Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Letërsi

JETË MIRDITORE

Shënime për romanin « Lule » të Fabian Barkatës

nga Ilir Yzeiri

Është një nga ato vepra që jo vetëm lexohet me një frymë, por të sjell me vete edhe një mal me dilema, me pyetje dhe me dëshirën që jo vetëm ta rrëfesh si histori, por edhe ta interpretosh, ta bësh objekt debati. Më tej, ti ke përpara edhe një tekst që ka të mbërthyer si në kryq ngjarjet e vërteta, kodet e sjelljes, ligjet e pashkruara me trillimin në Malësinë e Mirditës, institucionet që mbajnë të kryqëzuar jetën mbi një shkëmb, dhe, më e rëndësishmja, në këtë tekst mund të shohësh qartë se si krishtërimi jo vetëm që nuk e kishte mundur kodin e ashpër dhe kanunin strikt që rregullonte jetën e atyre malësorëve, por, në disa raste, edhe kishte falimentuar përballë violencës së përgjakshme të zbatimit të tij në jetën e atyre njerëzve.

Kush është Fabian Barkata dhe çfarë është kjo vepër me emrin « Lule »

Në vitin 2001, shtëpia botuese « Mirdita » riboton librin « Lule »[1] dhe emrin e autorit, me gjasë, nuk e ka shkruar korrekt sepse në origjinal mbiemri është shkruar Barcatta[2] me dy « t », në versionin shqip është shkruar Barcata me një « t ». Në fakt, do të duhej që edhe « c »-ja të shkruhej « k » dhe në këtë mënyrë do ta kishim të saktë shqiptimin e mbiemrit të tij – Barkata. Kështu do ta përdor edhe unë në vijim, pra, Fabian Barkata, në mënyrë që gjithë ata që e ndeshin ose do të duan ta ndeshin këtë autor, të kujtohen që ai quhet Fabian Barkata.

Titulli i librit është « Lule » dhe poshtë tij, si nëntitull është shënuar: Ligje dhe zakone të vjetra në malet shqiptare, përkthyer prej gjermanishtes nga prof. Karl Gurakuqi. Që këtu, informacioni na shtyn prapa në kohë dhe na duhet të saktësojmë se, si shumë të tjera, për një arsye të pakuptimtë, edhe kjo vepër nuk ka qarkulluar në mjedisin kulturor shqiptar të pasçlirimit. Ndoshta prej emrit të Karl Gurakuqit? Ka mundësi. Mirëpo, pikërisht me emrin e këtij gjuhëtari të shquar të periudhës së pavarësisë lidhet edhe prania në shqip e kësaj vepre. Me këto paradokse të gjallimit të letërsisë shqiptare në mjedisin kulturor jemi mësuar tashmë.

Pas kësaj paraqitjeje, librin e prin një « Parathënie » (e botimit shqiptar «Lule» të Fabian Barkatës), e cila është shkruar tash vonë, pra, me rastin e ribotimit të tij në vitin 2001, dhe ka si autor Padër Wolfgang Heiss, provincial i Kishës françeskane të Insbrukut, i cili e ka nënshkruar këtë parathënie, përveç emrit, edhe me datën e vendndodhjen, Innsbruck, 1 janar 2001. Aty mësojmë në fillim për urdhrin françeskan, që, siç dihet, u themelua në gjysmën e parë të shek. XIII në Shqipëri. Pastaj ai tregon se Provinca e Tirolit ka një marrëdhënie shumë të mirë me Shqipërinë dhe vijon më tej me një përshkrim të shpejtë të këtij urdhri në vendin tonë, derisa tregon për autorin e librit që po analizojmë.

Fabian Barkata erdhi në Shqipëri dy herë, në fillim nga viti 1895 deri më 1897 dhe herën e dytë nga viti 1899 deri më 1907 nga provinca françeskane e Tirolit, thotë ai. E kishte shumë për zemër këtë vend dhe bashkëkohësit kujtojnë se ai fliste gjithë pasion për ata njerëz e atë vend. Përveç këtij romani, ai shkroi edhe një ditar për jetën e atyre banorëve, i cili është përkthyer edhe në shqip[3] dhe, si romani « Lule », gjithë nën kujdesin e shtëpisë botuese « Mirdita ».

Ashtu si misionarët e tjerë në zonat katolike të Veriut, edhe Barkata u shndërrua në mjek, në agronom e në psikolog dhe ndihmoi mesa mundi në kurimin e sëmundjeve, në kultivimin e tokës dhe në pastrimin e mjedisit nga fryma e fantazmave e besëtytnive dhe magjive. Por, në vitin 1907, pasi kishte kohë që edhe ai ishte prekur nga malarja, u detyrua të kthehej në Austri. Aty ai botoi në vitin 1929 romanin « Rose » Vätersatzung und Väterbrauch in den albanischen Bergen. Eine wahre Geschichte aus Albaniens jüngster Vergangenheit. Romani u botua në gjermanisht dhe në çekisht, pastaj edhe në Kroaci dhe në pesë gjuhë të tjera. Në vitin 1930 ai u botua edhe në shqip i përkthyer, siç e përmenda, prej Karl Gurakuqit.

Mirëpo, duke shfletuar faqe në internet për të mësuar më shumë për këtë autor, mësova nga Albanina Catholic Bulletin Gleeson Library digital Collections Universitetit San Francisko,[4] se Fabian Barkata ka shkruar në gjermanisht disa novela nga jeta shqiptare, të cilat janë përkthyer në shqip dhe në kroatisht, si « Kumbona e thyeme » (Broken Bell), « Gjaku i falun » (Perdoned Blood) dhe « Lule » (Rose) e cila u përkthye fillimisht në shqip më 1930 dhe në kroatisht 1939.

Shihet se kemi të bëjmë jo thjesht me një misionar të përkushtuar, por me një personalitet të kulturës, i cili, siç do ta shohim më poshtë kur të analizojmë librin e tij, shfaqet edhe si një shkrimtar i dorës së parë.

Për biografinë e tij ka rëndësi të përmendet, gjithashtu, se pas kthimit në Austri, ai u bë kapelan ushtarak në vitin 1915 dhe u ngarkua me ndërtimin e Varrezave austro-hungareze të qytetit të vogël Bondo që mban aty eshtrat e 698 ushtarëve të perandorisë austro-hungareze. Vdiq në Tirol në vitin 1954.

Në fund është edhe shënimi i përkthyesit, prof. Karl Gurakuqit[5] i marrë nga botimi i parë i vitit 1930. Mes të tjerash, ai thotë:

« Shkrimtari Fabian Barkata ka jetue nji kohë të gjatë në mes tonë, në malet shqiptare; ka shetitë vendin pllambë për pllambë; ka studjue me kujdes të madh zakonet dhe ligjet me të cilat sundohen malsitë e Shqipnisë së Veriut; ka nxanë edhe gjuhën shqipe, për me mujtë me i hy në shpirt Shqyptarit. Prandaj libri « Lule », i botuem në Muenchen, në vjetin 1924, asht prodhimi i nji studimi të thellë dhe të matun; ka paraqitë me ngjyra të gjalla realitetin e botës shqiptare të maleve, pa shtue e pa mungue kurrgja; i drejtë në gjykime, i pa anshëm në përshkrime, ashtu si ç’i ka hije nji gjurmuesi të kujdesshëm dhe me seriozitet » (« Lule », f. 279).

Pas këtij shënimi, krejt në fund është edhe një vështrim mbi zakonet dhe doket në Malësinë e Mirditës, nga Prof. Mark Tirta[6], por ai vështrim është i dobët e skematik dhe duke ndjekur traditën e albanologjisë glorifikuese, sheh vetëm dekorin e jashtëm të teatrit ku vendos ngjarjen autori e nuk prek asnjë çështje thelbësore të kuptimit dhe ndërtimit të jetës në këtë hapësirë.

 

Një tragjedi dashurie – një botë primitive e barbare

Më shumë se një roman për zakonet dhe ligjet e jetës së shqiptarëve në Malësinë e Mirditës, por edhe më gjerë, kjo është një vepër që sillet rreth fatit dhe kuptimit të vendit dhe hapësirës që zë femra në këtë areal. Injac Zamputi, në një studim të tijin mbi pozitën shoqërore të gruas suipas kanunit,[7] ka marrë në vështrim edhe disa qëmtime që kanë bërë mbi këtë argument klerikë të huaj që kanë punuar në ato zona që janë përqendruar, sidomos, mbi dukurinë e « virgjëreshave ». Ndërsa rregullimi i pozitës së gruas me nene të posaçme në Kanunin shqiptar është tashmë një gjë e njohur. Fabian Barkata ecën në këtë shteg dhe ka vendosur ta shpërthejë portën e rëndë dhe hermetike që ruan kodet vrastare dhe barbare në disa raste duke vënë në qendër një femër, duke rrëfyer një histori dashurie që edhe në kohët moderne do të ishte tronditëse.

Libri është ndarë në 27 nënlibra ose edhe nënkapituj. Secili/a prej tyre ka një emër që shenjon edhe toposin e asaj pjese. Rubiku, vizaton vendin ku do të zhvillohet ngjarja. Romani hapet me përshkrimin e një dite gjuetije ndaj skifterit që po ha pulat e fshatit dhe, si për të na futur në atmosferën e përgjithshme të romanit, fjalia e parë është kjo:

« Nji e shtime pushke-mbas pak nji krrakitje degësh-dhe menjiherë del prej pyllit nji djalosh…hedh përpara kambëve të atij me të cilin foli nji skifter… » (f.29).

Janë shërbëtori i kishës dhe prifti i ri. Por autori nxiton të na paraqesë që në fillim At Anastazin, priftin e vjetër të kishës së Rubikut, te i cili, më vonë, ne do të shohim alteregon e autorit që shkrihet ndonjëherë edhe me At Mauricin e ri. Të dy ata po kthehen në kishë dhe autori bën një përshkrim për kishën e Rubikut, e cila të gjithëve na mahnit me pozicionin e saj madhështor dhe hapësirën e veçantë në të cilën shtrihet:

« Shkrepi i Rubikut asht shumë i madh dhe duket si t’ishte vendue prej ndonji vigani në nji nga luginat ma të bukurat e botës. Kjo dorë vigani, duket si ta kishte sheshue ma parë vendin dhe si t’i kishte largue malet penguese njeni nga tjetri, tue përbamë në këtë mënyrë nji luginë të vogël me nji kunorë malesh rreth e për qark. Në mes të kësaj lugine ngrihet shkrepi kolosal në vetmi, me nji pamje të madhnueshme. » (f. 31)

I gjendur nën trysninë e refleksionit dhe për të përcaktuar krahas tonit të përgjithshëm që, siç e pamë në fillim, do të jetë ajo që përcaktohet nga « nji e shtime pushke… », autori, fill pas kësaj, na njeh me banorët e kësaj treve, jetën e të cilëve do të na e rrëfejë në këtë libër. Ky është një konstatim patetik që nxitet nga kulti i besimit naiv dhe primitiv, nga ideja e jetës së palëvizshme. Ky vend në të cilin banorët ndodhen në stadin primitiv dhe që nuk janë prekur nga zhvillimi modern, që jetojnë në një mjerim të skajshëm, por besojnë dhe adhurojnë pa asnjë mëdyshje të madhin Zot, i duket autorit si ëndrra në tokë e modelit kristian të jetës. At Anastazi, në bisedat pas darke me meshtarin e ri, At Mauricin, shpesh përndizej e shpërthente:

« Këtu, këtu, në Shqipni, duhet të vijnë të gjithë edukuesit tuej të popullit, tue fillue prej profesorëve t’universiteteve, që nuk shofin përtej hundës së vet, deri te klasët krenare të mësuesve, të cilët zanë vendet në shkollat popullore me dam të njerzimit; këtu po, në Shqypni, të vijnë demagogët dhe lumtëniprusit tuej, të gjithë anarkistët e vendeve tuaja, komunistët dhe socialistët, zejtarët e puntorët tuej, qytetarët e katundarët, të gjithë elementet e pakënaqun, të mdhajt edhe të vogjlit. Këtu, po, pranë këtij populli të thjeshtë e të paprishun, te këta njerëz, që ata i quejnë gjysmë barbarë, duhet të vijnë në shkollë e të nxanë, se si në vobegësi, në thjeshtsi andjesh, në shpresë te i madhi Perendi, e ka rrajën lumtunia e çdo njeriu, veçanërisht dhe gëzimi e mirërrojtja e popujve përgjithësisht. Këtu në Shqipni, do të gjejshin të gjithë shkollën e naltë të vërtetë të jetës » (f.35).

Ky përcaktim i autorit duket se është pjesë e një teksti tjetër që nuk ka shumë lidhje me romanin. Është më shumë variant i një klisheje që rrjedh nga narrativa e raportit të krishtërimit me popujt. Sa më të virgjër të jenë ata, aq më i fortë është besimi. Ngjan kështu ky përcaktim sepse gjithë rrëfimi i mëtejmë e rrëzon atë.

Mjafton të ndjekim kapitullin apo librin e dytë, atë me titull « Shtëpia e Dodës », për të kuptuar se ky popull i «mbytur» në këto virtyte, jeton në një varfëri të patreguar dhe i rrethuar me një padije të thellë. Doda e kërkon priftin sepse ka ditë që lëngon në shtrat i sëmurë dhe është bindur se do të vdesë. E kërkon që t’i rrëfehet dhe të lyhet me vajin e sakramentit. Mirëpo, prifti, me të mbërritur aty, e sheh se ai kishte vetëm një sëmundje të zakonshme barku dhe i jep një ilaç e Doda ngrihet në këmbë. Duket se ky fragment parapërgatit lexuesin për fabulën e mëtejme. Në këtë pjesë të romanit, pra në shtëpinë e Dodës, autori shkon edhe me një qëllim tjetër. Ai do të na rrëfejë Lulen, heroinën e tij:

« At Maurici kur e pa, iu duk nji bukuri e jashtëzakonshme dhe gati-gati sa s’qe tuj përkul trupin në shej nderimi.

Vajza kishte në shtat nji petk të gjatë, të bardhë si bora, në trajtë të nji këmishe, të mbyllun shtrëngueshëm në fyt; kjo veshje i mrrinte deri të kambët, në rrudha të buta, të palueme valë-valë.

