Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

SALIHA

nga Ajkuna Dakli

Alo! Bonjour! Hello! Oui! Yes, Yes! I do speak English! Pardon, Excuse me. Can you spell it for me ? J’ais pas compris tres bien! Excuse me! I did not understand ! Can you repeat please?
Sapo kam hyrë në zyrë. Është herët dhe ftohtë po Salihas në tavolinën përbri i shkojnë djersë. Me anglo – frëngjishten e saj merr e jep në telefon po mesa duket nuk ia del dot sepse pas disa minutash e ul telefonin dhe pëshpërit.
Incroyable!
Kaçurrelat i janë shpupurishur dhe fytyrën e ka me pulla të kuqe nga sikleti. Merr frymë thellë. Pas një çasti telefoni bie prapë dhe Saliha kërcen përpjetë. I bëj shenjë ta transferojë thirrjen në telefonin tim, ulem dhe përgjigjem. Zonja nga ana tjetër me një zë të acaruar më thotë se në telefon i ishte përgjigjur dikush që nuk fliste anglisht, po unë e qetësoj dhe i marr të dhënat . Ul telefonin dhe i bëj shenjë Salihas e cila vjen dhe e merr copën e letrës duke thënë me vete:” Incroyable”!
Saliha ka filluar punë në departamentin tonë para disa muajsh në shërbimin e klientëve. Ka emigruar nga Algjeri dhe kjo është arsyeja që frëngjishtja e saj rrjedh si ujë, e këndshme dhe e lakuar, pa theksin e fortë të frëngjishtes së Quebec-ut.
Thotë se ka studiuar për farmaci, po unë e kam të vështirë ta përfytyroj përparësen e bardhë delikate të farmacistes mbi trupin e shkurtër e shëndoshë në të 50-at, me një palë pantallona të gjëra dhe një bluzë të gjatë mbi to, që djersit vazhdimisht ca nga sikleti i anglishtes që nuk e flet mirë e ca nga të nxehtit e menopauzës.
Trajektorja e ikjes nga atdheu i saj është e gjatë dhe e përkulur. : Algjer- Paris- Montreal dhe tani Toronto sepse këtu më në fund me frëngjishten e saj ka gjetur një punë me të cilën mund të mbajë veten dhe të ndihmojë nënën dhe motrën që jetojnë akoma në Algjer.
Më parë ka punuar në një call centre – frëngjisht vetëm, po tani i duhet të flasë dygjuhësh dhe kjo e sëkëlldis sepse kur je në të 50-at nganjëherë goja me trurin nuk merren vesh mirë, bëhen lëmsh në kokë ato të shkreta fjalë dhe e kupton që po flet gjuhën e gabuar vetëm atëherë kur nga ana tjetër e telit një zë gërvishtës të thotë:
Do you speak English???
Atëherë veshët i japin një sinjal trurit i cili i tërheq frerët gjuhës, Saliha ëmbëlson zërin, qesh pak me zor dhe përgjigjet:
Of course I do!
Në përgjithësi, ia del mbanë sepse nuk ka shumë për të thënë ose për të kuptuar. Po telefoni është tjetër lloj kafshe. Teli i përdredh zanoret si gjarpërushe të vogla, fjalët i vijnë në vesh të shformuara dhe megjithëse ajo zgjat veshët e tendos gjithë muskujt e trupit, nuk e kupton dot se çfarë i thotë zëri në anën tjetër. Dhe ngaqë i vjen turp të pyesë, nganjëherë bën gabime. Dhe kur bën gabime, stilolapsi i vajzës së hollë në kuadratin ngjitur që merr prej saj të dhënat, troket me nervozizëm mbi sipërfaqen e tavolinës.
– Saliha?
– Po, e dashur?
– Ke një gabim!
– Oh, më fal, më vjen shumë keq, duhet ta kem ngatërruar me frëngjishten.
– Mbase nuk e ke ngatërruar me asgjë, thjesht e ke marrë gabim.
– Më fal, më vjen shumë keq.
Vajza ngjitur troket edhe disa herë stilolapsin mbi tavolinën e saj të punës duke mërmëritur diçka nëpër dhëmbë si “Nuk e kuptoj pse i marrin në punë ca njerëz që nuk dinë as gjuhën”.
Vajza tjetër përballë , kjo nuk është e hollë dhe nervoze , është e shëndoshë flokëkuqe dhe e qetë, po që nuk përton të ndërhyjë në çdo rast kur i duket se preken interesat e kompanisë – sepse me kështu fiton edhe besimin e drejtorit – thotë:
– Nuk e kuptoj pse dikush nuk ankohet te drejtori.
Zakonisht mundohem të mos flas po në këtë rast nuk e mbaj dot gjuhën lidhur dhe kthej kokën:
– Kini pak durim, – them – ajo nuk ka shumë kohë që ka filluar.
– Duhet të kishte mësuar deri tani – përgjigjet vajza e hollë . Ne të tjerave kaq kohë na u desh për të mësuar.
– Njeriu nuk mëson dot aq shpejt kur është në moshë të madhe – them.
– Nuk e kuptoj pse ti mban anën e saj, – përgjigjet flokëkuqja
– Për ju kjo nuk eshte vesçe një punë, – përgjigjem. – Ju do rrini disa muaj ndoshta e do gjeni diçka më të mirë. Për të është jeta. Ajo nuk do ta ketë të lehtë gjejë një punë tjetër nëse e humb këtë.
– Kjo nuk do të thotë që duhet ta ushqejmë me lugë. Ajo paguhet si gjithë të tjerët.
Kthehem dhe vazhdoj punën. Vështirë t’ua shpjegoj se çdo të thotë të kesh ardhur në këtë botë diku tjetër, në një vend me mure të larta guri po me diell, ku nëna jote të ka përkëdhelur e të ka kënduar në një gjuhë tjetër, të butë e të lakueshme, fjalët e së cilës i ke thithur bashkë me pikat e qumështit të saj, t’i kesh mbushur sytë me tjetër qiell e pastaj të kesh vendosur të ndjekësh një ëndërr si një fëmijë naiv një balonë që fluturon, fillin e së cilës kujton se e do ta mbajë gjithë jetën shtrënguar fort në grusht.
Dhe një ditë kur je në të 50-at të gjendesh papritur e zhytur kokë e këmbë në një tjetër botë, në një vend të ftohtë, që flet një gjuhë të huaj ku përpëlitesh si e mbërthyer në një ëndërr nga e cila nuk mund të zgjohesh dot.

Vajza e hollë përplas përsëri stilolapsin me nervozizëm. Është pasdite afër orës katër. Saliha po këndon nëpër dhëmbë. Zëri i saj është i ulët, por një gjurmë tingulli e përshkon prapëseprapë ndarësen e xhamit dhe arrin veshët e tjetrës në tavolinën ngjitur.
– Saliha?
Yes dear?
– Të lutem mos këndo . Më shpërqendron!
– Oh , më fal, më fal. – Saliha pushon.
Kjo nuk ndodh shumë shpesh, po kur ndodh Saliha skuqet dhe në fytyrë i vijnë avuj të nxehtë. Gjithsesi ajo e ruan qetësinë. Buzëqesh, merr frymë thellë dhe vazhdon punën pa folur. Kaçurrelat gjysmë të thinjura i janë shpupuritur nga ventilatori i vogël mbi tavolinë që zhurmon në mënyrë monotone.
Ora sapo ka kaluar katrën kur në ekran shfaqet një mesazh nga drejtori: “Të lutem paraqitu në zyrën time”.

Ai është një burrë i ashpër- pak a shumë në moshën e saj, të cilit nuk i dridhet dora të marrë vendime kur është fjala për të mbrojtur interesat e kompanisë dhe karrierën e tij. Ajo ka parë njerëz të dalin nga ajo zyrë me fytyrë të skuqur, të mbledhin sendet personale me një mbikëqyrës nga burimet njerëzore mbi kokë e të largohen. Më pas ka marrë e-mailin e radhës. “ XY. Nuk është më i punësuar në kompaninë tonë. I urojmë suksese në të ardhmen.”
Vret mendjen të kujtojë se çfarë gabimi ka bërë kësaj radhe. I duket se ka pasur disa ditë të qeta, po pastaj i vjen ndërmend se një ditë më parë e kishin kapur prapë me një gabim drejtshkrimi në të dhënat që regjistroi në sistem.
Çohet dhe duke iu dridhur gjunjët hyn në zyrën e tij.
– Saliha. – fillon të flasë drejtori.
– Po John!
– Ti e di se këtu kemi standarde të larta të shërbimit që nuk lejojnë më shumë se 2% gabime në të dhënat.
– Po John.
– Ti e di për çfarë e kam fjalën
– Po John. Më vjen keq – Saliha nuk flet dot asnjë fjalë më tepër . I dridhen gjunjët.
– Saliha – Vazhdon drejtori. – Duket qartë që anglishtja jote nuk është në nivelin e duhur – hesht një hop. – Kam pasur ankesa dhe nga specialistet që i marrin të dhënat prej teje. – Salihas i dridhen gjunjët më tepër.
– Po unë e di – vazhdon ai – sa e rëndësishme është kjo punë për ty. Do të të jap edhe një shans. Do të mbulosh telefonatat e Quebec-ut . Ata flasin të gjithë frëngjisht dhe shpresoj që kjo do të ndihmojë.
– Të faleminderit John. – belbëzon Saliha – Të faleminderit shumë. E çmoj shumë këtë që po bën për mua.
– Shko tani dhe kij kujdes.
Bien Sure John, pardon, Excuse moi, Excuse me, Of course !
Saliha largohet dhe shkon drejt tryezës së punës po nuk ulet. Qëndron një çast në këmbë. Kokat e dy vajzave zgjaten kureshtare dhe ato i hedhin njëra-tjetrës një vështrim pyetës duke përmbajtur një buzëqeshje.
Saliha ecën drejt derës , përshkon korridorin dhe shkon në banjë. Lan fytyrën që të largojë lotët dhe djersën ndërkohë që me vete në gjuhën e saj pëshpërit një falënderim për Zotin ose mëmën natyrë, a këdo ATJE LART që, atë pikë të vetme mirësie që gjendej në zemrën e njeriut të ashpër që kishin drejtor, e kishte derdhur pikërisht për atë, Salihan.

(c) 2020, Ajkuna Dakli. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin