. As në katet e sipërme të një pallati, as – ca më shumë, – në katet e sipërme të shoqërisë, ku përgjegjësitë, kokëçarjet, nervat e tendosura dhe çalltisja për të spikatur e për të rënë në sy u kallnin krupën. Në anën tjetër, ata nuk e fshehin kënaqësinë që gjindja përreth, të mëdhenj e të vegjël, i lë në hallin e tyre dhe nuk i ka fare në llogari. Veç ata e njohin mirakandjen e të qenit të shpërfillur. Janë të lumtur që janë poshtë e që askujt s’i shkon mendja t’i shohë si një rrezik për rendin e gjërave. Ata janë të padeklasuar e të padeklasueshëm.” (f. 20).
Semantika arkitekturore e Ch-së, një qytet i ndërtuar prej komunistëve shqiptarë, nuk e lë indiferent Nanon. Monumenti i Partizanit dhe varrezat e dëshmorëve, lulishtja dhe pallatet e ndërtuara rishtazi janë dekori perfekt i një qyteti të konceptuar si një instalacion modest që mbahet nga ideja se Lufta, dhe në këtë utopi partizanët, e mbajnë jetën dhe e shtyjnë përpara veprimin. Pikërisht këtë mit nis të vërë në pikëpyetje Nano, por me shumë elegancë. Ai do të donte që monumenti në ballë të qytetit të mos ishte prishur, sepse identiteti nuk ndryshohet, ashtu si rrugët dhe emrat e e tyre. Pastaj vjen përshkrimi i jetës së lirë, i argëtimeve dhe i festave të përbashkëta. Rindërtimi i kësaj utopie prej Nanos është aq i ndier e realist sa të krijon përshtypjen se universaliteti i jetës nuk ndryshon edhe kur ajo shënjohet nga diktatura të egra.
Nëse deri këtu rrëfimi është në nivelin e narratorit gjimnazist që deri tani ka vetëm pak nostalgji dhe shumë pikëpyetje, më pas, Nano e shtrin ligjërimin te grupi i shokëve të gjimnazit, dhe tani ne duhet të përgatitemi se rrëfimi është shumëzërësh. Këtu më është kujtuar romani tjetër i Kadaresë “Qyteti pa reklama”, sepse aty kam ndeshur elemente të rrëfimit trillues dhe kam gjetur se, ashtu si në romanin e Kadaresë, ku jeta vërtitej rreth tre personazheve, Gjonit , mësuesit të kimisë dhe poetit të cilët duan të falsifikojnë një dokument albanologjik dhe bëhen kështu karikatura të autorit, edhe te Nano grupi i shokëve të tij ngjan me një bërthamë albanologësh naivë që kanë filluar të ndiejnë peshën e provincës së humbur, të identitetit komunist dhe të origjinës islame. Dhe, ashtu të mërzitur, nisin aksione karnavaleske për të rindërtuar identitetin qoftë atë etnologjik, qoftë atë semantik. Përpjekja për të ndryshuar emrat dhe për t’i paraqitur ata si modele imitimi me emrat anglezë është një gjetje e bukur. Ndërsa inkursionet e Nanos në histori dhe rrëfimi i dokumenteve për etnogjenezën e Ch-së i japin këtij libri atë përmasë që e kanë të gjitha veprat e tij, dhe që është informacioni i bollshëm kulturor për etnogjenezën dhe për letërsinë dokumentare të të huajve që janë marrë me shqiptarët, shqipen dhe fenë tonë në shekuj, që ai e ka fituar në këta vjet duke na sfiduar të gjithëve.
Një topikë tjetër është edhe ajo e krenarisë që realizohej ose me anë të riprodhimit të Luftës përmes artefakteve të saj ose edhe përmes përkujtimeve, dollive, festave dhe personazheve. Nano është treguar i matur dhe i baraslarguar në emocione dhe ti nga njëra anë mund të shohësh karikatura, si ata që i ndërpresin fjalën Enver Hoxhës dhe bërtasin “Marrsh nga ditët tona!”, ashtu edhe refleksione serioze për Riza Cerovën, Zylyftar Veleshnjën apo Kahreman Yllin. Nanon e lumturon dhe ideja e identifikimit me këtë qytet, i cili në vitin 1927 paska pasur tre qytetarë me arsim të lartë.
Një utopi tjetër, që e demistifikon duke e rindërtuar, është edhe patriotizmi lokal.
“Në Ch, ashtu si në të gjitha qytetet e parëndësishme, njerëzit ishin të prirur drejt një lloj skrute apo patriotizmi lokal, nëpërmjet të cilave luftonin kompleksin e të qenit banorë të një vendi të humbur. Dhe viheshin të gjenin gjëra për t’u mburrur. Ndaleshin në histori, tek ethosi homogjen i krahinës, që vinte prej faktit se popullsia atje kishte kohë që nuk përzihej me të tjerë e se ishin të gjithë bektashinj, te një mendësi fushore e tyre, sido që ishin banorë të njërës prej zonave më malore të Shqipërisë, të respektit ndaj ligjit, shtetit, gruas etj., etj.” (f. 80).
Krenaria për të kaluarën ishte si një lloj gare dhe qytetet në Shqipëri ishin të ndërtuara në mënyrë vertikale me hierarkinë e përkushtimit ndaj luftës dhe Enver Hoxhës. “Provincat janë si tavlla cigaresh ku gjen bishta njerëzish të fikur përgjysmë,” thotë një prej personazheve të romanit (f. 85). Ndërsa gara për ta çCh-hizuar qytetin, apo për ta delokalizuar dhe për të zhvendosur këtë utopi në ndonjë qytet anglez, e shton dozën e ironisë dhe të vetpërqeshjes.
Mosha e qytetit dhe bektashizmi i tij janë të tjera topika që Nano i shtjellon me detaje të gjera dhe janë fusha që ai i njeh shumë mirë.
“Gjithçka në CH kishte moshën tonë; e shumta moshën e prindërve tanë. “Kjo është motivuese,” thoshte dikush gjysmë me shaka, “pasi secili prej nesh ka mundësi të bëhet një pionier, një gur themeli.” “Pirdh, pirdh, se lirohesh,”- ia priste Martin Kojka. “E kupton ti apo jo ? Unë mund të bëhem një gjeni nesër,” i jepte krahë fantazisë së vet, “dhe nëpër enciklopedi do të shkruhet që kam lindur në Ch…” “Po kur të shkojnë të shohin shtëpinë tënde?” ia ushqente bisedën një tjetër. “Do të ngjiten në katin e katërt të pallatit ngjitur me Degën e Punëve të Brendshme dhe pasi të kapërcejnë pragun e derës, ku do të jetë shkruar “Këtu ka jetuar Marin Kojka”, do të shohin apartamentin tënd të shndërruar në muze: një radio dore e markës “Fitorja”, një WC allaturka, sqollin e enëve, dushin që punon me vajguri, një brisk rroje të markës çeke “Astra” të kallur në kallëpet e një aleti prej metali të lehtë të markës kineze, një furçë rroje që bën shkumë mbi një sapun rrobash që prodhohet në Rrogozhinë, i cili, nga ana e vet, përdoret për të larë edhe trupin…” (f. 96-97).
Duke u marrë me Bektashizmin dhe me Naimin që e ka përpunuar këtë teologji në një tekst, ai vëren se parimet e këtij besimi janë më shumë një përmbledhje universale vlerash sesa një doktrinë e caktuar. Ndërsa demistifikimi i mitit të malit të Tomorit bëhet me elemente të dijes albanologjike të cilat Nano i ndërthur bukur me rrëfimin imagjinar.
Nga Tomori ai zbret poshtë në jetën e të gjallëve, dhe një topos tjetër si dollia bëhet objekt i rrëfimit të tij. Ky institucion i kënaqësisë ishte ideologjizuar aq shumë saqë shpesh të krijonte edhe probleme me pushtetin, nëse nuk respektohej kodi i ngurtë i tij. Jo vetëm në Ch, por kudo, sa herë që niste dollia ajo duhej të mbyllej me një shëndet për Partinë dhe Enver Hoxhën.
“Duhet të ketë qene mesi i viteve 1980 kur nisëm të provonim të bënim çideologjizimin e dollisë. Nëpërmjet butaforizimit të saj. Sa herë që bëheshim një grup miqsh me idenë për të pirë ndonjë gotë raki në shtëpinë e njërit prej nesh, në ndonjë restorant a diku në natyrë, ne fillonim e bënim dolli të çuditshme. Pinim për librin “Kolonelit nuk ka kush t’i shkruajë”, për arbëreshët, për WC-të allafrënga për filmat Western, për Kongresin e manastirit, për strofën e Migjenit që nis me vargjet “Ah si s’kam një grusht të fuqishëm” për lotët e burrave, për shkallën e nëntë që mungonte prej sheshpushimit deri në katin e dytë të pallatit tim, për përkthyesit shqiptarë, për “Zërin e Amerikës” etj., etj. Ndonjëherë dilte ndonjë që ishte më konkret. “Ta pimë këtë gotë për thithkat e Ornella Muti-t!” Ne të tjerët e kthenim me fund.” (f. 114)
Sinqeriteti në rrëfim nuk është një modë te Nano, por është një element i fortë që e bën atë të besueshëm. Rrëfimi për jetën në familje, gjyshja, dënimi i saj me rrahje me thupër dhe ngulmimi i saj që nipi të marrë emrin Mustafa, pra emrin e burrit, të atij burri që rrëfimtari thotë se e kishte rrahur një herë me thupër atë, gjyshen, pikërisht atë që ngulmonte t’i vinte nipit emrin Mustafa; të gjitha këto e bëjnë romanin një panoramë ngjyrash kontrastuese, ashtu si dëshira naive për të ridimensionuar sipas parimit oksidental alfabetin e shqipes për t’i hequr të paktën ç-në, atë c me bisht dhe për ta shënuar si gjithë bota me ch, krijojnë situata humori dhe e shkriftojnë ligjërimin. Dhe në këtë rast Nano ndërton skena sarkastike të denja për një roman të madh. Ashtu si në rastet kur rindërton copëra ligjërimesh nga fëmijëria apo koha e gjimnazit me shokët e tij, biseda që ngjajnë të rikrijuara në bazë kujtimesh apo copëra njollash që lënë ligjërimet e hershme, atëherë kur një frazë apo një fjalë bëhet shtysë për të ndërtuar një narrativë të tërë, edhe në rastin e gjyshes ai rikrijon në mënyrë imagjinare e me cinizëm skenën e kurorëzimit të saj, por jo në institucionin e kishës apo të ligjit, por në vetëdijen e rrëfimtarit që duke e rikrijuar atë, rrëfen po ashtu edhe deformimin e rëndë të lidhjeve në martesat shqiptare. E për këtë ai sakrifikon gjyshen e tij, e cila, ashtu si shumica e grave shqiptare, kishin pranuar të dhunoheshin nga burrat e tyre dhe ky ngulmim i saj për të ringjallur atë figurë ka mbetur “një nga misteret e jetës sime,” thotë rrëfimtari.
“E kam përfytyruar më se një herë gjyshen në një martesë fetare, në rolin e nuses, duke u betuar në stilin e formulës së moçme kishtare gjatë shkëmbimit të unazave. «Unë, Xhirja, po të marr për burrë ty, Mustafa, dhe nga ky çast e tutje do jem veç me ty e për ty, në të mirë e në të keq, në kamje e në varfëri, i shëndetshëm a i sëmurë qofsh, dhe nuk do të nxjerr zë sa herë të më rrahësh pas çdo gabimi që do bëj, dhe nëse nuk do të heq dorë së gabuari, je i lutur të më rrahësh me ç’të të kapë dora, sidomos me hithra, e të mos harrosh pas kësaj të më mbyllësh në nevojtore. Kështu u bëftë derisa vdekja të na ndajë. Këtë betim e bëj në prani të të gjithë njerëzve që janë në këtë ceremoni, por edhe në prani të Abaz Aliut, Imam Hysenit e të Dervish Musait, që janë duke na ndjekur nga lart.” (f. 117).
Një histori e vërtetë në familjen e gjyshes, ku i shoqi pas një grindjeje të grave të shtëpisë, e kishte rrahur të shoqen me hithra e pastaj e kishte mbyllur në nevojtore, bëhet shkas për një këtë vështrim në kodin e sjelljes së familjes patriarkale shqiptare.
Ndërsa topika e qytetit që identifikohet me një MAPO (Magasin Populaire), me departamente të ndara, si : veç stofrat, veç këpucët, veç enët e kuzhinës apo artikujt e kinkalerive, është një vizatim karikaturor i provincës shqiptare që ngjante si një imitim i zbehtë i botës, i ngritur jo mbi parimin e konsumit, por mbi atë të kursimit, planifikimit dhe të modelit unik.
Ndërkohë uniformiteti dhe modelet e ngjashme në gjithçka, riprodhimi në kallëpe ideologjike i njerëzve, i shtëpisë, i veshjeve, sjelljes, orendive është bërë në këtë roman me një stil që nuk e kam ndeshur më parë.
Spiunët, apo fuksat, janë një tjetër anë e qytetit dhe e utopisë socialiste, së bashku me letrat anonime, dhe gjëllijnë në qytetin e vogël si të justifikuar me sloganin e huazuar nga inkuizicioni se ku ka zë nuk është pa gjë.
Biografia, rrobaqepësja e deklasuar, pastaj njohja me realitetin ndryshe, me të burgosurit, me xhelatin e qytetit, pastaj grimca e rrëfimit të Bilal Kolës për takimin me të atin nga dritarja e burgut bashkë me historinë e Tut Spatharës, që e përjashtojnë nga shkolla për biografinë, plotësojnë gjithashtu këtë utopi të qytetit model socialist.
Rikujtimi i kohës kur për të qenë pak ndryshe edhe provinca ndiqte modën bëhet në këtë libër me tonalitetin e vazhdueshëm të ironisë. Pantallonat dhe gjerësia në fund, 28 apo 30 cm, lufta për atë dycentimetërshin në fund, ngulmimi i nënës që të mos i bënte më shumë se 28 “janë negociatat e para në jetën time,” kujton Nano. Rikujtimi i shitëses së bukur, të rrobave të gatshme, Suzit dhe naiviteti i saj kur përgjërohej apo betohej me atë gjysmë frazën “Më shtrifsh!”, pa i shkuar në mendje ta plotësonte me pjesën e dytë “në dhé”, pra : “Më shtrifsh në dhé” i bënte djemtë e qytetit të kalonin shpesh nga ajo dhe të shijonin jo betimin e saj, por imazhin që sillte gjysmë shprehja “Më shtrifsh!”
Në roman ka edhe faqe rrëqethëse. Nëse rikujtimi i shenjueshmërisë së “evgjitëve” bëhet me notat e një sarkazme të lehtë dhe ai na kujton kështu se ndarjet e thella sociale në atë kohë nuk përfshinin vetëm të deklasuarit apo të padeklasuarit, por kishin krijuar edhe një farë përjashtimi për popullin e ndryshëm në ngjyrë, duke treguar edhe racizmin që edhe sot e gjithë ditën në doza jo të mëdha e kanë shqiptarët, në një rast tjetër ai rrëfen një histori vërtetë barbare. Historia e Gim Pemës të cilin i ati e rrahu barbarisht pse roja e gjimnazit e spiunoi dhe i tha se e kishte parë duke bërë dashuri me një djalë, është një nga faqet tronditëse në këtë vepër që tregon se mentaliteti maskilist e barbar nuk mund ta pranonte kurrë orientimin e ndryshëm seksual. Një shoqëri e egër dhe e ngritur mbi kultin e mashkullit, kishte krijuar jo vetëm refuzimin, por edhe urrejtjen për ata me orientim të ndryshëm seksual. Në qytet u mor vesh se Gimi ishte shtruar në spitalin psikiatrik në Elbasan. Po çfarë kishte ndodhur ?
“Nuk është se dihej ndonjë gjë, por të gjithëve u dukej se nuk kishte pse e çfarë të dinin. Gjithçka ishte e lehtë të rrokej me mend: «I ati kthehet në mesnatë i bërë xurxull, hap me forcë derën e apartamentit të vet, gruaja vrapon e përgjumur të marrë vesh se ç’ishte kjo e hyrë me tërsëllëmë në shtëpi, sheh qartë që i shoqi ishte tapë, gjë që rastiste shumë rrallë, trembet nga pamja e tij e xhindosur, dëgjon britmën «ku është ai qen bir qeni, që kërkon të më vërë njollën e turpit në këtë moshë», kupton se çfarë mund të ndodhë, por nuk kupton se pse, bën të dalë po e lëshojnë forcat, derisa pamja e të shoqit që hidhet me tërbim mbi të birin që kishte rënë në gjumë të thellë, e bën t’i bjerë të fikët. Nuk sheh më asgjë. Kur rifiton vetëdijen, gjërat ishin në një rend tjetër, i shoqi i ulur në gjunjë dhe i ngjeshur pas murit në këndin e dhomës qan me dënesë, ndërsa i biri, i mbuluar me gjak dhe me sytë që nuk i duken, nxjerr gulçe e jargë nga goja, dridhet i tëri dhe kërkon diçka me duar. Si të ishte në terr. “Korba, m’u prish mendsh djali !” arrin të thotë dhe bie prapë e zalisur”. (f.143)
Një utopi tjetër e Nanos është dasma në socializëm dhe këtu ai rrëfen dasmën e tij. Porosia e këpucëve që, edhe ashtu të kërkuara, ishin njëra pak më e madhe se tjetra dhe muaji i mjaltit për ata fatlumë që gjenin një fletë kampi, por jo për të shijuar netët e dashurisë së bashku, sepse kjo qëllonte që edhe të mos ndodhte, ashtu siç i qëlloi rrëfimtarit tonë që pasi shkoi në Kampin e Punëtorëve në Durrës, atë e vunë të flinte me tre meshkuj të tjerë dhe gruan me tre gra të tjera, rrëfejnë një realitet që shumëkush e kujton si të ketë ndodhur dje. “Doni të dini se çfarë është komunizmi?” thotë ai me këtë rast, kur qëllon që e pyesin të huaj kureshtarë, dhe nis e u tregon anekdotën e një çifti të sapomartuar që shkojnë të bëjnë muajin e mjaltit në një kamp punëtorësh.
Një pjesë e rëndësishme në roman është edhe seksi. Rrëfimi i Nanos këtu përzien natyralizmin joshës me ironinë ndaj dobësisë së mashkullit, dhe disa herë parodizon veten e tij dhe të tjerët për shfaqjen karikaturore të epshit.
Kreu i dytë nis me një fragment të shkëputur nga Eric S. Margolis, nga libri i tij “American Raj : Liberation or Domination”. Në këtë fragment autori rrëfen se çfarë ndodhi kur në Jemen në vitin 1976 erdhi për herë të parë televizori. Deri në atë kohë njerëzit mbrëmjeve mblidheshin bashkë dhe argëtoheshin me vallëzime, u tregonin përralla fëmijëve, gratë në vegjë e burrat në garë kush bënte bejten më të bukur. “E gjitha kjo,” tregon një banor, “deri dy javë më parë.” “Pse, çfarë ndodhi dy javë më parë?” “Kemi blerë televizor. Tani të gjithë qëndrojnë në shtëpi e shohin televizor.” Hëm dy mijë vjet të kulturës së Jemenit ishin çrrënjosur brenda një nate prej televizorit.” (f. 156).
Jeta e mbyllur, uniformiteti dhe mungesa e jetës së konsumit kishin krijuar utopi të çuditshme dhe absurde. Planifikimi i gjithçkaje, radha, mungesa e mallrave të konsumit të gjerë, kishin krijuar edhe ekzaltimin naiv e banal për mallrat e konsumit si, fjala vjen, blerja e një televizori apo e një frigoriferi. Nano, si shumë të tjerë, e ka fiksuar datën kur familja e tij bleu televizorin, 1 shtator 1973. Semantika e kësaj kënaqësie varej nga statusi shoqëror, dhe prapa saj fshihej një narrativë e tërë. Mallrat e planifikuara të konsumit të gjerë hidheshin nga lart poshtë, duke respektuar hierarkinë e asaj që mund të quhej borgjezi komuniste. Mirëpo, vetëm kur e kishe në shtëpi një aparat televiziv, ti vije re zbrazëtinë dhe varfërinë e programeve që transmetonte TVSH-ja. “Gjuha e drunjtë ku nakatosen shterpësia me patetizmin,” thotë Nano, “karakterizonte ligjërimin publik.” Pastaj indoktrinimi dhe urimi “Marrsh nga ditët tona!” dukej sikur e plotësonte absurdin e një qyteti ku varfëria dhe lumturia ishin njëlloj të shpërndara në boshllëk. Pastaj vijnë refleksione origjinale për portretin e Enver Hoxhës dhe të atyre që kanë shënjuar epoka të tëra. Prirja për t’i paraqitur ata si gjysmë përbindësha apo si gjysmë perëndi, nuk e kënaq Nanon. Dhe ai tregon anekdotën e Da Vinçit për muralen e famshme «Darka e fundit», për modelin që zgjodhi për Jezusin dhe për kërkimin që bëri për të gjetur një të tillë për Judën, dhe kur mendoi se e gjeti, ai nuk ishte tjetër por djaloshi i bukur që kishte shërbyer si model për Jezusin, i cili tani ishte shfytyruar nga burgu ku kishte rënë si kriminel i rëndomtë. Si ka mundësi? Jezu Krishti ishte shndërruar në Judë? “Brenda të njëjtit njeri rrinë ngjitur Krishti e apostulli tradhtar.” (f. 175).
Në roman parakalojnë edhe heronjtë e qyteteve të vogla. Ata ishin teknikët e televizorëve dhe shoferët e autobusëve ndërqytetës. Ata kishin në dorë dy përmasa të jetës në provincë : zbavitjen e mjerë dhe lëvizjen, zhvendosjen apo daljen nga rrethi i mbyllur i provincës për në qendër. Edhe këto përmasa ishin të planifikuara e të kushtëzuara. Në opozicion me këtë, qyteti nuk kishte prostitutën vagabonde të këngës së De André-it që ai e kujton të plotë. Ambientimi me ajrin e provincës, zhytja në melankolinë mbytëse të saj i bënte njerëzit që t’i druheshin ndryshimit. Ikja dhe ardhja e studentëve ishin si flladi që përkundte atë jetë të mbytur në nostalgjinë e vetmisë së harruar.
Tani rrëfimi kalon në jetën universitare dhe disa herë ndërthuret me ngjarjet në Ch. Historitë me femra, adulteria, seksi tregohen në mënyrë të shpenguar dhe këtu gjithkush e merr vesh se ajo kohë kishte në fakt një liri seksuale të pamonitoruar. Ndoshta ishte rrjedhim i revolucionit feminist që komunistët kishin ndërmarrë me vrull pas viteve ’60. Lirinë e grave dhe barazinë gjinore Nano e vlerëson dhe e njeh si meritë të komunistëve. Por kjo nuk ndryshonte asgjë në jetën e banorëve, të cilët shpesh e ndienin veten si ushtarët në “Kështjellën e Tartarëve”. Programet e ndaluara si “Electric blue” që mund t’i shihje vetëm atje ku televizori merrte ndonjë stacion të huaj, paraqitnin më mirë ekstazën e mbylljes dhe takimin me kënaqësinë përmes një rruge që nxitte vazhdimisht eksitimin për të panjohurën. Skenat e masturbimit në shtëpinë e njërit prej shokëve duke parë një nga këto programe dhe grisja e një flete nga një libër i Enver Hoxhës për të fshirë spermën, plotësojnë atmosferën surreale të një qyteti të humbur në provincë.
Kreu i tretë ka si hyrje PROCESVERBALIN e ekzekutimit të Gaspër Çurçisë dhe tre të tjerëve në vitin 1985.
Tani rrëfimi merr një rrjedhë tjetër, dhe ai kujton ditën kur ishte në auditor dhe po priste përgjigjen e një kolokiumi dhe aty një shoku i tij vjen e i thotë se Tut Spatharën e përjashtuan nga universiteti sepse është i prekur politikisht. Historia e shokut të tij pasohet nga një imazh tjetër. Një ditë ai sheh për herë të parë të burgosur që punonin në një pallat aty afër. Njerëz që punonin dhe pastaj lidheshin me pranga. Pastaj vdekja e Tomit, teknikut të prekur politikisht dhe vizita në familjen e tij. Fjalimi në varrimin e tij i zbehtë dhe pa kodin e caktuar me këtë rast. Një natë ulur në lulishten e qytetit një nga shokët i tregon një polic. Ishte Mino Shtrigu. Ai punonte si ekzekutues i të dënuarve me vdekje. Ishte xhelati i qytetit. Skenat ndërrohen shpejt dhe nga farmacisti i arrestuar i qytetit kalohet te mësuesi hero. Po vjen rënia e diktaturës dhe rrëfimi përqendrohet mbi një pedagog që është ndryshe, që bëhet si të thuash lajmëtari i ndryshimit. Pastaj përsëri fuksat dhe Nano duket se e gjen nga vjen ky emër. Ndoshta është spiuni i famshëm Klaus Fuchs. Si një kujtim qesharak për një kohë që po e merrte lumi është humbja e teserës së Partisë e një prej njerëzve të afërt të një prej shokëve të tij. Gjetja e saj e lerosur mbyll kapitullin e një kohe që Nano e rrëfen me mjeshtëri. Por nuk mjaftohet me kaq.
Nano ka një kujtesë të jashtëzakonshme, dhe vetëm duke e lexuar librin mund ta shijosh atë. Ai që e tregon këtë roman, ashtu sikundër dhe unë, ju siguron për një gjë të vetme : sinqeritetin në rrëfim dhe artin e bukur, gjuhën e pasur dhe informacionin e madh që ai ka. Me këtë sinqeritet e mbyll ai edhe romanin. Në fund na tregon se kur po ndodhnin ndryshimet edhe ai iu bind trysnisë së punës së qytetit, absurdit apo kushedi çfarë dhe pranoi të bëhej kandidat i PPSH-së, ashtu sikundër në vitin 1991 ndërtoi degën e parë të PD-së në Ch. Këtë anë të dinjitetit të tij ne tashmë e njohim.
Romani është shkruar në vetën e parë dhe duket sikur është një autobiografi. I ngritur i gjithi mbi jetën vetjake të tij dhe mbi mbresat e kujtimet që ai ka, ky libër na shfaq dy personazhe si autorë. Ata janë autori i librit dhe rrëfimtari. Rrëfimtari është një figurë më e plotë dhe më e gjerë se ajo e autorit. Në atë figurë identifikohen një brez i tërë i atyre që kanë jetuar në atë periudhë dhe që kanë ndier absurdin, mbylljen, paradoksin karikaturën dhe gjithçka që ka në jetën e një njeriu të cilit për mirë apo për keq i takoi të jetonte në një nga periudhat më të komplikuara të historisë shqiptare.
(c) 2020, Ilir Yzeiri. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] Paul Ricoeur, Temps et récit, 1. L’Intrigue et le récit historique, Editions du Seuil, Editions Points, 25 bd Romain-Rolland, Paris 14.
[2] Prof. dr. Fatos Tarifa, Parathënie, Hinterlandi i kuq, botimi i tretë, Mustafa Nano, UET Press, Tiranë, nëntor, 2020, f. XII.
[3] Mustafa Nano, Hinterlandi i kuq, Kreu I, nga Robert Kapllan, në librin e tij The End of the Earth (A Journey to the Frontiers of Anarchy), f. 1.