Në mes, petku ishte  shtrëngue me nji rrip të ngushtë e të kuq, me thekë të varun, edhe këta të kuq; kambët e vogla të vajzës ishin të mbathuna me nji palë opinga të hijshme, të punueme për bukuri, e të përputhuna shtrëngueshëm për masë të kambëve. Mbi qafën e hollë ngrihej nji krye i hajthëm dhe i bukur i nji Zoje të Murillo-s.[8] Qerpikët e gjatë të saj përpiqeshin njeni me tjetrin si nji tis i hollë mbi beben e syve të zez si thëngjilli. Flokët e saj, me ngjyrë të zezë, derdheshin në dy bishtaleca të shkëlqyeshëm reth e rreth kres si kunorë. Në ta ishte kapërcye nji facoletë me ngjyra të ndryshme, e cila, tue ra në teposhtë, mbulonte qafën dhe shpatullat e vajzës. Si stoli e vetme, i varej prej qafe në krahnuer nji varg i hollë argjenti, në të cilën ishin të bashkueme disa pare të mëdhaja t’argjenta ». (f. 43-44)

Ky portret riprodhon me besnikëri imazhin e përbashkët që kemi ne për femrën e Mirditës, të ngulitur sidomos te veshja, por edhe te portreti. Pas kësaj, ashtu si në një tragjedi që do të mbyllet në fund me vdekjen, autori nis e ndërton arkitekturën e marrëdhënieve të personazheve duke bërë kujdes që t’i përbashkojë ato sipas parimit të njohur të kundërvënies së kodit kanunor si dhe duke letrarizuar disa anë të marrëdhënieve të familjes së kësaj treve që rëndom karakterizohet nga kulti i babait, por edhe i vëllait. Ndërsa marrëdhënia vëlla-motër që në narrativën e Veriut është modeluar si një marrëdhënie që i kapërcen të gjitha llojet e emocioneve të gjakut në kuptimin që është më e thella, edhe këtu paraqitet me një rrëfim që të kujton stereotipitë e njohura të folklorit dhe të baladave tona që nga Kostandini e Doruntina, Gjergj Elez Alia dhe e motra që i rrin te kryet e deri të motra e Halil Garrisë që, për vëllain, vret burrin dhe ther djalin. Këtu, Marku, vëllai i Lules dhe Lula paraqiten në një lidhje të tillë që të kujton pikërisht këtë arketipi. Vetëm se, në ndryshim nga koha legjendare, këtu ngjarjet kanë një peshë tjetër historike dhe vendi i heroit ka ndryshuar. Nuk është më Gjergj Elez Alia që ka nevojë për kujdesin dhe dashurinë e motrës, nuk është Halil Garria që tradhtohet nga kunati, nga burri i motrës, është vetë Lula që kryen aksionin. Pra, nga pikëpamja e kohës së rrëfimit, gjendemi në atë fazë të zhvillimit të shoqërisë kur në jetën e malësorëve të Veriut kanë hyrë marrëdhënie të reja. Lula, me veprimin e saj, do të vërë në provë ligjin, zakonet, traditat, mitet, raportin e kishës me Institucionet e Malësisë, përkatësisht me bajraktarin apo me krerët e fiseve. Dhe etosi i ri me të cilin ballafaqohen këta malësorë, është nderi.

 

Një variant shqiptar i « Romeo e Zhuljetës »

Autori ka ndërtuar me të vërtetë një konflikt tragjik që, në shumë anë, të kujton një variant shqiptar të Romeo e Zhuljetës së Shekspirit. Lula është vajza e Dodës, motra e Markut dhe Ndojit të vogël që ka një peshë të caktuar në rrëfim. Në anën tjetër është Pal Gjoka, djali i Gjokë Markut. Diku në mes të romanit shfaqet edhe Bora, një personazh i jashtëzakonshëm, e cila, nga një femër me bukuri të mahnitshme kthehet në shtrigë në rrethanat kur në mënyrë barbare u braktis nga të gjithë dhe për këtë ishte trasnformuar në një shpirt të keq e të zi. Pastaj janë fshatarët e Kryezezit që paraqiten si të topitur nga pesha e mjerimit dhe fëmijët e tyre që, më shumë pa ngrënë se të ngrënë, e shkojnë jetën duke ruajtur bagëtinë. Jeta e këtyre banorëve ka një qendër dhe të gjithë identifikohen aty: është Kisha e Rubikut në të cilën shërben At Anastazi dhe prifti i ri, At Maurici. Asgjë nuk do të ndodhte në këtë vend në qoftë se një ditë në fshat nuk do të ishte kthyer Pal Gjoka, i biri i Gjokë Markut. Autori na tregon se Gjokë Marku ishte një prej banditëve të zonës. Nga pikëpamja antropologjike, ky tip që rrëfen autori këtu, shenjon një model të njohur në strukturën sociale të shqiptarëve. Ai është mishërimi i forcës që ka si kuptim të jetës grabitjen dhe vrasjen, por jo si heronjtë e betejava legjendare apo të Mesjetës, por si kriminelë të rrezikshëm që dhunonin më të pambrojturin në mungesë të shtetit.

Siç thashë, romani ka pamjen, por edhe strukturën e një tragjedie epike. Nis me paraqitjen e vendit dhe institucioneve që e lidhin këtë vend me kohën historike dhe më traditën, pastaj një përshkrim i formave të jetës dhe personazhet. U njohëm me Lulën, të atin, Dodën dhe të vëllain, Markun. Këta, sipas autorit, janë ana e së mirës dhe, në anën tjetër, është Pali, përfaqësues i së keqes, djali i një prindi që kishte shkatërruar më forcë paqen e atij vendi duke shkallmuar rendin dhe hierarkinë. Me një grup banditësh, ai e kishte kthyer shtëpinë e tij në një vend zbavitjeje dhe argëtimi të shfrenuar. Pasurinë e kishte shkrirë me darka e haje dhe me një grup cubash e kishin ndërtuar jetën duke vjedhur e grabitur banorët e zonës dhe më gjerë sipas një grafiku tragjik. Ka një fragment në roman kur bajraktari i ishte ankuar At Anastazit për Mark Gjokën, që kishte sfiduar të gjitha institucionet, por edhe Kisha nuk e kishte ndalur dot atë bandit derisa një ditë, ashtu siç ndodh shpesh edhe sot konflikti mes bandave, Mark Gjokën e vrasin të vetët dhe, pastaj, fshati i djeg shtëpinë dhe e nxjerr familjen e tij jashtë vendit. Pal Gjoka, fëmijë në atë kohë, kishte ikur e ishte endur sa në tregun e Lezhës, sa në Stamboll dhe një ditë të bukur ai shfaqet në fshat.

Hapet fjala se është kthyer Pal Gjoka. At Anastazi lajmëron bajraktarin e ky i çon fjalë që, po, është e vërtetë. Bajraktari shkon vetë ta takojë dhe këtu dialogu është vërtet si mes heronjve të një kohe të largët:

« Ç’don ti në Kryezez ? Ç’kërkon ti në trollin dhe në tokën prej së cilës kanuni i vendit të ka dëbue? »

Djaloshi, në vend të përgjigjes, kishte thithë cigaren që kishte në gojë; nuk ishte nxemë as ftofë, vetëm sytë i kishin xixllue aty për aty. Pastaj me nji za të ftoftë i kishte thanë:

« Gegë Marku, a thue kjo asht përshëndetja e fisit për nji qi kthen në vend të vet? Edhe unë e di kanunin. S’ka ligjë që të më pengojë me banue në trollin dhe në tokën e t’parve të mij. –Ju flitni për ligje e drejtsi, por pse nuk e patët zbatue këtë ligjë për babën tem, kur ai ishte i rrethue prej shokve të vet?- Atë e keni pas frikë të gjithë; i keni hangër bukën, i keni pi rakinë. I biri i tij kishte mujtë me ndejë në vend të vet si shërbëtuer, por si njeri të lirë nuk doni me e pasë afër vetit; – unë pra, o Gegë Marku, do të rri; po do të rrij derisa të më pëlqejë mue e jo ju! »

Bajraktari ia kishte pas lajmue At Anastazit nji nga nji të gjitha fjalët e Pal Gjokës.

Famullitari plak kishte pas luejtë kryet dhe kishte pëshpëritë me vete: « I ati në vend! » dhe kishte tretë në mendime. » (f. 54-55).

Në këtë fragment është me vend të prekim një ide që shfaqet aty: marrëdhënia e institucioneve sociale me banorët e tyre. Pal Gjoka i kujton bajraktarit se institucioni që ai përfaqëson, sa i takon ligjit dhe drejtësisë, është i korruptuar. Ata mund ta kishin shpëtuar të atin e tij, por patën përfituar. Pal Gjoka shfaqet kështu edhe si një zë ndryshe në atë areal që beson më shumë te liria dhe që sfidon autoritetin.

Në bisedat e At Anastazit me At Mauricin rrëfehet vlera e ngrirë e virtuteve dhe natyrës së banorëve, pastaj jeta e qetë dhe pa asnjë shenjë veç punës pa duk dhe skamjes.

Kanë kaluar gjashtë muaj, thotë autori dhe vjen muaji qershor. Më datën 13 të atij muaji është festa e Shën Ndojit dhe autori e vizaton me nota të gjalla këtë festë që është shenjuar qysh në mëngjes nga kumbonat dhe thirrjet me zë aty ku tingulli i saj nuk arrin. Të gjithë po drejtohen  në sheshin e kishës ku do të jepet mesha e madhe. Është një tablo festive dhe e denjë për t’u vendosur në çdo cep të Perëndimit të krishterë. Pas meshës vjen dreka dhe pas drekës nisin lojërat dhe argëtimet, të cilat kanë tërhequr edhe vëmendjen e Tirtës, siç e përmenda në fillim (shih faqe 304 -305). Ndërsa autori e përdor këtë skenë për ta çuar veprimin në kulm. Pasi përshkruan lojërat e burrave e ndonjë tjetër, ai na paraqet me një interes të veçantë vallen. Dhe vëren se burra e gra kërcejnë bashkë në valle, në një vend tjetër thuren vjersha e gërgiten njëri me tjetrin me vargje (kujtoni bejtet e famshme të Shkodrës). Dhe kulmi arrin kur gjindja kërkon vallen e pëllumbeshës dhe skifterit. Të gjithë duan që këtë valle ta kërcejë Lula sepse ajo, siç thotë autori, është kërcimtarja më e mirë e fisit, dmth e gjithë atyre vendeve:

« Ishte nji pamje e mahnitshme, nji bukuri qi të merrte sytë, tue vu re atë vajzë të re e të hajthme … » (f.85).

Vallja përshkruhet si një vallëzim sensual e gjithë jetë, sa të duket që ke përpara një duet baleti klasik. Djali, që luan rolin e skifterit, dhe imitimi i lëvizjeve të tyre, pra, i pëllumbeshës e skifterit e kanë bërë skenën e atij teatri që t’i ngjajë një baleti magjik ku lëvizjet, ngjyrat, temperamenti që shfaqet aty dhe ritmi të çojnë në skenat moderne të operas e baletit. Në fund, djali dhe vajza përqafohen e puthen në faqe:

« Kërcimtari e kërcimtarja i rrokën dorën shoqi –shoqes dhe u puthën, tue vu faqen mbi faqe » (f.86)

Gjithë këtë skenë e ka parë Pali, i përjashtuari nga ambienti publik për shkak të së kaluarës së tij. Ai ka mbetur i tronditur nga bukuria e Lules dhe aty betohet se ajo do të bëhet e tija. Mirëpo këtu është rasti të hetojmë se hapësira publike, siç shihet, ndahet edhe me femrën dhe ajo nuk është e përjashtuar nga mjedisi që, rëndom, komandohet nga mashkulli. Kjo është një karakteristikë e utopisë në Malësitë kristjane të Veriut sa i takon dekorit të jashtëm apo arkitekturës së jashtme sociale. Siç do ta shikojmë më pas, parimi që organizon më tej marrëdhëniet e femrës me të kundërtin e saj dhe me anëtarët e tjerë të familjes, është nderi. Në fund, gjindja kërkon kërcimin me tagana, me shpata. Autori na ka treguar më parë se Pal Gjoka e ka blerë një tagan dhe atje ku është fshehur, larg syve të popullit që argëtohet, e ka dhe atë në brez. Autori përshkruan me detaje kodin e kësaj ndeshjeje. Loja me armë, thotë autori, u jepte një kënaqësi të veçantë të pranishmëve dhe ata kërkonin edhe dy të tjerë në mënyrë që festa të vazhdonte. Autori do të na përgatisë për nisjen e konfliktit që do të vijë më pas. Nëse Lula ishte më e bukura dhe më e zonja e fisit në valle, vëllai i saj, Marku, është valltari më i mirë i valles me tagana dhe Doda i jep leje të birit që të dalë e ta kërcejë atë valle. Po kush do ta presë, apo kush do të jetë kundërshtari i tij në këtë valle? Heshtje… askush…

« Kur qe del prej nji skute t’afërme nji fytyrë e errët, shpërndan popullin dhe hidhet në shesh. Në rripin e mëndafshët, të cilin e kishte kapërthye shumëfish në trup, mbante nji tagan. Asht djali i cubit të vram, asht Pal Gjoka. » (f. 89) Autori thotë se po të kishte shkrepë ndonjë rrufe në qiell të kthjellët, nuk do të kishte shkaktuar më shumë habi se shfaqja e tij. Turma, thotë autori, do të kishte dashur të bërtiste « jashtë atë qen », por nuk bëzani. Është shumë e çuditshme të vëresh se në kodin e sjelljes së këtyre banorëve nuk ekziston falja dhe mëshira kur vjen në pyetje shkelja e nderit. Djegia e shtëpisë dhe largimi nga fshati i gjithë familjes për shkak të krimit që mund të ketë bërë një nga anëtarët e saj, duket se është në themel edhe të ndëshkimit komunist që persekutonte gjithë familjen në emër të atij që kishte kryer krimin. Pali nuk ka kryer asnjë krim, i ati po. Por, sipas ligjeve të asaj zone, edhe ai duhet të vritet pse është i biri i Markut. Tani autori ka vënë përballë dy përfaqësuesit e kampeve kundërshtare. Marku, vëllai i Lules, përfaqëson fisin, nderin, të mirën, Pali është krimi, gjaku, e keqja, ai që duhet eleminuar. Në mes është Lula. Pra, në një klimë të egër ku zgjidhja vjen vetëm me anë të plumbit, futet një topos i ri – pasioni. Të duket sikur ke mbeturina të imëta të Iliadës, Helena si shkak i luftës mes trojanëve e grekëve. Edhe këtu, Lula do të provokojë një seri vrasjesh dhe derdhje gjaku. Në fund të valles, Pali e mund Markun. Dhe ai nuk do ta gëlltisë këtë turp deri në fund. Lula, po ashtu.

Dhe këtu shfaqet mjeshtëria e Barkatës si shkrimtar. Nëse deri tani stofi i romanit është endur me fijet e marrëdhënieve zakonore të banorëve të asaj krahine që ngjan si një tekst i shkruar më parë dhe pa ndonjë të veçantë, autori tani shtie në punë trillimin.

Dhe enigma është: si do të realizohet lidhja e Pal Gjokës me Lulën?

Është një ditë e zakonshme dimri dhe shiu që si tonalitet rrëfimi e përshkon gjithë veprimin dramatik të romanit, nis të bjerë. Lula niset për në fshatin matanë lumit që të ndihmojë një familje që ka një të sëmurë brenda. Niset dhe sapo ka filluar të bjerë shi. Shkon te ajo familje, mbaron punë dhe duhet të kthehet, por shiu i shtruar nuk ndalon. I duhet të kalojë lumin në vaun e njohur, por aty shtrati është ngritur. Ia merr mendja dhe hyn. Bën të kalojë, por uji i kalon pulpat pastaj mesin, pastaj e merr përpara dhe tashmë nuk mundet, rrjedha e ka përpirë dhe e shtyn larg. Klithmat e saj ushëtojnë, por askush nuk e dëgjon. Në një vend, lumi kalon pranë shtëpisë së Pal Gjokës dhe ai dëgjon si në jerm një zë të mbytur. Ngrihet, drejtohet nga lumi, sheh dhe diku një pikë e bardhë që herë futet e herë del. Nuk mendon më por hidhet dhe me krahët e tij të fuqishëm çan dallgët e ujit e kap atë që po mbytej, e nxjerr dhe ashtu në krahë e çon në shtëpi. I shtyp gjoksin, i bën disa lëvizje derisa ajo nis e përmendet. Por… nuk po u beson syve. Ishte Lula. Gjithë ky episod, megjithëse duket si i ndërtuar enkas nga autori, ka shumë art dhe në rrëfim e rrëmben lexuesin ashtu si lumi që duket se të përpin dhe ty. Të gjitha këto ndodhën në kohën kur Pali, i mbyllur në shtëpi, mendonte vetëm për Lulen dhe betohej se do ta merrte atë me çdo çmim. Kur ja, ajo ishte aty. Në anë tjetër, Marku, i vëllai, po shqetësohej se kaloi shumë kohë dhe koha e keqe, shiu, e Lula që nuk po kthehej. Pali rrinte si i mpirë. Autori e tregon bukur se Pal Gjoka tani ishte nën pushtetin e dashurisë. Ai kurrë nuk kishte dasht një femër, por tani ishte gati që të vinte në zjarr krenarinë e tij dhe gjithçka tjetër. Dhe skena kur ata të dy, në rrethana të çuditshme, ndodhen përballë njëri-tjetrit, është vizatuar jo vetëm me shumë art, por na ndihmon të shohim edhe se si sillen protagonistët tanë me dashurinë. Dhe këtu është me shumë interes të shohim se në kodin zakonor të Malësisë, mashkulli ka të drejtë ta shpallë ndjenjën e tij të dashurisë, femra jo. Dashuria është krim – është çnderim. Siç dihet, në Kanun dhe në përgjithësi në të drejtën zakonore shqiptare në jug e në veri, emocionet e femrës i menaxhon ose babai, ose vëllai. Ajo vetë nuk mund të jetë drejtuesja e emocioneve dhe ndjenjave të dashurisë. Ja edhe këtu dialogu kur Lula përmendet dhe e sheh veten në shtëpinë e Pal Gjokës:

« Lulë ti je te unë! Perëndia më fali ty. Unë të due me gjithë shpirt. Ti do jesh e emja sot, nesër e përgjithmonë, derisa të na ndajë vdekja ».

Këto fjalë dhe ky përbetim dashunije qenë si nji heshtë për zemrën e vajzës së mjerë…

Lula ven dorën e majtë mbi zemër dhe shtrin të djathtën, si të donte me mbajtë larg djaloshin prej vetes.

Zani i saj tingllon me ashpërsi e kreni:

« Kush je ti, që guxon me i folë nji vajze shqiptare kso fjalësh të pandershme! »

« Unë jam ai që natë e ditë mendoj te ti; jam ai që pa ty jeta nuk më duhet kurrgja, që, tue vu jetën në rrezik, të shpëtova prej valve t’egra të Fandit: unë jam Pal Gjoka. »

Vajza qet nji bërtimë të madhe, ma të thekshme se atë që pat qitë n’ujët e lumit. « Qoftë mallkue, gërthet ajo, jeta eme ç’prej kësaj kohe që nji djalosh ma fali përsëri. »

Dhe hidhet jashtë me vrull në natën e errëshme. (f. 102-103)

Dhe, në fakt, këtej e tutje jeta e Lules nuk është më në dorën e saj. Krimi është kryer, ose nga pikëpamja e tragjedisë, konflikti është çelur. Por veprimin në vepër tani nuk e shtyn më lëvizja e emocioneve të vajzës, sepse ajo këtë pasuri, pra ndjenjat e saj, nuk mund t’i shfaqë. Ne nuk e mësojmë dot kurrë nëse Lula e do apo jo Palin. Kjo përmasë e jetës nuk është e lejueshme që të jetohet prej saj. Kjo është premisa që do të ndezë konfliktin dhe do të sjellë gjakun. Ky emocion transferohet te institucione të tjera të fisit dhe ata do ta menaxhojnë atë. Lula kthehet si e marrë në shtëpi dhe të gjithë gëzohen kur e shohin gjallë. Por ajo është e shfytyruar sepse, megjithëse ka shpëtuar nga vdekja, ajo, pa bërë asnjë gjë, e ndien veten se ka kryer krimin më të rëndë: ka dëgjuar nga goja e një djali fjalët më të pandershme për një shqiptare. Në anën tjetër është vëllai, Marku, që e dashuron dhe e adhuron Lulën si motër për virtytet dhe trimërinë që ajo ka. Ai është i bindur se Lula ia ka dalë në këtë kohë të keqe. Është e çuditshme të vësh re se Marku, vëllai i Lules, e do motrën sepse ajo është shëmbëllim i virtyteve që i kanë zakonisht meshkujt. Ai ia çmon edhe bukurinë, por e vlerëson sidomos për aty virtyte që janë forma e ndërtimit të tipit të heroit në atë zonë. Mirëpo Lula e ka thyer këtë kallëp të modelit dhe ajo nuk e ndien veten më të denjë për dashurinë e të vëllait. Në të tilla rrethana, kur veprimi bllokohet, autori e kthen narrativën e tij te teksti historik i raportit të këtyre banorëve me institucionet. Lula vendos t’ia rrëfejë « mëkatin » At Mauricit. Ai, kur kjo e kishte pyetur nëse do ta donte një motër si Lula, i kishte thënë se, po, do të kishte dashur një motër si ajo.

Dhe institucioni i Kishës vihet në provë. Këtu është interesant të vërehet se Kisha Shqiptare e kësaj kohe, ajo që rregullon jetën morale të banorëve, është ende nën një ndikim të dyfishtë. E para, ajo nuk ka fuqi të kundërshtojë ligjin e jetës së këtyre banorëve dhe, e dyta, edhe vetë nuk është emancipuar deri aty që të lejojë ndjenjën e pakontrolluar  të dashurisë nga kufizimet e zakoneve të maleve. Ai e qetëson Lulen dhe i thotë se nuk ka kryer asnjë mëkat. Kurse për ta shpëtuar atë nga kjo dramë vihet në lëvizje që ta zgjidhë këtë konflikt me sa më pak kosto. Ndërkaq përshkrimi i ndjenjës së dashurisë si goditja e shigjetës së Kupidonit, jepet në roman me një intensitet të mahnitshëm. Lula nuk e kupton se çfarë ndodh me të sepse ajo ndjenjë ishte thjesht një impuls që nuk ishte modeluar në një shenjë fjalësore që të kishte të drejtën të qarkullonte në ato anë si shenjuese e ndjenjës së lartë. Dhe ja si ia tregon Lula këtë ndjenjë At Mauricit ndërsa ka shkuar në kishë e po i rrëfen historinë me Palin:

« Ktheva në shtëpi dhe e gjeta Markun ende çuet; po më pritte mue, nuk kishte mujt me fjetë, si ta kishte dijtë se ç’rrezik më kishte gjetë mue. Nuk u nda prej meje derisa shkova me ra. Por gjithë natën nuk mbylla kurrë sy. O zotni, ka qenë nji natë e tmerrshme, si nata e fundit e ferrit. Nuk mendojshe tjetërgja veç Pal Gjokën. Po jo me vullnet temin, porse nuk mujshe me mendue gjasend tjetër, nuk ishte e mundur me e largue sysh dhe me i harrue fjalët e tij! I lutshem Perëndisë por pa dobi. Ai nuk largohej nga unë… Ai më shikonte e unë dridheshem… Ai ka synin e keq, prandaj e di sigurisht se më ka rrenue…

« Më kallxo të drejtën, ashtu si ta thotë shpirti: a e don ti Pal Gjokën, a ke ndoshta ndonji prirje dashunie, sado të vogël për te? »

« Unë me e dashtë atë njeri? Ma mirë me vdekë, po njimijë herë me më mbulue tashti në dhe se me e dashtë atë! » (f. 115-116)

Fill pas kësaj Lula shpjegon arsyet se përse nuk mund ta dojë Pal Gjokën.

« Atë njeri që ka fye Markun tem! Atë të pa fe, të birin e nji cubi të keq, që pushon në tokë të pabekueme; atë që përbuzet prej krejt fisit, atë që më shkaktoi gjithë këtë trazim do ta due unë!?… Përveç babës dhe Ndojit të vogël, nuk kam dasht në jetën time asnji mashkull, pos Markut, vllaut tem! A asht ky mkat? »

Ky tekst sqaron shumë anë të pozicionit dhe të kuptimit që ka femra në Malësinë e Veriut për veten e saj. Ajo që bie në sy në fillim, është se pasioni i dashurisë është i verbër dhe godet gjithkënd. Prifti, që përfaqëson institucionin e lartë të kuptimit kristian të jetës, e pranon dashurinë dhe i kërkona Lules që edhe ajo ta identifikojë nëse ka rënë në dashuri me Pal Gjokën. Mirëpo ajo, jo vetëm që nuk e pranon këtë ndjenjë, por tundimin e saj e quan një gjë të ligë që ka të bëjë me forca të errëta, me djallin që shfaqet me anë të syrit të keq. Dashuria për mashkullin, sipas Lules, është ajo për babain e vëllain. Ajo bën një diferencim me Markun që të lë të kuptosh se mund të jetë një adhurim përtej gjakut, por gjithçka mbetet vetëm në këtë thënie. Dashuria me një mashkull tjetër që nuk përfshihet në kategorinë e familjes, është sakrilegj, është çnderim, është mallkim dhe tragjedi, sipas Lulës. Shihet, gjithashtu, në atë rrëfim se narrativa e fisit dhe ligjet që mbajnë të mbërthyer jetën në atë vend, formësojnë dhe portretin e Lules. Ajo është një projektim i urrejtjes dhe përjashtimit që ka diktuar fisi mbi Palin si djali i një të pafeje. Njerëzit në atë krahinë nuk mund të mendojnë dhe të ndiejnë me mendjen dhe zemrën e tyre. Ata janë kategori të kuptimit të kodeve dhe gjithsecili prej tyre hyn në marrëdhënie me tjetrin ashtu si fjalët që ndërtojnë një tekst, pra të zhveshur nga kuptimi individual apo fillestar, por të ngarkuar me kuptimin që u kanë dhënë të tjerët, ata që janë jashtë tyre.

Pas këtij rrëfimi, At Maurici, gati si në ekstazë, e vështron Lulen si një shejtëneshë. Ky ngazëllim i tij pse ajo nuk ka rënë në dashuri me Pal Gjokën apo që i ndrydh ndjenjat e saj dhe nxitja që i bën ai Lulës që të vazhdojë të dojë Markun, duket pak si anakronizëm dhe e paraqet priftin e ri austriak si një reminishencë të zbehtë të kodeve shqiptare që rregullojnë marrëdhëniet mes një djali e një vajze kur ata nuk janë të një gjaku.

 

Bora – bukuria që u shndërrua në urrejtje dhe përfundoi në shtrigë

Tani në lojën e kësaj tragjedie vetvetiu është thirrur në skenë magjia. Lula nuk e pranon që ka rënë në dashuri. Sipas kuptimit që ka fisi për dashurinë, ajo është një mallkim që vjen prej një force të errët, prej një syri të keq. Dhe këtu, Barkata ka ndërtuar një personazh të jashtëzakonshëm që, sipas besimit të përgjithshëm, ka një fuqi mbitokësore. Ajo të bën magji. Por, me qenë se magjitë e saj, më së shumti kishin qenë nxitje për veprime që kishin shkaktuar fatkeqësi në atë fshat, ajo thirrej « Shtriga ». Emrin e kishte Bora, por është e çuditshme, thotë autori, se si këtij emri të bardhë i ishte ngjit një shpirt aq i zi që kishte mbjellë sa e sa vaje në atë zonë. Sot ajo ishte një plakë shtrigë që jetonte në një mulli të vjetër me një ujk që ajo e kishte zbutur që kur kishte qenë i vogël. Mirëpo, Bora dikur kishte qenë shumë e bukur. Ajo ishte nga një fshat aty afër, nga Bulgëri, dhe dikur kishte qenë bijë në Lurë. Një ditë, Bibë Prendi, një njeri i egër, cub, pasi i vdes e shoqja, i shkon në shtëpi, i vret dy vëllezërit dhe babën dhe e merr për grua. E sjell në Kryezez, i ndërron fenë dhe martohet me të. Pas pak kohe, një xhaxha i saj i del në pritë Bibë Prendit dhe e vret. E mbetur e ve, Bora kthehet te shtëpia e saj në Lurë, por vëllai e nxjerr jashtë se kishte ndërruar fe. Në Bulgër, vëllai i Bibës nuk e qas se ishte e një feje tjetër dhe ajo mbetet rrugëve. Ky makabritet ndaj një femre, ky misogjinizëm dhe kjo urrejtje dhe mungesë mëshire për një të pambrojtur që është viktimë e një kodi të egër, tregon një nga anët më të errëta të traditës shqiptare. Është një monstruozitet që ka vend vetëm në rrëfimet tona dhe është pjellë e një mendësie barbare. Kishin dashur ta vrisnin me gurë dhe e kishin hedhur në një përrua duke e ditur të vdekur, por aty, një ujk i vogël i kishte lëpirë plagët dhe e kishte shpëtuar. Pasi ishte përmendur, ajo bashkë me ujkun ishin strehuar në një mulli të braktisur e të vjetër dhe aty ajo ishte betuar të hakmerrej ndaj gjithë atyre që i kishin bërë atë gjëmë. I kishte dalë nami se të gjitha tragjeditë në fshat dhe të gjitha vdekjet kishin mërinë e saj. Ishin të bindur, po ashtu, se ajo mund të ndryshonte sjelljen dhe fatin e gjithkujt. Edhe Pal Gjoka shkon te ajo dhe i kërkon që t’i bëjë magji Lules e Lula të kthejë e ta dashurojë Palin. Bora e dëgjon dhe i thotë: Po, do ta bëj unë të vijë në shtëpinë tënde. Një ditë del nga vendi ku rrinte e i shkon Lules në pyll, aty ku ajo kishte shkuar të bënte dru. Bora doli nga mulliri i vjetër dhe u nis te Lula, thotë autori.

« Kur qe, furshulloi diçka aty pari. Ajo e ngrejti kryet, por ç’ka me pa? Shtriga e mullinit të vjetër, bashkë me ujkun i dolën përpara.

« Kukuu » këlthiti Lula dhe e tmerrueme përplasi duert. Donte me ikë po kambët s’i punojshin. E marrun mendësh nga shikimi i thukshëm i plakës, s’luejti nga ngarkesa e druve.

« O vajzë », i tha plaka, unë kam nji fjalë për ty, nji lajm prej ferrit.

Në këto fjalë dhe sidomos kur përmendi « Ferrin », Lulën e mjerë e kapi nji frikë e madhe dhe tue u dridhë, bani kryq.

Zotnia i em asht ma i fuqishëm se kryqi i yt; urdhni i tij asht ky: asht shkrue ndër libra se ti do të bahesh grueja e Pal Gjokës. Në nji natë t’errëshme ke me dalë nga shtëpia e t’yt eti dhe ke me shkue në shtëpinë e tij. Shpirti i Pal Gjokës do të fluturojë rreth e rreth teje, ti ke me e pa fytyrën e tij në retë e qiellit, në valët e ujit, në zjarrmin e votrës, ditën, natën. Në qoftë se ti nuk e çon urdhnin në vend, atëherë… » – Nuk mujti me folë ma, pse Lulës i ra të fikët dhe u rrëxue prej grumbullit të druve. E gjetën aty njerëz që kaluen andej pari dhe e çuen në shtëpi. (f. 128)

Dhe ashtu ndodh vërtet. Fytyra e Pal Gjokës i del ngado Lules dhe ajo nuk jeton dot më me këtë fiksim. Lula është shfytyruar dhe Marku, që e ka vënë re këtë shndërrim të motrës, i lutet At Muaricit që të sajojë një takim me Lulen si rastësisht në majën e Qafëfikut. Takohen dhe Lula i rrëfen ndodhinë me Shtrigën  dhe i përmend forcën e flalëve të saj dhe kërcënimin me Ferrin. Prifti i kundërvihet dhe i thotë që ti je besimtare dhe duhet të më bësosh mua se unë përfaqësoj Zotin këtu. Duket se është një luftë mes pasionit dhe arsyes. Pasioni i ndaluar është mbështjellë me robën e shqyer të shtrigës dhe do të luhet në ferr. Virtuti, mospërkitja e mishit, arsyeja përfaqësohet nga prifti. Dhe autori ka vendosur t’i përplasë të dyja këto institucione. At Maurici vendos të takojë shtrigën dhe t’i bëjë thirrje që të heqë dorë nga magjia kundër Lules. Takimi i tyre në mullirin e vjetër është si përplasja e dy mendësive që nuk të lënë të kesh anësi në asnjërën palë. Cinizmi i At Mauricit përballë tragjedisë së Borës, nga njëra anë, dhe urrejtja e saj ndaj gjithë fisit që e kishte braktisur në mënyrën më kriminale nuk nxjerrin asnjë të fituar. Këtu ndërfutet një figurë e një prifti popullor që kishte dashur ta ndihmonte Borën, por ajo e kishte refuzuar. Përleshja e At Mauricit me ujkun dhe goditja me grusht e tij në kokë, tragjizmi i një ndeshjeje idesh e bën më të zymtë atmosferën dhe përgatit tragjeditë që do të vijnë më pas.

Lula nuk i shpëton tundimit dhe magjisë dhe përfundon në shtrat të Pal Gjokës. Pas kësaj perdja heroike e fisit është grisur. Lules fillon t’i rritet barku dhe emta e saj, halla, e merr vesh e para. I thotë të vëllait, Dodës, dhe ky shembet në tokë. Por, i mësuar me ligjet e fisit, respekton institucionet. Ngrihet e shkon te bajraktari dhe i tregon dramën. Lula ka mbetë me barrë me Pal Gjokën. Kuvendi i lartë i fshatit, kryeplaku dhe tre drejtues fshatrash e pleqnojnë dhe vendosin që Lula të mbytet me gurë. Të vdesë. Doda, i ati, është liruar nga pesha e turpit dhe kthehet në shtëpi. Autori, si mjeshtër i trillimit, e shpëton aksionin dhe na tregon se një nga dy burrat që ishte caktuar për të ruajtur shtëpinë e Dodës që Lula të mos dilte natën, flet në shtëpi me një shok dhe i tregon se nesër do të mbysin Lulen. E dëgjon halla e tij që bënte sikur po flinte dhe, sapo burrat dalin jashtë për të ikur te shtëpia e Dodës, dalin dhe ato e nisen te prifti. Të duket se kemi disa shkallë gjykimi. Dënimin me vdekje mund ta zhbëjë vetëm Kisha. I tregojnë At Anastazit çfarë kanë dëgjuar dhe i thonë se Lula do të vritet nesër, Ai, i alarmuar, ngre At Mauricin dhe e urdhëron të shkojë në Manati, poshtë, ku ndodhej Epeshkopi i zonës dhe t’i thotë të vijë urgjentisht lart në Kryezez se po ndodh një krim makabër. Udhëtimi nëpër natën me shi i At Muaricit për poshtë në Bregun e Matës është i denjë për një film western jo vetëm nga intensiteti i përshkrimeve, nga rreziqet, ecja nëpër natë, shiu, kali që shembet, pastaj shiu pa pushim dhe braktisja e kalit dhe pas katër orësh mbërritja te Epeshkopi. Të nesërmen, kreu i lartë i Kishës vjen në Kryezez dhe lajmëron bajraktarin që të vijnë ta takojnë me gjithë krerët e fiseve. Vijnë dhe ai u kërkon që Lulën t’ia falin atij dhe ai do ta marrë me vete në manastirin e murgeshave poshtë, në Breg të Matës. Ata dalin e pleqërojnë dhe nuk e pranojnë propozimin. Kryepeshkopi merr masën më të rëndë, i dënon me shkishërim. Për një vit asnjë varrim në varret e Kishës dhe asnjë kungim. Kisha mbyllet. Ky episod tregon epërsinën e moralit kristian mbi atë barbar të maleve dhe flet, gjithashtu, edhe për një dukuri tjetër. Kisha, në shumë raste, kishte falimentuar përballë violencës që bartnin kodet e dhunshme të Kanunit të Maleve.

Kalon një vit dhe autori e zgjidh me një artific mosvrasjen e Lulës. Një nga plakat e merr atë dhe e dërgon fshehurazi në Lezhë. Edhe krerët e fiseve e pranojnë në heshtje këtë zgjidhje dhe fshatit i kthehet jeta normale dhe i hiqet dënimi nga Kisha. Por ka mbetur i pazgjidhur një konflikt. Marku nuk mund ta kapërdijë turpin dhe zbret poshtë në fushë dhe duke paraqitur një kërkesë normale e merr motrën në shtëpi. E merr që ta vrasë. Ashtu bën. E nxjerr në kopsht dhe e vret. Vritet edhe Pal Gjoka. Krypeshkopi është prerë në besë sepse Lula u vra kur ishte në dorë të tij. Për këtë, ai organizon një meshë në Kryezez pas shumë kohësh.

Ai nuk kishte shkelur në këtë fshat që në ditën kur i kishte mallkuar dhe nuk e kishte harruar dhe as e kishte falur vrasjen e Lulës, një të pafajshmeje që ishte në besën e në bukën e tij. Fjalët e tij në atë meshë janë, më së shumti, qortimet e autorit për ligjet e egra të banorëve ku ai ka qenë i detyruar të shërbejë si prift. Pasi tregon historinë e vdekjes së Krishtit që u dënua pa asnjë shkak, por vetëm se kështu e donin disa ligje të vjetra, Krishti vdiq si fli e kësaj ligje, si fli e mënisë së botës së vjetër, vdiq se e kishte pas shpallë veten mbret, por në një botë tjetër, jo në atë botë që kujtojshin gjyqtarët. E pas kësaj shtoi:

« Disa vjet ma përpara, këtu në Kryezez qe gjykue për vdekje nji vajzë, tue u mbështetë në ligjet e zakonet e lanuna nga të parët. U paraqitën kundra saj disa shkaqe t’idhta dhe të paspjegueshme. … Unë, Epikshkopi, gjyqtari ma i naltë i fisit dhe i të gjitha fiseve të dioqezit tem, u luta, kurse ishte në dorën teme me urdhnue. Pata thanë: ma falni jetën e vajzës! Lutja e eme nuk u mor parasysh, qeshë paditë se dojshe me thy ligjët e të parve. Ma vonë, kurse unë gjindesha jashta Shqipnie, e patën rrëmbye atë krijesë të mjerë e të pafajshme në besën teme. Vajza qe vra mbas ligjeve të të parve. Qe përsëritë historia e vjetër: ne kemi nji ligjë, dhe mbas kësaj ligje ajo duhet të vdesë… nji ligjë që asht ba në kohët e errëta të nji paganizmi të largët e të errët ». (f. 272-273). Pastaj Ndoj, vëllai i Lules, që është shuguruar prift, jep meshën e parë. Kur ai flet për paqe e për falje, duket sikur dëgjohet zëri i Lules. Marku, që po e dëgjon atë zë, shkëputet, del jashtë, shkon në varrin e së motrës dhe duke qarë e pyet: « Lulë, moj Lula e eme, a më ke falë !? » A muer përgjegje?… Përgjegja e së motrës a ia ktheu qetsinë e zemrës!? (278).

Kështu mbyllet romani.

 

Disa përfundime

Rënia në fund e ritmit të romanit ka të bëjë me përkatësinë e autorit si meshtar kristian. Marku, ai që vrau motrën dhe Pal Gjokën, nuk mund të shpëtohej vetëm nga falja virtuale e së motrës. Ky roman, ashtu si « Bardha e Temalit » e Pashko Vasës, ka në qendër pasionin, dashurinë. Por ndërsa te i pari, dashuria pranohet dhe konsumohet e prodhon më pas tragjedinë. Ndërsa, këtu, ajo nuk bën pjesë në qarkullimin kulturor të bartësve të saj.

Autori është treguar i pamëshirshëm me paraqitjen e anëve barabare të sjelljes së atyre banorëve që e kanë mbërthyer shpirtin në kryqin e një kodi të lashtë që ka si parim të kuptimit të jetës nderin, një kategori abstrakte që synon të fshehë sensualitetin dhe realizimin e dashurisë si akt shoqëror mes një mashkulli e një femre.

Ky nuk është një roman që pasqyron si në një festival gazmor doket apo traditat e të parëve tanë, siç thotë z. Tirta në studimin e tij ku ai rendit një varg me ornamente folklorike që nuk shtojnë asgjë në tragjedinë me të cilën është e mbushur jeta e këtyre banorëve.

Ka një fragment aty në roman që thotë se vesi më i keq i këtyre banorëve është krenaria, një arrogancë që e marrin edhe fëmijët jashtë dhe e ushtrojnë si dhunë mbi më të dobëtit.

Përveç natyrës së bukur, apo një lloj naiviteti në besimin dhe bindjen që këta banorë tregojnë për Perëndinë sa kohë që institucionet nuk u prekin ligjet e tyre të egra, asgjë tjetër e bukur nuk ekziston në këtë vend që simbolin më të bukur, Lulen, e vrau duke prerë në besë edhe kishën.

(c) 2020, Ilir Yzeiri. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Imazhi në kopertinë: Princ Dodë Pasha i Mirditës.


[1] Fabian Barcata, LULE, Një histori e vërtetë prej kohës së kalueme të Shqipnisë, Ligje dhe zakone të vjetra në malet shqiptare, ©Mirdita, Rrëshen, prill 2001, Shtypur: Shytpshkronja GEER, Tiranë 2001.

[2] http://worldcat.org/identities/lccn-n2008085886/

[3] http://www.standard.al/2020/04/24/ditari-im-shqiptar-i-barcates-perkthyer-nga-angjelina-leka/, Ndue Dedaj : “Ditari im shqiptar” i Barcatës, përkthyer nga Angjelina Leka, botohet për herë të parë në shqip, nga shtëpia botuese “Mirdita”, në njëqindvjetorin e tij, në vitin 2005. Ai u shkrua në vitin 1905-1906 në Kryezez (Rubik) dhe u botua njëzet vjet më vonë në revistën françeskane Franzisziglöcklein Austri, në vitet 1926-1927. Sa dimë, është i pari ditar i mirëfilltë i një të huaji për Shqipërinë.

[4] https://digitalcollections.usfca.edu/digital/collection/p15129coll3/id/1057

[5] Karl Gurakuqi, Dy fjalë prej përkthyesit, Lule, vep. e cit. f. 279-280.

[6] Prof. dr. Mark Tirta, ASPEKTE TË ETNOKULTURËS SHQIPTARE NË ROMANIN « LULE » TË FABIAN BARKATËS, Lule, vep. e cit. f. 281-313.

[7] Injac Zamputi Pozita shoqërore e gruas malësore shqiptare sipas kanunit, « Buletini i Universitetit shtetëror të Tiranës », seria shkencat shoqërore, Tiranë 1961, nr.2, f. 101-132.

[8] (Murillo, piktor i përmendun (1617-1682), i cili, përveç të tjerave, bani edhe nji pikturë të shkëlqyeshme, që mbet si shembull pikture dhe që paraqet fytyrën e Zojës, Nanës së Krishtit. (Shënim i autorit të librit)

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin